nga Kapedani
Çdo gjë ndodh nëse është dikush atje ta dëshmojë – mendoi ai teksa shihte xhezven e kafes turke që valonte. E qasi bllokun sërish në dorë dhe filloi ta lexojë paragrafin nga e para:
“Qëkurse Përparimit i kishte filluar problemi me prostatën e gjithë mëhalla ishte shqetësuar dhe ndiqte me merak të madh zhvillimin e sëmundjes së tij, duke e pyetur gjithsekush kinse shkarazi se si ndihej, çfarë i kishin sugjeruar mjekët, kur do të operohej, e nëse djemtë në Amerikë i kishin sjellë ndonjë kurë të shpikur së fundmi apo qetësues për dhimbjet që i kishin filluar e që e linin gjithë natën zgjuar jo vetëm atë por edhe banorët e mëhallës, që u duhej të dëgjonin çdo gjysmë ore gjëmimet e pompës më të fuqishme, zhurmë- e zulmëmadhe aty rrotull, zot i së cilës ai ishte bërë kur e kishte huazuar në 1997 tek punonte në ndërmarrjen e ujësjellësit, përvetësuar më saktë, se pompa ishte deklaruar e dëmtuar dhe e nxjerrë nga inventari me numër procesverbali 23, i datës 2.3.1996, ditën kur komshiu i tij, Zeneli i marrë, kishte instaluar një pompë që kërciste në qoshe të murit të dhomës së gjumit të Përparimit dhe nga poterja i kishte rrëzuar disa tjegulla nga pullazi dhe suvanë e re, çfarë shkaktoi një debat dhe sherr, për të cilën u desh ndërhyrja e Zhebos, ish-kryetarit të frontit të lagjes, një tjetër zallamahi kjo, pasi punët nuk shkuan fjollë për Zhebon, se që asaj dite zuri shtratin e nuk çua derisa sa e përcollën në botën e përtejme nën lotët e Ludmillës, dashurisë së parë së Përparimit në kohën kur bashkë frekuentonin shkollën e mesme profesionale e endeshin rrugëve për të gjetur ndonjë qoshe ku mund të putheshin deri sa të njomeshin pa u trazuar.“
Kështu e kishte filluar romanin e tij për Alirnda G. Por pena i gërvishte prej një viti në të njëjtin vend. Tani, tek ruante nga dritarja Zahon, të marrin e lagjes që kushedi çfarë kurdiste në mendjen e tij budallaqe, ndoshta sabotimin e radhës të pompës së tij, mendja i vajti sërish te makthi që e mundonte prej disa netësh: sapo përshëndetej nga gruaja, dëshironte ti ngjitej një pemë që e zbriste poshtë në një humnerë. Shumë herë e kishte shmangur pemën, po për çudi kësaj nate i kishte hipur dhe po zbriste me frikë poshtë tek u zgjua nga një sëmbim i fortë poshtë barkut. Ndërsa mundohej të shkruante, fjalët i kishin mbaruar përpara gotës së rakisë, të cilën ja kishin mbushur ndërkohë që i kujtonin cirrozën e të tjera sëmundje që i ishin shpifur. Dukej sikur sëmundjet e mjekët ishin përbetuar ta ndalonin nga kjo sipërmarrje.
Në fletë nuk kishte ngelur shumë hapësirë për korrigjime. Emri i Përparimit ishte fshirë disa herë me gomë, sa fleta ishte konsumuar dhe ishte shpuar një vrimë. Ai i Zenelit kishte ende një pikëpyetje, ndërsa i Zhebos dhe i Ludmillës anash kishin emra të tjerë alternativë.
Ishte një rrëfim për Alirnda G, këmbëngulte gjithë kohës. Të gjithë duhet ta njihnin atë, sikurse ai. Jo Alirndën që tani i gëzohej uljes së çmimeve në supermerkaton e lagjes, ngjyrimit të flokëve të bardhë me bojëra që emëroheshin me numra, gugatjeve të nipit apo lehtësimit të tij nga kapsllëku, dhe i jepte zë entuziazmit të saj me pantoflat që oshëtinin nëpër mëhallë. Por Begonjën e tij, siç i thërriste dikur. Ajo që pat shkruar poezi dashurie për mësuesin e kimisë që në klasën e shtatë. E dinte që nuk i kishin ngelur shumë ditë, edhe pse mundonin t’ia fshihnin. Diagnoza ishte e qartë dhe përfundimi pritej. E megjithatë njerëzit duhet ta dinin se kush ishte Alirnda G.
Britma e N. zgjoi atë mëngjes të gjithë mëhallën. E kishin gjetur në të gdhirë me një lapës gjysmë të brejtur në dorë. Bllokun që i kish ngelë në prehër, kushtuar Alirnda G. ja dogjën bashkë me kutinë ku kishte ruajtur fletët e zverdhura të gazetave që kishte shkruar apo ishte përmendur dikur ai.
(c) 2019, autori.