Mediat, arkivi dhe kujtesa në uebin shqip
Nga gjërat që të bëjnë përshtypje kur shfleton media dhe portale në uebin shqip, është varfëria e lidhjeve (links), të njohura ndryshe edhe si hiperlidhje (hyperlinks) – fjalë, fraza ose imazhe mbi të cilat mund të klikosh, për të shkuar te një faqe tjetër, ose një seksion tjetër i faqes që po lexon. Këto lidhje e ndihmojnë lexuesin të informohet më mirë, duke i shtuar një përmasë të tretë tekstit.
Pse nuk përdoren hiperlidhjet në uebin shqip? Një shpjegim i shpejtë, por sipërfaqësor, do të ishte se redaktorët e faqeve dhe autorët e teksteve nuk e zotërojnë teknologjinë; jo thjesht ngaqë nuk janë në gjendje të shtojnë një hiperlidhje në tekst, por ngaqë nuk e ndiejnë nevojën për ta bërë këtë. Dhe kjo, ngaqë nuk kanë arritur ta bëjnë kapërcimin nga teknologjia e tekstit të shtypshkruar në një faqe gazete, tek ajo e uebit. Hapësirën që u jep media elektronike ose portali e përdorin si gazetë muri ose tabelë dërrase, për të varur aty tekste të shkruara.
Që gjërat nuk janë kaq të thjeshta, këtë kam filluar ta ndier më parë si administrator dhe kryeredaktor, prej gati 15 vjetësh, i revistës online “Peizazhe të fjalës” – dhe pikërisht kur shumë hiperlidhje të teksteve tona, drejt faqeve të mediave online shqip, filluan të mos funksionojnë më; në kuptimin që çdo lexues që klikonte mbi hiperlidhjet tona, përfundonte te një “Gabim 404: Kërkojmë ndjesë, faqja nuk ekziston.” Barasvlerë e atij mesazhit tjetër: “numri që thërritët nuk ekziston”, ose e një e-maili që të kthehet mbrapsht, sepse e ke vënë adresën gabim; një dështim komunikimi, një kabllo e këputur, një enë gjaku e bllokuar nga trombi.
Shumë nga mediat shqip online nuk e mirëmbajnë arkivin e tyre dhe as e konsiderojnë si pjesë të “misionit” të vet.
Dhimbjen e këtij dëmtimi të kujtesës së rrjetit e pata provuar edhe ndryshe – si autor. Në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 2000, pata botuar rregullisht, të paktën tre herë në muaj, ese dhe opinione në faqen online të një gazete të Tiranës. E kisha bërë zakon që t’i ruaja edhe hiperlidhjet drejt këtyre teksteve të botuara, të cilave edhe u referohesha sipas rastit në shkrime të tjera ose në bibliografitë. Mirëpo, një ditë prej ditësh, referimet nuk funksionuan më dhe klikimet filluan të shpien në rrugë qorre: “Ju kërkojmë të falur…”. Ajo gazetë e kish mbyllur arkivin; ose më mirë, i kish fshirë disqet e veta të ngurta.
Të thonë: kjo ndodh sepse arkivi kushton. Pa çka se, në rrjedhë të viteve, kostoja për GB të magazinës lokale ka ardhur duke rënë dhe se, në analizë të fundit, një media e respektueshme dhe profesionale e ka për detyrë edhe morale, ndaj lexuesve të vet dhe autorëve, që t’i ruajë faqet e veta, ta mirëmbajë arkivin dhe, në vija të përgjithshme, ta mbrojë ekzistencën e vet edhe në kohë.
Edhe sikur prishjet e arkivave online të kenë pasur për shkak idenë (budallaqe) për të ulur shpenzimet, implikimet shtrihen ku e ku përtej preokupimeve financiare të padronëve përkatës. Aq më tepër që, dikur ishim gati të shkonim në bibliotekë dhe të shfletonim ndonjë nga ata mega-defterët e pluhurt të gazetave a të revistave të qepura bashkë, për një vit të dhënë, ose të nxirrnim sytë në mikrofilmat; por sot operacione të tilla do t’i përjetonim sikur të na duhej të shkonim nga Tiranë në Durrës me kalë.
Shpjegimet që dëgjon për këtë mungesë flagrante të arkivit edhe bindin edhe nuk bindin: të thonë se një pjesë e mediave online dhe portaleve shpesh nxjerrin në faqet e tyre materiale të vjedhura, ose për ta thënë me një “eufemizëm”, të marra poshtë e lart dhe pa i pasur të drejtat e autorit; të cilat materiale u vlejnë për të siguruar klikime ose për t’i çuar përpara betejat e tyre, por që më pas mund t’u hapin punë – prandaj edhe nuk i mbajnë gjatë; sikurse të thonë se arkivat, edhe kur ruhen e mirëmbahen, nuk i shfrytëzon kush, prandaj aq ia vlen.
Por cilido qoftë shpjegimi i momentit, druhem se arsyeja e vërtetë, që mediat në Internetin shqip nuk duan t’ia dinë për të shkuarën e tyre lidhet me vetë identitetin e tyre – si agjenci komunikimi të sheshuara (të zgërlaqura) në dy përmasa, ose të kufizuara në përditshmëri. Kjo mbase lidhet edhe me ndërrimin e pronarëve ose të politikave editoriale: faqja e sotme online e gazetës XYZ nuk dëshiron të ketë më lidhje me faqen e djeshme online të kësaj gazete, sepse nga ajo e djeshmja, gazetës në fjalë i ka mbetur vetëm emri. E kështu me radhë.
Si efekt anësor i këtij sheshimi tek e sotmja, komunikimi online vjen e gjymtohet, sepse i mungojnë edhe referencat më elementare. Këtë e ndiejnë para së gjithash autorët e përmbajtjes: komentatorët, analistët, opinionistët, ose të gjithë ata, që duan të mbajnë të hapur kanalin e një bisede a të një dialogu me publikun; dhe që e kanë tashmë të pamundur të ndërtojnë një argument, duke iu referuar së djeshmes a së shkuarës; sikurse e ndiejnë edhe verifikuesit e fakteve në mediat serioze (nëse të tillë kanë mbetur).
I tërë fermenti intelektual, në faqet e mediave online gjatë dekadës së parë të viteve 2000, sot praktikisht është hequr nga përdorimi dhe nuk arrihet dot më, sa kohë që kërkimin në arkivat nuk e zëvendësojmë dot të gjithë me arkeologjinë e mediave. Ndoshta prandaj edhe shumë nga debatet e mëdha të aktualitetit nuk lëvizin në formë spirali, por veç vijnë rrotull, pa çuar asgjëkund: edhe po të donin, e kanë të vështirë që të mbështeten në dijen e mëparshme dhe në dialogët paraprijës.
Vështirë të mos e lidhësh këtë asgjësim të arkivit mediatik me çfarë ndodh në arkivat elektronike anembanë Internetit shqip: shkoni në faqet e institucioneve – p.sh. të Presidencës së Republikës – dhe kërkoni të gjeni, bie fjala, një fjalim të Bamir Topit ose të Rexhep Mejdanit. Për fatin tuaj të keq, arkivi i fjalimeve tek ajo faqe zyrtare, të mbajtur me paratë e taksapaguesve, ndalon në tetor të vitit 2017 – çfarë mund të ketë ndonjë farë lidhjeje me kohën kur presidenti i tanishëm, Ilir Meta, erdhi në detyrë. Ata që ankohen për koston e magazinimit, kanë rastin të shfletojnë albume fotosh sa të shumëllojshme aq edhe të kota, prej të cilave foto një e vetme zë me siguri më shumë vend në një disk të ngurtë, se vepra e plotë e Balzakut.
Edhe Arkiva e Lajmeve, në faqen e Kuvendit Popullor të RSH, nuk shkon më tutje se data 7 tetor 2015, gjithë duke ndjekur parimin komod “avant moi le déluge” që në shqip do të përkthehej “me mua fillon historia.”
Dhe kush ende mendon se kjo e Presidencës është idiosinkrazi ose edhe efekt anësor i ndonjë manie për “ta nisur nga e para”, duke zhdukur gjurmët e para-ardhësve, le të vihet të kërkojë, të themi, fjalimet e kryeministrit të sotëm, Edi Rama, nga vitet kur punonte si Kryetar Bashkie; ose fjalimet e Sali Berishës, të periudhës kur shërbente për herë të fundit si kryeministër. Nuk do të gjejë dot asgjë: për nga mënyra si e prezantojnë veten online, institucionet publike, edhe ato më të lartat dhe hijerëndat, lënë të kuptohet se e shohin veten si të instaluara veç në përditshmëri; duke lënë jashtë aspektin ndoshta thelbësor të jetës dhe të identitetit të një institucioni: qëndrueshmërinë e tij në rrjedhë të viteve, vijueshmërinë në kohë.
Të thonë: në politikë kjo ndodh ngaqë askush prej protagonistëve të jetës politike në Shqipëri pas vitit 1990 nuk dëshiron që të përballet me të shkuarën e vet; ose më mirë, nuk e sheh identitetin e vet të sotëm publik si rezultat të çfarë ka qenë dhe çfarë ka bërë (çfarë ka thënë) dikur. Që politika është edhe arti i të mundshmes dhe i kompromisit, ose që një politikan, si çdokush tjetër prej nesh, ka të drejtë të ndërrojë mendim dhe bindje në rrjedhë të viteve, nuk mjafton si argument, përballë paragjykimit se një figurë publike qenka moralisht e detyruar, që të mbetet e barabartë me vetveten.
Me fjalë të tjera: në vetëdijen politike publike, të protagonistëve dhe të së tjerëve, ende nuk ka vend për përmasën kohore, ose për faktin e thjeshtë që historia, edhe e institucioneve, procedon nëpërmjet ndryshimeve, përmirësimeve, rishikimeve të vogla. Çfarë ishte dje bindëse, sot mund të mos jetë më; çfarë ishte dje meritë, sot mund të jetë kthyer në akuzë; por funksioni i informacionit – dhe i mjeteve që ia sigurojnë publikut të drejtën për informacion – nuk është që t’i sheshojë kontradiktat, as të ngrejë monumente, dhe as të varrosë gjëra për të cilat nuk duam të krenohemi më.
Për fat të keq, i vetmi buton që kanë mësuar mirë si ta shtypin shumica e atyre që kanë në dorë informimin – nga kryepolitikanët, te politikëbërësit e mediave – është butoni RESET. Ose butoni i damllosjes së vetëdijes kolektive.
Argumenti i kostos së arkivit online shpesh sillet në kontekstin e përkufizuar më së miri nga një shprehje që e rimarrin shpesh në debatet rreth ekonomisë politike të konsumit: “there ain’t no such thing as a free lunch” – dreka falas nuk ekziston. Nëse publikut i njihet e drejta elementare për t’u informuar, mjetet e informimit – përfshi këtu edhe mediat online – nuk e kanë për detyrë publike që të punojnë falas. Kjo, pa çka se Interneti po i mëson breza të tërë me idenë se përmbajtja, përfshi këtu edhe informacionin, mund të merret masivisht pa pagesë; çfarë edhe ua ndryshon statusin mediave moderne nga ato tradicionale, si shtypi, të cilat e themelonin marrëdhënien me lexuesin mbi një transaksion monetar.
Kjo mund të interpretohet edhe kështu: mediat online nuk kanë ndonjë detyrim që t’i shërbejnë publikut, përtej çfarë ia ofrojnë publikut ato vetë, si “dhuratë”. Tek e fundit, edhe media të fuqishme, si The New York Times, e kanë arkivin të mbrojtur me paywall – meqë u kërkojnë të interesuarve të paguajnë diçka, nëse duan të eksplorojnë dhe të përdorin përmbajtjen e gazetës në kohë. Por edhe për botën shqiptare, unë mund të përfytyroj përdorues individualë ose institucionalë, të gatshëm për të paguar diçka, që të shfrytëzojnë arkivin e gazetës “Koha Jonë” që nga fillimvitet 1990; ose të gazetës “Rilindja demokratike” e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, ka institucione kulturore publike, si Biblioteka Kombëtare ose Bibliotekat Universitare, që kanë vënë tashmë në dispozicion, falas, revista të traditës, si “Albania”, “Dituria”, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja Shqiptare” ose “Leka”, por jo vetëm; duke ua lehtësuar punën studiuesve dhe, tek e fundit, duke ndihmuar edhe drejtpërdrejt edhe tërthorazi në pasurimin e kulturës kombëtare.
Çfarë e bën të duket edhe më absurde që, teksa lexuesi e ka të lehtë të shfletojë online deri edhe veprën e plotë të Enver Hoxhës dhe dokumentet kryesore të PPSH-së (falë përpjekjeve të palëve të treta), fermentet politike dhe ideologjike aq të gjalla në publicistikën shqip të viteve 1990-2010 mbeten jashtë uebit shqip; dhe se përdoruesit dhe studiuesit mund të marrin akses lirisht te biseda e “shokut Enver” me një traktorist pararojë, por të mos kenë mundësi të shfletojnë qëndrimet, në shtypin e Tiranës, ndaj problemit të Kosovës në fundvitet 1990.
Qarkullon prej vitesh, në ekonominë politike dhe në dizajnin industrial, një koncept që mund të ndihmojë për ta kuptuar më mirë këtë sheshim të përmbajtjes në sinkroni: i ashtuquajturi vjetrim i planëzuar (planned obsolescence), një parim sipas të cilit produktet e konsumit duhen dizajnuar qëllimisht për ta pasur jetën të kufizuar, ose që të vjetrohen pas një periudhe të caktuar kohe; në mënyrë që konsumatori t’i blejë sërish. Në lëmin e dijes dhe të komunikimit publik, kjo dukuri njihet edhe si amnezi sociale; Russell Jacoby, një historian kulturor nga SHBA, pat vërejtur në këtë mes se
“vjetrimi i planëzuar i mendimit, vepron njëlloj si edhe kur zbatohet ndaj mallrave të konsumit – jo vetëm që e reja është me cilësi më të keqe se e vjetra, por edhe ushqen një sistem social të vjetruar, që mbrohet nga rreziku i zëvendësimit duke manifakturuar iluzionin se është përjetësisht i ri.” (Russell Jacoby, Social Amnesia (1975), p. xxvi of the Transaction Edition, 1997.)
Duke u përpjekur të shpjegojmë izolimin e uebit publik shqip nga përmasa e arkivit, u nisëm nga argumenti elementar i nevojës për kontroll të kostove të mirëmbajtjes; për të arritur te një arsye pothuajse foucault-iane, ku sheshimi i komunikimit, ose mënjanimi i përmasës kohore (diakronike) i shërben përjetësimit të së përditshmes. Aq më tepër kur dukuria që na shqetëson, ndodh brenda një kulture si e jona, ku historia shpesh mbahet me zor brenda kufijve të një religjioni civil foshnjor, kur nuk u shërben palëve gjithnjë të gatshme për të përsëritur betejat e së shkuarës dhe kur nuk vlen as për kitsch të nostalgjisë. Mungon pikërisht ai përdorim i së djeshmes që do t’i vlente së sotmes më tepër: vështrimi i realitetit, madje edhe i përditshmërisë, si projeksioni i një përpjekjeje dinamike, i një plani afatgjatë, i një mundimi të vetëdijshëm për të ecur përpara.
Do të ishte tejet e lehtë, që t’ua lije fajin mediave online, për këtë sheshim, këtë RESETIM të vetëdijes historike nëpërmjet shkëputjes së të shkuarës nga e sotmja. Vetë këto media, përfshi edhe modelin e iluzionit të materialeve falas, janë shprehje e një realiteti më kompleks, që i ka rrënjët në raportet gjithnjë e më intime të pushtetit me teknologjinë. Por ajo që mund të bëjnë mediat profesioniste, që ende i besojnë misionit të tyre moral, përtej nevojës për klikime dhe për sponsorë, është t’ia zgjerojnë hapësirën dialogut dhe ta pasurojnë, me aq sa munden, atë kulturë pjesë e së cilës janë dhe mbeten.
© 2020, Peizazhe të fjalës™ dhe Instituti Shqiptar i Medias. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.
Ka edhe një arsye shumë të thjeshtë mungesa e arkivave on-line të organeve të shtypit: nuk e kanë detyrim ligjor. Gjithçka fillon këtu. Se pastaj funksionon vetë mekanizmi i pagesës, po të vendoset detyrimi.
Ndërkaq, meqë po flasim për hallet e kasolles tonë, më kujtohet një pyetje që, për shkak të punës, rëndom ma drejtojnë në çdo rreth bisede, formal a informal: teksa historia hamendëson se nuk kemi zbritur nga pemët tani vonë, pse ne shqiptarët nuk kemi arkiva dhe biblioteka si gjithë bota e qytetëruar? E thjeshtë fare: edhe po t’i kishim, s’do t’i mbanim, se nuk japin të ardhura, vetëm thithin të ardhura.
(Në çastet e sinqeritetit total në kujtohet shprehja “Nuk mban qëni brekë” [ë-ja e qëllimshme], po pastaj kthjellohem dhe nuk e them.)
Ndreqet ky muhabet, qe kur te bejme link duhet te marrim nje snapshot te faqes. Por ky problem eshte ne gjithe boten. Dikush po me thoshte se edhe ne disa vende te amerikes latine, gazetat e kane arkivin vetem ne 3-5 vitet e fundit, per ceshtje kostoje e mirembajtje.
Para disa vitesh ndihmova nje mikun tim te rregulloj nje PC. Ja kishin falur nga nje redaksi ne Tirane. Aty ishte e gjithe arkiva e shkrimeve te gazetes, nuk i jam i sigurte por diku te 1990-2005. E kishin hequr PC nga qarkullimi dhe i kishin lene artikujt aty. Jam i sigurte se ajo gazete tani nuk ka arkiven e vete. Nuk behet fjale te kene ndonje gje online. Ndryshon PC, serveri, redaktori, specialisti i IT-se, host apo edhe hard drive, fluturon e gjithe arkiva ne eter.
Ju lutem ma lejoni kete hyperlink ketu ne kete shkrim.
Eshte shume relevant por edhe shume shqetesues – sidomos kur flet per ate qe AV e quan fermentin intelektual.
https://www.google.com/amp/s/www.newyorker.com/magazine/2015/01/26/cobweb/amp
Eruditi, ky keshilltar i pashellbullt i mbretereshes se Palmires, kishte te atille kujtese fenomenale, sa thuhet se ruante bibioteka te tera ne memorjen e tij, gje qe ka bere ti perjetesohet emri. Ai kujtohet si simbol i rendesise qe ka ruajtja dhe arkivimi i te dhenave si burim i domosdoshem qe ndihmon ne trajtimin e nje problemi te caktuar. Nje baze te dhenash, jo vetem eshte burim i pashtershem informacioni, por ajo ndihmon dhe ne sigurimin e ndershmerise intelektuale, si aspekt i nje rendesie te vecante per krijimtarine ne cdo fushe. Kujdesi per burimin e informacionit eshte detyre per ate qe merr penen per te shkruar. Arritjet e sotme teknologjike ta mundesojne kete gje. Ajo qe shqetson dhe me te drejte theksohet ne artikull eshte serioziteti ne ruajtjen dhe berjen te disponueshem per kedo i te dhenave burimore qe cdo institucion disponon.
Natyrisht, askush nuk lind me aftesine e Eruditit, ai perben nje perjashtim, Po ashtu, cdo individ, i cili merret me pune intelektuale, ka nje bibllioteke personale. Por sado e madhe te jete kjo biblioteke, perseri shfrytzimi i saj eshte jo vetem nje pune e lodheshme, por kjo kerkon edhe shume kohe. Per kete, si nje arritje teknologjike e mrekullueshme ndihmojne hyperlinket. Ato te cojne atje ku deshiron, kur nje baze te dhenash eshte organizuar si duhet.
Ndonese kjo mund te jete e panevojshme te theksohet, mund te vinim gjithashtu ne dukje se edhe pse PC e sotme operojne mbi (Disc Operation System) Windows 10, ata shoqerohen me nje WorPad i cili nuk e ka ne menune Insert, faturen per Hyperlink. Kjo kerkon si nevoje instalimin e nje pakete Microsoft Office te 10 vjecarit te fundit. Mjerisht,ne kete rast, nje pensionisti si puna ime nuk para dhe ja mban xhepi per ta blere ne treg, kjo bene qe une si individ te jem i perjashtuar nga perdorimi i hyperlinkut si nje mundesi brilante, qe te merr perdore dhe te con per te “mbushur uje” ne burim.
Shkruani:
Ja një sugjerim:
https://fossbytes.com/best-alternatives-microsoft-office/
U lutem kolegëve të mos e vazhdojnë këtë bashkëbisedim, për alternativat ndaj MS Office.
Të jam vërtetë mirnjohës.