Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

DERËBARDHA DHE 7 PRILLAT

nga Aulona Duda

                                                                                Prilli është muaji më i lig
Eliot, Tokë dëm

                                                                     Duçja e ka bërë Italinë xhenet
filmi Në fillim të verës

 

Tregojnë se Albert Camus vizitonte enkas dhomën e Simone Weil. Pas vdekjes së kësaj gruaje brilante ai rrinte aty « veç sa për të medituar pak ».

Pasi u njohëm me shënimin e S. Weil – botuar në këtë blog – lidhur me pushtimin italian të Shqipërisë, na bëhet të « mblidhemi » në këtë blog-odë. E duke kënduar mëdyshazi (se s’dihet çfarë psikopati nxjerr kokë) : -Shtatë prill mos ardhsh kurrë/Që na solle tërë ata flamurë !

Ky është doemos variant i adaptuar i vargjeve popullore:

-Shtatë prill mos ardhsh kurrë

Që na rrëzove flamurë,

sajuar pas pushtimit në prill 1939.

Mblidhemi pra, jashtë çdo nostalgjie ndaj periudhës kur na mësuan këtë këngë, gjatë ancien régime tonë. Sepse tash jemi krejt bij të mbretit (edhe lolo të tij herë pas here). Do rrëfejmë veç sesi këtë version të ri patën kënduar njerëzia në Tiranë, tek ndiqnin me sy autokolonën ushtarake, të kryesuar nga flamuri italian ; tanket nëpër bulevardin Dëshmorët e kombit. Është fjala për forcën ndërkombëtare që patrullonte kryeqytetin pas trazirave të vitit 1997. Pjesë e operacionit « Alba », tanket gjëmonin mes Tiranës, duke thyer edhe kalldrëmin e veçantë, që vetë imperatoria italiane kishte shtruar dikur, të bekuar nga V. Emanueli.

Në këtë këngë popullore të adaptuar situatës së re (nga halli sepse populli s’dukej më) fytyrat prapë bartnin mllefin e bezdinë ndaj ushtarit të huaj, që penetron vendin me flamurin përkatës aty ku shkel, apo e caktojnë të shkelë. Diku në trotuar të bulevardit të madh, bar Dashuria asokohe, dikush foli ndër dhëmbë se kjo forcë ndërkombëtare vinte enkas të na zgjonte me zor Vasil Laçin brenda nesh. Dhe vërtet një « çeçen » tropojan (sipas emërtimit separatist të tironsit denbabaden) e ngriti revolen … për ta shkrehur me inat në ajër, për kapadaillëk, për zhurmë, për asgjë.

Kohët vërtet kishin ndryshuar, pra. Kishte rebelim, por pa kauzë (si gjithë trazira e 97ës) ; kish kauza, por jo rebelime të tyre. Mes kësaj tollovie e pauperizmi ideopolitik, pat ardhur lajmi sesi polici i burgut 313 (ku patën mbyllur dikur rezistenten Mine Peza), sapo i kish vënë emrin Alba fëmijës së tij, lerë ato ditë të operacionit. 

Fashistë trima ! Syleshët … etj. etj.

Duhen shenja të forta që kohët kanë ndryshuar vërtet. Dhe nuk dimë ç’do mendonte S. Weil po ta jetonte kohën e Facebookut, por e sigurt që do ballafaqohej me një deklarim (postim), të një shqiptari, me inicialet A.P., lëshuar në rrjet, ditën e 7 prillit të fundit, pra në përkujtim të datës së pushtimit. Ai na tregon, mes të tjerash, sesi « 80 vjet më parë Italia fashiste pat marrë vendimin që Shqipërinë ta civilizonte, emanciponte, ndërtonte, shkollonte, e zhvillonte ». E më tej postuesi tërhiqet gjithë bel nga grupi « ne» ; në distancë na tregon se Italia (fashiste po, po) : « ju shpoi puse nafte ; ju mësoi ekzistencën e spitalit ». E në fund thekson se « kjo ditë e prillit duhet të jetë ditë reflektimi kombëtar ». Dhe, në imitim të plakës pa dhëmbë te filmi i Fellinit, ai e mbyll natyrisht me thirrjen: Viva l’Italia !

Duke përshëndetur bamirësin, ne ulim kokën e shohim like-et e dërguara këtij opinioni të nxehtë. Deputetë, drejtorë ministrie, përkthyes e botonjës ka mes tyre.  Shkurt, ka nga ata që quhen « elitë ». Elita 7, në këtë rast konkret, meqë datat janë fiksuar në histori.

Që elita shqiptare trishtohet që Duçja nuk e mbajti dot ngërthyer Shqipërinë, tregon hapur se elitës i ka plasur shpirti. Dhe pikërisht se është elitë, majë e shoqërisë, i plas shpirti më kollaj e më shumë se « katunarëve » (sipas përkujtimores së A.P. më lart).

Dhe nëse elita do e përjetonte me gaz pushtimin ; dh’e tërheq veten nga « turma », dukshëm kjo bëhet që t’i plasë shpirti më rehat, larg saj. Kështu që dhe turma e « kokëgdheve» (sipas A.P.) s’ka për ta dalluar sesi elita mirë që mendon veç për veten (natyrisht), por dhe që as e mendon veten, as e ve atë për t’u menduar. Veç e di veten a priori, dhe kaq.

Kjo ka avantazhin e radhës : larg pasqyrës popullore, elitës nuk i dallohet dot pamundësia e tmerrshme e të menduarit sinqerisht në shqip. Dhe duke qenë se distanca mes elitës e njerëzisë është e madhe – sa as fashizmi s’e shkurton dot – atëherë s’ka faj elita që ka këtë defekt : të paqenit të sinqertë me të menduarit, ia faturon direkt « katunarizmit ».

Mirëpo hipotezat janë të pashmangshme gjithsesi. Për shembull, nëse fashizmi do kish civilizuar e zhvilluar aq sa duhet Shqipërinë, ndoshta do kishim elitë edhe më të ngritur. Aq sa të na shpjegonte sesi e qysh Italia, bastioni më i rëndësishëm kulturor europian, ra prej vitesh në « hyqmin » e një filistini, politikani telemarketing si Berlusconi ? Dhe se nën ç’referenca diafane e mbështeste ai trekëndëshin, fort revolucionar për Italinë e kohës : impresa-inglese-internet (sipërmarrje-anglisht-internet). Për sa kohë që katunarëve, e « kokëpalarëve » shqiptarë nuk ia sqarojnë këto bukuri italo-ndërkombëtare, doemos elitës i takon të mbajë vendet në botime, në parlament, në akademi filmi, në universitete, në Bibliotekë kombëtare, ku kalëron Instituti italian i kulturës.

Dhe jo pa të drejtë. Veç ulur në këto vende kyçe është i shmangshëm dëgjimi i korit elektoral të Canale 5, ninulla aq e praruar me duhi prej lavdisë së operës italiane:

-Meno male che Silvio c’e

(është Silvio, pa jemi ne).

Sepse edhe elita vuan peshën e kohës. Dhe sajë peshës që ua hip historia vihet ajo ta bëjë rolin e fanariotëve të dikurshëm : pra, asaj kaste ballkanike të preferuar të kolonizatorëve, që e vinin si tapë e letër kopje mes vetes e popullsisë që zaptonin. Ata që dinin aq shkrim e këndim (literacy), sa për të transmetuar ligjin e kolonizuesit.

Historia është kokëfortë vërtet, por as që bëhet më fjalë për elita që udhëtojnë drejt Italisë sot me tren … nëpër Adriatik (si te Karnavalet e Korçës). Por, nën shembullin jo fort të vyer të Konicës : duke bërë shqiptarin sapo jashtë shtetit ; e duke dalë oksidental, sapo kthyer në Shqipëri. Me pompozitetin që i takon një elite në një vend të prapambetur. Duke dalë në sipërfaqen e vendit, pak a shumë me torson lart, tip Mussolini në dritare para turmës. Sa kohë që « katunaria » do bartë akoma përbindëshin e të menduarit keq në shqip, të menduarit aspak sinqerisht shqip ! Në këto kushte, distancimi i elitës nga « kokëgdhëja » duket i qenësishëm (të jesh a të mos jesh elitë !) ; ndryshe, një miks do t’i ngjante Alberto Sordit duke imituar Duçen në dritare, dhe veshur me fustan nën parvaz.

Kalibani shqip

Nga fundi i jetës, Shekspiri pat shkruar Stuhinë (Tempest) ; dhe e vendosi skenën në një ishull. Prosperi, personazhi kryesor, magjistar tashmë pa iluzione, përballet aty me një përbindësh, monstër detare, Kalibanin. Kulmin e marrëdhënies mes dyve e hasim në këtë strofë enigmatike, të krupshme, e për dreq kuptimplote :

-Vetë më mësove gjuhë, që më shërben
Sa për mallkim ; murtaja e kuqe të raftë
Që më ule të nxë gjuhën tënde !

Këto vargje teatri shërbejnë mirë hipotezën gjeopolitike: monstra, vallë u bë e tillë ditën kur dikush erdhi i rrasi një gjuhë ? E me atë çka « vendasi » shpreh shtrembër, në gjuhën që ia kanë mësuar me zor, zbulon që ai, « tjetri » i gjetur, është përbindësh ?

Ia del lehtë Shekspiri, që pa filozofi, e kurrë ex-cathedra, fsheh dukshëm tipare të botës sonë aktuale. Citimi më sipër duket përmbledh fort mirë logjikën koloniale, edhe atë në emër të progresit demokratik : dikush vjen, mbjell një gjuhë artificiale (integrim-asocim p sh) ; ky alfabetizim i beftë i gjuhës institucionale ia heq organicitetin gjuhës vendase. Derisa pushtimi (dhe përbindëshi) bëhet vetiu i pranishëm, dhe i pranueshëm ; e gjuha e përditshme e bart, e shfaq me përpëlitje, por prapë nën konsensusin e përgjithshëm të Konsumit. Konsumit të lajmeve, fushatave, hordhisë së televizioneve (forma më e lartë e motos : Përça e sundo). Mjafton veç të vesh fëmijët para TV Tring të ndjekin filma të dubluar shqip. Dhe për 15 minuta, duke dëgjuar një fëmijë që flet në ekran: -Oh, po ti nuk mund të rrish pa më treguar mua, atë të cilën e prisja prej kohësh !!

zbulon se krejt puna e Rilindësve dhe vetë popullatës për ruajtjen e gjuhës « ka shkuar më se për lesh ». Dhe mu nën hundën e rilindësve tanë të sotëm lejla, menaxherë të kombit, të pandërlikuar në ideologji, të thjeshtuar gjer në korruptim.

Murtaja e kuqe (e blu)

Ndryshe nuk gjejmë fuqi të shpjegojmë ekzistencën e shqiptarit përbindësh, brenda gjuhës sonë madje. Gjë që haset shpesh veçanërisht në bloge të shqiptarëve jashtë vendit. Më i rëndësishëm në këtë klasifikim mbetet « Peshku pa ujë ». Aty vërtet që lëtyra e opinionit shqip lëshohet bujarisht e me sinqeritet të mahnitshëm. Kurrë më parë në viset tona vullneti i keq e ligësia gratis nuk janë vënë aq lehtësisht në qarkullim ; e vigjilenca ndaj biografisë nuk ka të krahasuar me atë manipuluese të « kohës së xhaxhit ».

Jo vetëm kaq, por brenda atyre opinioneve, merret dhe një dozë e mirë ndërkombëtarizimi (më në fund) i mendësisë sonë. Për shembull, nga çfarë haset në to shpesh, del se « kundër-reagimi shqiptar ndaj analizës realiste, është inati i Kalibanit që shihet në pasqyrë »[1]. Dhe, nisur nga ç’lexojmë mbi romantizmin e huaj lidhur me shqiptarinë (te shkrimi « 7 prilli i gjatë i Simone Weil » botuar në këtë blog), « kundreagimi elitist shqiptar ndaj kolonializmit është inati i Kalibanit që nuk do të shihet në pasqyrë ».

Konsumi i lirisë së shprehjes pas një komunizmi izolues, kjo na detyron më shumë të jemi bij të mbretit. Mesa duket shpirti tregtar ekziston në gjendje natyrore. Duhet veç një gjuhë përkatëse që ta nxjerrë në pah. Ose një mënyrë të foluri, më saktë. Që për ne i bie të jetë mënyra « kapitaliste » e të folurit. Pas rënies së ish regjimit.

Parantezë : Ndjejmë këtu vërvërcet e sikletet e disa komentuesve syhapët. Por jo, gjithë sa do paraqesim për ndihmë vjen nga një amerikan dekadent, aspak komunist. Pikërisht rrëfimi i shkurtër i Edgar A Poes : « … E mandej murtaja e kuqe vendosi mbi çdo gjë perandorinë e vet të pakufi ». Kjo ndodh pikërisht në ballon me maska të organizuar nga princi Prospero (në tregimin e Poe-s). Njëlloj si vendosja e komunizmit te ne, mund të themi. Po. Si triumfi i logjikës partiake mbi procedimin strikt të pleqnisë së vjetër kanunore (a nuk është ky sekreti i triumfit të E. Hoxhës ndaj krejt familjeve klanore dikur me pushtet moral e financiar?).

Por edhe sikundër ardhja dhe vendosja e kapitalizmit ; vendosja e përjetësisë së tij tregtare, mund të themi. Tregtarizmi ishte aty, mes nesh, por s’kishte ende gjuhën e duhur për t’u manifestuar.

Elita shqiptare nuk është pra, larg të vërtetës, kur flet për vulgarizëm e shpirt tregtar e monstruoz të shoqërisë. Këtë e ndjen nga halli i të tërhequrit mënjanë, brenda posteve shtetërore e fondacioneve e mediave. Dhe se prej atje ju duhet me aq zor e mund t’u japin njerëzve atë çka … vetë s’e dinë. Dhe duke mësuar gjithsesi nga masat, ofrojnë atë çka është ëndrra e çdo tregtari: asgjënë ! Vetëm në këtë mënyrë sigurohet mbijetesa në një vend të vështirë. Duke iu rrjepur « katunarëve » varfërinë rrethanore, nën devizën parodike se kush i vjedh të varfrit i jep diqysh Perëndisë. Të tjerë më të guximshëm shkojnë diç më larg. Ofrojnë iluzione të « shkërmoqura », si p sh mundësia fatlume e të qenit nën pushtim fashist. Dëshira e mirë dhe e shëndoshë për vetëkolonializim heq kështu qafe mendimet e liga rreth aktit të « turpshëm » të vetëvrasjes, që kisha e mjekësia dënojnë njëzëri. Në këtë pikë elita tregon arritje logjike : nëse shoqëria mbarë do kryente vetëzhdukje (në një vend që « s’bëhet më »), vetë raison d’être i elitës do fshihej. Është e vështirë ekzistenca elitiste në një vend ku veç cofja sociale e mban gjallë gjithsesi.

Shqiptari hebre

Përse Simone Weil (si na tregon shkrimi i O. Azizit në këtë blog më 7 prill 2019) përse ajo pati reaguar me aq këmbëngulje kundër pushtimit italo fashist të Shqipërisë ?

Por, në radhë të parë, faktet. Këtë janar, në një kafe në juglindje të Parisit, u shfaq shkarravina mbi xham: Mort aux juifs et aux albanais (Vdekje hebrenjve dhe shqiptarëve). Lajmi shqetësues figuroi dhe në faqet e së përditshmes Le Parisien. Arsyet dhe lidhja ende nuk janë zbardhur. Gazeta nuk përmendi as që Shqipërisë i njihet merita e mosdorëzimit të hebrenjve gjatë Luftës. Policia franceze tha hapur se hetonte vetëm ngaqë bëhej fjalë për antisemitizëm ; sa për shqiptarinë …

Por çka nuk gjendej te gazeta ishte pikërisht periudha kur shqiptari imitoi hebreun e lashtë. Kur kreu mërgimin e parë masiv në vitin 1990, kryesisht drejt Italisë. E humbur është nuanca e madhe e daljes masive shqiptare nga Shqipëria, pas izolimit të gjatë. Ajo çka S. Berisha e emërtonte me patos biblik « ekzoda », vite para se të citonte më në fund Lady Gaga-n. Askujt s’i dridhet qerpiku kur hesht para « faktit » sesi Fuqitë botërore ndërhynë në Kosovë veç kur ajo njohu Eksodin ; vetëm atëherë u njoh si popull, jo më si krahinë.

Në këtë pikë, elitës sonë i vjen vetiu e drejta e mërdhezjes. I kujtohet asaj ende që personeli i ambasadës italiane e joshi me ngulm « llumin e baltën e kombit », pra « katunarinë », atë korrik të vitit 1990 për të kaluar kangjellat e për t’u dyndur në ambasadë.

Mirëpo vendosja e institucioneve nuk mungoi t’i vinte gjërat në vend, me atë politikën e brishtë të seleksionimit. Mesa duket « lumpeni » ishte mikluar i pari (tregon koha) me qëllimin e rafinuar që të sitej dhe shoqëria jonë. Në një botë ku e mira nuk ka fund, e për një vend, si Shqipëria, ku fundi është para fillimit, një ndarje e re klasore ka veç synimin fisnik të harrimit të atyre parcelave të dhimbshme të historisë. Dhe ky mision nuk iu lihet assesi në dorë « autoktonëve kokëdrunj injorantë » vazhdon A.P në postimin e botuar ditën e pushtimit fashist. Ky postim u bën nder të madh shqisave tona : ai nuk e le aspak të vobektë ndjesinë se një sentiment i lig e i mbrapshtë auto-pushtues ekziston mes nesh, dikur mes elitës. Nder më i madh katastrofës nuk ka si i bëhet. Nga xanxat që sjell ky nivel i lartë elitist mes « kokëgdheve », miza të tjera bubërrojnë në tru të njerëzisë. Kështu Otrantoja mes dy vendeve (që për aq pak kohë u mblodhën puq nën shpatën e Liktorit, kujton me mall A.P.) bëhet jo ujë, po shkretëtirë, à tout prix.

Shqiptari vlonjat

Çmim që e pagoi goxha të kripur familja Xhavarra e Vlorës : tetë të vdekur në « aksidentin » e Radit, mes tyre fëmija një vjeç.

Shkretëtira mediatike e elitiste ka meritën të shkaktojë atë lëbyrje e mirazh trunor, tipike e atmosferës së shkretëtirës. Në atë vizllimë përplasja e anijes ushtarake italiane me anijen e refugjatëve shqiptarë nuk ka më karakter lokal. Por barazohet me atë sulmin enigmatik të helmetës me pupla, që vrau në vend princin Manfred te libri « Kështjella e Otrantos » (i njohur dhe si romani i parë gotik).

Natyrisht, nën kumtin e civilizimit të Shqipërisë, që Italia gjithsesi pat nisur pa bitisur me fashizmin, L’Italia nuk ka kërkuar as ndjesë për incidentin e flliqtë. Edhe kur R. Prodi kaloi simbolikisht Otranton, nën mbrojtjen e forcave jo fort intelektuale të Zani Caushit, nuk ofroi ndonjë mëtim të tillë. Gjithë sa mbeti nga vizita e tij është kolltuku që u soll enkas për të nga Greqia, me helikopter (si ajo statuja e Jezusit në fillim të « La Dolce Vita »).

Është ndoshta mundësia jonë tani : të përfitojmë, e ta rrokim çastin si rrallë herë. Kështu të sajojmë një memorandum, ku i kërkojmë falje fashizmit, në distancë kohore (kështu turpi hahet me më shumë bukë) ; t’i kërkojmë ndjesë Italisë fashiste që nuk e lamë të na ftillonte ; e që s’e ndihmuam as të ekzistonte dhe sot e kësaj dite. E të shënojmë që me këtë ndjesi faji të madh në vete, ne kemi krijuar aq politikë kriminale ; dhe se enkas kemi nxjerrë aq « hajdutër që vjedhin dhe gurin e fundit », shton fort drejtë A.P, për të vërtetuar se çfarë « mileti » të padenjë po rrisim mes nesh.

Shqiptari gjeneral

Pas këtij konfesimi qytetar autofshikullues në rang religjioz, më në fund ballëlart para Historisë, hapet sadopak vend sa të hamendet : çfarë do ndodhte me foshnjën Xhavarra, nëse anija italiane s’do t’i vërsulej në mes të detit ? Nëse jetonte e shkollohej kudoqoftë ?

Një version, që përkon me memorandumin modest-nxitës më sipër, mund të jetë ky : ai kompozon një Anti-diksioner. Pra të kundërtën e diksionerit të Fotaq Andreas, bletës më zukatëse që pjalmon nëpër bibliotekat e botës e thith çdo e sado fjalë të mirë që bota ka thënë për shqiptarinë. Nuk e shfletojmë dot një për një Diksionerin e tij, për shkak të djersës së mundit të tij ; ajo rrëken nëpër fletë, e libri i tij na shket gishtave. Por, në rastin e foshnjës Xhavarra, sytë e të cilit besoj po bëhen perla në taban të kanalit Otranto, është më e lehtë. Në përzgjedhjen e tij « gjejmë » këto opinione botërore për ne:

-« bodigardë shqiptarë shtatlartë, por të përunjur deri në dhé t’i puthnin kindin e mantelit arkontit Samuraqis » (në librin « Dajë Angjeli » të Panajot Istratit) ; ose

-« ik o marraq i çakërdirë, shkofsh në djall, e dylberosu më ndonjë shqiptar » (Rabelais, Le Tiers Livre, XXIII) ; ose dhe

-« shqiptarit pretencioz, që lypte kalorsi në imitim të Aleksandrit, i dhashë 50 mijë dukate e i thashë : shko, më mirë ruajtës stalle i hajrit se kalorës mavri », J. Martorell, në romanin « Tirant lo Blanco » (i vetmi libër që mban Don Kishoti, pasi e spastroi bibliotekën e vet).

Një version tjetër është detyrimisht më bashkëkohor. Dhe përkon me shpirtin tonë kritik të ndezur flakë sa herë që vaket mendimi. Kështu foshnja mund të merrte deri gradën e gjeneralit, në fushatën e varrimit të filmave të « diktaturës ». Sidomos atyre që nëpërkëmbin e shpotisin gjithë monizëm pushtimin fashist. Gjeneral është gradë që lyp meritë, duhet shans sa dhe veti. Kjo e fundit mpreh sensin e seleksionit (çdo regjim mbi këtë bazë funksionon) : filmat antifashistë në kosh ; ata kanë rëndesë « ideologjike », porse Gjenerali i ushtrisë së vdekur mbijeton, po, sajë frazës prej Arieli : sa e lehtë që je ti Beti ! Po kështu dhe Ballë për ballë. Sepse një ushtarak me virtyt di të dallojë cili pushtim është i mirë e cili jo, se jo të gjithë pushtuesit janë « anadollakë » e « kinezëri ». Edhe helmet nuk vrasin po njëlloj. Ndryshe Agatha Christie do shkruante veç një libër !

Tjetër version … Po duhet ndalur këtu. Ne jemi tashmë pak a shumë si gjithë Europa, pra aristotelianë në thelb. Që na nxit të mos përsiatim shumë mbi mundësitë që janë tashmë pamundësi. Foshnja Xhavarra u tret nën ujin e Otrantos ; nuk arriti, nuk iu la mundësia të bëjë asnjë zgjedhje në jetë ; prindi e hipi në anije, për mirë a për keq ; anija u godit nga ushtria italiane, me hir a pahir ; si helmeta në kokën e princit Manfred, ashtu ranë më pas dhe plumbat qorrë kudo nëpër Shqipëri 1997. Shit happens. Për fat Historia ekziston, ajo që gëlltit ça t’i dalë.

Gjeneral i gjallë i ushtrisë së ngordhur të autokritikës sonë. Të autoktonisë aspak dyshuese ndaj vetes, pra ndaj thelbit. Vetëm në postimin e A.P. shmanget kjo udhë pa krye e shqiptarisë. Ai bën kujdes të veçantë – duke na kujtuar prishjen e « të vetëquajturës Mbretëri e Italisë dhe Shqipërisë – pra kujdeset mos kalojmë në « orgazmën e gabuar » (si në filmin e W. Allen).

Shqiptari pushtues ?

Vend detar vërtet Shqipëria, por konkuistadori nuk është virtyt yni. Me këtë mungesë pat xhongluar E. Hoxha në rrugën për ta bërë Shqipërinë (trime liridashëse që s’ka agresuar kërkënd) një ishull. Ashtu si Anglia, mbretëresha e deteve ; por me ndonjë ndryshim. Me shtysën e brendshme njerëzore për përgjim (voyeur është njeriu, sipas anglezit Hitchcock).  Duke vënë syrin në bravën e botës. Derisa, nën vigjilencën e mprehur, syri vetë u bë fanar, puritan e spastrimtar. Dhe drita kërciti ; proverba 8-12 e shën Gjonit s’dallohej nga raporti i Kongresit 7-të. Dhe vendi ynë u bë dritë tej e mbanë, sa polli vetinë tonë më specifike : mungesën e shqyrtimit të vetvetes. Në mënyrë autoktone këtë veti e bartim ne kudo. Që në Nju Jork e deri në Kanada çdo shqiptar është njëfarë ishulli. Gjë që ndihmon pa masë frymën tonë kombëtare, pasi në këtë gjendje duket më pak marshi ynë si pushtues … të vetvetes (është ky demarsh ajo çka perëndimorët, nga mungesa e interesit për ne, e quajnë kalimthi « mafie shqiptare »). Ndoshta ky vetë-kolonializëm, pat nxitur një komentues në këtë blog të vinte në pikëpyetje kolonizimin e Shqipërisë në të shkuarën. (Lidhur me një shkrim të A. Ferizaj). Nëse po, është favor i madh për argumentin ; sepse shqyrtimi i kolonializmit te ne rreket të gjejë pikërisht se si e sa e kemi ndihmuar vetë ne këtë kolonializmë të vetvetes. E « pushtim të kandshëm nuk ka », thekson Horazio Valpola, komentues triestin i « Gomarit të Babatasit ». As dhe në trajtën e princit këmishëzi (ose ish fashizmit që evokon A.P. në postim), nëse vjen të dashurohet me Derëbardhën Shqipëri, rrethuar nga prilla xhuxha, të lezetshëm e gungaçë. Por elita ka të mirën që s’i beson zhanrit popullor, as përrallave. Elita shqiptare e ka të paktën modestinë që në terrenin stërmadh të katunarisë e llumit, të zbythet në aq interesa sa justifikon vetëpozicionimi si « shprehje gjeografike » brenda vendit.

 

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Parodi kjo bazuar në shprehjet që Oscar Wilde shkruan në hyrje të romanit « Portreti i Dorian Greit ».

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin