nga Edon Qesari
Nuk do t’i kisha shpenzuar kurrsesi më shumë se dy romuze – siç dhe bëra, ç’është e vërteta, brenda caqeve të rrjetit tim social- për një festival teneqexhinjsh si ai i fundit në TVSH. Të them të drejtën, ende nuk po kuptoj se përse dynjaja e paska parë dhe duruar një spektakël të atij lloji, ndërkaq që u rropat së e sharilart e poshtë për net të tëra.
Megjithatë, mbase me ca vonesë, dallova se nëpër rrjet paska pasur ankesa – deri dhe linçime të mirëfillta – për votën e dhënë nga dy anëtare të jurisë. Mes dy zonjave, njëra quhet Mikaela Minga dhe është, ndofta, i vetmi person që në këtë shkreti kulturore dhe kënetë artistike kutërbuese ka ende kurajën dhe mirësinë të pasurojë mendjet e pak të interesuarve me studime serioze dhe kthjelltësi intelektuale në fushën e muzikologjisë.
Se përse Mikaela Minga ka votuar kështu dhe jo ashtu nuk do të merrem fare, ngase kam aq bonsens sa për t’i besuar gjykimit të një studiueseje të rrahur me këto çështje. Çka më bajatos pafundësisht stomakun, nga ana tjetër, është prapavija idiote, mediokre, injorante dhe qëllimisht anti-intelektuale e një fryme të përgjithshme (e që nxitet kryesisht nga parelinjtë e industrisë mediatike të debilosjes kolektive) që shpalos parrulla të llojit “Kështu i pëlqen publikut”, ose “Këto do populli”, ose “Këtë kërkon masa”.
Një formulim i këtillë, prej vitesh e vitesh, është ngritur në piedestal, e tashmë ka marrë vlerën e një rregulli të fëlliqur për programe televizive, klipe muzikore, budallepsje fushatash propagandistike e ato pak nisma të varfra kulturore, të cilat duken si mensa gjynahqarësh (e kam fjalën për nivelin, jo shtrenjtësinë e gunave që hedhin në krahë). Këtu gjithçka, që kur s’mbahet mend më, përligjet nëpërmjet masës, popullit, publikut, i cili edhe kur nuk është i mangët prapë shfaqet si derdimen.
Tamam si një shprehje e vjetër që u përdor bindshëm para ca dekadash në një vend perëndimor me qëllim për të treguar se ç’retorikë e teknikë përdorin reklamat kur duan të bindin publikun që të blejë një produkt: thotë «Ushqehuni me m*t! Miliona miza që e hanë nuk mund t’ia fusin kot». Kështu dhe kjo punë.
Se pavarësisht latinëve – të cilët sajuan parimin e ashtuquajtur Consensus Gentium (dakordësinë e njerëzisë) për të shtyrë ata pak të cilët përdornin trurin që t’i dorëzoheshin një alternative të mbështetur gjerësisht – është parë e është shijuar e është pësuar e vërteta e të vërtetave: se masa jo gjithmonë shquhet për zgjedhje të goditura dhe fatlume. Po shyqyr që nuk po i referohem cirqeve të politikës thuaj! – se do të më kallëzonin dhe mua për reductio ad Hitlerum nëse do të përmendja se ç’anë mbanin masat e gjermanëve në zgjedhjet e 1933-shit.
(c) 2019, autori.
Ilustrimi (c) Antonio Raposo.
Vertet ne kenge e muzike votimi i publikut duket i perligjur, thjesht sepse muzika behet per publikun! Qe pastaj, publiku yne i momentit pelqen kenge tollovaje te tilla si te Elvana Gjates, nuk kemi c’bejme, pervec se ti japim ketij publiku te degjoje edhe kenge dhe muzike tjeter.
Pikerisht seleksionimin e kengeve te atij festivali teneqexhinjsh e ka bere zonja Vera Grabocka, ftesen e se ciles (për ta futur në juri në minutën e fundit) e ka pranuar pikerisht zonja Mikaela Minga.
Me siguri për të na kthjelltesuar në fushen e teneqologjise.
Pardon, muzikologjise.
Kinoditar, çfarë shkruan kështu, se po më le pa fjalë. Mikaela është nga të paktat eksperte në Shqipëri që ende i beson shërbimit publik. Nëse e ka pranuar ftesën e Verës, e ka bërë e bindur se do t’ia vlerësonin punën dhe profilin, siç e meriton. Dhe gjithnjë me shpresën se do të mundej të kontribuonte për mirë.
Nje gazetare (Mira Kazhani) mendon se zonja në fjale, në rastin me të mirë eshte keqperdorur; ne rastin me të keq eshte bashkeautore në kete histori ( https://www.gazetatema.net/2019/12/23/mira-kazhani-tregon-skandalet-e-festivalit-te-rtsh-se-alketa-dhe-elvana-kishin-nje-dhome-ekskluzivisht-me-vete-vejsiu-u-tradhtua-nga-vera/)
E rënda këtu është edhe se u godit kaq shëmtuar Mikaela, një nga të paktit ekspertë që ka mbaruar në Perëndim dhe që ende përpiqet të japë, në Shqipëri, një kontribut publik të çmuar, duke u angazhuar përtej punës që bën (dhe që e bën gjithashtu mirë). U godit jo thjesht Mikaela, por shembulli i Mikaelës, ose shpresa se ky afsh kutërbues i vulgut ende mund të kundërshtohet me kulturë dhe dije.
Faleminderit zonja Mikaela per artikullin e shkelqyer dhe tejet profesional. Faleminderit qe na dhe shprese ne adhuruesve te muzikes se paster e te vertete me votimin tend. Faleminderit qe ne kete festival u shnderrove ne engjellin Mikael sic ke dhe emrin. Muzika si art ka force te jashtezakonshme, ka forcen e levizjes se koshiences njerezore nga nje nivel ne nje nivel tjeter, muzika e bukur dhe arti i paster e ngrene koshiencen njerezore ne nje nivel me te larte, dhe njeriu vetvetiu fillon te doje te bukuren dhe fillon te kerkoje dijen e mencurine ne jeten e tij. Per fat te keq audienca qe arrin t’ju perkrahe dhe t’ju kuptoje eshte teper e vogel, per shkak se vetem nje pakice e duan artin e kulturen, vetem nje pakice kane arritur te ngrihen ne karriere me forcat e veta dhe vullnetin e vet. Nje shprehje e bukur thote: “It’s not that people don’t like classical music, but they don’t have the chance to understand it”
Jepi mases nje product te cilin ajo nuk e di se e do ka thene Steve Jobs.Nese vazhdon ai Henry Ford do te kishte pyetur masen se cfare donte,masa do ishte pergjigjur :nje kale me te shpejte .