Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Përkthim

INTERVISTË ME JOHN HODGSON

Përgatiti Anna Shkreli

John Hodgson lindi në Angli në vitin 1951 dhe studioi në Kembrixh dhe Newcastle. Gjatë viteve ‘80 e në vijim ka dhënë mësim në universitetet e Prishtinës dhe atë Tiranës, vite te cilat i kanë dhënë perspektivë mbi realitetet historike e politike të Ballkanit. I njohur në Shqipëri me së shumti për përkthimet e  veprave të Ismail Kadaresë si The Three-Arched Bridge (Ura me tri harqe), The Accident (Aksidenti), The Fall of the Stone City (Darka e gabuar) A Girl in Exile (E Penguara) dhe The Traitor’s Niche (Kamarja e turpit), Hodgson ka sjellë në anglisht edhe vepra të autorëve shqiptarë si Fatos Lubonja dhe Ardian Klosi. I apasionuar pas Shqipërisë dhe trashëgimisë sonë letrare e jomateriale, Hodgson është gjithashtu autor shkrimesh mbi “udhëtarët e Ballkanit” si Edith Durham dhe John Cowper Powys. Momentalisht ndër angazhime të ndryshme, punon dhe si interpreter dhe përkthyes i gjuhës shqipe.

Një paradite qershori, i pa njoftuar dhe i shtyrë nga kureshtja, erdhi të vizitonte i vetëm Shtëpinë Studio Kadare në Tiranë, muze vendor dhe qendër që mëton të shndërrohet në arkivin e parë dixhital autorial. Biseda që vijon lindi nga interesi ynë për të kuptuar se çfarë risie mund të sjellë kjo hapësirë tek një njohës i mirë i autorit Kadare si dhe dëshirës për ta ruajtuar gjatë gjurmën e këtij takimi (A.Sh.).

1. Kur jeni njohur me Ismail Kadarenë shkrimtar, pra jo personalisht? Cilat kanë qenë rrethanat e kësaj njohjeje? Çfarë simbolizonte Kadare për Kosovën nën Jugosllavinë?

U njoha me librat e Ismail Kadaresë në Prishtinë, kur erdha si lektor në universitet në vitin 1980. Studentët e mi çmendeshin për Kadarenë. Së pari, ata lexonin Kadarenë për përmbajtjen e tij kombëtare, për përpunimin e tij të historisë dhe të miteve shqiptare në formën e re të romanit. Këta studentë ishin brezi i parë në Kosovë që lexonin romane. Prindërit e tyre kishin mësuar histori prej traditës gojore, se përdorimi i shqipes në shkollë kishte qenë i kufizuar, në mos i ndaluar fare. Pastaj ata studentë e lexonin Kadarenë për gjuhën. Kosova sapo kishte filluar të zbatonte gjuhën e unifikuar letrare dhe gjenerata e re po mësonte me shumë zell atë që quhej ‘gjuha e asfaltuar.’ Ismail Kadareja me stilin e tij të kthjellët dhe të fuqishëm u tregonte aftësitë shprehëse të kësaj gjuhe së re.

2. Në një konferencë të mbajtur në Tiranë me rastin e 80 vjetorit të Ismail Kadaresë, jeni shprehur se romanet e tij nuk i kanë ofruar lexuesit të huaj vetëm kënaqësitë letrare të fiksionit, por dhe zbardhjen e misterit të një vendi të mbyllur si Shqipëria. Sot, në një kohë kur Shqipëria nuk përbën më mister, çdokush ka mundësi të vizitojë shtëpinë ku pjesa më e madhe e këtyre veprave është formësuar, a mendoni se kjo hapësirë bart potencialin të çelë të tjera mistere? Si i flet lexuesit kjo hapësirë sot?

Si nuk përbën më mister Shqipëria? Ky vend është bërë më i mistershëm se kurrë. Mjaft shqiptarë më thonë se edhe për ata vetë Shqipëria është mister. Të zëmë për shembull këtë apartament. Në shikim të parë, puna është e thjeshtë: Regjimi u fali shkrimtarëve më të shquar të vendit banesa të rehatshme në qendër të Tiranës. Këta shkrimtarë, mendoj për Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, ishin disi të privilegjuar në një shoqëri ku privilegjet mateshin me metra katrore – por nuk ishin njerëz të privilegjuar të kategorisë së parë, pra nuk ishin të bllokut. Veç kësaj, si shihet nga lista e banorëve të tjerë të pallatit, që është paraqitur këtu si eksponat, ata shkrimtarë ishin të rrethuar nga nëpunësit e shtetit, zyrtarët e çfarëdollojshëm, aparatçikët, artistët krijues, gjysmë krijues, etj. Pallati duhet të kishte qenë si koshere bletësh, ku secila bletë zukaste në huallin e vet gjashtëkëndësh. Jo, të dy shkrimtarët nuk ishin të rrethuar, por të mbështjellë nga këta, se i kishin edhe mbi kokë edhe nën këmbë. Nuk dua të spekuloj, por e kam të vështirë të imagjinoj se marrëdhëniet ne këtë pallat ishin të thjeshta. Për mua si të huaj, që shikon nga jashtë, jeta e këtyre njerëzve të privilegjuar më duket mjaft e ngarkuar, dhe përkëdhelja nga regjimi vështirë dallohet nga përndjekja.

Besoj se ky pallat do të vazhdojë të ruajë sekretin e tij. Si gjithë Shqipëria. Pyetja e Ismail Kadaresë ‘Përse mendohen këto male?’ ka mbetur pa përgjigje.

3. Ismail Kadare është cilësuar jo rrallë si një shkrimtar mes botëve; nga fëmijëria e trazuar prej luftërash te përjetimi i viteve të themelimit të komunizmit nën regjimin e Hoxhës, kthimi nga Moska, etj. Shtëpia Studio Kadare ndalon në largimin e Kadaresë drejt Francës, duke përfshirë kësisoj pak prej periudhës së tranzicionit shqiptar. Këtë të fundit mund ta gjejmë vetëm në ato pak libra dhuratë, botime të pas 1991-shit, që gjenden në bibliotekën e tij aktualisht. Me syrin e një vizituesi, sa keni gjetur prej këtyre botëve të ndryshme në Shtëpinë Studio Kadare?

Botimet në rusisht të viteve 50 dhe 60 më kanë tërhequr vëmendje të posaçme, se mbajnë një aromë ose kanë një rrezatim të fortë. Koha kur ishte Ismail Kadareja në Moskë ishte një periudhë e veçantë për lexuesit sovjetikë, kur ‘shkrirja’ hrushoviane solli në Rusi një gamë të gjerë (por prapë të zgjedhur) të letërsisë botërore. Besoj se leximi i tij ndikohej shumë nga rrjedhat intelektuale në Moskë në atë kohë. Për shembull, shoh se nga letërsia anglosaksone, përveç angazhimit të tij të kamotshëm me Shekspirin, u mor kryesisht me autorë që lexoheshin në vendet e lindjes – për shembull Hemingway, Steinbeck. Por besoj se këtu shohim vetëm libra për të cilët Ismail Kadareja tani nuk ka më nevojë. Këtu nuk shoh shumë klasikë të letërsisë shqipe. Sa për librat prej vitit 1992 dhe më tej, qe i janë dhënë Zotit Kadare si dhurata, me siguri ata reflektojnë respektin për të që e kanë autorët e këtyre librave, dhe jo shijen e vetë Zotit Kadare si lexues.

4. Romani Kamarja e Turpit i Ismail Kadaresë, i përkthyer nga ju, hapet me skenën e një sheshi të mrekullueshëm në qytetit e Kostandinopojës, në zemër të Perandorisë Osmane. Në shesh është një mur i lashtë guri, në të cilin është gdhendur një zgavër dhe në këtë zgavër, në një pjatë me mjaltë dhe kripë, qëndron një kokë njeriu. Koka i takon pashës së Shqipërisë, i cili kërkonte pavarësi nga Perandoria. Si përkthyes i veprës, cilat janë opinionet tuaja për këto tipare anti-autoritare të këtij romani, pjesë e një trilogjie që përfshin Ura me tri harqe (të përkthyer po prej jush) dhe Pallati i Ëndrrave, libër që hedh një hap “Oruellian” në portretizimin që i bën një pushteti që kërkon të njohë të pandërgjegjshmen e njerëzve. A besoni se ky roman bartte një simbolikë të rrezikshëm për kohën?  Nëse po, Kadare vetë, si dhe Fatos Lubonja, autor i përkthyer po prej jush, shprehen për mungesën e plotë të një hapësire disidence aso kohe…

Tani nuk mblidhemi më në sheshe për të parë koka të prera. Këto pamje janë futur në shtëpitë tona përmes internetit. Kamarja e Turpit është shembull se si një roman i shkruar në një periudhë të caktuar merr trajta dhe kuptime të ndryshme në një kohë tjetër. Në kohën kur është shkruar ky libër, Perandoria Osmane konsiderohej si gjë e harruar dhe shihej me përbuzje nga të gjithë, si autokraci e korruptuar dhe e degraduar. Tani, sidomos pas luftërave në ish-Jugosllavi, mjaft historianë e kanë rivlerësuar këtë perandori si shtet shumëkombësh relativisht i suksesshëm, në të cilin popujt kanë bashkëjetuar për shekuj në radhë, jo pa fërkime, por së paku pa pastrimet etnike dhe gjenocidet që kanë shfytyruar mjaft nga shtetet kombëtare pasardhëse. Në anën tjetër, politika neo-osmane e Erdoganit ka bërë që të ndihet më fort prania e fuqisë ekonomike të Turqisë në trojet ish-perandorake të Ballkanit, gjë që shpesh perceptohet si kërcënim. Do të thotë se ideja e Perandorisë Osmane sot nuk është më ajo e viteve 70 sepse ajo është e gjallë dhe e pranishme midis nesh, kurse Shqipëria komuniste është varrosur për gjithmonë. Kam dëgjuar se ‘Kamarja e Turpit’ ka brenda një alegori të saktë për pastrimet në Byronë Politike të PPSh-së, por kjo tani do të kuptohet nga lexuesit vetëm me ndihmë të fusnotave. Kuptohet se ka mesazhe të koduara në prozën e Kadaresë, që vështirë deshifrohen prej lexuesve të huaj, besoj edhe prej brezit të ri të lexuesve shqiptarë.

Disidenca është ose ishte një koncept Perëndimor dhe hyri në ligjërim letrar pas ‘Shkrirjes’ së Hrushovit, kur shkrimtarët sovjetikë fituan një farë hapësire të vogël manovrimi, një hapësirë që ia arritën të shfrytëzonin me zhdërvjelltësi politike pas nënshkrimit të Akordeve të Helsinkit në vitin 1975. Kjo hapësirë nuk ekzistonte fare në Shqipëri dhe koncepti i ‘disidencës’ na ndihmon shumë pak për të interpretuar letërsinë shqipe të asaj kohe, të zëmë ‘Plojën e Mbrame’ të Fatos Lubonjës, të shkruar brenda burgut në letra cigaresh, ose romanet e Ismail Kadaresë me kunjat e fshehura kundër diktaturës. Shoqëritë totalitare të përshkruara në romanet e Kadaresë – Perandoria Osmane dhe Egjipti i faraonëve për shembull – kanë tipare që të kujtojnë për aspekte të ndryshme të shumë tiranive në histori dhe në botën moderne. Kësodore këto romane do të mbijetojnë pas rënies së diktaturës e cila u shërbeu si shkas. Përmendët Pallatin e Ëndrrave, në të cilin pushteti kërkon të njohë pavetëdijen e njerëzve. Tani në Kinë po ndërtohet mekanizmi i të ashtuquajturit ‘Kredit Shoqëror’ sipas të cilit shteti shpërblen ose ndëshkon qytetarët e vet sipas sjelljes së tyre në internet. Kurse në shtetet e Evropës dhe të Amerikës jemi më të sofistikuar, duke ndërtuar sisteme të survejimit masiv në formën e rrjetave sociale, mostra të cilat secili prej nesh ushqen për ditë me punën tonë vullnetare. Thonë se algoritmet e Facebook-ut na njohin dëshirat dhe teket më mirë se bashkëshortët tanë. Sot e kësaj dite mjetet antike të përgjimit që ekspozohen në ‘Shtëpinë me Gjethe’ duken naive dhe amatoreske.

5. Shtëpia Studio Kadare nuk është vetëm një hapësirë që mëton të përfshijë lexuesit në vendin e punës së vetë autorit, por me dhomën e saj dedikuar Tiranës, synon të shërbejë dhe si një dëshmi e Tiranës së kohës, vendndodhje e shumë prej krijimeve të autorit, e cila ruan përherë e më pak formën e strukturën e vet të mëparshme. Në disa raste Kadare e përshkruan Tiranën si një qytet të ndryshëm nga aktualiteti i periudhës historike, për shembull tek “Gjenerali” hasim një Tiranë plot kafene, jetë nate dhe trafik të rënduar, një Tiranë joreale, më të ngrohtë dhe më të gjallë. Si e gjykoni zgjedhjen e kuratorëve për t’i ndenjur besnik Tiranës reale duke lënë mënjanë “stilizimet” e bëra nga Kadareja? Mendoni se në të ardhmen do të ishte interesante të eksplorohej në këtë hapësirë lidhja ndërmjet realitetit të një qyteti dhe mënyrës sesi e lexon apo e propozon artisti?

Besoj se lartësimi imagjinar i Tiranës në gati të gjitha veprat e Kadaresë është më shumë se një ‘stilizim.’ Tek E Penguara, protagonistja e internuar ëndërron për një Tiranë fantastike, mondane dhe elegante dhe besoj se Ismail Kadareja është marrë me një projekt të ngjashëm, për t’i dhënë Shqipërisë një kryeqytet tamam, si e ka hije një vend kryekëput evropian. Dhoma e apartamentit që i është kushtuar Tiranës më preku thellë për mënyrën si e paraqet jetën e përditshme të njerëzve, e cila nuk shihet në shumicën e fotografive të kohës, që u bënë për qëllime propagandistike. Kam fjalën për shembull për ‘broduejsat,’ djemtë e rinj që kalonin kohën e lirë në Rrugën e Dibrës dhe përfaqësonin një farë kulture rinore të viteve 60. Çuditërisht, këta djem dalin te ‘Dasma’ e Kadaresë, një roman që është përndryshe vetëm një kuriozitet socrealist, por në të cilin autori del në mbrojtjen e tyre, me ‘budallallëqe’ të tyre, ‘për magnetofonat, për pardesytë austriake, për Bitëllsat, motorolet.’ Siç thotë njëri prej tyre: ‘Ç’të prishet ty? A jemi të gjithë për socializmin? Jemi. Atëherë ti shiko punën tënde, vllai im.’

6. Gjatë një bisede miqësore të mëparshme, kur u njohët me historikun e pallatit të Maks Velos, të ideuar për të strehuar personalitete të përzgjedhura nga regjimi, përmendët librin The House of Government nga autori Yuri Slezkine. Mund të na thoni pse e asociuat “pallatin tonë më kuba” me subjektin e romanit rus? Mendoni se ky pallat nëpërmjet ekzistencës së tij, mundet sot të rrëfejë një pjesë të rëndësishme të historisë politike të vendit tonë?

Shtëpia e Qeverisë është një pallat gjigant në bregun e lumit të Moskës që u ndërtua në fillim të viteve 30 për të strehuar qeveritarët dhe zyrtarët sovjetikë, me mbi dy mijë banorë. Libri i Slezkinit, po ashtu gjigant me gati një mijë faqe, përshkruan karrierat dhe peripecitë e disa banorëve të këtij pallati, duke shndërruar historinë e pallatit në një histori metaforike të gjithë Bashkimit Sovjetik. Ky ‘pallat me kuba’ është i vogël për të mbajtur mbi supe një ngarkesë simbolike aq të rëndë. Por mund të shtoj se në Tiranë çdo kalimtar mund të nuhasë aromën e veçantë sovjetike kur kalon pranë ‘Pallateve të Agimit.’

Për ta mbyllur, këto hapësira janë konceptuar me shumë imagjinatë, duke ruajtur tiparet origjinale të banesës por duke mos imponuar interpretime të ngurta mbi të. Ka edhe mjaft vend për veprimtari të ndryshme letrare. Vetëm desha të kritikoja një dhomë, atë me grafikët për numrat e përkthimeve të Kadaresë në botën e jashtme, që u përngjajnë tejkalimeve të planit pesëvjeçar. Fama e çdo shkrimtari duhet ndërtuar në bazë të dashurisë së lexuesve të shumtë, jo të statistikave të botimeve dhe jo të cirkut të çmimeve letrare. Përndryshe kjo famë shndërrohet në një kult bosh.

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin