Të gjithë u gëzuam kur shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare mori pak kohë më parë çmimin Princi i Asturias për Letërsinë, i akorduar nga Fondacioni prestigjioz spanjoll me të njëjtin emër. Shumë prej nesh i ndoqën me interes pamjet e ceremonisë për dhënien e çmimit, ku morën pjesë personalitete akademike e politike të klasit të parë. Të gjithë në nderim të marrësit të çmimit, shkrimtarit tonë Ismail Kadare.
Deri këtu asgjë e veçantë për t’u shënuar, përveç krenarisë sonë të ligjshme meqenëse fituesi i fundit i çmimit ishte shkrimtar shqiptar. Diçka tejet e veçantë më duket, përkundrazi, ceremonia që u organizua në ambientet e Akademisë së Shkencave me rastin e dhënies së çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë”, shkrimtarit shqiptar Kadare. Si ta kuptojmë këtë ceremoni për ceremoninë e dhënies së çmimit? Ja çfarë raporton një gazetë:
Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë akademikë, dashamirës të letërsisë, por edhe kryeministri Berisha, zv. kryeministri Ilir Meta, ministri i Shtetit Genc Pollo, si dhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, shkrimtarit iu ridha në mënyrë simbolike trofeu, të cilin jo me pa të drejtë e meritoi në Spanjë, në fund të muajit tetor.
Le ta shohim lajmin përtej shprehjeve të pafata gazetareske si p.sh. “të cilin jo me pa të drejtë e meritoi në Spanjë”. Ka diçka rituale, në mos religjioze, në këtë ceremoni ku përsëritet në mënyrë simbolike dhënia e çmimit të Princit të Asturias. Valenca rituale bëhet edhe më e qartë në fjalët e akademikes Floresha Dado ku, gjithnjë sipas gazetës, fillimisht përhihen shenja paralajmëruese dhe propiciatore, ndërsa më pas marrin trajtë këshilla eksplicite për Akademinë Suedeze.
Për veprën e Kadaresë foli studiuesja e letërsisë, akademikja Floresha Dado, e cila u shpreh se ky çmim është vetëm një paralajmërim për të tjera çmime. Sipas saj “princi i Asturias” është një akt drejtësie, por edhe një këshillë për Akademinë Suedeze, që ndan Çmimin “Nobel”.
Që nisma ka pasur tipare të forta ceremoniale dhe zyrtare e vërtetojnë personalitetet e pranishme: Kryeministri, Ministri i Jashtëm, Ministri i shtetit, Ambasadori spanjoll, Akademikë, e dashamirës anonimë të letërsisë. Por me siguri kanë qenë të pranishme autoritete të tjera. Pyetja që më lind është kjo: A ka nevojë Kadareja, ose më mirë vepra e tij, për një ceremoni të tillë, e cila rikalkon provincialisht ceremoninë nënë dhe origjinale në Spanjë?
Ç’kuptim merr kjo metaceremoni përkujtimore? Që ka diçka absurde e nxjerr në pah propozimi imagjinar për të zhvilluar një ceremoni tjetër ku të jepet simbolikisht çmimi i dhënë simbolikisht në Tiranë. Parë nga kjo pikëpamje, fjalët e pakta të Kadaresë marrin një kuptim tjetër. Qofsha i gabuar, por fjalët e tij të cituara
Unë nuk jam ndonjë qenie e jashtëzakonshme. Është krahas kënaqësisë edhe pak e vështirë. Ju falënderoj për fjalët tuaja të ngrohta, për vlerësimet tuaja. Ju them sinqerisht nga zemra të gjithë të pranishmëve ju faleminderit.
përveç modestisë dhe mirësjelljes protokollare, shprehin një farë sikleti për një ceremoni disi të sajuar, ku projektorët e skenës dhe telekamerat marrin shkas nga shkrimtari i madh, por inkuadrojnë figura sa andej këndej. Edhe lajmet në media vërejnë se Kadare u tregua fjalëpakë ndërkohë që referatet dhe vlerësimet e tjera, me të cilat mund të jemi thelbësisht dakord, kishin prurjet e lumenjve në dimër.
Ndoshta më kuptim do të kishte pasur një ceremoni ku Shteti shqiptar ta nderonte shkrimarin Kadare me një çmim të vetin. Por edhe një seminar tematik i hapur, qoftë edhe me të njëjtët relatorë, me pikëpamjet e tyre të veçanta, ku në qendër të vihej vepra e Kadaresë, nuk do të kishte qenë keq. Tek e fundit, Kadarenë e bëjnë veprat dhe jo çmimet. Këto vetëm sa ia njohin meritat që ai i ka prej kohësh. Kurse ceremonitë e ceremonive, vetëm sa na largojnë nga veprat e tij.
eshte ajo qe thoshte i ndjeri levi strauss, se shoqeria ka nevoje per ceremoni.
por mund te themi se u organizua ceremonia per te marre pjese ata qe s’kishin mundesi per pjesmarrje ne ceremonin origjinale.
Nevoja e provincës për të imituar ritualin e qëndrës, në mënyrë që të përfitojë legjitimitetin prej saj?
Elementi thelbësor i imitimit është qesharakja. Imitimi në këtë rast është dyshish pjellor: konforton qendrën, proces nëpërmjet të cilit ajo legjitimon supremacinë e saj mbi provincën; konforton vijimësinë e forcës në pushtet të provincës si subordinant i denjë i një qendre në kërkim të vazhdueshëm të simboleve të besnikërisë.