Mbase stina është pak e plogët për lajme – “Panorama” i është kthyer fejesës së djalit të Mehmet Shehut, këtë herë me një proces verbal të muhabeteve të Enver Hoxhës me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain, që kish qenë ruajtur në një “dosje sekrete në kasafortën e Enverit”.
Materiali ka një farë rëndësie për të kuptuar dinamikën e marrëdhënieve të Enver Hoxhës me bashkëpunëtorët e vet të afërt, dy-tre vjetët e fundit të jetës. Sikurse sqaron se, në pleqëri të Enverit, mbledhje të këtij niveli shërbenin kryesisht si seanca të mbështetjes psikologjike për një njeri plak, të sëmurë dhe të trishtuar.
Roli i Ramiz Alisë dhe, deri diku, edhe i Hekuran Isait, ishte që të shërbenin si “kontrapunkt” i delireve të Hoxhës, në lidhje me Mehmet Shehun.
Duke thënë gjëra të tilla si:
ose
ose
ose
Për një moment, duke parë edhe faksimilen e dokumentit të botuar në faqe, të shtypshkruar pastër në Courier, m’u duk sikur po lexoja një skenar filmi a një tekst teatral që u jepet aktorëve për ta lexuar, para se të vihet pjesa në skenë. Mungojnë vetëm ato që në anglishte i quajnë parentheticals, dhe që janë shënime shpjeguese të kontekstit, të tipit “duke buzëqeshur me ëmbëlsi” ose “duke pritur radhën për të folur” – por këto mund të shtohen, ose mund t’i kenë hequr…
Dhe mendova që kjo madje fare mirë mund të realizohej sot, duke i vënë një grusht aktorësh të lexojnë, të ulur rreth një tryeze madhështore, shkëmbimet, monologjet dhe batutat e dialogëve të dikurshëm.
Enver Hoxhën e atyre muajve, gjysmë pishman për çfarë kish bërë me Mehmet Shehun dhe krejtësisht të kontrolluar nga hjekësit në Byro (praktikisht të rekrutuar si resurs në luftën e pasardhjes), mund ta përfytyroj si Ajaksin e Sofokliut – që, niset të vrasë rivalët e tij, Agamemnonin dhe Menelaun ngaqë këta nuk ia dhanë armët e Akilit të vrarë; por, i gënjyer nga Athina, masakron një kope dhensh me gjithë bariun.
Mbledhje të tilla, si ajo e Sekretariatit të KQ, me Enver Hoxhën senil dhe të paralizuar nga ankthi, mund të përligjen vetëm po t’i interpretojmë si alegori – le të kujtoj se në ato vite Shqipëria kish halle të tjera të mëdha, pa lidhje me aventurat e fëmijëve të Bllokut.
Por këta burra të dheut e kalonin kohën duke marrë nëpër gojë djalin e Mehmetit dhe duke përmendur, lirshëm, faktin që “ky shkonte me një çupë që përbërjen politike të familjes e ka të mirë, po vetë nuk qëndron mirë moralisht, është kurvë, e njohur si e tillë në gjithë Tiranën.”
E ka më të lehtë njeriu të mendojë që të gjithë pjesëmarrësit, duke filluar nga Enveri vetë, ishin përfshirë në një ritual gjaku, që u vinte absurditete në gojë, për të përligjur sakrificën; dhe që parakuptonte edhe leximin nga një skenar i parashkruar.
I shtypur me makinë, i mbyllur në kasafortë: gjuha assembly për makinën infernale të pushtetit.
Prandaj edhe them se ndonjë grup teatror i pavarur, eksperimental, avant-gardist, mund ta provojë dorën dhe t’i rikrijojë këto biseda – në bazë të skenarit që ka mbijetuar; duke pasur parasysh se ato gjithnjë janë shtjelluar sipas një skenari.
Dhe skenari, në ato vite, mbase siç do ta shpjegonte më mirë edhe Isuf Kaloja, dhe siç ishte misioni i shtetit dhe i pushtetit, kish një synim të vetëm: “ta ruajmë shokun Enver!”
Kush ka nge t’i lexojë proces-verbalet e botuara nga “Panorama” do ta dallojë edhe këtë frymë terapeutike të bisedave; ose gatishmërinë deri në rrëmbushje, të bashkëpunëtorëve, për ta siguruar Enverin se “e ka mirë”.
Sërish marrëzia – dhe drama – e Ajaksit të vjen në mendje; ky hero i Trojës, që e humbi luftën me mendjen e vet. Vetëm se, ndryshe nga personazhi i Sofokliut, Enveri kish qenë i rrethuar me dhen e dhi përnjëmend – përfshi këtu edhe ato që arritën të mbeten gjallë.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.
“Unë e këshillova Marie Shtyllën që vajza e saj të fejohej me këtë djalë, se përveç gjyshit, asgjë tjetër negative nuk kishte në rrethin e tij familjar. Pas kësaj, të dy këta të rinj u bashkuan në martesë”.
Enver Hoxha