tregim nga Arben Dedja
Në fillim kujtova se njerëzit qenë mbledhur te streha e Muzeut për arsye të shiut, por jo: kishin ardhur për të marrë pjesë në workshop. Natyrisht salla nuk i nxinte të gjithë dhe kishin përparësi të regjistruarit online megjithatë, tek i tregoja njërit prej nismëtarëve të aktivitetit teserën e gazetarit dhe hyja brenda, dëgjova që po organizoheshin për ta transmetuar leksionin kryesor, atë që i kish bërë burrat nga ishin e nga s’ishin t’u luanin mend e kresë, në live streaming për të pranishmit e paregjistruar që po i grumbullonin ndërkaq në paradhomë. Duhet të ishin të paktën ndonja 100 veta. Me ç’pyeta lart e poshtë secili syresh kishte minimumi tre vajza dhe qenë turrur këndej për të gjetur dëshpërimisht derman për një djalë në familje.
Mbi tryezën e podiumit ishte shpalosur një flamur kuqezi gjigant; gjithashtu edhe ballina e foltores kishte shqipen e vet dykrenore. Kapërdiva pështymën dhe vajta u ula diku nga mesi i sallës, majtas, më tepër për t’iu shmangur do fytyrave të njohura; desha të isha sa më anonim dhe vërtet që rrotull u ndodha me kursantë që as i njihja e as më njihnin.
“Ç’bohet, mër jahu, ç’bohet!” thosh burri që kisha në krah tek i prezantohesha.
Kujtova njëherë mos e kishte me mua, por kur ia ndoqa shikimin, pashë që atë çast në sallë po hynin kursantë të veshur me tirqe e xhamadan, njëri prej të cilëve erdhi e u ul pranë nesh.
“Mete” tha pastaj burri.
“Berat” tha burri me tirqe e xhamadan.
“Me siguri s’je nga Berati” tha një që u prezantua si “Kozma.”
Berati u ngrys.
“S’mund të quhesh Berat dhe të banosh në Berat. Emri vjen si nostalgji, ose si gjakim. Le që unë jam nga Berati dhe s’të njoh, s’të kam parë” tha Kozmai.
Ndërkohë që Kozmai molloiste, Berati na tregonte me gisht një burrë ngjitur me veten, me një palë mustaqe të zverdhura si nga tymi.
“Quhet Slobodan Milosheviç” tha. “Vjen nga Beogradi”. Dhe shtoi, kur pa që kishim mbetur të gjithë gojëhapur: “Është homonim i diktatorit.”
“Mirë që na e the” tha Metja, “se kujtova mos ishte çu’ nga varri.”
“Dobro jutro” tha Slobodani.
“Kupton shumë mirë shqip, vetëm se nuk e flet” tha Berati.
“Sa vajza ka?” hyri direkt në temë Kozmai
“Pet” tha Sloboja, si për të vërtetuar që të thekte në shqip.
Dikush provonte mikrofonat, që lëshonin një tingull cingëritës.
“I shkreti” tha Kozmai.
“Qeka famoz ky kursi jonë, mër jahu” tha Metja.
Ndërkohë folësi – një shkencëtar i shquar shqiptar – kruante zërin dhe dalëngadalë në sallë u vendos qetësia.
Lindja e fëmijëve meshkuj, merr rëndësi të madhe për patriotët, kudo janë. Jemi kundër çdo aborti selektiv që, tekefundit, rrezikon nënat tona heroina dhe, më e pakta që bën, ul pjellshmërinë. Prandaj po sjellim me këtë leksion arritjet më të fundit të shkencës që, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (vendi jo vetëm me nivelin më të lartë shkencor të planetit, por edhe ai me patriotizmin më të ndërkryer) ka arritur kulmet e veta në këtë lëmë, në atë të lindjes së djemve. Kjo kryesisht falë vrojtimeve dhe studimeve gjysmëshekullore të një grupi shkencëtarësh nga Universiteti prestigjioz i Harvardit, ku tash së fundi kam patur nderin të bëj pjesë. Do të përpiqem ta thjeshtëzoj pa e banalizuar teorinë e tyre shkencore që aq filiza të rinj i ka dhënë ushtrisë amerikane. E them këtu me siguri që kyçi i suksesit, i lindjes së djemve, pra, mund të komandohet nga vullneti dhe inteligjenca jonë, duke zbatuar disa rregulla seksuale që do t’i analizojmë me hollësi.
U dëgjua zhaurima e përgjithshme, e mbytur, e kursantëve që nxirrnin stilografë nga xhepat, ose i kërkonin shokut një fije letër borxh.
Lermëni t’ua shpjegoj pak teorikisht si funksionon riprodhimi te njeriu.
Siç e dini, çdo qelizë e trupit tonë (quhen qeliza diploide) ka 46 kromozome. Bëjnë përjashtim vetëm qelizat riprodhuese: ovuli – qeliza riprodhuese femërore, dhe spermatozoidi – ajo mashkullore, që kanë gjysmën e kromozomeve, pra 23. Spermatozoidi ka për detyrë të arrijë ovulin, duke u kacavarur, le ta themi, gjithë vështirësi në vaginë, pastaj në mitër e deri te tubat e Fallopit dhe ta pllenojë atë, duke inciuar kështu riprodhimin. Nga fuzioni i ovulit me spermatozoidin krijohet zigota, qeliza e parë diploide, e cila kalon nëpër një numër të konsiderueshëm ndarjesh (quhen ndarje mitotike) dhe vendoset pastaj në mitër duke u zhvilluar e dhënë embrionin që, nga java e 8 e konceptimit – e formimit të zigotës, pra, – quhet fetus. And the rest is history, thonë anglosaksonët.
E dini gjithashtu që 46 kromozomet e njeriut janë të vendosura në çifte dhe, ndër to, çifti i fundit, i 23-ti, është ai që përcakton gjininë: dy kromozome X në çiftin e fundit: kemi të bëjmë me femër; një kromozom X dhe një Y: kemi të bëjmë me mashkull. Natyrisht nga kjo skemë ka përjashtime që, siç thotë latini, vetëm sa përforcojnë rregullin. Po në qelizat riprodhuese (quhen edhe aploide, gjerminale), si është puna? E thamë; ato kanë vetëm 23 kromozome. Po ç’ndodh me kromozomin e tyre të fundit? Qeliza riprodhuese femërore, ovuli, ka si kromozom të fundit gjithnjë një X, është spermatozoidi ai që ka si kromozom të fundit ose X ose Y.
Siç mund ta shihni, në një farë mënyre është babai, pra, “përgjegjës” për gjininë e fëmijës së ardhshëm dhe të gjitha ato teoritë e dikurshme popullore, që nëpër fshatrat tona i bënin shpesh me faj gratë e shkreta kur nuk arrinin të sillnin në jetë djem, kuptohet, janë pallavra. (Koka të varura dëgjuesish në sallë). Por, në fakt, edhe babai “përgjegjës” i pavetëdijshëm është, sepse, në fund të fundit, këtë punë do ta vendosë rasti. Po a mund të rrimë ne, patriotët e mirë, duarkryq, për ta lënë gjithçka në dorë të rastit, të fatit? Shkencëtarët thonë që mund të ndërhyhet dhe ne si patriotë përfitojmë këtu t’u bëjmë me dijë teorinë (dhe praktikën) e (ri)prodhimit të djemve.
Kromozomi X quhet kështu për formën që ka, shumë e ngjashme me germën X, teksa kromozomi Y, më tepër se një Y-i i ngjan një X-i me njërën këmbë të këputur; është më i vogël, pra, dhe përmban shumë më pak gjene se kromozomi X. Kësisoj është më i lehtë (sepse “kokëbosh”, nëse ma lejoni analogjinë me jetën njerëzore adulte). Shkencëtarët kanë vërejtur gjithashtu që spermatozoidët që bartin kromozomin X janë më vitalë dhe rrojnë më gjatë në mikroklimën vaginale e më lart, më tutje e më thellë: deri në tubat e Fallopit, sesa spermatozoidët që bartin kromozomin Y. Këta të fundit, nga ana e tyre, janë shumë më të shpejtë (sepse më të lehtë, siç thamë).
“Hajde bre, brzo!” mërmëriti Sloboja.
Nga ana e vet shkencëtari, tashmë në gjendje transi, vazhdonte me zhdrivillime.
Jeta e një spermatozoidi pas ejakulacionit rrallë i kalon të 24 orët. Gjithashtu shkencëtarët kanë përcaktuar që në çdo ejakulacion sasia e spermatozoidëve X dhe atyre Y nuk është saktësisht 50:50; ka më shumë spermatozoidë Y. Ky avantazh i vogël numerik i tyre fillon të bjerë rrëmbimthi qysh në çastet e para kur vijnë në kontakt me aparatin seksual të gruas, likidet vaginale të së cilës kanë aciditet të tepruar, që i sfavorizon spermatozoidët Y. Por, nga ana tjetër, me afrimin e ditës së ovulacionit, këto likide bëhen gjithnjë e më alkaline, duke ua rritur gjasën spermatozoideve Y të jenë pllenues.
Fytyra e Sllobos kish marrë një pamje të pikëlluar dhe mustaqet e zverdhura i dridheshin, teksa Metja filloi të kruante kokën, si në një provim matematike.
Nga ç’thamë më sipër bëhet e qartë që zgjedhja e momentit të duhur për të kryer kontaktin seksual në raport me kohën e ovulacionit është thelbësore në zgjedhjen e seksit të fëmijës. Nëse konceptimi i fëmijës ndodh, po themi, 2-3 ditë përpara ovulacionit, kur likidi vaginal, pra, është më acid, rrethanat favorizojnë spermatozoidet X, se kanë më shumë gjasa të mbijetojnë në pritje të zbritjes së ovulit. Atëbotë më shumë se shpejtësia ka rëndësi rezistenca. Kurse kur konceptimi i fëmijës arrihet afër në kohë me ovulacionin, ka gjasa më të mëdha të gjenerojmë mashkull.
Pastaj folësi filloi të analizonte faktorët e tjerë që ndikonin dhe këtu vërtet që biseda u bë interesante. Një nga këto faktorë qenkësh, për shembull, nisja e orgazmës së gruas gjatë raportit seksual, veçmas nëse ajo nis përpara apo pas orgazmës së mashkullit.
Në rastin kur orgazma e gruas nis përpara asaj të burrit, likidi vaginal bëhet menjëherë më alkalin duke e bërë më të komod mjedisin për spermatozoidët Y. Ndaj, nga nëna që do të lindë djalë, kërkohet të përpiqet ta hershojë sa të jetë e mundur orgazmën, ta çojë atë sa më përpara në kohë se ajo e burrit.
“Hershim i orgazmës së gruas? Hmmm! S’i paskemi punët mirë” foli me vete Kozmai dhe bëri një shënim në fletën që kishte përpara. Shkencëtari vazhdonte arsyetimin e hollë:
Kurse temperatura e lartë është në disfavor të spermatozoidëve Y; ndaj mirë do të jetë që gjatë përgatitjeve të babait për të pasur një fëmijë mashkull të shmanget puna në vende të nxehta, si fonderi (“Ça thotë ky, mër jahu: ku ka mo’ fonderi”, mërmëriti Metja), furra buke etj. Gjithashtu, të gjithë burrat që kërkojnë të lindin djem (këtu shkencëtari e ndërpreu të folurën dhe hodhi një vështrim të gjatë e kuptimplotë në sallë) duhet të veshin mbathje të gjera, jo të ngjitura për trupi; për ta thjeshtuar dhe modernizuar ligjëratën më mirë boxer se slip.
Këtu shkencëtari projektoi në PowerPoint lloje të ndryshme të mbathurash të tipit boxer dhe slip. Dikush filloi të kontrollonte veten ç’kishte veshur. Metja psherëtiu:
“Paska qenë prej brekusheve që ka bo’ pesë çuna gjyshi im.”
Për të rritur gjasat e konceptimit të meshkujve shkencëtarët gjithashtu sugjerojnë të ketë një abstenim në kontaktet seksuale (dhe në masturbim) deri sa më afër në kohë me ovulacionin e gruas (më mirë nëse deri ditën e ovulacionit). Kështu, koncentrimi i spermatozoidëve atë ditë do të jetë maksimal dhe, siç thamë, spermatozoidët Y janë më shumë. Ovulacioni, që zakonisht ndodh në mes të periudhës së ciklit 28 ditësh (shifra është ajo klasikja e librave, por gruaja e di vetë sa i zgjat zakonisht cikli; mund të ketë gjithnjë variacione disaditore), është asimptomatik. Megjithatë, ka një numër grash, rreth 20% e totalit (fatlume, për rastin që po flasim) që arrijnë ta kuptojnë këputjen e folikulit saje një dhimbjeje të shkurtër, shurdhe, në fund të barkut dhe duhet t’ua rrëfejnë mënjëherë këtë burrave që të angazhohen për të konceptuar një mashkull. (Kapërdima, rrudhje balli, dyshime që i brejnë të pranishmit).
Dhe tani le të vijmë te pozicionet.
Heshtja në sallë u bë totale. Burrat ngrinë; sytë u flakërinin nga epshi. Dikush, i fortë në vizatim, nxirrte gomën dhe mprihte lapsin ethshëm: po bëhej gati të skiconte me hollësi gjithçka.
Pozicioni më i thjeshtë i rekomanduar për konceptimin e meshkujve, për të mos u zgjatur edhe më tej, sepse po zgjatemi shumë dhe dua t’u lë vend edhe pyetjeve që mund të keni, është ai që në shqip i themi “lopthi”, sepse në këtë mënyrë sperma arrin më afër qafës së mitrës, shmang pra një pjesë të rrugëtimit nëpër mjedisin acid të vaginës.
Dikush në radhë të fundit ndërmerrte lëvizje të dyshimta në zonën e organeve gjenitale.
“Lopthi? šta je: lopthi?” Sloboja dukej i shqetësuar. Fjala e vetme që nuk arrinte të kuptonte nga gjuha shqipe rrezikonte t’ia hidhte në lumë krejt njohuritë e fituara. Kozmai filloi t’ia shpjegonte halldupçe, me gjeste.
Gjithashtu janë pozicione të favorshme për të gjeneruar meshkuj pozicioni 33 në pjesën e 13, libri i dytë i Kāma Sūtra-s dhe pozicioni 57 në pjesën e 14, gjithnjë nga libri i dytë i Kāma Sūtra-s. Kurse pozicioni me çiftin që shihen në sy ballë për ballë dhe burrin përsipër, pozicioni klasik i ashtuquajtur “i misionarit” e bën spermën të dalë më larg nga qafa e mitrës dhe të bëjë gjithë atë rrugë të gjatë e të rrezikshme, tejet acide, pra, që, siç thamë, favorizon spermatozoidët X me rezistencën e tyre dhe me thagmën që prodhojnë.
“Fak” tha Metja, me atë dialektin e vet tiranas.
Me atë vetëdijen që buron nga përvoja në ligjërim se shumë informacione risore në një kohë të shkurtër ia pataksin mendjen publikut dhe ai vjen një çast e nuk është më në gjendje të thithë asgjë, folësi filloi ta ulë intensitetin e njohurive që i injektonte sallës dhe dalëngadalë e mbylli leksionin.
Zotërinj patriotë, provojeni dhe do të mbeteni të kënaqur (do të mbeteni gjithsesi të kënaqur!).
Filluan pyetjet dhe mbeta i habitur nga përgjigja që shkencëtari i dha pyetjes se si ishte eksperimentuar nga ana praktike për të arritur në këto përfundime aq të vlefshme për brezat, ndonjëherë edhe revolucionare:
Gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve shkencëtarët e grupit kanë proceduar duke bërë seks me njëri-tjetrin dhe hap pas hapi duke nxjerrë përfundime.
Ishte mbrëmje vonë kur workshop-i përfundoi, sepse pati edhe shumë pyetje të tjera (njëra më idiote se tjetra). Por burrat e pranishëm ndiheshin vërtet të përfshirë katërçiptazi në këtë ngjarje – do të thosha të madhe – që mund t’i jepte vërtet një kthesë kryelartë jetës së tyre.
Dhe, teksa të tjerët prisnin në radhë për të marrë certifikatën e pjesëmarrjes në workshop, ika nëpër shi, me një dëshirë të madhe, të papërballueshme për të pasur… vajza.
(c) 2019 autori.