Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

RICOSI KUVENDON ME LASGUSHIN

nga Eleana Zhako

Duke lexuar poezitë e dashurisë së Lasgush Poradecit, që përfshihen në veprën e tij letrare botuar në vitin 1990 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, mendova për një bashkëkohës të tij të huaj, i cili vdiq pikërisht në vitin e botimit të veprës së Lasgushit dhe fill dy vite pas vdekjes së poetit shqiptar. Bashkëkohësi i Poradecit, porsi ai, do të lindë në një vend bregdetar, por vendin e liqenit “pa kufir”, do t’ia zërë deti i kaltërthellë i Monemvasias. Të dy janë të lidhur me letërsinë greke, i pari si djalosh i porsaardhur në Athinë në moshën 17-vjeçare nga qyteti i Pogradecit, për të vazhduar atje studimet, i dyti një grek i lindur dhjetë vite më vonë, i cili do të njihet me kohë si një ndër poetët më të famshëm të Greqisë.

Janis Ricos, i cili lindi në vitin 1909 në Monemvasia të Greqisë dhe vdiq në vitin 1990 në Athinë, pavarësisht se nuk është bashkëkohës i përpiktë i Poradecit, për shkak të periudhës 10 vjeçare që i ndan në moshë, ka jetuar paralelisht me të në të njëjtën epokë letrare dhe historike; ndan me të dashurinë për artin dhe letërsinë greke, frankofoninë dhe lidhjen me letërsinë franceze, vdekjen e parakohshme të etërve të tyre në moshë të re, sëmundjen e tuberkulozit, dhe shëndetin e brishtë, që do t’i mundonte të dy gjithë jetën.

Por, Poradeci nuk do t’i përkushtohej letërsisë me zellin e një komunisti të indoktrinuar, çka kishte si pasojë harresën e tij ekzistenciale në botën e letrave shqipe. Ricosi, që se u burgos për idetë e tij komuniste gjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi, mbeti anëtar i devotshëm i Partisë Komuniste Greke deri në fund të jetës. Por, pavarësisht militantizmit dhe krijimtarisë së pasur politike, do të shkruajë perla të tilla, që në Shqipërinë e asaj kohe do të damkoseshin si letërsi dekadente. Kjo bëhet më e dukshme në krijimtarinë e tij të fundviteve ‘70, e cila dallon për modernizmin dhe erotizmin e theksuar.

Vëllimi i poezive erotike të Ricosit, me titullin “Erotiká”, që doli në Greqi në vitin 1981 dhe paralelisht në frëngjisht e italisht, për t’u botuar më pas në një mori gjuhësh të tjera, përballë poezisë së realizmit socialist, do konsiderohej si krijimtari pornografike, dhe Ricosi pa dyshim do të hynte në listën e eurokomunistëve dekadentë, duke rrezikuar të katandisej si antikomunist. Në një variant imagjinar, nëse përmbledhja e poezive erotike të Ricosit botohej gjatë viteve ‘80, kur Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist, misioni i përzgjedhjes së poezive të destinuara për botim, do të ishte ferr i vërtetë; dhe akoma më e tmerrshme për përkthyesin do të ishte heqja, zëvendësimi apo ripërshtatja e vargjeve ose fjalëve me referim të drejtpërdrejtë seksual, çka do ta bënte këtë mision të pamundur.

Brenda kontekstit erotik, përkthyesit të vonë të poezive të Ricosit, nuk do t’i duhet më të përballet me problemin e censurimit, por me lëvrimin e fjalorit erotik në shqip. Në një skenar filmi, nëse Ricosin e zhvendosnim në Shqipërinë e Lasgushit, në rastin më të mirë ai do të konsiderohej si një poet i çartur, pasi frymëzimi i tij poetik do të ngrihej mbi përkushtimin e tij politik. Ricosi zgjodhi të jetë poet komunist dhe anti-konformist, në një vend jo komunist, por me një bërthamë të rëndësishme intelektualësh komunistë. Lasgushi, zgjodhi të jetë një poet anti-konformist, në një vend totalitar.

Erotizmi i poezisë së Ricosit të periudhës së fundit, ndonëse është tërësisht i zbuluar dhe flet me gjuhën e trupit, duket se nuk bie ndesh me bindjet e tij komuniste, madje në të kundërt, u jep atyre një dimension më human. Përpiqem të imagjinoj Ricosin në qytetin e poetit të liqerit, në një bashkëbisedim me Lasgushin. Ricosi, që i fal Lasgushit, pak nga lakuriqësia provokuese e poezisë së tij dhe Lasgushi, që i fal Ricosit pak nga erotizmi shushuritës i liqerit të tij.

Poshtë fustanit

është lakuriq

mbi fustan

krejt lakuriq

para dritares

mban një gotë me fron –

do të jap’ pakëz?

a s’do të jap’?

e pi vetë

nuk të vështron

kështu ngjan më e lakuriqtë

me një trëndafil

mes gjinjve.

Erotika, Botimet Dituria (2019)

Përktheu: Eleana Zhako

 

Ku shtrohet vala…

E mora shoqezën përkrah,

E matmë rrugën ca-nga-ca,

Sikur na ndillte larg diçka.

Pa zuri dita perëndoj,

Pa zuri nata na mbuloj,

Pa zura shoqen ta pushtoj.

Përse buçet, liqer i qet!

Liqer, ti ç’ thua ndaj buçet!

C’far’, pe, liqer, mi zall të shkretë?

E çasin kur e sjell nër mend,

Kur sjell nër mend, ah! atë vend,

As rroj, as vdes, po jam pa mend.

Lasgush Poradeci, Vepra Letrare

(Botimet, Naim Frasheri 1990)

 

© 2019, Eleana Zhako.

15 Komente

  1. Shkrim shume i mire dhe informues. Pergezime!
    Te me falesh, kisha nje pyetje…
    Perse e ke perkthyer Erotikà “Erotike”?
    Jam shume kurioz te mesoj c’ndodh ne koken e perkthyesit kur merr nje vendim sa te rendesishem aq edhe delikat.
    p.s.
    10 pike per kete: Ritsos qe se u burgos…
    Ajo “se” me pelqeu shume.

    1. “Vendet tona”, me kete nofke me kujtuat nje poezi te Kavafisit, qe flet per vendet e tij, qe i quan tonat. Faleminderit për përgëzimet tuaja sëmbuese. Perzgjedhja e shume gjerave ne perkthim behet ne marreveshje me botuesin. Normalisht duhet te ishte Erotiket (poezite erotike dmth), por ne shumicen e gjuheve qe eshte perkthyer, eshte zgjedhur nje format, Erotika.
      Sa per noten 10, ne cdo shkrim mund te gjendet ndonje pakujdesi tek tuk. Nese kjo ia ul piket shkruesit, mund te me vleresoni me noten 0

      1. Ah, limitet e komunikimit me shkrim! Piket i kisha ndershmerisht dhe pa ironi.
        Une vertet e vura buzen ne gaz me “se” dhe e verteta eshte qe ishte ajo “se” e Shqiperise se Mesme qe me beri ta vazhdoj leximin deri ne fund.
        Nejse, flm shume per pergjigjen

    1. Pershendetje Pllaka e Pionerit. Faleminderit. Ndonese ky koment, eshte jashte temes se shkrimit dhe nuk do desha ne asnje menyre, qe hapesira e Peizazheve te shnderrohet ne vend thashethemesh banale, brenda kesaj fryme, po bej nje anashkalim te vogel. Ricosi dhe Elitis jane poetet greke, qe i kane kushtuar femres poezite me te bukura te dashurise. Ricosi ne ndryshim nga shumica e meshkujve te tjere poete greke te njohur, ishte me i sterholluar ne veshje, ne te folur, etj. Ish e fejuara e tij e pare, gruaja e shkrimtarit te njohur grek Aris Aleksandrou, thote qe gjithe raca e Ricove kishte dicka aristokratike dhe delikate.
      Ricosi ishte shume i ndryshem nga stereotipi i mashkullit komunist qe ekzistonte dhe ngaqe ishte mik me Luis Aragon, qe njihej per homoseksualizmin e tij, ndaj dhe qarkullojne shume rumors.
      Tani, para Renos Apostolidhis, me ate stil dhe zë bas qe ka, gjithe meshkujt e tjere duken me pak meshkuj para tij

    2. Nuk me thote asgje aludimi i Renos 🙂 Por, s’ ka kuptim te zgjatemi ne kete pike.

  2. Ja një temë që do të doja ta diskutonim – nëse e lejon Eleana: a ndikon orientimi seksual i autorit* në interpretimin e poezisë së tij erotike? Unë besoj se jo. Ose më mirë, do të ndikojë, nëse lexuesi e merr vesh, nga parateksti (parathënia, biografitë e autorit, thashethemet) se autori ka qenë homoseksual, dhe pastaj e lexon tekstin sipas këtij kodi. Nga ana tjetër, edhe sikur teksti të bëjë fjalë për eksperienca homoerotike, kjo nuk mund t’i faturohet drejtpërdrejt orientimit seksual të autorit. Poezia lirike është vërtet personale, por jo për këtë arsye edhe konfesionale.

    (*) Këtu dhe më poshtë, me autor kam parasysh edhe një burrë edhe një grua; është shqipja që ma imponon gjininë mashkullore, jo argumenti.

  3. Eshte normale qe nje poet te shkruaje poezi erotike, Diku Rilke thote se: te thuash te vertetet jeta krijuese eshte aq afer jetes seksuale, vuajtjeve dhe endjeve te saj, sa mund te cilesohen dy forma te se njejtes nevoje… (sikur i shuan ca fare kufijte, por po e leme me kaq).
    Ajo qe me ben pershtypje te Ricos, por edhe te te tjere bashkekohes te tij te medhenj si çmimi Nobeli Alexis Leger (Saint-John Perse), por edhe te gjeni me te moçem si Whitman, eshte se ata poezite me te shenuara erotike i shkruajten ne nje moshe relativisht te vone (Ricosi ne ’80-ten e botoi Erotiken e tij, pra te shtatedhjete vjeçet, kur mbase nga subjekti qe trajtonte i kishin mbetur ca si kujtime te vagta).

    (Ne kete kuptim Lasgushi duket me origjinal, e mbylli poezine mjaft i ri, gje qe do te thote se kthehej e pershkruante ne shtepi ate qe sapo kishte ndodhur ca minuta me pare ne breg te “liqerit”)

    Tani, nga ky fakt, a mund te nxirret ndonje perfundim i natyres “frymezimi iken, mbetet doreshkrimi” (Pushkin), pra qe estetikisht kemi vetem jehonen e voluptozitetit erotik te poeteve, ndersa fiziologjikisht nje perpjekte e deshperuar per te sublimuar nje impuls qe nuk ekziston me? Nuk e di.

    Nga Ricos kujtoj nje “erotike” tjeter, qe na befasonte e qe perkthehej e botohej lirshem, shume dekada me pare, ajo kur ai tek fliste per rezistencen antifashiste greke shprehte kufirin e holle te jetes e vdekje tek fliste per ata djem te rinj qe shkonin te vriteshin teksa sapo zgjoheshin ne mengjes, autori pershkruante mbathjet e tyre ravijezuar si harta (ka disa dekada qe e kam lexuar dhe nuk e kujtoj mire), sa mbeteshim edhe ne te hutuar e pak si me turp nga vetja, se ku i mori vesh te tilla sekrete aq intime.

    Po a mund te kerkosh shenje me te dukeshme gjenialiteti te nje poet?

    Ne rastin me te pare kete liber ibrin do te interesohem ta gjej ne Tirane, i bindur se perkthyesja ka bere pune te mire, ndonese nuk e di nese kjo eshte pervoja e saj e pare ne vargje.

    1. Faleminderit Lyss. Po e nis fillimisht nga fundi i komentit, pasi ai eshte me personal. Nuk eshte pervoja ime e pare ne vargje, pavaresisht se vetem dy libra poetike, dy perkthime te mia poetike, kane pare driten e botimit, Ricosi nga Dituria dhe nje tjeter autor grek nga Albas. Kam perkthyer disa poete greke, te njohur dhe me pak te njohur, nje prej tyre edhe Kavafis, qe eshte botuar te revista letrare elektronike Palimpsest.
      Ricosi konsiderohet si nje nder poetet me produktive te Greqise, ka shkruar mbi 100 vellime poetike ne mos gaboj, plus te tjera qe nuk jane botuar.
      Ka shkruar disa poezi dhe poema erotike para Erotikes se vone. Ne librin e Ricosit “Mehallat e botes”, qe eshte botuar ne vitin 1961 ne shqip nga Spiro Comora, ndodhet dhe nje poeme erotike, Sonata e Henes. Nuk e kam ndjekur mjaftueshem krijimtarine shume te hershme te Ricosit, por ne ndryshim me Lasgushin ka qene i fokusuar në më shume tema, krahas dashurise, ka nje krijimtari me te gjere, qe humbet ne te. Dhe mbi te gjitha ka qene shume komunist dhe nje pjese e mire kane fryme komuniste.

  4. E thua pak me siklet se Ricosi ka qene komunist. Ne te vertete, sa kohe qe kane qene ne opozite, komunistet kane bere pune te mira. Bejne opozite radikale dhe te pakompromis (edhe pse ca demagogjike). Problemi eshte kur marrin pushtetin.

    Ne te vertete, ke edhe te drejte. Qe komunistet greke nje ideologji e tille i kishte bere po aq kriminele sa ata shqiptare, franceze, kineze etj., kete e tregon nje episod i vogel kur ne ’45 per pak jave para zbarkimit te trupave angleze, komunistet (EAM-ELAS) u bene pak si zoter te Athines dhe nisen te vrasin ne vend te gjithe bashkepuntoret.

    Shume u perpoqen te gjejne edhe Maria Callas dhe nje kolege te sajen qe t’i vrisnin si bashkepuntore te gjermanve (ne fakt sepse gjate luftes kishte kenduar ne operan e Athines nderkohe qe aty ne salle kishte edhe oficere gjermane).

    Ate kolegen, qe nuk i kujtoj emrin (thone se ka qene soprano edhe me e mire se Callas) e kapen dhe e vrane ne vend ne menyren me mizore… duke i futur nje hu e duke e ngritur ne ajer nderkohe qe e ngjyen me benzine dhe i vune flaken!

    Marie Callas kerkohej qe t’i benin te njejten gje. Por ajo qendroi e fshehur dhe mundi te ike me pas, ne saje te nje lidhjeje me nje oficer anglez.

    A e implikon Ricosin kjo? Jo edhe po (jane antarete familjes se tij qe i bejne ato krime te neveriteshme). Por mbi te gjitha ai (dhe e gjithe Greqia) pati fat qe partia e tij nuk erdhi asnjehere ne fuqi. Dhe duke mos u kompromentuar me pushtetin, rrjedhimsht Ricos mbetet me i lare se shkrimtare te tjere te medhenj te vendeve ku komunizmi erdhi ne fuqi.

    1. Ndoshta duket sikur i kam meshuar ne menyre te ekzagjeruar, por po te ishin te gjithe komunistet si Ricosi, bota do ishte me e bukur. Desha te theksoja, qe ne krahasim me Lasgushin qe ishte “indiferent” ndaj komunizmit e partise komuniste, Ricosi ishte anetar aktiv dhe kjo vihet re dhe ne krijimtarine e tij. Por Ricosi, shkruante nje poezi militante njehere ne 5 vite le te themi, qe te ishte i qete te krijonte lirshem me mijera poezi te tjera, ku lartesohet njeriut humanist, jo njeriu partiak.
      Historia e luftes civile ne Greqi eshte e frikshme dhe e dhimbshme, nder me te dhimbshmet ne Europen e pasluftes. Te dy palet kane kryer krime te tmerrshme, te djathtet numerikisht me shume.

      1. Ne fakt ngjarja e mesiperme ka ndodhur juste avant la guerre civile proprement dit, kur komunistet ishin per pak kohe zoter te qytetit (si nje degustation se si do te ishte Greqia po ta merrnin pushtetin ata shoket).

        Pastaj ajo qe ndodhi, ke te drejte, ishte nje horror i vertete. Çka me huton eshte se nuk ishte nje lufte midis fiseve Tutsi dhe Hutu, gjithçka ndodhi ne token qe i mesoi njerzimit pervojat e para te demokracise. Tamam ne ate vend nuk qe e mundur te gjendej nje rruge kompromisi (bah, e njoh mire rolin e anglezve, rolin e vendimeve te Jaltes, di te them edhe se ky ishte çmimi qe duhej paguar per te shmangur nje ecje te gjate 40 vjeçare neper shkretetire, por perseri çmimi mbetet teper, teper i rende).

        Ka nje bisede interesante te Cvjgut me Frojdit, per pamundesine e kulturave te medha per te parandaluar shperthimin e instinkteve parake qe fshihen te njeriu, te çdo njeri, por ketu e shoh qe largohemi nga tema. Sur ça, te falenderoj per kete kembim dhe i uroj rruge te mbare erotikave te Ricosit midis lexuesve shqiptare, mbase jo te shumte, por kam bindjen se ata qe lexojne poezi aty kane shije te holle e do te dine ta vleresojne.

        Gjithsesi, perkthimi i nje libri te Ricosit mbetet nje akt i rendesishem intelektual.

        1. Faleminderit shume Lyss. Uroj dhe une qe lexuesit te blejne me shume poezi, se ne Panair vetem romane blejne. Eshte vertete teme e veshtire kjo e luftes civile ne Greqi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin