Pozicioni më poshtë është i një loje midis mjeshtrave Salov dhe Gelfand (1998), pasi i bardhi ka lëvizur 23. f5. Një spektator kompetent, që fillon ta ndjekë lojën në këtë moment, është në gjendje të shohë se i bardhi po provon të sulmojë mbretin kundërshtar me një “stuhi ushtarësh” dhe se i ziu po mbrohet; më tej, se materialisht pozicioni është i barabartë, por i bardhi ka një farë epërsie në hapësirë dhe aktivitet.
Pyetja që mund të bëhet, në këto rrethana, është nëse ushtarët në e4, f5 dhe g5, në bashkëpunim me baterinë Dh4 dhe Th3, janë aty vërtet si pjesë e një sulmi të synuar ndaj mbretit të zi, apo mos ky është vetëm interpretimi ynë, që filluam ta shohim lojën në këtë moment. Me fjalë të tjera, përtej vullnetit të pranuar, të secilit lojtar, për ta zënë mat mbretin kundërshtar, a mund të themi me siguri se dallojmë, në pozicion, një projeksion të një plani a të një dëshire specifike të këtij apo të atij lojtari?
Tani, ka një histori të lojës, të cilën e njohin si lojtarët vetë, ashtu edhe ata që e kanë ndjekur lojën që nga fillimi. Kjo histori rrëfen diçka, dhe pikërisht aktualizimin, pozicion pas pozicioni, të zgjedhjeve (vullneteve) të lojtarëve. Për shembull, një spektator mund të ketë vënë re si i bardhi ka shtyrë përpara ushtarët e krahut të mbretit, pa qenë i detyruar ta bëjë këtë; dhe ka deduktuar që këtej se i bardhi synon të shkatërrojë mbrojtjen e mbretit të zi; sikurse mund të ketë deduktuar, nga manovrat e të ziut, se ky është i vetëdijshëm për rrezikun dhe po përpiqet të mbrohet edhe ai hap pas hapi.
Një lojtar i informuar do të dallojë edhe, thjesht duke e vështruar pozicionin, se bëhet fjalë për një lojë siciliane tipike, ku i bardhi mësyn me ushtarë në krahun e djathtë, ndërsa i ziu përpiqet për kundërlojë në kolonën c. Kjo mund të jetë e vërtetë, por mund edhe të mos jetë – bëhet fjalë thjesht për gjasa. Por ky supozim për historinë e lojës, dhe pikërisht që është luajtur një siciliane, jep disa të dhëna edhe për ecurinë e saj; dhe pikërisht, që i bardhi duhet ta mbajë nën presion mbretin e zi, për të mos lejuar të ziun të organizohet në krahun e damës. Kjo është, si të thuash, temë e disa varianteve të mirënjohura të sicilianes (dhe sidomos e variantit Scheveningen, që po luhet këtu).
Në rrjedhë të kohës (ose në diakroni) çdo lojë artikulohet si histori; dhe kjo histori mund të rrëfehet edhe me fjalë. Por, dhe kjo është një por e rëndësishme, historia – e cila varet në masë të madhe nga vendimet e lojtarëve se si të lëvizin – nuk ka lidhje me vlerësimin e çdo pozicioni të ngrirë. Siç është thënë, as vëzhguesit njerëz, as një softuer kompjuteri, nuk kanë nevojë për të njohur historinë e lojës, ose mënyrën si është arritur te një pozicion, për ta vlerësuar saktë pozicionin vetë. Ne nuk e dimë, për shembull, si ka arritur ushtari i zi në b4 dhe as kemi nevojë që ta dimë; por duhet të dimë që ky ushtar kontrollon katrorët a3 dhe c3; dhe mbrohet nga dy figura të zeza, kali në c6 dhe torra në b8.
Pas pesëmbëdhjetë lëvizjesh, pozicioni është si vijon (i bardhi sapo ka luajtur 38. Bh6).
Mjafton krahasimi mes dy pozicioneve, për të marrë vesh diçka më tepër për ecurinë (historinë) e kësaj loje: i bardhi ka arritur ta shkatërrojë krejt mbrojtjen e mbretit të zi – duke ia eliminuar ushtarët, por me koston e një figure (i ziu tani ka dy kuaj, kundrejt një fili të vetëm të së bardhit). Por edhe këtu, projeksioni në pozicion i “ngjarjeve” të lojës mund të na japë një ide për dramën mes dy lojtarëve, por pa ndikuar drejtpërdrejt në vlerësimin e pozicionit: i ziu është gjithnjë i kërcënuar, por nga ana tjetër edhe mbreti i bardhë tashmë i është ekspozuar jo vetëm damës së zezë në b7, por edhe ndonjë manovre të mundshme të së ziut me torre në kolonën g. Po ashtu, dy ushtarët e zinj në d6 dhe e6 janë shumë të dobët, ndërsa i bardhi në f6 shumë i fortë.
Dhe ja tani pozicioni pas lëvizjes 62. M:b4:
Në fund të së gjitha thjeshtimeve, i bardhi ka një ushtar më tepër dhe një torrë që nuk e lejon mbretin e zi të afrohet për t’ia zënë rrugën ushtarit në b3. Asgjë në ecurinë e lojës, ose në sulmin e dëshpëruar kundër mbretit të zi dhe mbrojtjen e bashkërenduar të së ziut nuk ka ndonjë lidhje “logjike” me këtë finale të rëndomtë torrash. Loja pati vërtet dramë, por këtë dramë nuk e trashëgon pozicioni i tanishëm; dhe as mund ta marrim me mend; sikurse nuk ka arsye të mendojmë se dy lojtarët e synonin këtë pozicion final, gjatë fazës kritike të lojës.
Loja përfundoi me fitoren e të bardhit.
Për ta përmbledhur: ecuria e lojës mund të rrëfehet si histori, si të ishte një përrallë a rrëfim çfarëdo. Por në asnjë rast ky rrëfim nuk ka lidhje me vlerësimin e pozicionit; ky i fundit është vërtet rezultat i lëvizjeve paraprijëse, por nuk ndikohet prej tyre; sikurse nuk ndikohet nga faktorë “kulturorë”, siç do të ishte, p.sh. fakti që kjo ishte një lojë siciliane, pjesërisht e ndikuar nga tradita e sicilianes; ose fakti tjetër, që lojtari me të bardhat (Salovi) njihet për prirjet mësymëse, etj. Që ta them ndryshe: loja siciliane mishërohet në pozicion, por nuk ngre peshë në vlerësim; aq më tepër që lojtarët i shtojnë shanset për të fituar duke vlerësuar mundësitë e pozicionit (duke parashikuar lëvizjet e mundshme), jo duke kujtuar se ç’lëvizje kanë bërë deri më tash.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: këto refleksione për sinkroninë dhe diakroninë e pozicionit në shah nuk synojnë gjë të pasurojnë teorinë shahistike, por më tepër të ndihmojnë për të kuptuar, në të gjitha implikimet e tij, krahasimin saussurean të gjuhës me shahun; në vështrim edhe të një përpjekjeje që po bëj – ende pa e ditur nëse do ta çoj dot si duhet përpara – për të sqaruar raportin e historisë së shqipes me realitetin e saj sot, si gjuhë dhe si ligjërim.