Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

UJKU MES NESH

Një kujtim që më kthehet e rikthehet, nga ditët e mia të hershme në New York: i afishuar në vagonët e metrosë, një mesazh publicitar paguar prej një klinike a kushedi një firme barnash, që thoshte: someone in this car has lupus (“dikush në këtë vagon ka lupus”). Mbaj mend si këqyrja, tinëz, fytyrat e bashkudhëtarëve të mi, në atë spostim të përkohshëm nën dhé: cili prej tyre – cili prej nesh – ishte prekur tashmë? Tek i sëmuri me lupus, sistemi imunitar e humb toruan dhe nis të sulmojë veten: mjeku frëng që e përshkroi i pari sëmundjen në Mesjetë, i krahasoi dëmet e saj në lëkurë me kafshimin e një ujku: që këtej, edhe emërtimi lupus, sipas emrit të kësaj shtaze në latinishte. Cilin prej nesh e kish kafshuar ujku? Pasagjerët në vagon shihnin gjithsekush punën e vet – njëri lexonte gazetën, tjetra shihej në pasqyrë, një i tretë dremiste, një e katërt kontrollonte orën; pa u shqetësuar shumë për ujkun e padukshëm që na kish hyrë në mes. Me gjasë, ai poster kish për qëllim të na ndërgjegjësonte për një çrregullim shëndeti që shpesh nuk dallohet lehtë, të paktën në fillim; por efekti që sillte me vete, ish ky dyzim i botës; me një rrafsh në mos imagjinar të paktën abstrakt që i shtohej realitetit; me ujk të fshehur që na kafshonte, padukshëm dhe pandjeshëm, përmes fjalëve.

“Ujkun” në vagonin e atëhershëm të metrosë e kam kujtuar shpesh këto ditë, kur më bëhet gjithnjë e më e pamundur të vë në emërues të përbashkët botën përjashta – pemët që po çelin lule, ekuinoksin e pranverës, diellin që perëndon gjithnjë e më vonë – me realitetin që më përcjell media: koronavirusi, të vdekurit, të mbeturit pa frymë, kufomat, ventilatorët, hartat, grafikët e përhapjes së epidemisë, imazhet e virusit si minë detare, fotot e kontrolleve kufitare, me udhëtarë të cilëve u drejtojnë në ballë termometrin në formë pistolete. Mediat flasin për statistika dhe projeksione, gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim; mediat duan të më bindin se ujku tashmë po më rrëmon në mushkëri dhe në organet e brendshme. Virusi është kudo dhe i padukshëm: i pari njeri që takon në rrugë, mund të ta japë – nëse ndërkohë nuk ia jep ti.

Kanë folur për dy epidemi: të sëmundjes vetë dhe të lajmit, ose më mirë të zhurmës për sëmundjen, në mediat. E njëjta dukuri, viraliteti, në dy hapësira të ndryshme – në konkurrencë mes tyre. Si rrallë më parë, kjo epidemi na provoi se dy botët, ajo që përjetojmë dhe ajo që na rrëfejnë, nuk pajtohen mirë, dhe se kur provon t’i njësosh, mund ta humbësh mendjen krejt. Një ujk tashmë bukur i kamufluar brenda tufës me dele nuk mund të ngjallë veçse panik ekzistencial, sa kohë që nuk dimë si t’i largohemi, si t’i ikim dhe ku t’i fshihemi. Nga qytetarë, shndërrohemi në fëmijë; dhe si fëmijë, duam të udhëzohemi nga autoritetet dhe t’u bindemi, pa çka se autoritetet nuk na bindin; dhe pa çka se këto autoritete – politikanë, mjekë, specialistë të rendit publik – kanë nevojë për mediat, që t’i përcjellin udhëzimet e tyre, po ato media që deri dje ua kishin zhvlerësuar dhe diskredituar autoriteteve fjalën dhe cipën.

Në një nga ditët e para të frikës, në atdhe, një i afërm i moshuar më foli në telefon për Nostradamus-in, duke më rrëfyer si ky e kish parathënë, në një nga kuatrinat e tij, epideminë e tanishme. Këtë hyrje dramatike në skenë të dijetarit dhe largpamësit frëng njëfarësoj e prisja – ka një segment të publikut, në Shqipëri, që jo vetëm e dëgjon Nostradamus-in, por edhe konstituohet rreth tij; në kuptimin që, pas çdo fatkeqësie natyrore, si tërmet a epidemi, do të dalë edhe kuatrina përkatëse. Pak ka për t’u habitur, në një kontekst si yni, të nginjur me horoskopë, astrologë, lojëra fati dhe marifete të tjera me kaosin. Më kurioz është interesi i publikut për parashikimet: epideminë e tanishme u tha se e kish përshkruar Dean Koontz në një roman të qëkurshëm, sikurse u nxor nga harresa një Sylvia Browne, autore amerikane me aftësi të deklaruara për të vështruar në të ardhmen. U përmend Bill Gates, që edhe ai kish folur për pandeminë. Sa më shumë të rrëmoheshin arkivat e mediave, aq më qartë do të dukej se këtë katastrofë e paskëshin parashikuar masivisht – çfarë mbase do të ngushëllonte, për faktin që i gjeti të gjithë, shtetet dhe institucionet dhe publikun, të papërgatitur.

Sylvia Browne, që në librin e saj End of Days të botuar në 2009, “lajmëronte” për një pneumoni që do të përhapej, në botë, në vitin 2020, mbahej nga ndjekësit e saj për medium, ose kanal komunikimi mes realitetit tokësor dhe rrafsheve të tjera, përfshi këtu edhe të ngjarjeve që ende nuk kanë ndodhur (ose që për ne nuk kanë ndodhur). Mediumet flasin me të vdekurit a me shpirtrat dhe përcjellin pamje të së ardhmes; disa prej këtyre mbahen deri edhe për profetë, ose shqiptues të vullnetit hyjnor. Historia tregon se, në kohë fatkeqësish, frikërash të mëdha kolektive dhe katastrofash, kulturat i thërresin në skenë këta profetë, si mjekë të pasigurisë dhe të ankthit: edhe pa e kuptuar mirë se çfarë po ndodh, njerëzit duan të dinë se çfarë do të ndodhë.

Kur lexova për këtë Sylvian, të prezantuar si medium, mendova menjëherë se e njëjta fjalë latine, medium, është edhe njëjësi i fjalës media, e cila tashmë shënjon mjetet e komunikimit publik, nga gazeta te radioja dhe televizioni, Interneti dhe rrjetet sociale; dhe që, për t’iu referuar një metafore të njohur të filozofit kanadez Marshall McLuhan, duan të jenë “zgjatime të njeriut”, shqisa që na vënë në kontakt me një realitet më të gjerë, duke na ndihmuar t’i tejkalojmë caqet biologjike dhe psikologjike të trupit. Ndonjëherë, këto media vihen të na lajmërojnë për të ardhmen; anasjelltas, do të ishte tunduese t’i këqyrnim profetët, në rrjedhë të historisë, jo vetëm si mediume, por edhe si media. I vetmi problem këtu, është se historia, siç na mëson ajo vetë, është e krimbur me profetë të rremë.

Ka për këtë një thënie në formë shakaje, që i atribuohet, sipas rastit, Mark Twain-it, Niels Bohr-it madje edhe lojtarit të njohur të bejsbollit, Yogi Berra: “të bësh parashikime është e vështirë, sidomos për të ardhmen.” Do të shtoja: sidomos kur ata që të dëgjojnë, nuk kanë ndonjë respekt për autoritetin tënd. Mund të ndodhë që mjeku, i cili të viziton, pastaj të thotë: “nuk ke asgjë, për dy ditë do të jesh shëndoshë e mirë, si molla.” Dhe, vërtet ndodh ashtu: për dy ditë, ti ngrihesh në këmbë, i shëruar. Parashikim i saktë i ekspertit? Profeci? Mundet. Sikurse mundet që efektin shërues ta ketë shkaktuar vetë fjala e autoritetit – diçka e ngjashme me çfarë përshkruhet tek Ungjilli i Gjonit (5:1-8), kur Jezui i tha të sëmurit invalid: “çohu dhe ecë!” Nga psikoterapia në profeci, kalimi nuk është aq i pamundshëm – dhe e kundërta: një diagnozë për kancer mund të vrasë ndonjëherë po aq shpejt sa kanceri. Studiuesit e komunikimit flasin ndonjëherë për profeci vetë-plotësuese (self-fulfilling prophecy), që mund të ndodhë për mirë, siç mund të ndodhë për keq: ti parashikon diçka, ose të parashikojnë diçka, dhe kjo pastaj ta ndikon sjelljen në mënyrë të tillë, që parashikimi të realizohet.

Këtë kam menduar – më shpesh se ç’do të doja – kur dëgjoj medium-et e sotme, mediat, që të paralajmërojnë për katastrofa, vdekje në masë, kolaps ekonomik, paralizë globale. Ankthi i mbarëbotshëm, që ngjall ky lloj ligjërimi, mund të jetë aq i fortë dhe mbytës, sa të ndihmojë drejtpërdrejt që ato kobe të ndodhin. Të menduarit apokaliptik, ose tundimi obsesiv për të përfytyruar dhe përshkruar fundin e botës, nuk ushqen vetëm filmat horror, videolojërat dhe romanet e zhanrit, por edhe vizionet tona kolektive, të modeluara e të riprodhuara në po ato media që, jo rastësisht, nuk kalon javë pa thirrur të paktën një herë me të madhe “ujku! ujku!”, si ai bariu i përrallës. Nuk më duket rastësi që gurguleja e tanishme për koronavirusin, epideminë dhe vdekjet të shtjellohet në një kontekst të nginjur dhe të përpunuar nga narrativa e ngrohjes globale dhe katastrofës ekologjike e cila – të mos harrojmë – ia ka zënë vendin një narrative të ngjashme, për anihilimin nuklear të njerëzimit, në vitet e Luftës së Ftohtë. Ujku ka kohë që funksionon si kategori bazë, e gramatikës së të jetuarit, të paktën në Perëndim; herët a vonë do të shndërrohej në lupus in fabula.

Vizione për fundin e botës, narrativa për apokalipsin, sëmundjet vdekjeprurëse, mediumet (mediat) dhe profetët, herë të vërtetë por edhe më shpesh të rremë, profecitë përfshi këtu edhe ato që plotësohen vetë: duket sikur tmerri ka marrë në kontroll vetëdijen kolektive. E vetmja që mund të na mbronte disi nga kjo epidemi e irracionalitetit, do të ishte dija shkencore, e organizuar sipas faktit dhe arsyes; dhe e komunikuar nga autoriteti. Hallka e dobët e këtij antidoti, e kësaj vaksine përndryshe të sprovuar kundër marrëzisë kolektive, është pikërisht te komunikimi: dikush duhet ta sjellë këtë dije te publiku, ta shkoqitë dhe ta ilustrojë, ta shpjegojë në mënyrë bindëse; me gjasë një ekspert, i cili i falet me vokacion objektivitetit dhe arsyes; dje këtë e bënte shkolla dhe libri, por sot e njëjta terapi çallëstis të na arrijë, aq dhe ashtu si mundet, nëpërmjet medias. Edhe eksperti i mirëfilltë, që të mund të flasë në ekran, duhet të artikulohet si medium, dhe të imitojë – në strategji dhe teknikë – armikun e vet, virusin e irracionalitetit dhe, në rasën e tanishme, koronavirusin vetë.

Nga eksperti publiku pret jo vetëm autoritet, por edhe vërtetësi, jo sepse autoriteti të jep privilegjin e së vërtetës, por sepse e vërteta të jep privilegjin e autoritetit. Por kur eksperti përdor teknikat e mediumit, për të dalë në media dhe arritur me fjalën e vet milionat, këtë vërtetësi elementare vjen dhe e sfidon natyra plurale e mediave, aq më tepër kur këto atomizohen në Internet dhe në rrjetet sociale. Dhe kjo sfidë nuk do të thotë thjesht se gjithkush zgjedh të ndjekë mediumin e vet dhe të besojë tek një ardhme që dëshiron (ose tek apokalipsi që i përshtatet); por dhe se i njëjti ekspert thotë fjalë të ndryshme, për veshë të ndryshëm. Njëlloj si virusi vetë, që pëson mutacione të rastit gjatë replikimit, edhe e vërteta e mediatizuar shumohet në kopje të këqija, që nuk i ngjajnë shumë njëra-tjetrës. Publiku përçahet sipas profecive, mu në momentin kur është gati të pranojë profetin unik, qoftë ky edhe i përmasave biblike. Gjithsekush sjell në tryezën e komunikimit të vërtetat e veta, por – sipas rregullave të higjienës në kohë të kolerës – askush nuk ha nga pjata e tjetrit: deri edhe rrjetet sociale, që në këto kohë krize duhej të na shpërndanin supë të gjithëve, po shërbejnë më shumë si lëndina për piknik. Deri në atë pikë, sa distancimi social, i këshilluar me forcë nga autoritetet për të gjithë ata që dalin në rrugë, nis të mishërohet më fort në kakofoninë e rrjetit.

Dikush në këtë vagon ka lupus, thoshte posteri i dikurshëm në trenin e metrosë të NYC; ju të gjithëve ju kërcënohet lupusi, të thonë mediat sot. Çfarë nuk po duam të kuptojmë, është se gjithsecilit tani i duhet të merret me kafshimin që ia ka bërë ujku i Tjetrit në fytyrë (homo homini lupus est), në vend që të mësojë si të përballet me Ujkun me shkronjë të madhe, ose të keqen e madhe që na bën bashkë.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™ dhe Instituti Shqiptar i Medias. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.

2 Komente

  1. Para tre ditësh WSJ në një opinion tregonte se:

    “during the initial Chinese outbreak, Wuhan doctors observed that patients with lupus—a disease for which HC is a common treatment—did not seem to develop Covid-19. Of 178 hospital patients who tested positive, none had lupus and none were on HC.” (HC është kombinimi i “hydroxychloroquine dhe azithromycin” që po rekomandohet pa rreshtur nga një mori mjekësh, por që me këmbngulje nuk po aprovohet nga agjencitë përgjegjëse shtëtrore si në US ashtu edhe në Europë. Kuarantina, të thonë këta, është ilaçi më i mirë.)
    Por zbulimi i rastësishëm i HC si medikament ka sjellë edhe një zbulim tjetër: ngjshmërinë e këtij virusi me sëmundje të tjera si lupus dhe tuberkulozi. Në Australi dhe Hollandë, mjekët së fundi po vaksinohen me BCG, vaksinë që përdoret gjërësisht për tuberkulozin.
    Ç’ka na sjellë në një aspekt tjetër të kësaj historie haluçinante: Si ka mundësi që Afrika, India, Rusia, Amerika e Jugut dhe ajo Latine (gjysma e globit), ende nuk kanë shfaqur probleme me këtë virus? Mos ndoshta, ndoshta, popullata e këtyre vendeve është imune ndaj këtij lloj virusi?
    Burokratët e epidomiologjisë nuk hezitojnë të të drejtojnë në cfarëdo lloj grafikësh e kurbash për të të bindur se këto duhet të ulen e sheshohen nga kuarantina, apo të të thonë se prova e kurës medikale ndaj sëmundjes është anekdodike. Por, për çudi harrojnë të shohin mbi hartën e epidemisë, që nuk është gjë anekdodike, dhe të dallojnë korrelacionin shumë të lartë me hartën imunitare ndaj tuberkulozit.

  2. “Virusi është kudo dhe i padukshëm: i pari njeri që takon në rrugë, mund të ta japë – nëse ndërkohë nuk ia jep ti.” – dhe tamam atehere nje vale e re vershon ne tru: ti ne fakt e ke kaluar ose je duke e kaluar ne forme te lehte. Ke aq shenja qe te bejne ta mendosh kete.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin