Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

DËSHMIA DHE TURPI

nga Marc Nichanian

përktheu nga frëngjishtja Orgest Azizi

 

Dhe tani, në mbyllje të librit[1], më mbetet puna më e vështirë, sepse më duhet të flas për turpin, për logjikën e turpit, veçse jo në mënyrë aluzive, ose kalimthi, siç bëra deri tani, por duke e bërë turpin temë qendrore – më duhet të flas për të dhe nisur prej tij, në një ballafaqim të nderë, pa shmangie, me sytë e ngulur në sy[2].

Sepse tërë kohën, mesa më kujtohet nga vetja ime, që nga origjinat më të errëta, kam ndier turp. Pohimi i turpit ka në vetvete diçka të pakundërshtueshme. Argumentet e mia mund t’i kundërshtoni apo dhe t’i hidhni poshtë, siç mund të më vini në dyshim çdo shprehje të « ndjenjave ». Mirëpo turpin, atë timin, vetjak, në çastin kur e pohoj, nuk mund as ta kundërshtoni as ta vini në dyshim. Ndjesi e çuditshme, dhe argument jo më pak i çuditshëm ky turpi, gjithsesi ! Pikë së pari ngaqë turpi do duhej të ishte pikërisht ajo çka është e pamundur të pohohet, të rrëfehet. Kurrë më parë, as privatësisht as publikisht nuk kisha folur ndonjëherë për turpin e pandërprerë që ndiej brenda vetes (edhe pse shprehja « kurrë » s’mund të vlejë veçse një herë ; posa u tha një herë, s’mund të jetë më « kurrë »). As vetes nuk ia kisha thënë. Nga se pra kam patur vazhdimisht turp ? Do t’ua them pas pak. Por disi me kujdes, sepse, në fund të fundit, nuk jam dhe aq i bindur se turpi vërtet ka ndonjë objekt, « arsye » a shkak të njëmendtë. Lehtë mund ta provosh të thuash nga se « ke » ose « të vjen » turp ; por si mund ta thuash vetë turpin, si të tillë ? Si ta komunikosh me fjalë ? Turpi vetë, mund të dalë në sipërfaqe në formën e fytyrës që skuqet, në tiparet e ngrira nga tmerri. Mund të më zaptojë, të më përthithë, të më sundojë pa rrugëdalje. Mund të më bëjë të them : Hapu dhè të futem. Të ma dëbojë brendinë si një dorashkë e kthyer mprapsht, bash në çastin kur jam i ekspozuar para tjetrit, i pafjalë. Sado të kem turp nga diçka, çfarëdo qoftë, në fund të fundit turpi më vjen prapëseparpë nga vetja. Edhe kur kam apo më vjen turp nga të tjerët[3], nga ajo çka janë, çka bëjnë apo kanë bërë të tjerët, është njësoj sikur t’isha unë, sikur po aq ta bëja apo ta kisha bërë vetë. E pamundur të shqitem. Turpi më lidh me të tjerët. Por mos ndoshta duhet të them « me të mitë », duke ngjizur kështu një lloj komuniteti të çuditshëm, një identifikim së prapthi ? S’di të them, madje as që e dija se ishin « të mitë » para se të (më) vinte turpi. Jo, jo, çdo ikje është e kotë. Unë jam përherë aty, dhe turpi më vjen gjithmonë nga vetja dhe për veten. Jam dorashkë e kthyer mbrapsht, jam gjë pa brendi. Vetë unë jam tërë « ata », atë që më bëjnë me turp, ata nga mësyn turpi, dhe që më bëjnë të zhytem në turp.

Turpi s’ka dëshmi. Madje, është pa dyshim e vetmja gjë për të cilën s’mund të ketë dëshmi. Prandaj turpi është dëshmi e vetvetes. Sikundër nuk ka turp nga turpi. Mund të të vijë turp ngaqë je i bukur apo i shëmtuar, mund të kesh turp nga prindërit, apo ngaqë të është dashur ta shkelësh diku kur të rrezikohej koka, për të mbijetuar. Mund të jesh prè e një turpi të humnershëm dhe përtej çdo fjale ngase të kanë cenuar në qendrën më intime të identitetit (dhe atë që torturojnë e përdhunojnë në kohë gjenocidesh e dinë mirë se sa radikalisht shkatërrimtare është forca afatgjatë e turpit). Nga të gjitha këto mund të (të /na) vijë turp. Por, kam përshtypjen, nuk mund të kesh turp nga fakti që ke (ose ke pasur) turp. Nga vjen kjo mungesë radikale refleksiviteti, pasqyrueshmërie në rastin e turpit, sikurse dhe në rastin e dëshmisë ? Pa dyshim, ngaqë dëshmia është turp. Dëshmia është vetë turpi. Gjë që na jep dy pohime. Njëri : « Turpi është, për veten, dëshmia e vetvetes » dhe tjetri : « Dëshmia, është (vetë) turp(i). » Nëse këto dy pohime janë të vërteta, atëherë gjithë diskutimet mbi dëshminë që s’dinë apo s’thotë asgjë për turpin, të gjitha ligjërimet rreth saj që nuk zhvillohen nën shtysën e turpit, s’janë veçse fjalë boshe.

Mirëpo… kaq e sigurt është se dëshmia është vetë turpi ? Siguria për të cilën flas ndoshta nuk është njësoj e kthjellët, njësoj e pakundërshtuar për të gjithë. Përse vallë ? A mos ndoshta ngaqë pohimi në fjalë përshkruan përvojën intime të të mbijetuarve ? Siç dihet, përvoja e të mbijetuarit është pikënisja e analizave madhore të Giorgio Agambenit, që zhvillohen deri në pohimin që do të përmblidhja si vijon : « Subjekti (i vërtetë) është dëshmitari, ai që dëshmon për pamundësinë e dëshmisë. » Por mund ta themi edhe më shkurt. Subjekti (i vërtetë), është subjekti i turpit. Le ta quajmë teorema e Agambenit. Mirëpo, në fakt, analizat që shpien deri te ky pohim nuk nisen nga turpi i të mbijetuarit, nga turpi prej mbijetesës. Aspak, por nisin me atë skenë të tmerrshme që Agambeni e gjen të rrëfyer te Robert Antelme, dhe ku Antelme tregon se si, gjatë marshimit absurd të të deportuarve që lënë kampet përballë afrimit të ushtrive aleate, një SS thërret befas një djalosh student italian ; djaloshi hedh sytë përreth vetes, e kupton që bëhet fjalë për të dhe… skuqet, bëhet i pupurt. Robert Antelme nuk thotë shprehimisht se djali u skuq nga turpi. Megjithatë, Agambeni kështu e kupton. Pikërisht në atë çast, në çastin që lajmëron ardhjen e vdekjes, studenti skuqet nga turpi. Përse vallë, në momentin kur s’ka më asnjë rrugëdalje, skuqja në fjalë është skuqja nga turpi ? « Sido që të jetë, thotë Agambeni, studentit nuk i vjen turp ngaqë mbijeton. Përkundrazi, është turpi që i mbijeton atij[4]. » Dhe u mbyll kështu rrugën gjithë atyre ligjërimeve përtace mbi ndjesinë e fajit te të mbijetuarit. Tekst i tmerrshëm, dhe tmerrësisht polemik. Dhe Agamben e ngre sërish pyetjen : Pse ka, pse duhet të ndiejë turp studenti ? Pyetje së cilës nuk di t’i japë përgjigje, përveç sa vijon : « Thua se skuqja e faqeve tradhëton, për një çast, cekjen e një kufiri, thepin e diçkaje në gjirin e së gjallës, që do të mund ta quanim një material i ri etik. Natyrisht, nuk është çështje fakti, nuk është diçka që mund të dëshmohet në të tjera forma, përmes fjalësh për shembull. Sido që të jetë, skuqja këtu është një lloj apostrofe e heshtur, një shigjetë që depërton kohën për të mbërritur tek ne duke dëshmuar për të[5]. » Turpi është ai që mbijeton. Turpi është ai që dëshmon. Këtu, te tmerri diskret i kësaj skuqjeje djaloshare, dy pohimet më sipër janë mbledhur në një (Turpi është dëshmi e vetvetes. Dëshmia është vetë turpi.) Kam turp. vjen turp. Pleonazma, siç e keni kuptuar me siguri tashmë, qysh kur nisa të flas për të thënë se kam turp. S’ka « un » tjetër përveç unit të turpit. Strukturë e çuditshme e unit, i cili përkon me veten vetëm në çastin kur dëshmon mospërkatësinë e plotë ndaj vetes, kur dëshmon shembjen e tij totale.

E tillë ishte pra teorema agambeniane. Në formën më të përmbledhur të mundshme : Kam turp. Duhet banuar turpi, na duhet t’i rikthemi pambarim, të hedhim rrënjë, të zhytemi në të e të depërtohemi prej tij, nëse duam vërtet të arrijmë të themi diçka, çfarëdoqoftë, me pak vlerë, sa i përket dëshmisë. Në këtë pikë, më duhet të hyj pak më tej në detaje dhe do ndërrojmë disi rendin e diskutimit. Thashë më herët se, mesa më kujtohet, gjithmonë kam ndier turp, që nga origjinat më të errëta të kujtesës. Jam rritur me ndjenjën e turpit. Më vinte turp sa herë që flisnim për veten tonë. Sepse, sa herë që flisnim për veten, nuk i flisnim vetvetes, as njëri-tjetrit. Porse i bënim thirrje çdo herë të tretit, Perëndimit, vëzhguesit, asaj instance që Hagop Oshagani e quante « njerëzimi i qytetëruar ». Kështu që kam pasur turp vazhdimisht. Sepse, vërtet, duke qenë në pozitën e të mbijetuarit, na është dashur të flasim pareshtur për veten, t’i bëjmë përherë thirrje të tretit, vëzhguesit, njerëzimit të qytetëruar, na është dashur vazhdimisht të kërkojmë, të lypim vështrimin e jashtëm. Dhe dëshmia më kushtetonte në momentin e kësaj lypjeje, dëshmia më ngjizte përmes turpit që ndieja, më ngjiste në përkatësinë te « ne-ja » që sapo shqiptova, nën vështrimin e tjetrit të qytetëruar, përmes dhe për hir të këtij vështrimi. Kështu që, tërë jetën time kam pasur turp pa ndërprerje. Ngaqë i ekspozonim plagët tona në sytë e publikut ? Thua të ketë qenë punë hijeshie e namuzi ? Por atëherë, pse « ne », ç’hyn « ne-ja » këtu dhe për ç’plagë mund të jetë fjala ? Jo, jo. Turpi vinte ngaqë, kur flisnim, kurrë nuk i drejtoheshim vetes. Ngaqë, çdo herë, në çdo kohë, donim të sillnim prova, të silleshim si prova. Kështu që më vinte turp sa herë që dëshmia sillej, afishohej, prezantohej, blatohej me përdëllim në altarin e provës. Për çdo herë që ishim, që na duhej të ishim prova e gjallë e vdekjeve tona. Provë e gjallë e vdekjes së vet, sikundër ishte dhe studenti italian. Ja momenti i turpit. Dëshmia është vetë turpi.

Thashë : dëshmia e ofruar me përdëllim si provë, e blatuar me dëshirë në altarin e provës. Por, a ka vallë dëshmi që të mos jepet në çdo moment si provë ? Sot madje shkruhen dhe libra për të vërtetuar vlerën provuese të dëshmisë, për të ndërtuar prej aty një model të tërë shoqëror, një model të jetës shoqërore si komunikim, dhe pra të së vërtetës si konsensus, kuadër brenda të cilit, siç na thonë, dëshmia mund të pranohet të vlejë si provë. Te Çka mbetet nga Aushvici, ka një pasazh mizorisht therës (por i tërë libri, në fakt, është therës), ku Agambeni i drejtohet njërit prej atyre filozofëve të komunikimit dhe të vërtetës si konsensus, Karl-Otto Appel, duke e ftuar të sprapset ne kohë, dhe të tentojë një çast ta ekspozojë filozofinë e vet përballë Muselmann-it, atij që ka rënë përtej komunikimit, atij që nuk mund të shqiptojë më asnjë fjalë dëshmie, që nuk mund të dëshmojë për vetveten. Dhe pyet ; perderisa Muselmann-i s’ka më fjalë, përderisa s’komunikon më, a duhet atëherë ta përjashtojmë nga fusha e njerëzisë dhe e së vërtetës ? « Vetëm me kusht që fjala të mos jetë paraprakisht dhe përherë e dhënë si komunikim, vetëm me kusht që ajo të dëshmojë për diçka që është e pamundur të dëshmohet, vetëm atëherë pra qenia folëse mund të njohë përvojën e diçkaje si domosdoshmëria e fjalës. » (fq. 81). Dhe mu në vazhdën e këtij pohimi sjell për herë të parë argumentin i magjishëm mbi kundërshtimin (réfutation) : « Muselmann-i është kundërshtimi radikal i çdo kundërshtimi të mundshëm […]. » (fq. 82) Po i kthehem pra edhe një herë asaj çka thoja në Hyrje të librit, lidhur me raportet mes vullnetit gjenocidor dhe dëshmisë. Nuk i takon dëshmisë të kundërshtojë mohuesit, të davarsisë dyshimet, e as të shërbejë si provë. E vetmja gjë që mund të vlejë si provë e skajshme, është vetë pamundësia e dëshmisë dhe e provës, është heshtja e atij që s’flet më, që kurrë s’do të mundet më të flasë për të rrëfyer shkatërrimin e vet. « Ne nuk sjellim prova ». Por, fundja, që paradoksi ku kushtetohet dëshmia të jetë kundërshtimi radikal i çdo tentative mohimi, dhe madje « i vetmi kundërshtim i mundshëm i të gjitha argumenteve negacioniste », kjo ndoshta nuk është medoemos veti e skajshme e tij. Agambeni e çliron kësodore dëshminë nga tërë ato « shërbime » të vyera që kërkojnë t’i mveshin si vlerë provuese në raport me faktet. Gjë që implikon, haptazi, kundërshtimin dhe pikëpyetësimin rrënjësor të arkivës. Pezullimi, flijimi i arkivës është çmimi për ta shpëtuar dëshminë nga çdo mtesë provimi[6].

Turpi, konkretisht tanimë, vjen pra kur dëshmisë i kërkohet të shërbejë si provë. Ndërkohë që e dimë mirë : jo vetëm që ne nuk sjellim prova, por dëshmia kurrë nuk provon asgjë, në asnjë rast. Dëshmia kurrë nuk është provë e faktit. Kur bëhet fjalë për vërtetimin e fakteve, dëshmia në vetvete s’ka asnjë vlerë provuese. Madje, dëshmia jo vetëm që nuk përbën provë, por do të thoja nuk përbën as kujtesë. Dëshmia s’ka të bëjë me kujtesën. Dhe turpi, turpi i zakonshëm, i vazhdueshëm, i ripërsëritur vjen pikërisht kur dëshmisë i kërkohet të luajë rolin e provës ose përdoret si suport për kujtesën e ngjarjeve. Me fjalë të tjera, turpi vjen kur dëshmisë i mvishet me zor roli i arkivës së një prove a një kujtese. Turpi është shndërrimi i dëshmisë në arkivë. Mirëpo, siç e dimë mirë të gjithë edhe një herë, ne vetë s’bëjmë gjë tjetër : në katër-pesë vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, gjenden të stivuara një masë e tërë dëshmish armene, të mbledhura gjatë fushatash të ndryshme intervistash me zor, ku kënaqësia e dyshimtë e rrëfimit dëshmitar të të mbijetuarve në moshë të thyer përkon domosdoshmërisht me vdekjen e afërt fizike. Për më tepër, ç’prej mëse njëzet vjetësh, arkivat flenë të patrazuara në raftet e institucioneve dhe universiteteve që patën sponsorizuar fushatat e mbledhjes së dëshmive. Kurrkush s’i sheh ndonjëherë, kurrkush nuk merr mundimin t’i dëgjojë, t’i lexojë, t’i studiojë. Zaten dëshmitë nuk janë bërë për t’u lexuar, dëgjuar apo konsultuar. Nga ana tjetër, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dëshmitë më sipër janë vërtet të padëgjueshme, të palexueshme. Kush i hapi ndonjëherë, kush i mori në konsideratë, kush shkroi qoftë dhe një linjë të vetme nisur prej tyre, kush i përfshiu ndonjëherë, qoftë dhe pjesërisht, në rrjedhën e vet të reflektimit ? Aty mbaron ekzistenca e tyre, teksa rrinë në raft. Ekzistencë potenciale, po, por që kurrë s’bëhet reale. I tillë është thelbi i tyre. Ja pra turpi, konkretisht : arkivimi i dëshmisë. Por sa herë që flitet për pranimin, për njohjen apo mirë-njohjen e faktit të « gjenocidit », siç thuhet, rinis e njëjta gjë. Çdo herë na duhet t’i drejtohemi arkivës, përderisa ngjarja kërkohet të njihet, të pranohet si fakt i ndodhur në botën e vdekatarëve. Çdo ligjërim që sillet rreth « njohjes » (reconnaissance) ushqen kështu arkivimin e dëshmisë, dhe vetvetiu risjell turpin, pambarimisht. Biles, dhe më tej, sa herë që shqiptohet fjala « gjenocid », duke pretenduar vërtetësinë e ndodhisë së tij në rendin e fakteve (sepse s’bëjmë gjë tjetër, sa herë që shqiptojmë fjalën e ndyrë të « gjenocidit[7] »), çdo herë, pa përjashtim, vjen turpi. Më përmbyt turpi. Sepse s’ka fakt pa arkivë, dhe pra pa arkivim, pa mbërjen-arkivë të dëshmisë dhe punësimin e dëshmisë si provë. Dhe çdo herë, djaloshi italian skuqet dhe ngre sytë nga SS-i. Dhe çdo herë, fëmija armen bën një hap drejt xhelatit të vet, i zhveshur, tërësisht i pambrojë. Aram Ardonian ka një skenë të tillë, te libri i 1919-ës Në këto ditë të zymta, ku xhelatët, ushtarë të thjeshtë që shoqëronin një kolonë të deportuarish më 1915, vërejnë një çunak që fshihej pas një kodrine rëre, me siguri në ndonjë cep të shkretëtirës së Mesopotamisë, dhe luajnë hareshëm me tmerrin e tij derisa fëmija vdes nga frika. Përjetësisht përsëritet ekspozimi pa rrugëdalje i çunakut : hapu dhè të futem. Përjetësisht hapen sytë e tij të trembur. Dhe çdo herë ndizet flakë. Dhe çdo herë skuqet nga turpi.

Në fakt, kapitulli i fundit e tregoi mjaftueshëm se ata që e vënë dëshminë të luajë rolin e provës nuk jemi ne : ne të mbijetuarit, ne juristët, studiuesit, profesorët, ne kandidatë të provës. Dëshmia gjithmonë paska funksionuar si provë. Çdo dëshmi qenka paraprakisht e derdhur në arkivën që e pret tashmë. Gjithmonë monumenti është tashmë i infektuar nga dokumenti. Dhe turpi, (turpi të cilit aq shumë do të doja t’i ikja) s’është veçse shenja e këtij korruptimi fillestar dhe pa shpëtim. Që në çastin kur i mbijetuari i parë nis të shqiptojë një fjalë dëshmie, sa pa nxjerrë tingullin e parë nga goja për të treguar kalvarin e jetuar, fjalën e vet e ka përpirë tashmë arkiva. Kjo është mirëfilli katastrofa e të mbijetuarit. Sepse, që në fillim, xhelati i pavdekshëm është aty, përballë meje, dhe më bëzan : Ku i ke provat ? Hë, provoje po munde ! Dhe unë, ç’prej 90 vjetësh, çdo herë ngrihem dhe jap provat. Ç’prej 90 vjetësh fakti është provuar e stërprovuar, provuar përtej çdo nevoje, e megjithatë unë prapë ngrihem, çdo herë, dhe prapë jap prova, përmes vetes, përmes dëshmisë. Është si thirrja që Zoti i bën Abrahamit te Kafka[8]. A po më thërret kush ? Mua më drejtohet ? Dhe brof me zell t’i përgjigjem xhelatit. Ka 90 vjet që, sa herë që jap prova, sa herë që e vë dëshminë në shërbim të provës, s’bëj gjë tjetër veçse i përgjigjem urdhëresës së xhelatit. Se xhelati këtë synonte që në fillim, apo jo ? Po vrasjet, shfarosjen, asgjësimin ? Sigurisht, edhe ato. Por mbi të gjitha, ajo që kërkon xhelati është që unë të provoj, të sjell dhe prapë të risjell prova, pafundësisht. Mirëpo…, mirë xhelati, po unë pse ? Mua ç’më shtyn të ngrihem ? Pse përgjigjem vallë ? Mos brof gjë në avancë, me xhelatin brenda meje ? Dhe, anasjelltas, po Abrahami s’ka turp ? A duhet t’i vijë turp ? Se s’është çudi që logjika hyjnore të mos jetë dhe aq e ndryshme nga ajo e xhelatit. Gjë që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë praninë e përsëritur të sakrificës atërore të birit në letërsitë armene të paskatastrofës. Por ndoshta në një libër tjetër.

Shënim: Përkthimi i këtij shkrimi, i shtyrë nga “konteksti” i rastit Haradinaj, ishte menduar të shoqërohej me një shënim hyrës nga përkthyesi, shënim i cili mori përmasa më të mëdha nga ç’e lejon formati i kësaj faqeje, prandaj do të botohet veçmas këtu.


[1] Teksti i përkthyer këtu figuron si Conclusion (fq. 201-212) i librit La Perversion historiographique. Une réflexion armenienne, botim Lignes & Manifeste, Paris 2006, i cili ofron një refleksion epistemologjik dhe politik mbi statustin e së vërtetës, faktit dhe dëshmisë në histori, pas katastrofave gjenocidare të shekullit XX. I lindur më 1946 në Paris, Nichanian ka studiuar filozofi me Jean-Luc Nancy dhe Philippe Lacoue-Labarthe në Straburg, dhe ka qenë profesor i gjuhës dhe letërsisë armene në universitetin e Kolumbias (SHBA, 1995-2007) dhe më pas në Universitetin Sabanxhi në Stamboll – [shën i përkth.]

[2] Konkluzioni i këtushëm vjen nga një ese e mëparshme me titull « De l’archive. La Honte », e mbajtur si kumtesë në simpoziumin L’Histoire trouée. Négation et témoignage, organizuar nga Catherine Coquio dhe Qendra ndërkombëtare e hulumtimeve mbi gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit në shtator 2002 në Sorbonë. Kumtesë e mbajtur sërish në anglisht në Columbia University, gjatë një dite studimore me Jacques Derridanë, organizuar nga Qendra për letërsi të krahasuar. Versioni frëngjisht është botuar në aktet e simpoziumit më sipër, nga botimet Atalante, Nantes, 2003 – [shën. i aut.]

[3] « Si j’ai honte de ce que d’autres sont… » : origjinali frëngjisht (avoir honte des autres) nuk e përfshin ambiguitetin e shprehjeve me « nga » në shqip, qoftë të asaj me « kam turp nga » edhe asaj me « më vjen turp nga », ku dimamika është dykahëshe : edhe më vjen turp në vete nga sa bëjnë të tjerët, edhe më vjen turp para të tjerëve (për diçka që kam bërë vetë). Semantika më e pasur dhe më e përzier e shqipes, ku subjekti i turpit është po ai, por objekti i tij dha kahu i ndjesisë mbeten të papërcaktuar, na duket se i shkon edhe më për shtat argumentit të autorit. Në përgjithësi, gjatë tërë tekstit, frëngjishtja përdor formën « avoir honte (de) ». Në shqip mund të luajmë me dy format (së paku), ku dinamika e « më vjen turp (nga) » (në vend të « kam turp ») e bën fenomenologjinë e ndjesisë (nëse është thjesht ndjesi) edhe më problematike. Nuk është vendi këtu të shterojmë format e ndryshme të shprehjes së ndjesimit të turpit në shqip, e as të vendosim se pse qëllon që semantika në fjalë të jetë kaq e larmishme në « gjuhën tonë ». Por me siguri që do t’ishte një punë e vyer – [shën. i përkth.]

[4] G. Agamben, Ce qui reste d’Auschwitz. L’archive et le témoin, bot. Payot & Rivages, Paris 1999, fq. 134 – [shën. i aut.]

[5] Po aty – [shën. i aut.]

[6] Fr. : usage probant. Përkthimi është pak i sforcuar, duke e shtyrë origjinalin të thotë ndoshta pak më shumë – por ideja është : pak më troç – nga ç’përcjell kuptimi i parë imediat i fjalëve. Ashtu si për « turpin », edhe fjala e vetme « provë » (dhe folja përkatëse « provoj ») janë më polisemike në shqip se në frëngjisht, ku ajo ka vetëm kuptimin e provës juridike ose asaj vërtetuese (logjike) të sjellë në rrjedhën e një argumentimi. Të provosh diçka, në frëngjisht është ta vërtetosh, në shqip edhe ta shijosh, apo ta tentosh. Por të jesh provë, do të thotë njeherësh edhe të vihesh në (s)provë, në situatë miturie dhe dyshimi, sikundër në provim. Mizoria e kësaj skene jo-reciprociteti bëhet më e ndjeshme në rastin e dëshmisë së katastrofës – [shën. i përkth.]

[7] Mbi karakterin e ndyrë të fjalës « gjenocid », mund të lexohet intervista ime me David Kazanjian, « Between Genocide and Catastrophe », në vëllimin Loss, përg. nga D. Eng dhe D. Kazanjian, California Univ. Press, Stanford, 2002. Emërtimi vetë mund edhe të mbahet, po të lemë mënjanë pisllëkun e përhershëm që shoqëron çdo shqiptim të fjalës « gjenocid ». Siç thotë Lyotardi : « Dëmi i pësuar dallon nga padrejtësia e denoncuar, vetia lypset vërtetuar, ndërsa ngjarja kërkon rrëfim : edhe kur kanë të njëtin emër e kam fjalën. », (J.-Fr. Lyotard, Le Différend, bot. Minuit, Paris, 1981, fq. 53) – [shën. i aut.]

[8] Mbi këtë parabolë të Kafkës mund të lexohen faqet që i kushton Avital Ronell te libri Stupidity (Illinois Univ. Press, Çikago, 2002), fq. 287-294. Analizë e bërë në kontekstin e eksplorimit të asaj zone të paqartë e të rrezikshme që shtrihet mes filozofisë dhe letërsisë, dhe ku shpesh, arsyeja dhe idiotësia qëllon të këmbejnë valencat – [shën. i aut.]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin