nga Natasha Porocani (Shuteriqi)
Alma: – mjep pk nmr e Sonit
Blerta:-06982….
Alma-flm
Blerta-wk, (emoji: dy buzë)
Në një variant të përdorimit të shqipes së saktë do të ishte:
-Zemër më jep pak numrin e Sonit.
-06982….
-Faleminderit
-Të lutem. Të puth dy herë.
Nëse të duhet të shkruash një mesazh të shpejtë, ti nis të përdorësh një shqipe intensive: shtyp me shumë nxitim tastierën, shkurton fjalë, sintetizon fjali, përdor emoji (madje as në shqip nuk e kemi një ekuivalente), ngushton ose eliminon përdorimin e shenjave të pikësimit. Të ndodh të zëvendësosh të folurën zanore me mesazhin.
Gjuhëtarët e kanë quajtur një lloj gjuhe hibride që shkrin elemente tipike të të folurit e të të shkruarit e që po e rrit përdorimin nga dita në ditë, po bëhet mënyra jonë e komunikimit.
A po lëviz gjuha shqipe nën ndikimin e këtyre ndryshimeve, a është ky një mutacion që përcjell edhe një seri aspektesh pozitive por edhe po aq negative? Nëse hedhim një vështrim se si ka ndryshuar gjuha shqipe në kohë, e tashmja e shkruar na jep një mundësi për të kuptuar nëse kjo formë e re linguistike e përdorur sidomos te të rinjtë për të komunikuar është një hibrid, një tendencë apo diçka e re së cilës ende nuk ia kemi përcaktuar rolin në gjuhën shqipe.
Komunikimi elektronik është një hapësirë shumë e gjerë. Mesazhi i parë nga një kompjuter te një tjetër u dërgua në vitin 1969. Në vitet `80, hulumtimi në Zvicër nga shkencëtari britanik i kompjuterëve Tim Berners-Li, rezultoi në World Wide Web, duke lidhur dokumentet HyperText në një sistem informacioni, të arritshëm nga çdo nyje në rrjet. Që nga mesi i viteve 90 interneti ka pasur një ndikim revolucionar në kulturën, tregtinë dhe teknologjinë, duke përfshirë rritjen e komunikimit pothuajse të menjëhershme me anë të postës elektronike, mesazheve, video thirrjeve, blogëve, rrjeteve sociale dhe faqeve të blerjeve on-line.
Por ajo që sot po kthehet në fushë hulumtimi është hapësira e shkrimit elektronik. Në të identifikohen tekste dhe mjete të cilat kanë shumë afri dhe dallime më njëra-tjetrën, takojnë në grafika dhe mesazhe, por dallojnë në specifika individuale. Jo pak raste këtyre teksteve dhe mjeteve i janë atribuuar vlera inovative në raport me mënyrat dhe format tradicionale të të shkruarit.
-Cilat janë specifikat e këtij shkrimi të ri që tashmë ka lindur?
-Cilat janë aspektet inovative të tij dhe në ç`raport rrinë ato me traditën?
-A është vërtetë ky lloj shkrimi një hibrid që duhet trajtuar si evolucion (dhe në këtë rast do stimuluar), apo regres (dhe në këtë rast përcjell nevojën e një ndërhyrjeje të shpejtë).
Këto janë pyetje të cilat, nuk është hera e parë që ndërgjegjja sociale dhe ajo linguistike e individit i përball me dyshime herë fatale e herë skeptike.
Nëse i hedhim një vështrim më të imtë këtij fenomeni, do të fokusoheshim kryesisht te shqipja që sot përdoret në shkrimet elektronike. Përdorëm termin shqipja, për të delimituar hapësirat kuptimore të fenomenit: në këtë territor përfshihen karakteristikat gjuhësore të shkrimit elektronik, por edhe faktorë socialë e psikologjikë që kanë ndërhyrë me forca determinuese jo rrallëherë. Në këtë kuptim, vlera e hulumtimit bazohet kryesisht te fenomenet gjuhësore (shkurtesat, klonimet, kalket, etj) që natyrisht nuk janë karakteristikë e shkrimeve elektronike në përgjithësi, por specifikisht e mjeteve të shkrimit elektronik që shërbejnë për të dialoguar: e-mail, chat, mesazhe. Këtu flasim kryesisht për mesazhe me tekst, por edhe për ato mesazhe ku ndërhyjnë figurinat apo emoji-t.
Ndërkohë që shkrimi në kompjuter të jep komoditetin të shkruash e të rishkruash, të prishësh, të presësh e ta ngjisësh diku tjetër materialin, etj, kjo shpesh herë e dëmton qartësinë e komunikimit sepse zhvendosjet jo pak raste cënojnë kontekstin, konektorët dhe si rrjedhojë semantikën e fjalës së folur. Gjithsesi ndikimi i këtyre fenomeneve në gjuhën shqipe është ende në proces, çka e bën të vështirë përcaktimin e rolit ndikues definitiv të tyre mbi të.
Fenomeni i komunikimit elektronik sigurisht që nuk përfundon në dimensionin dialogues. Mediet e tjera padyshim paraqesin fenomene të ngjashme, por në një masë shumë më të vogël: kështu për shembull faqet në internet shkruhen kryesisht në një shqipe standarde, ose me devijime të izoluara. Kjo nuk do të thotë që struktura tekstuale e një faqeje libri është e njëjtë me atë të një faqeje interneti. Mes tyre ka dallime që domosdoshmërisht kushtëzohen nga faktorë jashtëgjuhësorë si p.sh. letra përballë ekranit, përmasat e librit dhe përmasat e një monitori, etj. Por gjithsesi, këto janë dukuri që prekin më shumë arkitekturën e një teksti, veçanërisht strukturën hipertekstuale dhe më pak materialin gjuhësor.
Pa dyshim që elemente të rëndësishme që cënohen nga kjo lloj përdorjeje e gjuhës,
janë llojet e diskurseve që shfaqen në larmi stilistikore e cila kushtëzohet pikërisht nga ndryshimi i mjetit të shkrimit.
Jo pak herë shfaqen formate tekstesh të ndryshme nga formatet tradicionale. Procesi i shkrimit në shkollat tona daton i studiuar kryesisht në fillim të shekullit XX. Për sa i përket arsimit fillor, studiuesi B. Rama pohon se „në periudhën për të cilën po flasim, kohën më të madhe të orës së mësimit e zinin: fjala e mësuesit, leximi nga mësuesi e nxënësit dhe detyrat me shkrim”, të cilat bëheshin me pendë (mjet që sot nuk njihet fare nga gjenerata e viteve `70 e lart). Kalimi nga penda te stilolapsi duhet të ketë ndodhur në fund të viteve `60, ndërsa të përdorje makinën e shkrimit trajtohej si profesion që paguhej me rrogë nga shteti. Futja e kompjuterit në vitet 2000 u bë masive, por pavarësisht kësaj shkrimi në kompjuter quhet një proces i paplotësuar masivisht, ndonëse në universitet, në administratë dhe në botën e punës po fillon të bëhet mbizotërues. Kompjuteri, ky mjet i ri që nuk ka asgjë të përbashkët me pendën apo stilolapsin, takon me to në produktin përfundimtar shkrimin. Por edhe ky kontakt fizik, ndan dallime rrënjësore përmbajtjeje.
(vijon)