Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Mjekësi

EMRI I SË KEQES

Kur presidenti i SHBA, Trump dhe të tjerë politikanë para tij, e quajtën virusin Covid-19 virusi kinez, qeverisë kineze nuk i erdhi mirë dhe protestoi; në shkëmbimet që pasuan, ndërhyri edhe një Dr. Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i progamit të urgjencave shëndetësore në OBSH, për të na shpjeguar se “viruset nuk njohin kufij dhe nuk pyesin për ngjyrën e lëkurës dhe për sa para ke në bankë.” Ideja këtu ishte që të mos tregohej me gisht ndonjë popull, racë ose kulturë specifike si burim i sëmundjes. Përkundrazi, emri zyrtar Covid-19 vjen si shkurtim i një emërtimi krejt të përgjithshëm, “coronavirus disease 2019”; sikurse është i tillë edhe sinonimi SARS-CoV-2.

Reagime të ngjashme kish ngjallur më parë edhe termi tjetër i përdorur, virusi i Wuhanit, që i referohej krahinës në Kinë ku u shfaq për herë të parë infeksioni.

Pa çka se emërtimi i sëmundjeve ngjitëse sipas vendit nga perceptohet se e kanë prejardhjen, pikënisjen, startimin nuk është se filloi me këtë virus dhe këtë pandemi. Unë ende i mbaj mend kohët kur ra, në Shqipëri dhe gjetiu në Europë, gripi i Hong-Kongut; sikurse të gjithë e njohim gripin spanjoll, i cili nuk u emërtua kështu ngaqë fliste spanjisht. Kush jeton në SHBA, do të ketë dëgjuar të flitet për West Nile Virus, encefalitin japonez, por edhe për Lyme Disease, e quajtur kështu sipas lokaliteteve Lyme dhe Old Lyme, në Connecticut; sikurse do të ketë dëgjuar për shpërthime infeksionesh nga norovirusi, që e ka marrë emrin nga qyteti Norwalk, Ohio. Sëmundje tejet të kobshme, si Marburg Virus Disease dhe Ebola e kanë marrë edhe ato emrin nga vendet ku u diagnostikuan (Ebola është emri i një lumi në Zaire); sikurse edhe Ethet Zika janë quajtur sipas pyllit Zika, në Uganda; ndërsa Ethet Lassa nga Lassa, në Nigeri. Nga shqipja, përmend frëngjyzë si emër të sifilizit, me gjasë si “sëmundje e frëngut”; të krahasohet kjo me morbus gallicus, lues venereum, sëmundja polake (në Rusi), sëmundja napolitane (në Francë), sëmundja gjermane (në Poloni), sëmundja turke (në Persi), lia spanjolle (në Francë), sëmundja kastiliane (në Portugali), sëmundja portugeze (në Japoni dhe në Indi) etj.[1]

Shto këtu edhe ca çrregullime mendore specifike që kanë marrë emrin nga qyteti të cilit i asociohen: sindroma e Jerusalemit, sindroma e Firenze-s, sindroma e Parisit, sindroma e Venezia-s, sindroma e Stockholm-it, sa për të përmendur disa pak të tilla.[2]

OBSH-ja ka adoptuar kriteret e veta formale, për emërtimin e sëmundjeve të reja, të cilat këshillojnë të shmangen emrat gjeografikë, emra njerëzish, kafshësh ose ushqimesh, referenca kulturore dhe terma që shkaktojnë tmerr të papërligjur.

“Pagëzimi” i një sëmundjeje është akt ligjërimor (performativ), edhe kur ndodh vetvetiu, ose në mënyrë folklorike. Aq më tepër, kur ndodh vetvetiu, nuk ka vetëm synim të përshkruajë, por edhe ta “izolojë” sëmundjen me rrugë, si të thuash, magjike. Kur një sëmundje emërtohet rishtas sipas vendit nga mendohet se e ka origjinën, kjo ndihmon në identifikimin e saj korrekt, brenda një sistemi dijesh vernakular, brenda të cilit emërtimi është edhe një hap përpara drejt diagnozës; dhe pikërisht, duke e njohur sëmundjen si “të ardhur” nga larg, ose si diçka që nuk e ka vendin në komunitet dhe duhet dëbuar.

Si akt ligjërimor, emërtimi i sëmundjes është dyfarësh: kur ndodh për herë të parë (pagëzimi), ose kur i jepet një emër të panjohurës, çfarë mund të bëhet edhe me rrugë krejt formale, siç vepron OBSH-ja, që e ka tragrin (autoritetin) për ta kryer aktin ligjërimor; kur ndodh në raport me një manifestim individual të sëmundjes (evokimi, invokimi), te një i sëmurë, emërtim të cilin e bën mjeku, mjektari, hoxha, xherahu, shamani ose çdo individ tjetër të cilit gjithashtu i njihet autoriteti për të vendosur diagnozën. Në rrethanën e dytë, sëmundja është tashmë e njohur për dijen kolektive; dhe emëruesi (diagnostikuesi) vetëm sa “e thërret” atë me emër, kur e identifikon te viktima përkatëse.

I gjithë procesi ka një aspekt performativ magjik dhe i afrohet në shumë anë ekzorcizmit. Do të na kujtohet si, në fund të janarit të këtij viti, Presidenti i Kinës Xi Jinping e quajti koronavirusin “djall” (në disa përkthime të tjera “demon”); edhe në Mumbai, u tha se banorët dogjën një shëmbëllim të koronavirusit, në trajtën e një “demoni të madh blu”; për disa, demon është virusi, për disa sëmundja, për të tjerë përhapja e virusit, ose epidemia. Dhe, siç e kemi parë a lexuar për ekzorcizmin, ky ritual kërkon që ekzorcisti ta pyesë demonin për emrin – një demon që e thotë emrin e vet gjatë sesionit, është dobësuar tashmë. Zbulimi i emrit të demonit është një hap i rëndësishëm drejt “shërimit”, siç përcaktohet edhe në librin De exorcismis et supplicationibus quibusdam, të miratuar nga Kisha Katolike në 1999.

Njohja e emrit të vërtetë të demonit i jep ekzorcistit, por edhe një okultisti çfarëdo, fuqi për ta kontrolluar dhe përdorur demonin – çfarë nuk është pa lidhje me njohjen e emrit të vërtetë të Zotit, të cilin emër besimtarët e traditave fetare të caktuara (judaizmi) refuzojnë ta shqiptojnë[3]. Këtë forcë të emërtimit, në mjekësi, e provon edhe efekti i diagnostikimit me kancer, për mirëqenien shpirtërore (dhe fizike) së të sëmurit – pa çka se kjo mund të jetë edhe hap i parë drejt shërimit.

E gjithë kjo dialektikë e përgjegjësisë pasqyrohet edhe në gjuhë: folësit kanë treguar historikisht kujdes me emërtimin dhe interpelimin e sëmundjeve, nga frika se mos e “trazojnë demonin.” Dhe kjo nuk lidhet vetëm me atë që, shumë nga ne, ulin zërin kur thonë fjalë të tilla si kancer ose tumor. Nga shqipja, po përmend emra të ndryshëm popullorë të epilepsisë, si sëmundja e tokës, punëhera, e keqja, e leshta, lëngata, puna e hënës, sëmundja e hënës, e liga, sëmbimi, lodra, lodërza, e mira, puna e truallit, ajo punë, ajo e tokës, e rënda, sharra, shkuma, flama, havaleja, ileti, fëtiga, bëtaja;[4] shumë prej këtyre në mos të gjitha kanë natyrë eufemistike, ose janë emërtime shmangëse – ose mënyra për të shmangur një emërtim tabu (“emrin e vërtetë”); disa e bëjnë këtë duke e marrë demonin me të mirë: “lodra, lodërza, e mira, puna e mirë” (khs. mallkimin “të rëntë e mira” ose “të marrtë e mira”).

Në përgjithësi, modeli folklorik i komunikimit kërkon të mos ia zëmë emrin me gojë së keqes, për të mos i tërhequr vëmendjen; por edhe në qoftë se nuk kemi ndërmend ta marrim në kontroll – prandaj edhe ka aq shumë eufemizma, në vernakular, për djallin: dreqi, shejtani, brijanaci, qoftëlargu, i paudhi, laneti, largneshi, qoftëlargu, hajujku, punëkeqi, i papjesi, i paemri, i paqeni, tartakuti.

Sëmundja ngjitëse – aq më tepër në kushte të epidemisë – i ngjan për nga sjellja një demoni a shpirti të keq: e padukshme, të hyn në trup dhe të përdor, ty të sëmurin, për synimet e veta primordiale; zhvendoset përreth me ty (të përdor si vektor) dhe, pasi të ka përdorur, të lëshon përdhé si gjarpri lëkurën e vjetër, për t’u hedhur te viktima tjetër. Synimi i saj, ose më mirë “synimi”, nuk është të vrasë, as të sëmurë, por të riprodhohet; siç e pat parë edhe Borges-i, ka diçka të mnershme te shumimi (“los espejos y la cópula son abominables, porque multiplican el número de los hombres”). Nga trupi demonin mund të ta nxjerrë veç magjia: e priftit, e magjistarit, e një pocioni pak a shumë sekret, por edhe magjia moderne e mjekësisë, e mishëruar në autoritetin e mjekut, i cili e thërret sëmundjen me “emrin e vet të vërtetë” dhe e urdhëron të dalë prej teje.

Ja pse emërtimi është punë serioze, me të cilën merren të mëdhenjtë, adultët, njerëz që kanë tagër t’ia thonë emrin së keqes pa iu tutur pasojave. Në folklorin mjekësor, emërtimi gjeografik, i tipit Ebola, jo vetëm i kujton demonit-sëmundje vendin e largët nga ka ardhur, por edhe, simbolikisht, i tregon vendin se ku duhet të kthehet (dyshoj se kjo sëmundje quhet kështu, Ebola, në fshatrat buzë lumit Ebola, në Afrikë). Emërtimi nuk është thjesht identifikim ose nomenklaturë, por edhe trajtim; në mos zgjidhje e së keqes: nëse sëmundja nuk është “jona”, por ka ardhur nga përtej, atëherë mund ta dëbojmë dhe t’ia restaurojmë trupit (tempullit) pastërtinë pristine.[5] Pa çka se kjo bie ndesh me çfarë ka treguar gjenetika – dhe pikërisht, që shumë viruse lënë copëza kodi në DNA-në ose RNA-në tonë, çfarë edhe mund të interpretohet si redaktim ose korrigjim i identitetit, që na e bën virusi. Çdo shërim nuk mund të mos jetë, sipas këtij arsyetimi, edhe transformim, qoftë edhe pasojë e “luftës” që bën trupi me agjentin patogjen.

Por emrat e sëmundjeve të mëdha, si gripi i Hong-Kongut, la spagnola, Marburg-u, Ebola, jo vetëm tregojnë origjinën e së keqes, por bëhen edhe vetë pjesë e gjeografisë: pakkush nga ne do të jetë në gjendje, nesër, që të mos mendojë për Covid-19 kur t’i bjerë rruga nga Wuhan-i; me fjalë të tjera, koronavirusi e shtoi Wuhan-in në hartë në mënyrë të pashlyeshme, dhe pavarësisht nga skrupujt herë-herë naivë dhe herë të tjera hipokritë, të policisë së korrektesës gjuhësore. Aq më tepër kur Perëndimi e ka pranuar tashmë idenë – le të themi mitin – se sëmundje të tilla vijnë gjithnjë “nga andej”, nga “Përtej”, nga Çinimaçini (nga Tinglimajmuni), nga “fundi i dynjasë”: bëhet fjalë për struktura të leximit të historisë që nuk mund t’i shlyejnë kollaj nomenklaturat teknike të organizmave ndërkombëtarë, sa kohë që njerëzve u duhet emri jo vetëm për të identifikuar një të keqe të madhe, dhe jo vetëm për ta luftuar atë; por edhe për ta pranuar atë të keqe, si pjesë tashmë të realitetit të përditshëm.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ludwig A. Lettau, “The Language of Infectious Disease: A Light-Hearted Review”, Clinical Infectious Diseases, Volume 31, Issue 3, September 2000, pp. 734-738.

[2] Lawrence Abel, E. (2014). A Note on Psychological Disorders Named After Cities. Names, 62(3), 177–182. Për emërtimet e sifilizit, shih edhe History, Sex and Syphilis, Tomasz F. Mroczkoëski, Booklocker, 2015.

[3] Në përgjithësi, ekziston bindja – mes besimtarëve – se emri i Zotit nuk duhet përmendur kot më kot; që këtej edhe disa eufemizma si “ai i madhi”, “ai atje lart”, “ai që na sheh që andej”, etj.; që nuk i referohen detyrimisht një feje të caktuar. Kjo provon edhe se folësi është gjithnjë i vetëdijshëm për fuqinë elokutive të emrit të vërtetë; dhe se shmangia, nëpërmjet parafrazës ose eufemizmit, është për t’u preferuar, në kontekste neutrale ose indiferente. Sot dëgjon që edhe Ramës t’i referohen gjysmë me shaka si “I gjati” (“Naltgjatësia” etj.), sikurse i thoshin Berishës dikur “Doktori” dhe Enver Hoxhës “xhaxhi”, gjithnjë për të shmangur, me rrugë magjike, interpelimin e drejtpërdrejtë të një Tjetri të fuqishëm.

[4] A.Dhrimo, E.Tupja, E.Ymeri, Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe, Toena, Tiranë 2002.

[5] Në mënyrë ngjashëm ngushëlluese funksionon edhe shpjegimi, me gjasë i bazuar, se këto viruse e kanë origjinën “në kafshët” (pra, nuk janë “tonat”), duke qenë kafshët ekuivalenti zoologjik i së përtejmes gjeografike, si hapësirë biologjike Tjetër.

1 Koment

  1. Kush banon ne ny dhe rrethina e ka degjuar red hook.
    Ka pasur edhe nje yellow hook aty afer. Me pllakosjen e “yellow fever” ajo zone u be e padeshirueshme per blerje pronash dhe kolektivisht mesitet e zones bene te mundur qe ajo lagje te quhet… Bay Ridge…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin