Që prej kohëve homerike, hileja njihet si ekuivalenti intelektual i dhunës – meqë për çdo Ajaks që mësynte ballazi, do të gjendej një Uliks, për të ndërtuar kalin prej druri.
Diskutimi për hilenë bëhet më intrigues në ato situata kur fitorja me çdo kusht nuk është çështje për jetë a vdekje – ndonëse gjithnjë ka pasur kultura ku edhe vdekja është detyruar të ndjekë rregullat përkatëse.
Në arenën ekonomike, hileja mund t’ia sigurojë avantazh të përkohshëm hileqarit, por me kusht që ky të përfaqësojë një pakicë, përballë një shumice që vepron sipas rregullave. Përndryshe, një ekonomi ku të gjithë janë virtuozë hilesh do të paralizohet, në mos nga gjë tjetër, thjesht nga paranoja e përgjithshme.
Këto dilema do të kuptohen më mirë në lojërat.
Shumëkujt do t’i kujtohet goli me dorë i Maradonës, në ndeshjen Angli-Argjentinë të çerekfinaleve të botërorit 1982: shembull famëkeq i një dredhije të pandëshkuar. Megjithëse futbolli në nivele klubesh e më lart luhet me arbitër, përsëri kjo nuk i pengon disa prej lojëtarëve – gjithnjë një pakicë – të përfitojnë duke simuluar faulle ose me mënyra të tjera.
Madje mund të thuhej se prania në fushë e autoritetit arbitror shërben edhe si nxitës, ose katalizator sjelljesh të tilla.
Përndryshe, shahu është një nga ato pak lojëra ku hiletë janë praktikisht të pamundshme. Kur ti ulesh të matësh forcat me dikë, qoftë ky edhe krejt i panjohur, nuk rri e të bësh kujdes që ky të mos ta vjedhë ndonjë torre nga fusha, apo të mos u shtojë ndonjë fil a mbretëreshë të tepërt gurëve të vet.
Në shah jo vetëm çdo lëvizje kryhet në bazë rregullash të përcaktuara mirë, por edhe pikënisja është gjithnjë një situatë barazie absolute. Lojëra të tjera i shmangen barazisë materiale duke ia hapur deriçkën shansit: ndarjen e rastësishme e letrave, ose hedhjen e zareve.
Megjithatë, kohët e fundit dëgjon shpesh të flitet për hile në ndeshje shahu të nivelit të lartë, sa herë që dyshohet se ndonjë lojëtar arrin të këshillohet, fshehurazi, me kompjuterin. Në matçin e fundit për titullin kampion të botës midis rusit Kramnik dhe bullgarit Topalov, trajneri i të dytit e akuzoi rusin se po shkonte jashtëzakonisht shpesh në banjë (deri në 50 herë për çdo ndeshje), kinse për t’i verifikuar lëvizjet e mundshme duke u lidhur në distancë me një kompjuter.
Meqë shahu është përplasje e kulluar intelektesh dhe personalitetesh, atëherë hiletë në nivele aq të larta janë bërë të mundshme vetëm me daljen në skenë të kompjuterave dhe programeve të tilla që të luajnë më mirë e më fort se njeriu.
Përndryshe, hiletë ndodhin zakonisht në lojëra me letra për të kundërshtuar arbitraritetin, ose dhunën e verbër të rastësisë. Një marifet i rëndomtë në lojëra me ortakë është përpunimi i një sistemi shenjash mes ortakëve, për të shkëmbyer të dhëna për letrat në duar: po të kollem dy herë, atëherë e kam asin; po të kap veshin me dorë, mos e luaj më atë ngjyrë, e kështu me radhë.
Kur palët kundërshtare janë barabar të zonjat për të shkëmbyer të dhëna të tilla kundërligjshëm, atëherë loja me letra shndërrohet në një lojë tjetër, ku intelekti ia lë vendin pantomimës.
Nga ana tjetër, nëse hiletë arrijnë përsosmërinë, vjen një moment kur do të ishte njëlloj sikur loja të luhej me letra të hapura, meqë informacioni për letrat e dorës qarkullon lirisht midis palëve. Mirëpo pala që do të përfitonte më shumë nga loja me letra të hapura është pikërisht ajo palë e cila i ka letrat më të mira. Ergo, hileja shpie vetvetiu në paradoks, meqë sistemi i konceptuar për të mposhtur dhunën e shansit, i zbatuar deri në fund e logjikshëm, ia dorëzon lojën kapriciove të shansit.
Kjo ndodh sepse në lojërat me letra, padija ose mungesa e informacionit kompenson pabarazinë e sjellë prej shpërndarjes rastësore të “armëve” ose “municioneve” dhe sjell një element barazie në lojë, duke e bërë këtë më interesante, më të pranueshme, më njerëzore.
Kontradikta midis elementit të shansit dhe informacionit total zgjidhet në mënyra të ndryshme. Pokeri njëfarësoj e institucionalizon hilenë, duke e përfshirë në rregullat nëpërmjet blofit. Në contract bridge, përkundrazi, shkëmbimi i informacionit ritualizohet nëpërmjet sistemeve të deklarimit, të cilat janë po aq pjesë e lojës sa edhe vetë loja e letrës.
Një prej kënaqësive të bridge-it është kur ortakët arrijnë të merren vesh gjatë deklarimit pa përdorur ndonjë marifet ose mjet tjetër të paligjshëm komunikimi – që këtej edhe metodat e deklarimit, për të cilat janë shkruar libra të tërë.
Natyrisht, ka njerëz që paguajnë për të luajtur, sikurse ka të tjerë, më të shumtë, që luajnë për të fituar para. Bixhozi, ose loja për qëllim fitimi, nuk mund të konceptohet pa sisteme anti-hile – që nga ekzekutimi me plumb kokës i hileqarit në tavernat e Far West, deri te kamerat e fshehta në kazinot e Las Vegasit.
Kjo sadoqë, në kazinotë, hiletë më të mëdha i bën zakonisht kazinoja vetë, por kjo është çështje tjetër.
Këtu ia vlen të pyetet nëse ka kuptim që çdo lojë të reduktohet në bixhoz, para se të analizohet si shkëmbim informacioni. Pyetja nuk është aq triviale, sidomos kur i referohet kontekstit ekonomik, ku të gjithë lojëtarët futen në lojë për të fituar.
Sa për lojërat e mirëfillta – shahu, futbolli, ose edhe lojërat kompjuterike online me pjesëmarrjen e mijëra vetëve – këto mund edhe të luhen për të fituar para, sikurse mund të luhen thjesht për të fituar; por edhe në një rast edhe në tjetrin, nuk mund të luhen pa zbatuar rregullat.
Në futboll ose në shah rregullat nuk përjetohen si diçka e imponuar nga një autoritet i jashtëm, por si element intrinsek i lojës vetë – meqë dy vetë që duan të luajnë shah, por që nuk bien dakord se si duhet lëvizur fili, ndoshta më mirë t’i matnin forcat me një provë force (braccio di ferro).
Edhe transaksionet ekonomike ndjekin rregullat e tyre – të cilësuara me ligj, ose të fiksuara nga tradita. Ti shkon dhe ia beson paratë e tua bankës, sepse ke besim që banka do t’i ruajë për ty e do të t’i japë kur t’ia kërkosh; banka, nga ana e vet, të jep ty kredi sepse ka besim që ti do t’ia kthesh paratë me interes, brenda afatit.
Ka gjithnjë institucione financiare që do të tundohen t’ua vjedhin paratë klientëve, sikurse ka huamarrës që vrasin mendjen se si t’ia hedhin bankës e të mos paguajnë; por në përgjithësi aktorët ekonomikë ndjekin rregullat sepse ashtu është më e leverdishme për të gjithë. Banka nuk t’i vjedh ty paratë jo aq sepse ka frikë nga ligji, sesa ngaqë e di se, kur të merret vesh që ajo bankë nuk i nderon zotimet kontraktuale, askush nuk do të shkojë e të depozitojë më para atje. Gjithashtu, në qoftë se një numër i madh huamarrësish refuzojnë t’i kthejnë paratë, krejt sistemi i huamarrjes pëson kolaps.
Hileqari shpreson që jo vetëm të përfitojë duke mashtruar, por edhe që të tjerët të veprojnë sipas rregullave. Në ato qytete ku përdorimi i mjeteve të transportit publik nuk mbikqyret nga ndonjë fatorino (ose “arbitër”), gjithnjë do të ketë free riders, ose njerëz që tundohen të udhëtojnë pa biletë; por nëse numri i këtyre e kapërcen pragun kritik, atëherë sistemi kundërpërgjigjet duke shtuar numrin e inspektorëve shëtitës.
Plaga e free riders është veçanërisht e dhimbshme në ekonomi kapitaliste të papjekura, si në Shqipëri; me shembull i freskët e gjithnjë shqetësues mospagimin e faturave të energjisë elektrike nga konsumatorët, ose mashtrimet në tenderat. Në rastin e parë, mospagimi e ka çuar sistemin elektrik në paralizë, me pasojat që dihen…
Le të përfytyrojmë dinamikën e raportit midis dy personave prej të cilëve njëri ka para, ndërsa tjetri jo. I dyti kërkon t’ia marrë një pjesë të parave të parit, meqë i duhen për të mbijetuar. Si duhet të veprojë?
Një mënyrë do të ishte sulmi i drejtpërdrejtë fizik; një tjetër mënyrë do të ishte mashtrimi ose dredhia. Kapitalizmi parapëlqen një mënyrë të tretë, ku të dy palët bashkëpunojnë për të prodhuar vlera. Zgjidhje të tjera do të ishin: shteti ndërhyn për ta detyruar zengjinin t’i japë diçka fukarait (rishpërndarja), ose të pasurit i vjen keq dhe i jep tjetrit lëmoshë, ose i skamuri arrin ta bindë të kamurin, me logjikë të shëndoshë, se ky duhet t’ia japë një pjesë të parave të veta…
Megjithatë, e vetmja zgjidhje e qëndrueshme (sustainable) do të ishte bashkëpunimi me qëllim fitimi, ose vënia e përbashkët në përdorim e parave, zotësive, aftësisë për punë, mirëbesimit, dëshirës për t’iu lënë diçka fëmijëve, nevojës njerëzore për të krijuar e për të lënë gjurmë, e kështu me radhë.
Një lojë shahu ku shahistët qëllojnë njëri-tjetrin me torre, ose vjedhin gurë nga fusha, nuk mund të vazhdojë më. Vetëm ritualizimi i dhunës, ose respektimi i rregullave të lojës, u lejon lojëtarëve dhe spektatorëve kënaqësinë e krijimit intelektual ose estetik.
Herë pas here, dikush arrin të fitojë diçka më tepër nëpërmjet hilesë; sikurse dikush tjetër fiton llotarinë, e një i tretë bie aksidentalisht nga kati i pestë dhe thyen vetëm thoin e tejzgjatur të gishtit të vogël. Goli me dorë i Maradonës në portë të Anglisë e çoi Argjentinën në gjysmëfinale – por vallë nuk ia falëm atë gol sepse thellë-thellë e prisnim prej argjentinasit një karagjozllëk të atillë?
E kam fjalën që hiletë i presim të na vinë prej njerëzish të një kategorie ose klase inferiore. I njëjti gol prej Rumeniges ose Keegan-it ose gjigantit Horst Hrubesch do të shoqërohej me përbuzje masive e me thirrje golshënuesve për pendim publik. Me tregtarin ambulant që kërkon të na e hedhë duke na shitur një videokamera të vjedhur nuk indinjohemi aq sa ç’do të indinjoheshim me një dredhi të ngjashme, prej këshilltarit financiar që na administron fondin ku kemi investuar paratë e kursyera.
Në një kuptim, hileqarin e shfajësojmë disi me inferioritetin e vet – kur nuk e nxjerrim me shkelma jashtë kazinosë, ose nuk ia presim dorën e majtë poshtë bërrylit.
Shqipja e folur e ka ruajtur një shprehje për njerëz të drejtë e në mirëbesim – të cilët i quan “pa hile”. Këta gjithnjë i duam t’i kemi gjykatës që të na gjykojnë, mjekë që të na mjekojnë, policë që të na patrullojnë, drejtues që të na drejtojnë; sepse jo rrallë e vëmë veten pa dashur në rolin e hileqarit, ose të paktën në rolin tjetër, më të pranueshëm, të atij që ndihet i mbrojtur ndaj hileve.
Kultivimi i qytetarëve të tillë pa hile duhej të ishte prioriteti absolut i institucioneve në Shqipëri – më tepër se adhurimi i NATO-s, Europës, Demokracisë, Kushtetutës, Milionave në bankë dhe të tjera perëndive pagane. Idealisht, tha.
Ka dhe një gjëndje të re në raport me aplikimin e hiles si mjet për arritjen e qëllimit, të cilën XhaXhai e ka cekur ndërsa prezanton situatën kur hilja nga një akt përjashtimor shëndrohet në një gjëndje të zakonshme të përhershme; pra atë moment kritik, kur hilja humbet funksionin e saj primar prej korde (në kuptimin e rrugës më të shkurtër), pasi harku (në kuptimin e rrugës më të gjatë; që do të ishte edhe rruga e drejtë) pushon së egzistuari; kur të gjithë bëjnë hile dhe askush nuk vepron në rrugën konsensuale harkore duke qarkuar gurët kilometrikë të rregullave të lojës (ligjeve të shtetit). Në këtë gjëndje të re; pra kur konsensusi i të rënurit dakort për RREGULLAT nuk respektohet më, rrethi apo ajo forme qarkore e shtetit apo shoqërisë ideale shëndrohet në një zik-zak, i cili për nga forma ndjek edhe ai një rregullsi të caktuar, e cila nuk është e sanksionuar nga pikpamja formale brënda një kornize legjislative, por gjithsesi përndjek rregulla sjellje llogjike produkt i një konsensusi publik, të miratuara në një platformë paralele nga ajo e shtetit ideal. Kjo gjëndje e re diku quhet republikë bananesh, diku quhet korrupsion politik e diku tjetër quhet ndërthurje e krimit të organizuar me jetën politike. Pa dyshim që ky proces (ai i te korruptuarit) për shkak të dinamikës së tij mund të epitetohet edhe në mënyra të tjera dhe eksplorimi i tyre nuk është qëllimi im. Duke dashur të kthehem edhe një herë në konstatimin që hilja bëhet gjithë-dominate do të shtoja se kjo gjëndje ka padyshim edhe shumëllojshmërinë e saj, e cila tashmë nuk ka të bëjë më edhe aq me shpeshmërinë e hiles, por me mënyrën e perceptimit të saj publik; dhe këtu që ka shumë shkallë (këto lloj shkallësh vetëm zbresin). Nëse momentet fillestare të integrimit të hiles si një mjet të pranuaeshëm e të zakonshëm për shkëmbimin e shërbimeve publike apo për komunikimin publik midis palëve do t’i shikonim si vetëm zbritjen e disa këmbeve shkallë (po e kapërcej këtë fazën e parë më demokratike të shtetit demokratik shqiptar 1990 – 1997), në fazën e tij të dytë, e cila vazhdon pavarësisht nga ndyshimi politik të korrikut 2005 pa ndërprerje funksionale deri më sot (1997 – 2008) është një rrokullisje e vërtetë. Hilja e realizon veten jo edhe aq në përsosmërine e konstruktimit të saj nga hileqari, por në mënyrën e perceptimit të saj si mjet i zakonshëm i komunikimit publik. Pra shqiptarët nuk janë bërë gjë hileqarë më të mirë, por hilja është bërë mënyra e vetme e komunikimit publik dhe si e tillë gjen mirëkuptimin si të personit të mashtruar; interasat e tij po shpërdorohen ashiqare, ashtu edhe të masës së spektatorëve, të cilët madje hilen e sukseshe e vlerësojnë si dicka pozitive. Pranimi i hiles si mjeti i vetem i komunikimit publik është ajo gjëndje e re në të cilën po hyn shoqëria shqiptare sot dhe pikërisht lufta e fundit kundër korrupsionit nuk është gjë tjetër vetëm se konfirmim publik, apo ratifikimi institucional i hiles si instrument pune. Kjo gjë sigurisht që nuk mbaron këtu, pasi edhe ajo gjëndje të cilën përmënd XhaXhai, kur të gjithë bëjnë hile, apo që hilja; kur kjo duke u bërë gjithëpërfshirëse zbeh karakterin e saj vetë (kërkoj ndjesë, që nuk jam duke cituar tekstualisht) është një gjëndje ideale, apo edhe kur egziston realisht, kjo vetëm për një kohë të shkurtër dhe të papërfillshme, pasi rrethi i kaudratizuar vijon implodimin e tij si të thuash gjeometrik, kur midis hileve kryhen super-hile, pra hile të reja për nga natyra e tyre, funksioni i të cilave nuk është gjë më i ndryshëm se ai i hileve fillestare; pra shkurtimi i rrugeve për arritjen e një qëllimi duke anashkaluar rreguallat konsensuale që fillimisht ishin ligjet dhe më pas ligjet e anashkaluara e tashme janë ligjet e anash-anash-kaluara. Teorikisht ky proces nuk ka fund, pasi c’tabuizimi i hiles në fazën e parë të këtij procesi është hapi i parë cilësor që bie rrokullisjen, pjesa tjetër bëhet rutinë. Unë kam bindjen që kjo rrudhje e rrugëve për arritjen e qëllimeve kur ndjek haptazi një tendencë të pandalshme për shkrutimin e distancave, teorikisht do të duhej të binte dikur një kolaps total, gjëndje kjo që për mendimin tim është përsëri teorike, pasi dikur ka një ndalesë dhe një inisiativë për rehabilitimin e rrethit. Pavarësisht se sa primitive apo barbare mund të jenë shoqëritë ku jetojnë njerëzit, ata mbeten përsëri krijesa llogjike dhe janë të ndërgjegjshëm se ajo gjëndja zero (kolapsi kur të gjitha rrugët e arritjes së qëllimit janë shëndruar në një pikë) nuk bie asgjë dhe pa dashur të spekulloj në mënyrë leniniste mbi pafundësinë e grimcës, pra që edhe në gjëndjen më të korruptuar të një shoqërie përsëri ka vënd për korrupsion, mendoj se HILJA SHQIPTARE është ndër të tjera edhe funksion i dy faktorëve shumë të rëndësishëm, të cilët herët apo vonë do të shkaktojne frenimin e tij në një nivel të caktuar:
1. Morali i shoqërisë. Shoqëria shqiptare sigurisht që ka një moral, vetëm se niveli i ulët i tij ende nuk është në gjëndje të gjykojë nivelin e tanishëm të hiles si të papranueshëm. Se kur arrihet kjo gjendje unë nuk e di, por unë kam përshtypjen që shqiptarët mund të durojnë edhe më keq, pra edhe një hile të imponuar ndër të tjera edhe me dhunë armësh (Enver Hoxha p.sh.).
2. Hilja shqiptare gjithsesi si një hile demokratike qëndron në një lloj raporti me faktorin ndërkombëtar që gjithësesi e frenon (hyrja ne NATO).
Sado absurde që mund të duket kërkimi i kufijve të konsensusit hileqar në shumëzimin e durimit të stërvitur në diktaturën e Enver Hoxhës me faktorin e anëtarsimit në NATO, ky mund të ishte një opsion për arritjen e një gjëndjeje prehjeje (në kuptimin që regresi hileqar ndalon); pak a shumë në formatin e 1997; ndërhyrje e dhunshme nga jashtë për stabilizimin e një lloj konsensusi në gjëndje prehjeje, që për një kohë të gjatë (disa dhjetëvjecarë) mund të ishte edhe gjëndja normale e shtetit shqiptar. Si mund të arrihet kjo, vallë duke e shëndrauar gjithë Shqipërinë në një bazë komplekse amerikane me të gjitha facilitetet përkatëse, nga bombat atomike deri në burgjet speciale me të gjithe equipmentet e nevojshme për torturimin e terroristëve. Pra reduktimi deri në papërfillshmëri i interesit kombëtar kombinuar me një faktor domint ushtarak të huaj të gjithëpushtetshëm. Bie gjë kjo?