Emisioni Fiks Fare në Top Channel i para pak ditëve iu kushtua një çështjeje dramatike: abuzimit seksual të një vajze të re nga i ati. Sikurse u rrëfye në emision, kjo vajzë – e keqtrajtuar kështu prej vitesh – kish bërë edhe një denoncim në polici, por që pastaj e kishin detyruar ta tërhiqte; dhe më pas kish vendosur t’i drejtohej për ndihmë këtij emisioni. Ajo kish regjistruar me telefonin e vet biseda të saj me të atin, ku ky i kërkonte – me gjasë – marrëdhënie seksuale; dhe me të ëmën, ku kjo i kërkonte që të mos e ngacmonte më tej këtë punë. Këto biseda u riprodhuan edhe në emision, së bashku me një intervistë të vajzës – me identitet të fshehur dhe zë të deformuar; u dhanë edhe pamje të turbullta skenash ku – me gjasë – ishin zhvilluar dhe regjistruar këto biseda, sërish duke ruajtur anonimitetin e pjesëmarrësve.
Menjëherë do të pyesim: çfarë ndodhi në këtë emision?
Për t’iu përgjigjur më parë me çfarë nuk ndodhi: nuk pati ndonjë identifikim fajtori dhe, natyrisht, as viktime; as u provua se krimi i incestit kish ndodhur – asnjë nga regjistrimet dhe pamjet dhe intervistat e sjella nuk e provuan këtë. Shikuesit ndoqën disa biseda që u paraqitën si ato të regjistrimeve (por që, në teori, mund t’i kish regjistruar dhe t’i kish edituar kushdo) dhe një histori të trishtuar të dhunës seksuale brenda familjes, e cila u tha se i kish ndodhur një vajze – sërish të paidentifikuar. Emisioni mund të ishte prodhuar në mënyrë profesionale, por ai vetë, si emision, nuk kish lidhje me realitetin; përveç një pakti të besimit, që iu kërkua publikut të lidhë me producentët e emisionit.
Çfarë ndodhi me siguri: publikut të një kanali televiziv iu ofrua një histori e rëndë, e paketuar për synime argëtuese; nëpërmjet publicizimit të situatave private shumë delikate.
Që vajzat e reja në Shqipëri abuzohen brenda familjes, nga babai, nga prindët dhe nga vëllezërit, ky është shqetësim i njohur social dhe i rendit publik.
Nuk jam në gjendje të them nëse incesti, si krim i rëndë dhe specifik me tipare edhe të pedofilisë dhe të abuzimit seksual të së miturve, duhet përfshirë në këtë kategori; incesti madje edhe ai atnor është relativisht i rrallë, sepse tabuja përkatëse është shumë e fortë. Të aludosh a të insinuosh se incesti mund të përdoret për të ilustruar abuzimin me vajzat brenda familjes është gati e papërgjegjshme – sepse ashtu abuzohet edhe me viktimat, edhe me familjet shqiptare sot në krizë për arsye ekonomike dhe sociale.
Në një nga esetë e tij kushtuar televizionit, Umberto Eco-ja shpjegon:
“mjetet e komunikimit masiv, dhe aq më tepër televizioni, funksionojnë duke futur gjithnjë në lojë figurën retorike të shembullit. Shembulli, siç e teorizonte edhe Aristoteli, nuk është argument i vlefshëm, sepse paraqet një rast të vetëm. Por paraqitja e tij i hap udhë supozimit se ky është përfaqësues edhe rastesh të tjera.”
Për ta thënë ndryshe, duke argumentuar nëpërmjet shembullit, televizioni tipizon; prandaj Fiks Fare, duke sjellë si shembull incestin (e llojit përdhunues), edhe ai tipizon.
Po çfarë pikërisht? Rolin e babait në familjen shqiptare?
Emisione të tilla, e vërejta edhe më lart, mund të kenë pretendime të larta morale dhe të besojnë se, duke i publicizuar raste të tilla, kontribuojnë në mënyrën e tyre në demaskimin dhe eliminimin e krimit.
E megjithatë, nuk do shumë mend për ta kuptuar se synimi i një emisioni si Fiks Fare nuk mund të jetë veçse tërheqja e një publiku sa më masiv para ekranit, nëpërmjet ilustrimit të një skandali, këtë herë seksual. Historia e tanishme, e një vajze viktimë të supozuar të një incesti të përsëritur, përdoret – në analizë të fundit – për të argëtuar publikun. Ky është edhe, për mua, thelbi imoral dhe abuziv i emisioneve të tilla.
Këtë e provon edhe plastika e gazetarëve drejtues të emisionit, qasja e tyre aktoriale dhe hiperbolike ndaj çfarë rrëfehej, përpjekjet për t’i dhënë një gravitas të pamundshëm skenografisë, përndryshe gjithnjë argëtuese, të emisionit vetë. Kur mungon kapaciteti dramatik, përpjekje të tilla nuk mund veçse t’i japin ngjarrjes së përcjellë një tis irrealiteti – për shkak edhe të efektit komik.
Publikut iu tha se vajzës në fjalë i ishte ofruar strehë dhe mbrojtje – çfarë nuk iu tha, ishte se kjo strehë dhe mbrojtje ishin ofruar përkundrejt bashkëpunimit me emisionin. Nuk besoj se redaksia e Fiks Fare është ligjërisht e autorizuar të funksionojë si institucion i ndihmës sociale për viktimat e dhunës familjare dhe seksuale, përtej angazhimit të këtyre viktimave dhe historive të tilla në produksionet përkatëse.
Vajza në fjalë u tha se kish bërë një denoncim në polici, por pastaj e kishin detyruar që ta tërhiqte, duke e kërcënuar me burg për denoncim të rremë. Nuk doli e qartë pse nuk kish shkuar, kjo viktimë e një krimi aq të rëndë sa incesti, për të trokitur në derën e ndonjë nga OJQ-të e shumta që merren pikërisht me mbrojtjen dhe rehabilitimin e këtyre viktimave.
Edhe pse OJQ-të përfliten shpesh si formacione parazitare, të specializuara për vjelje të organizuar fondesh, kjo nuk e përjashton që disa prej tyre të bëjnë punë serioze dhe të përkushtuar, me vajza si kjo e emisionit Fiks Fare.
Çfarë e bën, pra, një viktimë abuzimi seksual në familje t’i drejtohet një televizioni privat dhe jo strukturave institucionale të specializuara për t’i ndihmuar?
Për këtë nuk kam përgjigje: do të mund të përgjigjesha padija a mosinformimi, paniku, profili i ulët i këtyre strukturave, reputacioni i tyre i keq. Por kam frikë se arsyeja kryesore është imponimi tashmë i një modeli ku mass mediat shihen si hapësira, madje si platforma, ku mund të rrëfehen histori të tilla; dhe ku viktimat mund të gjejnë mbrojtje; dhe nga ku abuzuesit mund të vihen para përgjegjësisë për krimet e tyre.
Ky model – nëse ekziston vërtet – është i mbrapshtë; sepse mass mediat, mes tyre veçanërisht televizioni komercial, nuk e luajnë dot rolin e një tribunali civil, ku të zbulohet dhe të demaskohet krimi, aq më tepër krimi i rëndë i kalibrit të incestit.
Edhe pse, historikisht, kanë qenë të shumta e të shumëllojshme praktikat ku drejtësia jepet në mënyrë spektakulare, ose përballë një publiku (“salla e gjyqit”), në ditët tona ky lloj i të bërit drejtësi (së bashku me fazën hetimore përkatëse dhe autorizimet për shkeljen e privatësisë) gjithnjë duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e një autoriteti juridik.
Përkundrazi, emisione si Fiks Fare i japin publikut një histori delikate, sa tronditëse aq edhe të paverifikuar (dhe të paverifikueshme), madje duke vendosur aq shumë filtra midis dëshmisë dhe rrëfimit vetë, sa të mund të nxirret përfundimi se publikut i jepet thjesht një inskenim – që mund të ketë vlerë argëtuese, por që nuk ka vlerë vërtetësie.
E vërteta i vjen kështu publikut si produksion televiziv.
Se çfarë i tërheq njerëzit ndaj rrëfimeve të tilla të rënda, ku vesi arrin përmasa demoniake dhe ku vihet në krizë sakraliteti i tabusë aq totale të incestit – përtej argëtimit mirëfilli vojeurist – e sqaron citati i mëposhtëm sërish nga Eco-ja, i cili rrëfen se çfarë ndiente, kur ndiqte emisionin televiziv “Un giorno in pretura”:
“Identifikohesha me madhështinë e drejtësisë, dallohesha nga ligatina e atyre fatkeqëve, ndihesha në paqe me veten.”
Eco-ja i referohej eksperiencës së vet si spektator skenash gjyqësore të mirëfillta të përcjella në TV – jo inskenimesh televizive që synojnë iluzionin e realitetit; e megjithatë, nuk gabojmë po të supozojmë se edhe publiku televiziv i Fiks Fare, i vënë përballë historish të tilla të ndyra, të dënueshme, të rralla, tërhiqet pikërisht ngaqë këto e bëjnë të ndihet mirë, në “normalitetin” e vet.
Kjo do ta zhvlerësonte edhe pretendimin se televizioni, nëpërmjet ekskursioneve dhe aventurave të tilla në kriminalistikë dhe në sociologjinë kriminale, mund të luajë ndonjë farë roli edukues, ose sensibilizues. Përkundrazi. Gjasat janë që ta distancojë edhe më publikun, nga çfarë do të perceptohet si e huaj dhe e largët, ose e kundërt me “vlerat tona.”
Emisionin e Fiks Fare mund ta ndiqni në faqen përkatëse të Top Channel; me videot këtu dhe këtu.
Citatet nga Eco-ja janë nxjerrë prej Eco Umberto, Sulla televisione, Scritti 1956-2015, La nave di Teseo, ottobre 2018.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.
Spektakulariteti, i veshur me petkun e ndërgjegjes shoqërore, në këtë rast më duket se fqinjëron me pornografinë. Imtësia e detajit transmetuar ndër miliona ekrane të mëdhenj e të veckël skuq edhe vuajeristët më të zellshëm të parkut socialist të liqenit. Zhveshja me përdhunë e viktimës vazhdon, kësaj radhe e fisnikëruar nga indinjata publike, mallkimet në kor dhe betimet me pathos, të cilat domosdo e shfajësojnë ripërtypjen e fëlliqësisë ad infinitum…
Në një shtet, i cili nuk është republikë bananesh, prokuroria do të duhej të kishte ndërhyrë për të kryer hetimet kryesisht (ex officio). Pavarësisht se për cila arsye mund ta ketë tërhequr kallëzimin penal viktima, gjasat janë që kundër saj është ushtruar presion janë evidente. Mirëpo interesi publik për ndjekjen penale të autorit është një e mirë e cila qëndron mbi nevojën e harmonisë familjare ku jetojnë viktima dhe autori i veprës. Pra prokuroria do të duhej që të kishte kërkuar ndalimin e autorit supozuar dhe urdhërimin nga gjykata e masës së sigurisë me arrest me burg, nga që ky i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u ndaluar dhe izoluar deri sa një gjykatë të vendosë për fajësinë e tij; ai mund të influencojë negativisht hetimin e lëndës duke manipuluar dëshmitë e dëshmitarëve të mundshëm, ai mund të marrë arratinë, për shkak se dënimi që pritet është i lartë dhe me heqje lirie si dhe ai paraqet një rrezikshmëri shoqërore imediate, ngaqë mund ta përsërisë veprën penale në çdo kohë. Edhe vepra penale vetë është një e tillë, e cila kryhet “në vazhdim”, pra është në natyrën e veprës penale, që ajo të përsëritet në mënyrë ciklike, ndryshe për shembull nga një vepër e njëhershme, ku dikush nga pakujdesia ka mbi-shikuar rregullat për mbrojtjen nga zjarri dhe një teatri i bie flaka.
Por kjo është pjesa e parë, që ka të bëjë me republikën e banave t ëShqipërisë.
Pjesa e dytë do të ishte, që në një shoqëri, shtetin e të cilës e ka marrë lumi, do të duhej të ishte shoqëria civile, e cila edhe nëpërmjet medieve kritike, do të duhej të plotësonte këtë boshllëk, pra mediet do të duhej që në formatin e një etike normale të gjerave t’i servirnin shtetit: “shih-se-ç’gjëmë-ka-ndodhur”. Kjo gjë ndodh kur një shoqëri ka cipë dhe si e tillë gjeneron edhe përgjegjësi etike dhe morale.
Shoqëria shqiptare nuk është në këtë fazë. Pra një lloj morali mikroborgjez vlen vetëm brenda një familje ose një komuniteti pak më të madh me lidhje gjaku; ndërkohë që çdo organizim tjetër social përtej këtij kufiri mase, nuk është i pjekur nga ana kulturore të pretendojë se është një komunitet me këto apo ato rregulla sjelljeje.
Në këtë gjendje si e shpalos veten shoqëria shqiptare duhet të ndjehet pak a shumë një lopë pak përpara se ta therin, ku për t’u vetëmbrojtur ndoshta ngrin.
Mirëpo historia nuk përfundon këtu. Pra kur shteti ka dështuar dhe opinioni publik nuk është i aftë të organizohet në mënyrë kritike, atëherë kushdo që ka pushtet financiar mund ta bllokojë hapësirën publike dhe për qëllimi fitimprurëse mund të bëjë çdo gjë me atë. Mund të depozitojë plehra fizike ku t’i dojë qefi (në parlament p.sh.) ose të tilla mediatike e t’ua servirë njerëzve si narkotizues.