Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

URIA PËR KOMPLOTE

nga Edon Qesari

Të nis një shkrim, me qëllim për ta botuar, në vetë të parë dhe me intonacion ditari, është diçka që, ta themi troç, nuk do ta bëja kurrë. Përveç kësaj here. Dhe nuk do të ketë një të dytë; jo në këtë jetë, e me siguri jo këtë javë. Por do të ishte e pandershme të mos përmendja bisedën rastësore që më shtyu të shkruaj – e të dal në ato përfundime që me pak durim mund të lexohen pas jo shumë rreshtash. Se sebep u bë një qarje halli nga ana e një të njohuri të cilit, dëshiroj ta sqaroj që tani, nuk do t’i bëj biografinë e as do i them emrin. Do mjaftohem vetëm duke njoftuar se lëngon në kushte ekonomike fort të pakëndshme, prej kur s’mbahet mend. Është i papunë, ka një mal me borxhe dhe një familje për të mbajtur. Ka edhe një djalë në moshë të njomë që pëlqen të lexojë. “Aman më jep ndonjë libër që nuk të duhet” – m’u lut, duke më shpjeguar se si në ditë karantine një fëmijë 14-15 vjeç nuk kishte me ç’të merrej tjetër veç leximeve dhe xhepi nuk ia lejonte blerjen e vazhdueshme të librave. Nuk do rri të bëj retorikë mbi urinë për dije që kanë ata me stomak bosh – se do të ishte dhe pa shije. Dua vetëm të tregoj, meqë ra fjala tek shijet, se ç’libra parapëlqente djaloshi, si u shpreha menjëherë i gatshëm dhe i kënaqur ta furnizoja. “Ka shumë qejf këta librat me komplote… iluminati,” më tha; dhe vazhdoi të më rendiste terma që në përfytyrimin kolektiv lidhen me një nënbotë njerëzish të cilët vendosin fatet e njerëzve të kësaj bote. E kuptova mirë dhe e sigurova se diçka do të gjeja. Biblioteka ime nuk është e vogël, por dhe as e madhe; jo aq sa të mbajë mes rafteve atë zhanër të veçantë. Megjithëkëtë, duke qenë se librat komplotistë janë mizë lisi nëpër librarira, nuk do të ishte e vështirë që të gjeja dy-tre syresh dhe t’ia bëja dhuratë. Një kundërshti parimore nga ana ime, me shpalosje emrash madhështorë, me tituj antikë, klasikë a pedagogjikë, do të kishte qenë e kotë para atyre bombastikë – të tipit “Komploti i madh botëror”, “Protokollët e shejtanëve të Sionit”, “Kush sundon globin”, “Konspiracioni tronditës”, “E fshehta e madhe” “Masonët”, “Çifutët” etj. etj. (pranoj se titujt këtu janë sajesa të imagjinatës time, megjithëse vë bast se nuk ndryshojnë shumë nga të vërtetët nëpër stenda). Se fundja, që fatet tona nuk i kemi në dorë ne, njerëzit e zakonshëm, por i dikton dikush tjetër – ose më saktë, disa pak të tjerë, një grusht të plotfuqishmish, që janë larg ose lart nesh dhe kalojnë kohën duke thurur komplote pas shpatullave tona – është një trovata e vjetër sa vetë historia e trillimit dhe letërsisë njerëzore. Shashkën e hodhi Karl Popper-i, tek “The Open Society and its Enemies” (1945), kur tha se “Iliada”, tek e fundit, s’është asgjë tjetër veçse rrëfimi i një rrengu të madh të sajdisur nga zotat e Olimpit, të cilët luajnë me fatet e njerëzve dhe përfitojnë nga fatkeqësitë e tyre. Që në krye të herës pra njerëzit i mundon, i lë pa gjumë natën, ideja se rrojnë mes shtigjeve të një komploti të madh. Në të vërtetë, librat komplotistë kanë një prerje të përllogaritur enkas për të skamurit. Sepse librat komplotistë e duan skamjen. Se kuptohet, një mendje e zënë më komplote nuk mendon më për stomakun. Dhe jo për ndonjë analogji me opiumin fetar, thjesht e vetëm për t’i shkuar pas avazit Marx-it; pasi librat komplotistë nuk ofrojnë prehje, por shpagim. Dhe shpjegim. Për këtë botë, jo për tjetrën. Është një letërsi që synon të të servirë të fshehtën e madhe, që askush nuk ka për ta marrë vesh veç teje: se përse ndodhesh në këtë farë derexheje; se përse pushteti qëndron tutje, diku tjetër, larg teje. Ti, edhe pse i këputur, do ta dish ama. Tek ato 120-130 libra që dalin në ditë mbi këtë temë, apo tek ato 120-130 faqe web-i. Për shekuj njerëzit nuk e kanë ditur. Sot, veç ti do ta dish të vërtetën – së bashku me miliona e miliona të tjerë si ti. Librat komplotistë janë sot korifejtë e vërtetë të ndërgjegjes sociale të klasave të ulëta. Bëjnë premtimin politik më realist të mundshëm: “Do të të mësoj se gjërat nuk janë ashtu siç duken”. Pasi komploti botëror s’është kurrë i vërtetë, e aq më pak i fshehtë, nëse nuk i tregohet gjithë botës, nëse ai nuk bëhet mall i konsumit të përgjithshëm, nëse për të nuk flet kushdo – sidomos ata që nuk kanë në dorë gjë, veç mendjes së fjetur se këto punë kështu e kanë. E si çdo mall ka një datë skadence, se për çdo Rothschild sot, ka një Soros mot. Ndaj, si bëra mirë hesapet, në vend që t’i blija libra, të njohurit tim i dhashë adresën e dy-tre grupeve në Facebook, tek të cilët një natë më parë kisha lexuar një postim tronditës mbi mënyrën e fshehtë sesi 5G-ja shpërndan jo vetëm Coronavirusin (atë po e po!) por edhe gomarllëkun. Vërtet! Madje e kanë krijuar enkas dhe fshehtas për këtë punë. Se komploti më i madh i gjithë kohëve është vetë komploti: thënë ndryshe, bombardimi i vazhdueshëm i mendjes kolektive me komplote. Ndaj, si përshëndeta të njohurin tim, vazhdova të haja racionin tim të përditshëm të zbulimeve/klikimeve.

 

(c) 2020, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

SHËNIM REDAKSIONAL: LUTEM MOS PËRFITONI NGA KJO TEMË PËR TË SHTJELLUAR DHE ARGUMENTUAR, NË KOMENTET, TEORITË TUAJA KONSPIRATIVE TË PREFERUARA.

5 Komente

  1. Ne fakt kjo eshte edhe aresyeja se pse Manifesti Komunist eshte libri me I lexuar nga “te ndergjegjesuarit e klasave te uleta”. Ai pamflet zbulon nje komplot madhor qe jo vetem te tregon se si te zgjuarit dhe te pasurit te kane marre leket qe ti as I kishe dhe as kishe per ti pasur ndonjehere po mos ishe punesuar prej tyre, po te tregon edhe si ti rikuperosh ato. Dhe kjo periudhe karantine I ka shtuar edhe me shume keta lexues kam idene duke I mbushur edhe me shpresen e pashuar qe kjo eshte “pandemia finale/vendimtare mbi dhé…”

  2. Kjo e konspiracive gjithnjë më ka tërhequr si temë, sidomos pas 11 shtatorit 2001. Shpjegime të tilla, totale (gjithëpërfshirëse, overarching) na i kërkon mendja në momente krizash, ankthi, paqartësish, humbjeje kontrolli – kanë shkak psikologjik.

    Por do të shtoja se një pjesë e mirë e këtyre që qarkullojnë tani nxiten nga vetë qendrat okulte të manipulimit të opinionit publik – përfshi këtu edhe agjencitë e mëdha shtetërore të kontrollit të informacionit dhe të dizinformimit.

    Duke u përpjekur për një klasifikim fare në vija të trasha të teorive të kontrollit, do të rendisja si vijon:

    (1) Teori që janë produkt i mendjeve të sëmura (skizofrenia paranoide) ose të gjymta

    (2) Teori që në fakt i përgjigjen realitetit, por që “realiteti” i refuzon

    (3) Teori që janë formuluar nga specialistët e psy-ops, për të krijuar pështjellim në mendjet e publikut

    Dhe pastaj kombinime të këtyre më lart. Ndodh edhe që versioni ZYRTAR, për një ngjarje të madhe por të pashpjeguar mirë, të jetë ai vetë teori komploti, p.sh. armët e shkatërrimit në masë, që gjoja i kishte Saddam Hussein-i.

    Kur shteti fillon të motivohet nga teori të tilla, kjo u jep zemër të gjithë atyre që u kanë besuar prej kohësh – jo kësaj apo asaj teorie, por vetë parimit që gjithçka që ndodh ka të paktën dy shkaqe: atë që thuhet dhe atë “të vërtetin”, që vendoset në tavolinë.

    Do të thoja që sot teoritë e komplotit, si realitet mediatik (i amplifikuar edhe nga rrjetet sociale) janë më shumë vegël për manipulimin e opinionit publik dhe për “gaslighting” e qytetarëve, se reagime të mendjeve paranoide, ndaj një realiteti që
    nuk e kontrollojnë dot.

    Për shembull, shpesh do të gjenden lidhje të ngushta mes “lajmeve të rreme” (fake) dhe grupeve të interesit që kanë lidhje me aktorë shtetërorë të nivelit më të lartë.

    Që teoritë e komplotit sot gjejnë terren kaq pjellor në Internet, kjo lidhet edhe me krizën e autoritetit: njerëzit nuk u besojnë më politikanëve, shkencëtarëve, ekspertëve, udhëheqësve shpirtërorë, filozofëve, ideologëve – në një kohë kur nuk i kanë as mjetet e duhura për të menduar në mënyrë kritike.

    Në këto rrethana, pushteti e përdor akuzën për konspiracizëm edhe për të mbrojtur jo vetëm dështimet, por edhe gënjeshtrat e veta. Tek e fundit, edhe një vrasës i dënuar nga gjyqi mund ta quajë vendimin “teori komploti”.

    Edhe dikush që kërkon të ruajë një qasje kritike të drejtpeshuar ndaj realitetit, e ka të vështirë t’i rrijë larg mendësisë konspiraciste: kur ai tjetri të del në TV dhe të thotë, pa iu dridhur qerpiku, një gënjeshtër kolosale (si ajo e laboratorëve të Saddamit), atëherë ti vetvetiu do të fillosh të mendosh se kush po i fryn zjarrit të luftës.

    Siç e thotë një fjalë:

    Marifeti më i madh i djallit, është që ka bindur botën se ai nuk ekziston.

    Ironikisht, kjo thënie u atribuohet disa autorëve – edhe këtu konspiracizmi ka vepruar, siç pritej.

  3. Një qasje brilante, ndaj përhapjes (virulencës) së konspiracionalizmit sot, do ta gjeni tek episodi i 4-t i Sezonit 11 të X Files, i titulluar “The Lost Art of Forehead Sweat” – ku ceket, mes të tjerash, edhe “efekti Mandela”.

  4. Me arrogancë, ne njerëzit e mendojmë veten si gjallesën më inteligjente në planet. Më duket sikur çfarë nënkuptojmë me këtë nuk është një inteligjencë e vetëdije e lindur e tillë, më shumë sesa një nënshtrim ndaj riprodhimit të dijes së përftuar vetëm me anë të intelektit, të mirëpranuar që nga fillimi i historisë. Nëse realisht homo sapiens sapiens është inteligjent nga natyra, atëherë unë do të priresha ti besoja më shumë inteligjencës së tij të lindur, të paedukuar, dhe të skamur kur ky mendon se ka diçka thellësisht mbrapsh me shoqërinë njerëzore (ashtu siç dhe do të besoja cicërimën e një zogu si të sinqertë sepse është instinktive) – aq mbrapsh madje sa dhe ai vetë ka filluar të dyshojë se s’mund të jetë rezultat i qenieve inteligjente dhe se duhet të jetë komplot – sesa një njeriu të përpunuar, për aq kohë sa ky përpunim tradhëton përshtatjen e lirisë së të menduarit sipas një botëkuptimi të normalizuar historikisht si i qytetëruar dhe për rrjedhojë i dëshiruar, pa çka se ky qytetërim përfshin brenda luftë kafshërore pa pushim, me pasoja mbi jetën, të pakrahasueshme me ato të gjallesave të tjera më pak inteligjente në planet.

    Për shembull, nëse më lejohet, ngjashmëritë midis tregimeve të Ezekielit të interpretuara nga Erich Von Däniken dhe tregimeve të njerëzve të thjeshtë në librin Abduction të psikiatrit nga Harvard, John E. Mack, janë të çuditshme dhe do duhej të ishin ngacmues jo vetëm për studiuesit e letërsisë krahasuese, por edhe për këdo që është kureshtar për botën. Dhe në mos meritofshin vëmendjen e më të edukuarve, unë mendoj se të paktën nuk meritojnë tallje.

    1. Nuk besoj se jam i vetmi që gjej lidhje mirëfilli (shkakësore) midis teorisë konspirative të tanishme, për rrjetet 5G si bashkëfajtore në përhapjen e Covid-19 dhe përplasjeve strategjike të administratës së SHBA dhe grupeve të interesit atje (dhe gjetiu) me kompanitë e mëdha kineze të elektronikës dhe të telekomit, të cilat po kërkojnë super-ekspansion në botën post-Perëndimore. Përplasja është reale dhe po luhet me biliona dollarë investime në infrastrukturë – aq më tepër në kontekstin e të ashtuquajturit “The Internet of Things”; por refleksi i kësaj përplasjeje, në folklorin e “luftës kundër antenave” nuk mund të kuptohet, besoj unë, jashtë optikës mirëfilli konspirative: kush mund të mohojë interesin e disa grupeve në SHBA për ta “demonizuar” teknologjinë 5G? Ky hostilitet shprehet pastaj në disa nivele: në nivelin “deep state” dhe larg vëmendjes së publikut, si mbyllje ndaj teknologjisë kineze (dhe proteksionizëm); në nivelin politik, si nevojë për mbrojtje strategjike ndaj një rivali të superfuqishëm si Kina; në nivelin folklorik, si frikë nga martesa diabolike mes elektromagnetizmit dhe patologjive të shëndetit, përfshi edhe viruset. Këtu nuk kemi të bëjmë as me të vërteta as me gënjeshtra, por me narrativa që e çojnë jetën përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës, ose në hapësirën ku ligjin e bën BESIMI. Besimi i elitave të “deep state” amerikan, se Kina nuk duhet lejuar të hyjë në sektorin kyç të telekomit, përthyhet, në nivelin vernakular, si besim i njeriut të rrugës se antena 5G po e infekton me koronavirus.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin