Titullin e këtij shkrimi e kam rimarr nga një vizitë në shkurt të vitit 2017 në një ekspozitë tek House of Illustration (Londër) me titullin: A New Childhood: Picture Books from Soviet Russia. Për shoqëruesit e mi britanikë ekspozita u duk të ishte një zbulim i jashtëzakonshëm: vitet e para pas Revolucionit Rus ishin periudhë energjie dhe eksperimentimi dhe përçimi i emocionit të botës së re komuniste përmes librave të fëmijëve, të shtypur në miliona kopje ishte padyshim përparësi e madhe.
Sic vërehej dhe nga kopertinat apo faqet e ndryshme të ekspozuara, ilustrimi për fëmije ishte dinamik, inovativ, shumë i ndryshëm nga lloji i imazheve nostalgjike baritore të ofruara për fëmijërinë britanike të kohës kur e kishin jetuar shoqëruesit e mi. Disa nga materialet në shfaqje, të tilla si Two Squares, narrative e një katrori të zi dhe një të kuqi – ku i kuqi triumfon në madhësi mbi të parin – janë krijime thuajse abstrakte që mund të ishin realizuar fare mirë nga Miró. Në vërdallosjen nga një pavijon tek tjetri mendja më shkoi tek ilustrimi për fëmijë në Shqipëri dhe tek lindja e vetë librit për fëmijë në industrinë e botimeve shqiptare. Sot e kësaj dite vazhdoj të bluaj në kokë imazhe që më vijnë si blitze nga ekspozita në House of Illustration, nga libra të vjetër shqiptarë që kam shfletuar dhe nga qindra biseda të ndryshme mbi librin për fëmijë në Shqipëri, biseda që “derdhen” gjithnjë në “burimin” fillestar të sektorit tonë shëndetlig të botimit.
Një nga ambiciet pedagogjike më të larta të komunizmit në Shqipëri qe ndërtimi i një shoqërie të re, dhe kjo ambicie do të duhej të kalonte medoemos nëpërmjet promovimit të një imagjinari të ri kolektiv që eventualisht do të strukturohej nëpërmjet një fjalori pamor të rinovuar. Më shumë se njëherë dhe veçanërisht në fjalën e mbajtur në konferencën e 17-të të Partisë për Tiranën në 1968-n, Enver Hoxha vuri theksin mbi nevojën për të orientuar letërsinë për fëmijë në drejtim të realizmit socialist. Kjo vëmendje ndaj rritjes së fëmijës dhe përvetësimit të teorive marksiste-leniniste nëpërmjet letërsisë vihet re në rritjen progresive të botimeve origjinale, ndryshe të quajtura “botime autori”, të kësaj letërsie.
Sipas Bedri Dedes, në vitin 1945, fill pas lufte, kemi shumë pak tekste origjinale, pra me autorësi shqiptare, të kësaj letërsie. 15 vite më vonë shohin dritën e publikimit 9 tituj të ri origjinal, me një tirazh prej 186 mijë kopjesh. Çdokush që sot e di sa janë tirazhet e librit jo shkollor në Shqipëri do të jetë thellësisht i surprizuar nga kjo shifër. Rritja e numrit të veprave të letërsisë për fëmijë arrin majën në vitin 1969, tek shënon 30 tituj origjinal secili me gjysmë milion tirazhi.
(Afterart.org, Ta Vlerësojmë Drejt Letërsinë për Fëmijë si Mjet i Fuqishëm i Edukimit Komunist – Nëndori, Mars 1971, Plenumi për Letërsinë për Fëmijë, 2014)
Kthesa e fortë që ndërmerr letërsia për të vegjlit e atyre viteve shkon përtej synimit të saj të përhershëm, zgjerimit të botës intelektuale të fëmijës. Misioni i kësaj letërsie të re qëndron në edukimin ideologjik që ushtrohet nëpërmjet tekstit. Si rrjedhojë, në shtypin e 1971 Dedja shprehet qartazi se:
“Ne duhet të kuptojmë më mirë se kurrë sot problemin e zhvillimit të letërsisë për fëmijë si një çështje të edukimit ideopolitik të brezit të ri.”
Revolucioni i ndërmarrë prej krijuesve të librave për fëmijë pas vitit 1944 përqendrohet në trasformimin e disa aspekteve thelbësore të tregimtarisë. Tematika aktuale dhe bota bashkëkohore si fraksion i një politike më të gjerë, nis të zërë vendin dërrmues në letërsinë për të vegjlit. Ky ndryshim mundësohet nëpërmjet mënjanimit dhe aneksimit të tematikës tradicionale dhe asaj folkloriste. Rrëfimet me në qendër kafshë nisin shihen artistikisht anakronik dhe njeriu e ndërveprimi i tij në shoqëri nis të zërë rolin kryesor në këtë letërsi. Kafshët marrin të gjitha tipare antropomorfe si arushi që humbet penën, sqeparin apo lopatën, ujku piktor apo cjapi rrobaqepës. Kafshët nisin e zënë vend përherë e më periferik dhe në vend të tyre skenën e merr progresi teknologjik i vendit.
Kusht kryesor në letërsinë për fëmijë të periudhës është jo vetëm pasqyrimi i jetës sociale të individit që bashkë me kolektivin ndërton sistemin, por gjithashtu puna bëhet element thelbësor që shpesh karakterizon subjektet e këtyre titujve e si rrjedhoje dhe ilustrimet e tyre.
Në këtë celës duhen kuptuar zgjedhjet stilistike dhe përgjegjësia e forcave krijuese të periudhës, si pjesë përbërëse e një misioni për edukimin e shoqërisë së re proletare.
Faza e parë shënjon luftën që i shpallet trashëgimisë orale, e cila shpesh sjell me vete rudimente nga e kaluara. Imagjinari tradicional prej të cilit përrallat marrin formë, nga njëra anë përbëhet më së shumti nga qenie të mistershme me fuqi të mbinatyrshme dhe nga ana tjetër figura si mbretër apo pasunarë zënë role didaktike kryesore. Siç dëshmon Kolë Jakova tek Aktualiteti dhe Përralla:
“Fëmijët kërkojnë me ngulm përralla. Dhe prindërit u tregojnë fëmijëve përralla me mbret. Jo rrallë ky mbret është i mirë dhe për tu mëshiruar se vuan. Po njësoj këto përralla shpesh përfshijnë qenie si shtojzovalle apo lugetër […] Duhet një punë e madhe për ta shkëputur fëmijën tonë nga ndikimet e botës se vjetër.”
Vetë stërgjyshi im Riza Bermema dhe e shoqja Safet Tafaj edhe gjatë periudhës së diktaturës vijuan t’i rrëfenin fëmijëve dhe nipërve të tyre përralla me “fatí” dhe me Gjymsëgjelin që udhëtonte në mbretërinë e largët e thërriste emrin e princeshës. Për të luftuar këto “ndikime” të rrënjosura thellë në familje padyshim që puna nga “didaktët” dhe autorët e rinj duhet të ishte e impenjuar.
Efekti prapanik i këtyre përrallave të cilave u referohet Jakova më risjell sërish ndërmend një ilustrim libri për fëmijë të fund viteve 1920 të Bashkimit Sovjetik, shfaqur në ekspozitën që përmenda në celje të këtij shkrimi, në House of Illustrations. Pavarësisht se në dekada krejtësisht të ndryshme dhe larg njëra-tjetrës, nuk do mend se të dyja ideologjitë ndajnë të njëjtin opinion për këtë bagazh bestytnish të trashëguara nga e kaluara. Në fakt në këtë ilustrim të shtëpisë botuese Segodnya duket një djalë i vogël komunist i cili “zhduk” me një shkelm Baba Yaga-n, shtrigën tradicionale të përrallave ruse.
Kështu nisi krijimi i përrallës socialiste për të zëvendësuar këtë zhanër letrar. Vepra të famshme të kohës si Fabrika e penave e Shirokës, Vinxhi Mendjemadh i Gjergj Vlashit, Do Ndërtojmë Hidrocentral i Gjokutës flasin qartë për peshën e re që merr letërsia për fëmijë në përgatitjen e një lexuesi me koncepte dhe fjalor estetik të ‘njeriut të ri’.
Por pavarësisht prapavijës ekzistuese për të edukuar ‘fëmijërinë e re’ nëpërmjet një diapazoni të ri tematikash dhe një ligjërimi të ri pamor, si çdo praktikë e cila ushtrohet, ndodh që lulëzon në krijime të mira. Vepra të tilla si Princesha Argjiro nga Ismail Kadare, Kalamajt e Pallatit tim nga Bedri Dedja, Shpella e Piratëve nga Petro Marko, Cufo dhe Bubi Kacurrel nga Gaqo Bushaka apo dhe tregime fantastiko-shekencore si 20 vjet në kozmos, Dy rrugë drejt ylberit nga Thanas Qerama a Dionis Bubani e të tjerë, janë krijime të cilat i mbijetuan kohës duke përbërë kështu dhe një pjesë të palcës së letërsisë shqiptare për fëmijë.
Përsa u takon ilustrimeve, është tashmë e ditur se çdo ideologji politike ka ardhur me parametrat e veta estetike. Në vazhdën e edukimit konceptual ideopolitik të fëmijës do të vinte dhe edukimi i tij me këtë fjalor pamor. Sipas pedagogjisë infantile roli i ilustrimeve tek fëmijët është mjaft i rëndësishëm duke qenë se këto të fundit bëhen konkretizues të objekteve, pjesë e kujtesës pamore dhe mjet përmes së cilit njihet bota. Në kujtimet tona të para ruhen ilustrimet e librave që kemi parë së bashku me prindërit. Fëmijët nëpërmjet procesit të identifikimit kanë aftësinë të projektojnë veten tek “heronjtë” e tyre duke zgjedhur sjelljet e këtyre të fundit si modele per veprimet e tyre vetjake. Në të njëjtën mënyre nëpërmjet ilustrimeve, fëmijëve u edukohen dhe shijet estetike.
Sipas Agim Fajës, arsyeja se pse shumë autorë si Safo Marko, Spiro Kristo, Llambi Blido apo Zef Shoshi patën një krijimtari kaq prodhuese qëndron tek elementi i bashkautorësisë në vepër. Ilustrimi nis të shihet jo më si element dekorativ i veprës por si pjesë përbërëse e saj. Në vepra si Treni ynë apo Ne jemi Gjeologë, gjendet një punë ilustrative e kujdesshme.
Cilësor apo jo, arti i ilustrimit për fëmijë u bë një element i rëndësishëm jo vetëm tekst-formues por dhe shoqëri-formues. Këtë impenjim të fortë në artin e ilustrimeve për fëmijë mund ta shpjegojnë fare mirë fjalët e Fajës mbi edukimin e brezave për të çmuar veprat e artit ilustruese të zhvillimeve revolucionare.
Si në rastin e kinematografisë, një pjesë e ilustrimeve ndrydhin në bazë të tyre qëllim propagandistik i cili shkon përtej edukimit intelektual të fëmijëve. Megjithatë këto ilustrime përbejnë një pasuri të madhe jo vetëm në kuadër të dëshmisë historike të vendit dhe etapave artistike të shenjuara nga politika por dhe si një moment në të cilin ndofta për herë të parë imazhit si pjesë përbërëse e librit do t’i jepej vendi që i takon, të njëjtin vend qe mban dhe sot ne industritë e mëdha të botimeve në mbarë botën.
Gjatë viteve ‘90 kjo kulturë erdhi gjithmonë e më në rënie. Ilustrimet e bukura të Safo Markos vijuan, sikurse të tjera iu komisionuan artistëve si Gazmend Leka apo dhe emrave më të rinj. Për fat të keq sot qarkullon shumë pak letërsi autori shqiptare për fëmijë e si rrjedhojë kjo ka shkaktuar dhe mpakjen e artit të vështirë të ilustrimit të këtyre librave. Them “art i vështirë” nisur nga intervistat e Safo Markos, e cila dëshmon se ilustratorët shpesh ndiqnin praktikën e studimit të fëmijëve dhe jetës së tyre të përditshme nëpër lagje, shkolla, kopshte dhe në çdo ambient tjetër të sferës publike e private.
Edhe ato libra të ilustruar, që gjenden sot në treg në përgjithësi bartin imazhe të licensuara (ose jo) nga artistë të huaj. Padyshim kjo zgjedhje është proporcionale me vetë prejardhjen e letërsisë për fëmijë që është më së shumti letërsi e përkthyer. Mund të gjenden sot në treg libra të rinj për fëmijë të ilustruar në mënyrë elegante dhe origjinale, shembull këtu sjell tre libra që më kanë pëlqyer veçanërisht si Mësimet e Natës nga Betim Muço me ilustrime të Bora Baboçit, një botim i bukur i shtëpisë botuese Syth që qarkullon dhe në Shqipëri, Xhela rritet një herë tjetër nga autori Agim Deva, me ilustrime të Aida Sinanit, libri Kundër Rrymës, një histori mbi Sabiha Kasimatin, megjithëse e ilustruar nga një artiste e huaj vijon të mbetet një krijim origjinal për letërsinë shqipe apo dhe libra të ilustruar nga Ledia Kostandini.
Uroj që nisma të reja të ndërmarra nga shtëpi botuese shqiptare për të ilustruar jetët e figurave të shquara kombëtare, apo nisma të tjera të mira si hapje librarish të dedikuara për fëmijë, të mund të frymëzojnë pikërisht një punë në bashkautorësi mes shkrimtarëve të rinj dhe artistëve shqiptarë.
(c) 2020, Anna Shkreli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Ilustrimet e librave ruse per femije (sidomos perrallat fantastike) kane qene nje enderr brenda endrres. Mund t’i shihje me ore te tera e ta beje prape kete te nesermen e gjithe vitin. Edhe ne periudhat kur Revolucioni marshonte se prapthi dhe kerkonte ilustrime te forcuara antikapitaliste e te partishme, ndikimi i avant gardisteve ne ilustrime mbeti i fuqishem, sidomos ne vitet para Luftes se dyte Boterore. shikoni kete psh.
Nje tjeter gje e palidhur me temen qe me beri pershtypje ne kopertinen e “Nendori” ne krye te shkrimit, ishte togu “Libra te reja”. Shume interesante! Nuk e kisha hasur dhe nuk me del as ne google. Shqiptari i zakonshem thote ‘libra te rinj/te vjeter” pa u menduar dy here. Ai editori i “Nendori” kam frike se e ka pas bere shkollen e larte naten, dhe e ka vrare mendjen me shume se duhet per shumesin qe mbaronte me -a :). Normalisht, si dikur, ashtu edhe sot, gabohet me shumesat me e/ra te tipit “male/ mallra” qe edhe shkrimtaret tane me te kujdesshem (kam parasysh Romeo Collakun ketu psh, apo edhe Ismail Kadarene, por jo vetem ata) ose shqiptaret e edukuar e shkruajne sic “nuk duhet”.
Për mua, ky femërorëzim i disa shumësave (shumësve?) do parë si një nga simptomat e ndryshimit të shqipes mu nën hundën tonë:
hapa të shpejta
flokë të thinjura
pantallona të gjata
krahë të lehta
sy të zeza
veshë të gjata
dhëmbë të prishura
libra të reja
gjunjë të thyera
brekë të grisura
thonj të paprera
lekë të vjetra
brirë të përdredhura
lekë të reja
dhe kushedi sa të tjerë (të tjera?)
Nuk besoj se lidhet vetëm me dukurinë e njohur tip male të larta ose fshatra malore; por ka të bëjë edhe me ambiguitetin e prapashtesës -ë (të shumësit mashkullor) që ngatërrohet me prapashtesën zero të emrave femërorë me temë në -ë (mollë, dardhë), në ato raste kur emrat mashkullorë që e bëjnë shumësin në -ë (si krah(ë)) nuk i referohen seksit mashkullor.
Nuk dua te prish ekuilibrin tematik te pergjigjeve per shkrimin, por po vazhdoj edhe fare pak temen e shumes(a)ve. Ky rasti i ‘shumes’ ne shumes eshte tjeter gje. Por gjithsesi eshte nje ndryshim gjuhesor ne rruge e siper. Ti thua qe kategoria e gjinise ne shumes eshte duke u dobesuar ne shqip. duket krejt logjike per markimin shpesh te dobet te emrave (por edhe te mbiemrave). Qartesisht gjuha e folur i ka bere rruge dukurise qe ne vitet ’70 nga shembulli ne foto. Une besoj kjo ndodh sepse ka nje model historik (para-ekzistues, mjaft komod do thoja) qe lehteson levizjen ne gjini nga njejesi ne shumes. Shembujt me siper jane te bukur dhe sh te ndryshem nga natyra. Disa une nuk i kam degjuar ne fakt; por ndoshta edhe nuk m’i ka zene veshi (sipas meje, ka syzeze, por jo sy te zeza). Por disa jane fjale qe nuk kane ose perdoren sh rralle ne njejes, gje qe e ben gjinine e shumesit nje formalitet (pantallona, breke, brire); thonj eshte e markuar ndryshe ne shumes- sh qartesisht, dhe une e kam gjetur gjithnje ‘i ke thonjte pa prere ose te paprere’; gjunje me le bosh- s’kam pergjigje; besoj ‘hapa’ ‘pantallona’ dhe ‘libra’ eshte thjesht ndikim i ‘a-se’ perceptuar si shenjues sh i forte i femeroresise. Gjeja me interesante nder shembuj per mua eshte ‘leke’. Kam parasysh qe te ardhurit nga disa krahina jugore ne Tiranen e pas-Clirimit, kur ende nuk ishin krejt te tiranizuar 🙂 u thoshin “leka”.
Por sigurisht qe kjo mesele do rrahur mbare e prape e duhen konsideruar gjithe shembujt. Lum si ata qe ende merren me linguistike te ketei tipi, dmth prej verteti.
Shprehje e ndryshimit të shqipes mu nën hundën tonë është pa dyshim dhe përdorimi i një forme të re të paskajores (me mesuar; me depertuar) nga prof. Bardhyl Demiraj në shkrimin “Profesor Zeta”.
Nuk besoj. Tani për tani, kjo është vetëm “huq” i mënyrës si shkruan një individ, Bardhi. Karakteristikë e idiolektit të tij. Që të cilësohet si shenjë se shqipja po ndryshon, duhet që të shkëputet më parë nga idiolekti i këtij apo i atij autori. Shembujt që kam sjellë më lart nuk i lidh dot me ndonjë autor specifik – janë anonimizuar tashmë. Ndryshe nga, të themi, fjala “fitorje” që, e shqiptuar kështu, na kujton cave Enver Hoxhën.
pikerisht, Lec. Sic thote AV, edhe une mendoj se Demiraj i perdor ato forma qellimisht sepse beson ne sjelljen e tyre ne perdorim. Ato forma nuk vijne ne tekst padashje sic jane shumesat qe po diskutojme.
pikerisht, Eda.Edhe une mendoj si ju qe prof. Demiraj i perdor ato forma qellimisht. Nuk doja ta shkepusja diskutimin mbi devijacionet padashje te Shumesit; thjeshte prita rastin e pare te nje diskutimi mbi ceshtje te gjuhes ku te mund ta ngacmoja perdorimin e guximshem te prof. Demirajt. Ardiani e di se ne ndjeksit e tij e kishim tashme nje pyetje per kete shartim te pjesezes (me) te paskajores se gegnishtes me pjesoren (punuar) te toskerishtes. Mund t’ia kisha bere pyetjen prof. Demiraj ne komentet e shkrimit te tij, por e di qe nuk do te pergjigjej.
Do të shtoja edhe këtë: në ndërhyrjen time fillestare, e kisha fjalën për ato ndryshime të gjuhës që ndodhin “vetvetiu”, ose pa vetëdijen e folësve. Kush thotë libra të reja në vend të libra të rinj nuk është i vetëdijshëm se po ia ndërron gjininë emrit në shumës dhe, në fakt, as që i bëhet vonë për këtë. Përkundrazi, kur një autor përpiqet të “thyejë” standardin duke futur forma të paskajores gege, e bën këtë me vetëdije dhe me shpresë se shembulli i tij do të ndiqet nga të tjerë.
Eshte nje gje te sanksionohet edhe formalisht ate qe shqiptaret e perdorin ne te foluren e perditshme, eshte nje gje krejt tjeter te shkruash pa kujdes dhe me gabime drejtshkrimore feminore (tituj te ri- shkruan autorja, biles “tituj te ri origjinal” ), dhe keto gabime te kalojne “nen hunde” ne nje shkrim per letersine.
Tamam shqipe e thjeshtuar dhe e transkriptuar fonetikisht.
Eshte shume shkurajuese qe edhe ne kete faqe te nderuar kulturore has gabime te ketij niveli.
Gjynah.
Gjynah vertet. Si guxojne. Si nuk u vjen turp te nxjerrin nga nje shkrim ne dite pa e kaluar ne vrimen e gjilperes. Pse tregojne kaq pakujdesi per ne qe vime e lexojme ketu cdo dite falas, kur mund te kullosim ne hapsiren mbareshqiptare ku shqipja perndryshe shkelqen. Jo me. Vertet jemi mbyllur brenda, por kemi opsione dhe nuk e pranojme kete doreleshim nga Peizazhe te Fjales. Vete e kane fajin keta te Peizazheve qe kane ndertuar nje reviste me “cilesi” duke bere vete edhe korrektorin, edhe redaktorin, edhe faqosjen, edhe botimin, edhe komunikimin me bashkepunetoret, edhe moderimin e komenteve, edhe shperndarjen ne rrjetet sociale, te gjitha pa reklama, pa trash, pa pornografi. Si nuk mori vesh ky shqiptari qe kerkon t’i beje te gjitha vete. Sa megalomane paskemi qene!
u.t.
Nuk besoj se eshte e parsyeshme te presesh shkrime pa gabime drejtshkrimore ne nje faqe kulturore. Te pakten pa gabime te atij kalibri qe une solla.
Kjo eshte barre e autorit pike se pari, nuk eshte as ceshtje pamundesie financiare as ceshtje mbingarkese me pune.
Ja psh, edhe ti, shkrove nje koment gati aq te gjate sa shkrimi. E bere, imagjinoj, gratis, dhe ja dole qe edhe te besh sarkazem sa u kenaqe, edhe te shkruash pa gabime. Pra nuk eshte e veshtire.
Te uroj shendet!
Ne që merremi me revistën tregojmë kujdes për drejtshkrimin, edhe pse kujdesi për drejtshkrimin merr kuptim vetëm në rrethanat e një kujdesi të përgjithshëm për shprehjen, stilin dhe formën. Mund të shkruash me drejtshkrim të përsosur, dhe të përcjellësh një mesazh krejt pa vlerë ose të ndyrë. Ne tregojmë kujdes për drejtshkrimin, por “Peizazhe të fjalës” nuk synon të jetë flamurtare e shqipes së drejtshkruar. Eseja e Shkrelit, me gjithë ndonjë problem drejtshkrimor për të cilin përgjegjësinë e kemi ne si botues (meqë ajo na e dha në mirëbesim), i ka vlerat gjetiu. Sa për mua, si A.V., unë kam bërë shkollë shumë të fortë për drejtshkrimin dhe tani nuk e kam zor që t’i përmbahem; edhe pse gabimet as unë nuk i shmang dot. Por synimi im, si autor, është që ta shkruaj shqipen në mënyrë të tillë, që të mos ia pengoj leximin tjetrit, me gabime drejtshkrimore dhe gramatikore, jo që të demonstroj virtuozitet në zbatimin e rregullave të drejtshkrimit. Ndoshta ngaqë e kam bërë shkollën shumë të fortë, i mirëkuptoj gabimet që u shpëtojnë të tjerëve dhe e konsideroj shenjë KEQBESIMI që t’ua vë këtyre në dukje në publik, kështu badihava siç bëni ju, Vendet Tona, madje pa jua kërkuar kush. Dhe ky debat mbyllet këtu – nëse dëshironi, na shkruani në kutinë e postës për t’u përgjigjur, ose për ankesa të tjera të ngjashme. Eseja më lart, aq e pasur sa ç’është, nuk e meriton që të ndiqet nga komente të tilla pa lidhje me temën.