Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

LETËR NGA FSHATI QË REFUZON TE FLASË SHQIP

Nga Eleana Zhako

I nderuar bashështetas shqiptar i Top Channelit,

Të shtunën u transmentua në Top Channel një emision për fshatin Derviçan të Dropullit, nga seria “Fshatra në Shqipëri”, me titullin “Derviciani, fshati që refuzon shqipen” nga gazetarja Ilnisa Agolli.

 

Porsa pashë titullin bombastik në linkun e kanalit në youtube, mendova ububu, kush ishte ky gjëmëmadh apo gjëmëmadhe, që na nxori bojën. Kjo fjalë, më është fiksuar nga leximet e hershme të veprave të Kadaresë, atëherë kur lexoja pothuajse shqip dhe pakëz greqisht.

Në përshkrimin e vendosur në link, i cili brenda pak orëve pati më shumë se 10.000 shikues, thuhet: “Për shkak të minoritetit etnik grek në zonën e Dropullit të qarkut Gjirokastër, ngjall jo pak interes për t’u vizituar fshati më i madh aty. Derviciani! E çuditshme është se aty hasesh me vështirësi të mëdha komunikative edhe pse je në tokë shpiptare. Banorët njohin të dyja gjuhët, por shqipen e refuzojnë. Megjithatë, aty ka ende kode komunikimi”. Gazetaren në fjalë nuk e njoh, as di nëse, para se të nisej për Dropull, kish marrë udhëzime të qarta, se ku ta fokusonte emisionin. Fjalët kyçe “tokë shqiptare”, “minoritet etnik grek”, “vështirësi të mëdha komunikative”, do të mjaftonin për të joshur me mijëra shikues.

Në ndryshim nga emri zyrtar, derviçanjotët i thonë fshatit të tyre Derviçan, pa i- mes ç-së dhe a-së. Gazetarja i drejtohet një burri të moshuar me pyetjen “Flisni shqip?”. Shoh se kalimtari i parë ishte Mili, i cili për t’iu shmangur kamerës, parapëlqeu të mos bëzante. Ky ishte i dyshuari i parë, agjenti i parë grek. Më pas kamera ndalet te një tjetër kalimtar, i cili me një shqipe të rrjedhshme, u tregua më kavalier ndaj pyetjeve të gazetares. Gazeterja e fillon komunikimin me: “Tani ju jeni minoritet etnik grek, si është kjo puna”. Kalimtari i përgjigjet, që “si çdo shtet, që ka minoritet”, për t’i lënë të kuptojë, që Shqipëria nuk përbën ndonjë përjashtim. Rënien e një borie dhe trembjen, që shkaktojnë dritat e makinës, kur bien mbi fytyrën e të intervistuarit, gazeterja e interpreton si “refuzim për të folur shqip” ose “frikë për të folur shqip”. Çdo komunikim me shikuesin e paraprin me “Banorët e Dervicianit nuk lejojnë të flitet shqip”. E tronditur nga ky zbulim ngjethës, gazetarja interviston një sërë plakash pa dhëmbë, të cilat qëllimisht s’kuptonin fjalorin e thjeshtë të gazetares, dhe largoheshin tinëz. E vendosur për ta kryer misionin deri në fund, arrin të gjejë ish-mësuesin e fshatit, tashmë 85 vjeçar, për t’u marrë vesh me të si shqiptarja me shqiptarin. Ai i flet për historinë e Derviçanit, marrëdhënien me fshatin fqinjë Lazaratin, ku ai kishte punuar si mësues, dhe detaje të tjera rreth dropullitëve. Por, ndoshta mësuesi Masho s’e pa të udhës që të fliste për vitet e tij të burgut në kohën e komunizmit.

Gazetarja, disi e shqetësuar, që s’po ndeshte ndonjë kope bagëtish, për t’i përçuar shikuesit ndjesinë që ndodhet në një fshat të mirëfilltë, ndesh më në fund një fshatar – bariun. Për fatin e mirë a të keq të gazetares, fshatari jo vetëm, që iu përgjigj pa mëdyshje pyetje të saj në shqip, por edhe i dha, që të përkëdhelte qengjin e tij minoritar. I vetmi etyd paqësor dhe i një bukurie të veçantë, ishte vizita në kishën e fshatit, rreth së cilës gazetarja kishte një informacion të admirueshëm nga një shoqërues vendas.

Shpresoja që ndoshta gazetarja do shkonte edhe në shkollën e fshatit, e cila është shkolla më e madhe e zonës së Dropullit, por nxënësve nuk iu desh të kalonin testin linguistik dhe gjenetik të Top Channel-it. Në të njëjtën shkollë dikur ka dhënë mësim edhe Sterjo Spasse, një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë, që i përkiste pakicës maqedonase të Shqipërisë. Mund të kërkonin të filmonin një orë mësimi në shqip ose greqisht, të intervistonin ndonjë prej mësuesve, por kamera dukej sikur orientohej vetvetiu në pamje gjysmë të errëta dhe mbi fytyra të trembura.

Gjithashtu, në hyrje të fshatit, ngrihet statuja e një prej futbollistëve më të njohur derviçanjotë dhe yjeve të kombëtares shqiptare të atëhershme, Lefter Millos, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në Greqi, në vitin 1997. Nëse Millo do të ishte ende gjallë, pyetjet alla dedektive të gazetares, do ta shndërronin në statujë të heshtur. Për një çast i përfytyrova topkanalistët të drejtohen për te varrezat e fshatit, dhe të shokuar nga zbulimi i emrave dhe mbishkrimeve pothuajse ekskluzivisht në gjuhën greke, të kërkojnë të gjejnë qoftë edhe një emër të vetëm në shqip.

Desha t’i thoja, që shumë vite të shkuara, në Derviçan dhe në fshatin ngjitur, në Goranxi, janë bërë xhirimet e filmit të njohur shqiptar, Vitet e Pritjes. Si ide alternative, mund t’i propozoja të kërkonte të shkonte në një nga shtëpitë tradicionale, ku u xhiruan skenat e famshme të kumteve kobzeza, ku tre burra nga fshati u dorëzonin familjarëve, lajmin e vdekjes së të afërmit të tyre në emigracion; të kërkonte ish-kafenenë historike afër kishës, ku u xhirua i njëjti film; të fliste me njerëz të administratës lokale, por edhe me njerëz të thjeshtë, për shpërfytyrimin e arkitekturës tradicionale të Derviçanit, dhe nëse po merren gjë masa mbrojtëse; të shkonte në pallatin e kulturës, që ndodhet në qendër të fshatit, në piaca, siç i thonë vendasit, i cili dikur ka shërbyer edhe si kinema dhe vend koncertesh nga ansamble të ndryshme kombëtare; të intervistonte Jorgo Konomin, një nga shoferët e paktë të autokinemasë të asaj kohe në Shqipëri; të shkonte në ambulancën e fshatit, ku mund të fliste shumë lirshëm shqip me personelin mjekësor; të pyeste për lidhjet e banorëve të Derviçanit me Gjirokastrën, që i ndan një distancë prej më pak se shtatë kilometra, dhe që pjesa më e madhe e burrave të fshatit punonte në qytet gjatë kohës së komunizmit; mbi lidhjet me Janinën, që është qyteti më i afërt i Greqisë, dhe që tradicionalisht këto dy qytete kanë qenë qendrat më të afërta urbanistike me krahinën e Dropullit.

Por, në të kundërt, qëllimi i topkanalistëve, nuk ishte rrëfimi i këtij fshati, i zakoneve lokale, i kuzhinës tradicionale, veshjeve dhe gjithfarë kurioziteti tjetër, që lidhet me gazetarinë e udhëtimit, por ekspertiza e vetëdijes së tyre gjuhësore dhe kombëtare në thembër të Shqipërisë.

Emisione të tilla, që zgjedhin në mënyrë kaq të përciptë dhe tinëzare njëkohësisht, të çorientojnë shikuesin, duke u përqendruar në detajin e etnisë së huaj dhe duke i prezantuar banorët e një fshati të caktuar, si bukëshkalë, armiqësorë dhe të bujtur në tokën e shqiponjave, nuk synojnë në njohjen e tjetrit dhe bashkekzistencën e kulturave të ndryshme, por në kultivimin e një race të veçantë: atë të klikuesve militantë.

© 2020, Eleana Zhako. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi pa lejen e autores.

26 Komente

  1. Shkrim i sakte. Qellimi i ketij emisioni duket faktikisht qe ne titulli dhe sidomos ne perdorimin e fjales “refuzim”. Qellimi i autoreve te emisionit per ta vendosur theksin te “kundershtia” te “absurditeti” i nje situate te tille duket nqs titullin “Derviciani fshati qe refuzon shqipen” e lidhim me titullin e ketij cikli emisionesh pra me “Fshatra ne Shqiperi”. Diskursi nacionalist fillon te veproje. “Nga momenti qe ky fshat gjendet ne Shqiperi si ka mundesi qe banoret e tyre te mos flasin shqip? Ne nje shtet komb kemi nje gjuhe zyrtare te detyrueshme per te gjithe.” etj etj”. dhe narrativa nacionaliste qe eshte produkt i diskursit nacionalist vazhdon ne menyren tashme te njohur: Si eshte kjo puna e minoritetit? Ju e keni shume te theksuar kete ceshtje. Dini apo nuk dini shqip? etj etj Me absurdja ne te gjithe kete emision eshte fakti qe prezantuesja e permend disa here faktin qe kemi te bejme me pjesetare te minoritetit etnik grek te njohur nga shteti shqiptar dhe te cilet gjuhen amtare kane greqishten. Mjafton ky fakt qe prezantuesja te mos ishte e habitur me gjuhen qe flitej ne fshat apo me tabelat qe ishin ne greqisht.

  2. Analizë e kthjellët për një emision rrumpallë. Që në hyrje gazetarja, pasi gabon me emrin e Derviçanit, vazhdon me gafën tjetër :” Derviciani…fshat i ankoruar në shpatin e malit..”. Ç’u bë fshati, anije që u ankoroka?!!! Do ketë parë ndonjë film fantastik ku, fshati, pasi lundron detrave, bregëzohet diku në stere…Pikë e zezë! Edhe më zi akoma nëse janë nisur ta bëjnë emisionin me paramendime të këqija e tinzare, siç thotë jo pa të drejtë Eleana.

    1. Fjala anchored ka dhe kuptimin I ngulur ,fiksuar nuk perdoret vetem ne sensin detar .

  3. Në shkrim përmend një citim në favor të kauzës sënde: “(S)i çdo shtet, ka një minoritet…” Kundërpyetja ime është: “Cili është ai shtet (fqinj) që nuk ka minoritet????”””

    1. Nuk besoj se ka shtet, qe s’ka minoritet, pavaresisht se jo te gjitha shtetet, i njohin minoritetet e tyre. Ben perjashtim Hungaria (dhe Shqiperia), qe thone, qe rrethohen vetem nga minoritete homogjene/homoetnike. Minoriteti me i perbetuar eshte ai hungarez, jane shume krenare per identitetin e tyre, sidomos ata te Rumanise

  4. Ne rregull, verejtje goxha me vend (pervec perpleksitetit qe ngall ajo pika rreth shteteve(fqinje) me minoritete !!), pra halli eshte kush i bie qe ka “lemishten apo trarin ne sy”, ta ndajm nje cikez shapin nga sheqeri nqs eshte e mundur !!?

    1. Jo, Andrea: halli është që të diskutojmë për ato tema ku mund edhe të ndikojmë drejtpërdrejt (make a difference, thonë amerikanët), jo për tema që na bëjmë të ndihemi mirë, duke kultivuar mes nesh viktimizmin.

  5. Ok, te ndikojme drejtperdrejt, pra: te theksojme te perbashketat socio-kulturore mes nesh, te kontribuojme ne harmonine mes dy popujve, te organizojme\zhvillojme aktivitete te ndryshme kulturore, te plotesojme te gjitha kushtete per minoritetet se perndryshe Greqia na ve veton … etj etj Ne rregull keto behen (dhe do te behen) fare lehte, ne dac me hir ne dac me pahir!! Halli nuk konsiston tek evidentimi i “viktimizimit”, por thjesht tek ai i ‘Bekuari’ -sacro santo- parim i reciprocitetit !! Pyetjes se Erionchos po i pergjigjem une: Eshte Greqia ai vend ne Ballkan qe mohon katerciperishte egzistencen e cfaredolloj tjeter etniciteti ne truallin e saj( bejn perjashtim komuniteti mysliman i Thrakes!!). Gjithesesi niveli i atij emisioni lente goxha per te deshiruar, ketu pajtohem!!

  6. Erioncho dhe Andrea,
    Pyetjet qe beni ju nuk eshte se me duken pa vend. Ceshtja eshte qe emisioni e ka kerkuar paq idene qe ka dashur te nenvizoje. Edhe sikur faktet te jene ashtu, menyra se si eshte ndertuar, dhe nderhyrjet prepotente dhe shpesh te pasjellshme te spikeres (gazetares?) me etiken dhe estetiken e se ciles Eleana nuk eshte marre (dhe per kete e pergezoj), e ben emisionin jo vec tendencioz, por edhe te pabesueshem. Fakti qe probleme te te njejtit tip a me te forta akoma ka edhe ne Greqi, Turqi etj, nuk jane arsye te mos jemi kritike ndaj problemeve tona. Dhe shkrimi ketu nuk eshte krahasues, por merret me arsyet pse emisioni nuk eshte profesional, realist (prej ideologjish e kulturash qe shpesh shfytyrojne edhe me te miret nder ne) dhe si mund te behej me mire.

    Sa per vendet e tjera te botes, qe nuk besoj se ishte qellimi i pyetjes sate, ceshtjet e minoriteteve jane shume komplekse dhe veshtire t’i kategorizojme teresisht pa gabuar, ne minoritete te forta etj. Edhe kur flasim per nje vend te vetem, variacioni eshte aq i madh dhe zhvillimet ne kohe e rrethana aq te shpejta sa eshte mire te mos pergjithesojme.

    1. Faleminderit Eda. Une ne ate fshat, kam kaluar pjesen me te madhe te femijerise, prinderit e mi ishin shume te zene me punet e tyre ne qytet dhe cdo pushim shkolle isha atje. Dervicani eshte fshati i pare i Dropullit te poshtem, me i aferti me Gjirokastren, gati si lagje e Gjirokastres, po te mos ishte ne mes Lazarati. Plakat mbi 80 vjec nuk dine mire shqip, se jane te pashkolla ose me shume pak klase. Gjyshja ime e mesoi kur vinte te ne, nga fqinjet e pallatit dhe i pelqente shume kur fliste shatra patra shqip se e shihte si sfide. Sa keq, qe s’jeton se rrugeve do e gjente gazetarja, duke shetitur neper fshat.
      Emisioni ishte nje dizinformim total dhe akoma me dizinformuese jane komentet e saj ne profilin personal. Cdo gazetar ka preferencat e tij, por per etike profesionale nuk ben komente negative kunder njerezve ne rrjetet sociale, sidomos per ca plaka te shkreta mbi 85 vjece.

      1. Jam krejt dakord. E di qe je andej. Une kam qene nga fillimi i viteve 1970 me tim ate. Ishte i mrekullueshem. Pastaj nuk jam kthyer me.

        Kish shume probleme emisioni; por nuk e dija qe goca ka bere edhe komente private me pas.

        Po fotoja per shkrimin nuk ka te paguar dhe i thote te gjitha.

        1. E ndoqa me interes, e kam vizituar Dervicianin nga mesi i viteve 1970, kemi miq dhe lidhje te vjetra.Nje fshat i bekuar, i paster si dhe shamite e bardha te dervicianoteve…me kulture dhe njerez fisnike! Intervista dhe pershkrimet vizuale, kane vlera informacioni per ata qe nuk kane idene e atij fshati.Sot qe punohet per zhdukjen me pasion te vlerave te kaluara, gezohem qe ka vende te cilat mundohen sa te jene aktive, te ruajne dicka qe eshte e tyre dhe jo e huazuar dhe falco!

        2. Ne fakt, Dervicani i femijerise sime, ka gjithmone e me pak lidhje me Dervicanin e urbanizuar, qe eshte si qyteze e Gjirokastres tani. Plakat me veshje tradicionale kane nderruar jete me kohe dhe shume pak prej tyre jane ende gjalle, aq pak sa 10 do dukej numer shume i madh. Dasmat e dikurshme, per te cilat shquhej Dervicani, i perkasin tashme te shkuares, tani ngjajne me kopje te shemtuara. Vajza ne fjale ka bere komente shume fyese ndaj atyre plakave duke i quajtur te shitura per ca pensione, duke mohuar thelbin e tyre.

  7. (Po përcjell këtu më poshtë, me falënderim, komentin që më ka dërguar kolegu Nasho Bakalli, në adresën email të Peizazheve. AV)

    E lexova me ëndje, shkrimin në fjalë. Idetë e Eleanës janë të gjitha tërheqëse e aq të mirëfillta sa, të lenë të kuptosh që nuk kanë nevojë për lëmoshë. Ato ide provojnë se masa e gjerë e qytetarëve të Shqipërisë nuk e kanë, e as nuk e kanë patur ndonjëherë të dobët vetedijen e tyre.

    Për të mos u zgjatur, pasi “Verba volant, scripta manent” për të gjithë emrat që përmenden këtu, fillim – mbarim, po iu ofroj, nga skedari im, të riprodhuar në PC, shkronjë pas shkronje, materialin që kam shkëputur, ca vite më parë, nga e lëvduara gazetë “Demokratia”, Gjirokastër; me drejtor e përgjegjës zotërinë e nderuar Jorgji Meksi. Materiali në fjalë është pjesë e rubrikës “Ndështypje udhëtimi”, dhe titullohet “Një ditë në Dervicjan”, botuar ky ditën e shtunë 29 prill 1933, dhe ka për autor z. Halil Tuqi (administrator i fletores Demokratia, Gjirokastër).

    Lexojeni më poshtë.

    – ” Të premten e parakaluar u ndodha në katundin Dervicjan. Atje do të zhvillohej atë ditë, si nga vit, një farë panairi si shenjë kujtimi e respekti të Pashkës. Atë ditë patën mirësinë të më shoqëronin edhe disa shokë me të cilët bëmë muhabet gjer në ora tetë të akshamit. Së këtejmi u nismë me një veturë shumë a pak elegante, shoferi i së cilës na qëroi nga xhepi plot nëntë franga ari për vajtje e ardhje. Arritëm në fshat afro në ora tre pas dreke, pikërisht në një kohë kur nuk ishin zënë edhe të gjitha bangot e kafenevet të cilat ndodhen rreth e rrotull një sheshi jo dhe të shtruar. Në këtë kohë shumica e katundarëve s’kishin sbritur akoma nga manastiri i fshatit ku bëhet nga vit ceremonia fetare e kësaj dite. Me të sbritur nga vetura u takuam me disa miq e të njohur, të cilët patën fisnikërinë të na shpien nëpër shtëpitë e tyre ku u pritëm me një dashuri të përzëmrtë.

    Pas mbarimit të ceremonisë fetare në manastir, po thua i tërë populli sbriti në fshat dhe u mblodh rreth atij sheshi të vogël. që të gjithë, burra e gra, ishin veshur me petkat më të ra, më të mira.

    Për pak, nga shumë tryeza, nisi kënga dhe më në fund vallja e cila vazhdoi në mes të një armonie të shquar. Në fytyrat e silitdo fshatar e të huaj, Kristiani apo Muhamedani, nuk shihej gjë tjetër veç gazit.

    Ku janë, thashë me vehte, ata fanatikë që në Shqipëri e quajnë të pamundur dashurinë, vllazërinë e dy elementeve. Le ta shohin tani këtë dashuri me sytë e tyre.

    * * *

    Më tepër se cdo gjë tjetër më hoqi vrejtjen veshja e bukur e grave të fshatit, të cilat ishin stolisur edhe me florinj të mbëdha e të vogëla. Gruaja dropullite, me kostumin e saj të vendit ka me të vërtetë një barrë hije. Pas mendimit t’em, nuk bëjnë mirë ato gra e vajza që kanë filluar të zilepsin, të preferojnë veshjen e motravet të tyre evropiane. Kjo mani nuk u prish vetëm bukurinë e tyre shëmbullore, por do ti tronditë edhe ekonomikisht, do ti varfërojë. E pranoj që një kostum i mirë e komplet i gruas dropullite, sot mund të kushtojë shtrenjtë. Mirëpo, përpara hindjave e basmave të holla si karta e cingarit, është shumë më i bukur dhe më i duruarshëm . I këshilloj, pra, motrat dropullite që të mos heqin dorë nga robat e tyre shumë tërheqëse se, me një qëndrim të tillë do të dëmtohen nga çdo pikëpamje.

    Dervicjani është një nga katundet më të bukura të Dropullit. Shtrihet në rëzën e një mali të thatë, dhe ndahet në tre qafa të vogëla. Përpara tij ndodhet një fushë e gjërë dhe pjellore. Përkarshi vjen Suha dhe pjesërisht Lunxhëria e Libohova. Ky katund nuk është më tepër se 7-8 kilometra larg nga Gjirokastra. Këto kohët e fundit janë ngritur atje mjaft shtëpi të ra e të bukura, të cilat i kanë dhënë Dervicjanit pamjen e një fshati evropjan.”

    – Ja, kështu mbaron shkrimi i zotit Halil Tuqi.

    Ndërkaq unë dëshiroj ta mbyll këtë, ndihmesën timen, me të njëjtat fjali me të cilat e mbyll Eleana Zhako, shkrimin e mençur.

    … Emisione të tilla, që zgjedhin në mënyrë kaq të përciptë dhe tinëzare njëkohësisht, të çorientojnë shikuesin, duke u përqendruar në detajin e etnisë së huaj dhe duke i prezantuar banorët e një fshati të caktuar, si bukëshkalë, armiqësorë dhe të bujtur në tokën e shqiponjave, nuk synojnë në njohjen e tjetrit dhe bashkekzistencën e kulturave të ndryshme, por në kultivimin e një race të veçantë: atë të klikuesve militantë.

    Nga Nasho Bakalli.

  8. Nuk ka te beje me grekun kjo, greku eshte i dobeti I rradhes.
    Media shqiptare (kjo e Tiranes) eshte vertet armiku i popullit. Vetem dizinformon, shan, “enables” te ligjte dhe ligesira, por gjithmone ne kurriz te te dobetit ose me rastin e politikaneve gjithmone ne kurriz te nje poltikani qe eshte e sigurte qe nuk do ti turret.
    Jane mizerje dhe une sinqerisht do te doja te gjjendej nje ilac per kete semundje.

  9. Nuk e di cfare do te thoshim per ndonje gazetare serbe qe do te prodhonte emisionin “Presheva, qyteti qe refuzon te flase serbisht”

    1. Pa lidhje me temën. Në Preshevë plagët e luftës në ish-Jugosllavi janë ende të hapura dhe pushteti serb është haptazi i pamirëpritur. Ftoj kolegët të mos i kushtojnë vëmendje këtij komenti spekulativ.

      1. E paske kuptuar krejt mbrapsht kete koment or zoteri. Per mua jo vetem qe eshte brenda temes, por mbeshtet ate qe thote autorja, pra njelloj sic nuk i pelqen asaj fakti qe nje gazetare shqiptare pretendon qe dervicanasit refuzojne te flasin shqip, po ashtu i padrejte do te ishte qendrimi i nje gazetareje serbe qe do te pretendonte se Preshevasit refuzojne te flasin serbisht. Megjithate une kujtova se ne kete reviste te sofistikuar ideja nuk do te kishte nevoje per me shume fjale per t’u kuptuar, po sidomos isha i bindur qe nnuk kishte nevoje per ndonje vemendje te vecante sepse nuk bente gje vecse stipulonte me 2 rreshta ate qe autorja e ka pershkruar me imtesi.

  10. Dervicani qenka pothuaj si qytet .Ne pergjithesi me c’kam vene re fshatrat kaure jane me te zhvilluara nga ato myslimane.Persa I perket gjuhes kur edhe nje nacionalist I eger si Enver Hoxha I inkurajonte te flisnin greqishten kush jemi ne qe aspirojme ti bashkohemi BE te merzitemi pse greket flasin vetem greqisht.
    Gazetaret duhet te bejne sondazhe me emigracionin tone ne Greqi .Qindra mije shqiptare te cilet iken te rinj pak nga pak Po behen gjysher andej .Brezi I trete eshte koha kur fillon e humbet gjuha amtare ne dhe te huaj .

  11. Nuk kuptoj nga e gjeti kete ” nuk flasin shqip” kjo goca e televizionit. Nga ata qe na tregoi 90% i folen shqip , shkelqyeshem si profesori apo cale -cale si ato plakat. Pervec refrenit te vet te merzitshem “nuk flasin shqip” nuk i solli shikuesit asnje prove. Duket ka shkuar me nje paragjykim ne koke dhe u perpoq me kot ta na i provoje. Ajo vete dhe krejt emisioni aspak profesional. Thjesht per t’u harruar.

    Me pelqeu shkrimi i Eleanes, eshte ne te drejten e zotit te mbroje fshatin e vet, bashkeatdhetaret e vet, kombin e vet. Edhe une po kete do kisha bere, dhe mbase shume me ashper.

    Ajo qe me vrau veshi eshte pergjigja e Eleanes ndaj Erioncho-s :
    – “Ben perjashtim Hungaria (dhe Shqiperia), qe thone, qe rrethohen vetem nga minoritete homogjene/homoetnike. Minoriteti me i perbetuar eshte ai hungarez, jane shume krenare per identitetin e tyre, sidomos ata te Rumanise”

    Nje pergjigje diplomatike ,elegante bile. Po ta kthesh ne fjale te thjeshta do te thote qe Shqiperia nuk rrethohet nga ‘minoritete homogjene/homoetnike’, sic ‘thone’, apo me qarte qe pertej kufijve te Shqiperise nuk ka minoritete shqiptare (sic), pra as pertej kufijve te jugut nuk ka minoritet shqiptar. Por ,edhe nese ka , nuk ja vlen se nuk qenkan as te perbetuar , as krenare per identitetin e tyre, si hungarezet, shkurt kane degraduar, as duhen permendur , ceshtja eshte e mbyllur.

    Mbase Eleana nuk e di qe ka nje minoritet etnik shqiptar ne Cameri,ose mbase nuk i vlereson te tille, ose ose nuk e thote dot se mund te kete pasoja. Po te jete keshtu ,sidomos ne kete rastin e fundit do ishte me mire te mos e bente fare kete shkrim. Sepse te njejtes pyetje nuk mund t’i pergjigjesh ne dy menyra te ndryshme. Nuk shkon te mbrosh njerin minoritet dhe tjetrin ta mohosh.

    Nuk kam dale per te gjykuar Eleanen, por qendrimin tim do ta shpreh sepse ne kete ceshtje duhet te kete vetem nje standard te aplikueshem kudo, ketu apo atje.

    Eleana, une qe kam disa miqesi shume te ngushta e te cmuara me minoritare greke, qe kam edhe krushqi me ta, dua te te tregoj me dy fjale nje episod : Vite me pare ishim ne Parga te Camerise. Kamarierja, nje vajze nga Xara, pyetjes sone nese kishte came ne ate qytet, iu pergjegj shkurt – ‘ketu vetem came ka’. Kur po dilnim nga qyteti u ngaterruam dhe kerkuam ndihme disa here per te na treguar rrugen. Nuk dinim greqisht dhe u drejtoheshim ne shqip. Ose nuk na pergjigjeshin ose me ndonje fjale te pakuptueshme greqisht. Derisa me ne fund durimhumbur iu drejtuam me ton disi te ngritur nja dy burrave se nuk dijme greqisht, jemi shqiptare dhe duam vetem ta na thoni nga t’ja mbajme per te dale ne xhade, andej apo ketej ? Njeri foli me ne fund me nje fjale te vetme , ‘ketej’ tha dhe ja beri me dore.
    Keta camet e Parges nuk flisnin dot ne gjuhen e nenes,por vetem ne te shtetit kurse ne Derviçan sipas kesaj goces nuk donin flisnin ne gjuhen e shtetit, por vetem ne te nenes. Komentet jane te teperta.

    Fjala jote Eleana, si etnikisht greke por lindur e rritur ne Shqiperi, ka peshe te rende per ate qe njerezit andej e ketej kufirit te ndjehen te barabarte e te jetojne ne miqesi.

    1. E dashur Fatma
      Komenti im mbi minoritetet, nuk kishte asnje tendence nacionaliste dhe nuk e di, se perse u paragjykua dhe u interpretua, si i tille. Per faktin se kam vete origjine minoritare, jam shume e ndjeshme ndaj minoriteteve ne pergjithesi dhe pavaresisht se etnikisht, njihem nga shteti shqiptar me kombesi greke, nuk e kam perdorur ne asnje shkrim apo koment timin fjalen “etnike”. Me mjafton shprehja minoritet grek, ndonese s’me pelqen fare termi ne fjale, fjala minoritet ne pergjithesi, eshte a priori perjashtuese. Une jam rritur dhe shkolluar ne Shqiperi, lexoj shqip, shkruaj shqip, shumica e miqve te mi jane shqiptare, vajza ime flet te dyja gjuhet dhe vetem kur dalin ne pah ceshtje, qe ngrejne emisione te tilla, kujtohem per kete vecanti te familjes sime.
      Persa i perket ceshtjes came, jam ndoshta nder te paktat ne kete blog qe kam shkruar nje shkrim, ndonese analize letrare, me titullin “Balade came” te shkrimtarit grek Vasilis Gurojanis, perkthyer nga Romeo Collaku dhe botuar nga Zenit; libri i dyte qe kam perkthyer ne greqisht, meqenese merrem edhe me perkthime letrare, eshte “Fluturimi mbi teatrin e Kosoves” te dramaturgut kosovar, Jeton Neziraj. Ndaj nuk mund te akuzoni per njeanshmeri.
      Komenti mbi minoritetet, kishte foljen “thone”, pasi ndonese kam nje background shume te mire historik fale studimeve te mia, nuk jam historiane dhe nuk i kam studiuar mjaftueshem minoritetet e Ballkanit. Kosova eshte tashme shtet i pavarur, ne Maqedonine e Veriut shqiptaret jane bashkeqeverises, pasi perbejne nje shumice te konsiderueshme, ndaj si minoritete shqiptare te mirefillta konsiderohen tani ato te Presheves dhe Malit te Zi. Arbereshet, ndonese jane shqipfoles nuk njihen si minoritet, camet e Greqise kane histori tragjike, etj. Nuk eshte as turp as krenari te jesh grek, shqiptar, serb, etj. Origjinen ne kuptimin e rrenjeve nuk e paracaktojme ne.

  12. Asgje e re nga fronti jugor ballkanik! Marin Mema ka nje sere emisionesh te tilla provokative, tek-tuk ndonjehere me pak me teper profesionalizem, s.d.q., ideja e njejte! Ne … dhe … ata! Edhe patriotizmi folklorik eshte biznes ne fund te fundit! Fitohet para, emer, poste! Emisione te tilla kane ne ditet e sotme me miliona shikues, si ne TV ashtu dhe ne internet, ndaj futen ndermes dhjetra reklama! Asgje per tu shqetesuar. Fitohet para dhe … keta parellinj (medemek) patriote sot blejne vila e toka jashte Shqiperise, biles mos u habisni, ata sebashku me bijte dhe nipcet e tyre do te blejne ne te ardhmen vila ne Hapsire larg planetit tone, kur te ndertohen! Por Shqiperine … e kane ne b… ne zemer ata!

  13. “Le minoranze sono il sale della democrazia”. Tullia Zevi

  14. Mire fshati qe ‘refuzon shqipen’, po prindi i kesaj Il-nises me duket se refuzoi kombin duke i vene asaj ate emer ne tesqere. Po meqe po shkojme per Brazil, pse i biem ne qafe Dervichanit xhanem?

  15. Dikush komentoi qe shtypi eshte Armik i popullit..eshte e vertete.. Para ca kohe nje gazetare (nuk e mbaj ment emrin) komentone thenien e nje emigranti te leshuar ne Rinas, si te gjithe per vendin tone…skota injorante e rjeteve elektronike hodhi gjithe vrerin kunder Emigracionit,nje kryqezate bastarte patriotike..Pastaj lufte klasese nuk ka teorikisht,eshte zvendesuar me nacionalizmin megalloman, endren e Shqiperise te madhe… Te paret jane minoritetet qe ndjejne sulmin,pas minoritetit grek sulmojne Vllehet duke ju vene 100 epitete…nuk nguxon te shprehesh per ndonje teme , te thuash mendimin sepse menjehere te thone _ Ju jeni tradhetare _

  16. Arsyeja pse Arbershet e Italise, te Kroacise, te Bullgarise, te Ukraines dhe ata te Greqise nuk pranojne te identifikohen te quhen shqiptare fshihet ne historine e hershme.
    Nese i referohemi informacioneve historike shkaku i eksodeve arberore lidhet me dyndjet Otomane, te cilat datojne rreth shek. 15. Cuditerisht, pikerisht ne kete shekull nis humbja e emrit te hershem “arber” dhe “arberisht” duke i zevendesuar me “shqiptar” dhe “shqip”. Nuk perjashtohet fakti se “Arberi” eshte me i vjeter se “Shqiptari”.
    Si pasoje, i pari nuk pranon te identifikohet me te dytin, nderkohe qe i dyti e nderton historine mbi te parin.
    Por nese do ta njohim historine, do ti evitojme debatet dhe tensionimet sociale.
    Historia eshte shkence sikurse te tjerat, e cila bazohet ne fakte. Per fat te keq, ne Shqiperi i dituri gjithmone eshte gjuajtur me gur, ndaj historia eshte shnderruar ne pasion e hulumtim kafenesh ku thuret e mitizohet nen avuj alkoli.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin