Shkrimtarja dhe publicistja turke Ece Temelkuran imagjinon një debat politik (me gjasë televiziv) midis Aristotelit dhe një POPULISTI:
ARISTOTELI: Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.
POPULISTI: Kjo propozitë është totalitare.
ARISTOTELI: Pse, ju nuk e besoni që të gjithë njerëzit janë të vdekshëm?
POPULISTI: Mos po më merrni në pyetje? Thjesht ngaqë ne nuk jemi qytetarë si zotëria juaj, por njerëz, ne qenkemi edhe injorantë, vërtet? Ndoshta jemi, por ne njohim realitetin.
ARISTOTELI: Po kjo nuk ngre peshë.
POPULISTI: Natyrisht, nuk ngre peshë për ju. U bënë vite që ju dhe njerëzit e sojit tuaj e keni sunduar këtë vend, duke thënë se njerëzit nuk ngrenë peshë.
ARISTOTELI: Ju lutem, përgjigjjuni pyetjes sime.
POPULISTI: Njerëzit e vërtetë në këtë vend mendojnë ndryshe. Përgjigjja jonë është diçka që nuk mund të gjendet në asnjë papirus elitar.
ARISTOTELI: (hesht)
POPULISTI: Provojeni. Ma provoni që të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.
ARISTOTELI: (buzëqesh nervoz)
POPULISTI: E shikoni? Nuk e provoni dot. (Buzëqeshje plot vetëbesim, diçka që do të përsëritet shpesh, për ta mërzitur Aristotelin.) Por nuk ka problem. Çfarë kemi kuptuar nga demokracia, është se të gjitha idetë mund të parashtrohen në hapësirën publike dhe se ato respektohen njëlloj. Zotat thonë…
ARISTOTELI: Kjo nuk është ide, është fakt. Dhe ne po flasim për njerëzit e vdekshëm.
POPULISTI: Të kish qenë për ju, do t’i kishit vrarë të gjithë, për të provuar se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, njëlloj siç kanë vepruar pararendësit tuaj.
ARISTOTELI: Kështu nuk po shkojmë gjëkundi.
POPULISTI: Ju lutem, mbaroni së shpjeguari mendimin tuaj, sepse kam gjëra të rëndësishme për të thënë.
ARISTOTELI: (psherëtin) Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Sokrati është njeri…
POPULISTI: Më duhet t’ju ndërpres këtu.
ARISTOTELI: Më falni?
POPULISTI: Më duhet, pra. Këto ditë, shefi ynë e ka sqaruar përfundimisht se kush është Sokrati. Ne tani e dimë shumë mirë se kush është Sokrati! Ju nuk na hidhni dot më hi syve, për atë njeri të keq.
ARISTOTELI: Po talleni tani?
POPULISTI: Kjo nuk është tallje për ne, z. Aristotel, siç mund të jetë për ju. Sokrati është fashist. Njerëzit e mi më në fund e kanë kuptuar të vërtetën, të vërtetën reale. Kohët kanë ndryshuar. Ju nuk e mashtroni dot popullin më gjatë. Po të mos ju ndërprisja, me siguri do të vazhdonit ‘Prandaj Sokrati është i vdekshëm,’ vërtet? Jemi ngopur me gënjeshtrat tuaja.
ARISTOTELI: Po ju po hidhni poshtë bazat e logjikës!
POPULISTI: Unë i respektoj opinionet tuaja.
ARISTOTELI: Po këto nuk janë opinione; kjo është logjikë.
POPULISTI: Unë e respektoj logjikën tuaj, por ju nuk e respektoni timen. Ky është problemi kryesor në Greqi sot.
…
Ky është një shembull i thjeshtë, vazhdon Temelkuran, i logjikës populiste bazë që, me variacione, sot po përdoret në shumë vende. Megjithatë, edhe në këtë bisedë fiktive, ka të paktën pesë rrejshmëri (fallacies) sipas rregullave të përgjithshme të debatit racional:
- Argumentum ad hominem (të kundërshtosh argumentin duke sulmuar karakterin e kundërshtarit, në vend që të kundërshtosh lëndën e argumentit) – Ju dhe soji juaj…
- Argumentum ad ignorantiam (t’i apelohesh padijes, duke pohuar se një propozitë është e vërtetë ngaqë ende nuk është hedhur poshtë) – E shikoni? Nuk mundeni ta provoni se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.
- Argumentum ad populum (të supozosh se një propozitë është e vërtetë thjesht sepse ka shumë njerëz që e besojnë) – Njerëzit realë në këtë vend mendojnë ndryshe.
- Reductio ad absurdum (të orvatesh të provosh ose të hedhësh poshtë një argument duke u përpjekur të tregosh se ai të çon në një përfundim absurd) – Ju do t’i vrisnit të gjithë, për të provuar se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.
- Ad-hoc reasoning (të shpjegosh pse diçka e caktuar mund të jetë, duke zëvendësuar një argument për pse është) – Demokracia është respekt për idetë, prandaj respektojeni idenë time.
(Nxjerrë nga Temelkuran, Ece, How to Lose a Country, The Seven Steps from Democracy to Dictatorship, 4th ESTATE, London, 2019.)
Nuk munda të mos vë re se autorja ka zgjedhur Aristotelin si referencë për dialogun e vet filozofik, në vënd të themi Sokratit, apo edhe Platonit. Nuk di nëse ekziston ndonjë dialog i mirëfilltë i Aristotelit, por ky i fundit shquhet për esetë dhe jo për dialogjet.
Por, mos ka kjo gjë të bëjë me faktin se në thelbin e dialogjeve qëndron gjithmonë skepticizmi? Mos ka dashur autorja të thotë, qoftë edhe indirekt, me këtë përzgjedhje të pazakontë, se “establishmentit” të sotëm i mungon skepticizmi në sensin më të plotë filozofik të fjalës?
E ka zgjedhur Aristotelin sepse ky ka përshkruar silogjizmin (përfshi edhe shembullin klasik “Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, Sokrati është njeri… etj.”), për ta përdorur, si të thuash, si zëdhënës të një këndvështrimi logjik ndaj botës.
Pikërisht, e kuptoj. Por që të imagjinojmë se si do kishte dialoguar Aristoteli sot, së paku duhet të kishim ditur se si ka pas dialoguar Aristoteli në të vërtët. Nuk kemi shembuj të mirëfilltë mendoj. Dhe është pak e sforcuar ta imagjinosh Aristotelin të argumentoj vetëm me silogjizma.
Përshembull, unë nuk i imagjinoj dot ndërhyrjet e zotit Shyti pa një dozë të thellë skepticizmi. Por ndoshta ju si Ardian edhe mund ta imagjinomi, se je vetë Zot vetë shkop, si i thonë një fjale.
Nga sa kam kuptuar nga libri, autorja ka përvojë të gjatë nga debatet e drejtpërdrejta me populistë në Turqi, dhe dialogu imagjinar më lart përmbledh njëfarësoj sfidat dhe zhgënjimet e saj me kundërshtarët. Unë kur e lexova njëfarësoj e përfytyrova veten në “dialog” me pellazgologët në Shqipëri, që tek e fundit nuk është dhe aq imagjinar për mua.
Dakort, aq më tepër kur konsideron dikë që i duhet të përballet jo thjeshtë me një mentalitet populist, por me një sistem tërësisht autoritar siç është ai i Erdoganit.
Gjithësesi, unë po i referohesha një dialogu imagjinar i majtë i djathtë, (sepse nuk jam shumë I bindur me këtë populizmin), që duket se edhe në perëndim tashmë po bëhet gjithnjë edhe më i pamundur: pra kushtit që dialogu duhet t’i konsiderojë të dy anët e debatit. Kjo lloj përqasjeje është e vërtet jo vetëm për dialogun Sokratik, ku në rastin e këtij të fundit pozicioni i tjetrit gjithmonë merret si pikënisje në argument, por i vetë diskursit perëndimor në përgjithësi.
Në US, ndërkohë që një studenti për një ‘paper’ në ‘English 101 class’, i kërkohet t’i konsideroj të dy anët e argumentit, për media si Fox Neës, CNN, apo akoma më keq ËAPO u pranohet njëanshmëria si pjesë identitare. Por, e ka fajin populizmi.
Është pak të thuash që elitat duhet të shohin veten në pasqyrë.
Ka dhe Argumentum ad Hitlerum (Sokrati është fashist).