Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë

LETËR ZOTIT PETER WILSON

nga Lazjon Petri

I dashur Zoti Wilson!

Do të dëshiroja ta nisja letrën duke Ju falenderuar për kohën dhe përkushtimin Tuaj për disa projekte arkitektonike, të cilat janë jetërsuar vitet e fundit në juglindje të Evropës, në një vend që quhet Shqipëri, e pikërisht në juglindje të saj, në qytetin e Korçës. Diçka më pengon t’Ju falenderoj me gojën plot e t’Ju përulem me mirënjohjen më të madhe sepse kam përpara syve frutet e asaj qe u mboll në vitin 2009, kur studioja Bolles+Willson që Ju përfaqësoni, u shpall fituesja e konkursit ndërkombëtar për rikonfigurimin e qendrës së qytetit.

Në dyzinën e projekteve Tuaja të veçanta të kësaj dekadës së fundit në qytet, lipset t’i kërkosh me pishë ato që meritojnë për t’u përshëndetur. Për shumëkënd, “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar”, rikualifikimi i “Parkut Rinia” apo “Qyteti i Fëmijëve” së bashku me Kompleksin Sportiv, janë prurje të arrira, ndonëse edhe ato bartin problematika, të cilat nuk janë objekt i kësaj letre. Ndonjëherë ka një ndryshim të theksuar mes asaj që Ju projektoni dhe asaj që zbatohet: mjafton të shihni godinen e projektuar për Hotel, përballë Bibliotekës dhe Galerisë së Re të Artit, buzë Bulevard Republikës, tek e cila, ka mbirë një kërpudhë-kat më shumë sesa ajo çka pasqyrohet nga afishja me foto-projektin dhe firmën Tuaj.

Masterplani Juaj i para dhjetë viteve konturoi vizionin e Qendrës së Korçës së vitit 2020. Në këtë kuadër, kryerja e një projekti gjithëpërfshirës për qendrën e qytetit ishte një risi më vete në mbarëvajtjen tonë qytetare, ndonëse ato çka Ju zotëri propozonit, u hasen si atëhere edhe sot, me kundërshtinë e arkitektëve vendas dhe njëherazi me mospajtimin e qytetarëve. E zemë se arkitektët u verbuan përkohësisht nga xhelozia dhe nuk mundën ta shikonin drejt hijeshinë e veprës dhe vizionit Tuaj dikur. A do na takonte sot, të bënim të gjithë njëherazi të verbrin, apo “francezin”, sic i themi këtej nga anët tona, kur projekte të caktuara, ashtu siç janë zbatuar, s’ka pështymë qe t’i ngjitë në përputhje me atë se çfarë jemi, duam dhe aspirojmë?

Këto përgjigje, më shumë sesa nga Ju, do të ishte e drejtë t’i kërkoja nga ekipi i cili gatoi listën e kërkesave për konkursin ndërkombëtar të 2009. Nuk është e udhës t’jua kërkoj Juve këtë gjë, sepse Ju shpalosët kreativitetin Tuaj dhe u shpallët fitues, porsi njeriu që, teksa konkuron me kandidatët e tjerë, e përshtat përvojën dhe CV-në e tij për t’u pranuar dhe përzgjedhur nga ata të cilët shpallin kualifikimet e dëshiruara për vendin vakant të punës. Kjo leter e hapur Ju drejtohet Juve, sepse pikërisht emri Juaj, përdoret si alibi suksesesh, për të cilat na u dashka të jemi të gjithë krenarë. Kjo letër po ju drejtohet Juve, sepse ndoshta po bëheni pjesë e lojës dhe njëkohësisht fytyra e mënyrës sonë të qeverisjes, e cila jo rrallë herë është maska e fytyrës më të keqe të shoqërive “në zhvillim”, siç është edhe ajo shqiptare. Kjo letër është ftesë për debat të shëndetshëm.

Ndoshta zotëri, kur Ju i hipni avionit për në Shqipëri, Ju shtrojnë tapetin e kuq porsa këmba Juaj puthet me asfaltin e aeroportit “Nënë Tereza”. Kjo gjë, në ndodhtë, ka arsyet e mosarsyes, siç vetëm me arsyet e mosarsyes mund të shpjegohet tjetërsimi i realitetit ekonomik që u është trumbetuar diktatorëve në raste krizash, a thua se gjithçka lulëzonte. Dhe në vendin tim ish diktatorial, sot, tregohen barcoleta me njerëzit që e prisnin diktatorin dhe e fusnin përshembull nëpër dyqane me raftet plot, kur jo më larg se një ditë më parë, në të njëjtat rafte, gëlonin gjithfarë merimangash dhe pezhishkash të Asgjësë Barktharëse. Ja u them këto, që herës tjetër kur të vini në Shqipëri, ta provoni njëherë të vini pa lajmëruar njeri, sidomos ata soj politikanësh që të krehin bishtin. E kam fjalën për ata dhe ato qe në fshehtësi gjallojnë duke u ndier të gjithëpushtetshëm me elektoratin dhe vartësit dhe si miza para ariut me eprorin. Ju lutem, bëjeni vetë rrugën Tirane-Korçë. Mundësisht pyesni se ku dhe kur mund të merrni autobusin dhe ejani me transport publik në Korçë. Në qofshi me humor për të kuvenduar me bashkëudhëtarët do t’Ju lutesha të mos harronit t’i pyesnit se cilat janë përshtypjet, ndjesitë, mendimet e tyre në lidhje me ndërhyrjet që i janë bërë qytetit falë projekteve Tuaja. Në daçi të argëtoheni edhe më, pyetini, idealisht pa ja u thënë se kush jeni, ç’mendojnë për Ju, si kryearqitekti i atyre ndryshimeve. Në daçi që të mos këmbeni fjalë me njeri gjatë gjithë udhëtimit, do t’Ju sugjeroja që krahas shijimit të peizazhit, ta fiknit celularin dhe të reflektonit për këto çështje:

  • A e njoh sa duhet historinë, dritë-hijet, psikologjinë, bujarinë, vuajtjen, fisnikërinë dhe kreativitetin e këtij vendi dhe njerëzve të këtyre anëve të botës? Nëse po, a i kam bërë dhe po i bëj ndërhyrjet arkitektonike në respekt dhe përputhje me këto ndjenja, vlera dhe tradita?
  • A janë me mend në kokë këta që më kërkojnë t’u projektoj në vendin e tyre të varfër, projekte kushtonjëse, vlera e të cilave, do zinte vend ku e ku më mirë tek fshatrat rreth e përqark qendrës që më kërkojnë t’u ndryshoj, fshatra të cilat janë pa ujë të pijshëm, me menaxhim të keq të pyjeve, me mosmenaxhim të mbetjeve urbane, me padisiplinim të ujërave të zeza dhe duke lënguar si në mesjetë?
  • A jam pleqëruar sa duhet e si duhet me njerëzit e këtij vendi? A jam në rezonancë me fuqinë e tyre mendore, emocionale dhe shpirtërore? Nëse po, këto trupa ndërtimore të arkitekturës që i shtohen qytetit, vijnë si këmbë e katërt që i saldohet perustisë së mësipërme apo si shkop ndër rrota ndaj Harmonisë së tyre?
  • A po sjell me projektet e mia, të Renë dhe Bashkëkohoren në Arkitekturën & Urbanistikën e Korçës dhe a ka rrezik që kjo e Re të vijë si Kultura e Zeros për vetë banorët, që t’u duket sikur u thua “ç’është bërë para meje s’dua t’ja di sepse tani është rradha e Erës Bolles+Wilson” apo po tregohem i kujdesshëm me vijimësinë e gjësë?” Për anallogji të urbanistikës dhe arkitekturës me natyrën, po mbjell një pyll monokulturë në Korçë apo po i jap një dorë hedhjes së shtatit të shoqërimeve bimore?

Gjyshja ime Antoneta, zotëri, me të cilën pata fatin të jetoja deri para një viti e gjysmë, më ka treguar shumë përralla. Një syresh fliste për një princ që ia rreshtonin tërë gratë e botës dhe asaj që do t’i hidhte mollën do të bëhej nusja e tij. Kështu, ndoshta nisur nga kujtesa e kësaj përralle, unë bëj gjithmonë një lojë me mend, duke i rreshtuar të gjitha qytetet e Botës dhe gjithmonë mollën ja hedh Korçës, me vetëdije të plotë. Zgjedh të jetoj këtu, në këtë qytet! Por, zotëri, më lejoni t’Ju them që pikërisht me vendosjen e Kullës, atë që Ju e cilësoni si “Red Bar in the Sky”, e cila për hir të së vërtetës, në masterplanin e vitit 2009 u parashikua të ishte një qendër tregtare në formën e piramidës, princesha ime s’është më e njëjta! E bukura “Korça lule”, me të cilën zgjedh ta ndaj jetën, vjen përherë e më e perçudnuar, porsi ato operacionet plastike që mund t’i bëhen pa dijeninë tënde dhe as me dijeninë e njeriut që ti dashuron. Dhe besoj më kuptoni zotëri, që e kam fjalën edhe për Kullën si dukuri dhe si filozofi, si mishërim të vendimarrjes kryekëput “Lart-Poshtë”, duke shkaktuar hidhërim të paimagjinueshëm tek njerëzit që kalojnë dhe do kalojnë pashmangshmërisht atyre hapësirave publike, çdo ditë, madje disa herë në ditë. Njëlloj si në kohën e gjyshes sime, që për martesën tënde vendoste tjetërkush!

Dua të jem i sinqertë deri në fund me Ju, zotëri. Nga puna ime e udhërrëfyesit, prej vitit 2016, vetëm një grup tajvanezësh e kanë pëlqyer Kullën, siç ka ndodhur që e kanë pëlqyer edhe të tjerë, në raportin 1 me 20: në 20 veta, vetëm 1 e pelqën. “Kjo është gjëja më kot që kam parë ndonjëherë“, m’u shpreh një anglez i shëtitur në 130 vënde të botës. Pastaj, habitë e tipit “po kjo nga dreqin mbiu këtu dhe kështu?” janë nga më të shpeshtat që dëgjoj. Këto përshtypje vijnë nga vizitorë të huaj, të cilët nuk e pëlqejnë edhe pa e njohur fare qytetin. Ndërsa për ne indigjenët (lexo: korçarët), ju siguroj se raporti shkon në 1 me 2000: në 2000 veta vetëm 1 ndodh që ta pëlqejë Kullën. Dhe këta që e pëlqejnë, ndoshta e bëjnë sepse shpesh janë të shtyrë nga pozicioni që mbajnë.

Kur të reflektoni, nëse do të keni mirësinë ta bëni, mbase do t’Ju ndihmoja po t’Ju thosha që qyteti i Korçës zotëri, hyn në ato qytete që janë magjiplotë sepse magjia u vjen nga një kundërshti e përkorë. Zor të gjeni vendbanim tjetër, ku kërleshet konservatorja, e vjetra në dukje, me të padukshmen e shpirtgjerësise dhe aftësisë krijuese të njerëzve. Në vetëdijen tonë, qyteti është “Nuse” për freskinë dhe pjellorinë e gëzimit të jetës dhe “Plakë”, pikërisht për atë të shkuarën, trashëgiminë, prejardhjen, dijen, mistiken dhe urtësinë. E kursyera në hapësirë, pa qiejgërvishtës, barazpeshohet nga e pakursyera në detaj që e gjen aq bukur të shpalosur në portat, dritaret, ballkonet, kangjellat, kolonat e gurit, qyramidhet dhe në shtëpitë e vjetra. “Korçarët janë njerëz që kanë një edukatë të lartë punë dhe kjo ka bërë që ata të vlerësojnë detajin si përberësin e së tërës”– gjykon arkitekti dhe artisti i mirënjohur, Maks Velo (Betonizimi i demokracisë, faqe 37, Tiranë, 2013).

Veçantia e qytetit të Korçës është e papërsëritshme! Këtu arkitektura dhe urbanistika janë konservatore me kanone të mirëpërcaktuara dhe kjo gjë ruhet e respektohet si sytë e ballit nga vetë banorët që pikërisht se s’janë mëndjembyllur, por të kënduar, të sprovuar me vaj e me uthull, arsimdashës dhe të bredhur anë-e-kënd botës, e duan dhe e vlerësojnë këtë konservatorizëm të tyre të pasqyruar në urbanistikë. Korçarët i bëjnë nder botës kur janë të veçantë, dhe Evropa është më pranë tyre në këtë mënyrë duke ia shtuar larminë dhe vlerat Asaj, me këtë autenticitet dhe asesi me arna projektesh të trumbetuara si evropiane. “Gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë nuk kanë qënë më pak evropianë se ne, përkundrazi”, – pohon Mësuesi Vangjush Ziko tek libri “Korça- Qyteti dhe kujtime” (faqja 270).

Po Ju, keni një qytet që ju dhimbset zotëri? Si silleni me të? Po t’u jepej mundësia e projektimit të qendrës së qytetit Tuaj të zemrës, do të rrendnit të bënit propozime për ndërhyrje kardinale, thjesht e vetëm se Bashkisë i teket ta bëjë një gjë të tillë? Nëse qyteti Juaj i zemrës do të ishte Korça “konservatore” në arkitekturë, vërtet do t’i qëndisnit arkitekturë “globaliste” asaj?

Ju lutem, kur të reflektoni, nëse do të reflektoni, merreni parasysh edhe një gjë tjeter. Në projektet e radhës, mos u mjaftoni vetëm me pleqërimin e përfaqësuesve tanë zyrtarë, të cilët jo domosdoshmërisht na plotësojnë a priori edhe ndjenjat e mendimet tona, por paçi dritën e Mirësisë të rrihni mendimet me njerëzit, për çdo projekt që ka lidhje me Korçën dhe rrethinat e saj. “Zhvillimi urbanistik dhe arkitektonik i Korçës, pjellë e kushteve të caktuara historike, -thotë Pirro Thomo (në faqen 19 të librit “Korça, Urbanistika dhe Arkitektura “, Tiranë 2012), është njëkohësisht edhe materializimi i kërkesave materiale e shpirtërore të banorëve, është një pasqyrë e gjallë e jetës së qytetit. Historia e arkitekturës së Korçës, – vijon ai, është njëkohësisht edhe historia shoqërore e qytetit, pra me vlera njohëse të shoqërisë që e mbrujti këtë arkitekturë, me gjithë interesat dhe psikologjinë e çdo klase apo shtrese të popullsisë”.

Thënë këto, do të lusja mirëkuptimin Tuaj që s’jemi kundra ideve të reja dhe projekteve avangarde në vetvete dhe do të ishit të mirëseardhur për një gjë të tillë, për një hapësirë futuriste, ndoshta në periferi, që mund ta quajme Qyteti i Ri, por jo në qendër të Qytetit të Vjetër zotëri. Të ndërhysh kaq radikalisht dhe në mënyrë kaq të beftë në zemër të qytetit të Korçës, është si puna e atij kardiokirurgut, i cili për të shëruar atë që vuan nga zemra, në vend që të vendosë një unazë nga ato të zakonshmet, eksperimenton në atë farë feje, me një vetëbesim të çartur, duke vënë një ‘piercing ‘. Faleminderit zotëri, por më mirë parapëlqejmë të “vdesim sesa të pijmë përditë ilaçe iluzionprurëse” që ndërhyrjet si puna e kësaj “pykës arkitektonike të parashutuar në oborrin tonë” të na duken më të bukura. Korça mund të ketë nevojë t’i heqesh ndonjë nishan që është infektuar, por kurrësesi t’i ndërhysh për t’i tjetërsuar hundë, mollëza, vesh, gojë e buzë bashkë! Më mirë bashkëjetojmë me njeriun me hundë të madhe, por të natyrshme, siç ja ka bërë Zoti, sesa me një “hundë të re” e plasticitet të tillë! Po! Historia na tregoi që me eksperimentet e nazistëve perfitoi shkenca, por ne nuk pranojmë të jemi “hebrenjtë e rradhës për këtë holokaust arkitektonik”.

Të fundit gjë që dua t’Ju them lidhet me një shembull të freskët, të cilin dua t’ia u sjell përsëri me shpresën që do t’Ju ndihmojë në reflektimin Tuaj, nëse do të reflektoni.

Një nga ndërhyrjet e fundit që mban firmën Tuaj është Ish Biblioteka e Qytetit, e cila sipas projektimit Tuaj është tjetërsuar në Bashki dhe argumenti që keni dhënë në një intervistë publike është që “…e shohim pedonalen si dhomën e ndenjes së Korçarëve. Kështu që, sa më shumë institucione publike në këtë zonë, më mirë”. Më falni zotëri, po Biblioteka nuk ishte publike? A Ju shkoi ndonjëherë ndërmend të konsultoheshit me arkitektin Petraq Kolevica para se të ndërhynit tek ky objekt? Petraqi ka qënë arkitekti kryesor i caktuar për projektin e bibliotekës, atëherë kur shteti diktatorial vendosi prishjen e Kishës që ndodhej aty para saj. Dhe pikërisht për rëndësinë që bartte ai vend, zotëria në fjalë propozoi një projekt shumë inovativ dhe guximtar për atë kohë: ana e ndërtesës në krah të bulevardit, apo pedonales së sotme, të ishte pa dritare fare dhe në siperfaqen e atij muri mund të vendoseshin bazorelieve apo mozaikë që do të dëshmonin me anë të artit, kulturën shqiptare dhe korçare. Ky projekt nuk u miratua. Pikërisht për këtë gjë, të cilën e mbrojti me fisnikëri edhe përpara vetë diktatorit Hoxha, Atij ju hoq e drejta e ushtrimit të profesionit. Me që ra fjala, Z. Kolevica është gjallë dhe është shprehur, që të paktën duhet ta kishit pyetur. Madje shton që atij objekti, përshtatje mund t’i bëheshin, por duhet të mbetej bibliotekë.

Projekti Juaj ka të bëjë edhe me një mur, në të cilin është shkruar në shqip e në anglisht me gërma të mëdha, në dy paragrafe, se ç’është ky mur dhe kush e ka projektuar, domethene JU dhe shtohet duke thënë që qyteti e respekton të shkuarën e tij. Më lejoni së pari t’Ju kujtoj zotëri, se në traditën tonë të lashtë ne i kemi të ndara: dhoma e ndenjjes dhe dhoma e miqve. Kjo qe Ju keni bërë është një dhomë muze më tepër sesa dhomë për miq apo për banorët e shtëpisë. Sepse vetëm në dhomat muzeale paraqiten të tilla shkrime vetshpjegonjëse që të kujtojnë atë dërrasën e zezë të shkollës. Në është kështu, simbolikë e dërrasës së zezë, më duhet t’Ju them se mund ta pranojmë që Ju jeni mësuesi dhe ne nxënësit, por kurrsesi nuk mund t’ja lejonim vetes të fshikulloheshim çdo ditë me këtë sizifizëm: për ta lexuar çdo ditë e çdo natë të njëjtin mbishkrim të dërrasës së zezë, shkrim i cili qëndron si i gdhendur në gur, pa u fshirë dhe ndërruar asnjëherë. Po që ka njerëz, të cilët dridhen e tronditen nga kjo që keni bërë, e dini? Mos u çudisni sepse vendosja e atij shkrimi në atë mënyrë është e pamundur të mos sjellë në kujtesë parullat, që ishin mishërim i propagandës së ideologjisë nacionalisto-komunisto-enveriste. Muri prej betoni, në dukje si dërrasë e zezë shkolle mu në mes të odës, qëndron aty ku dikur ishte vatra shpirtërore e Tempullit të Kishës së Shën Gjergjit dhe pasandaj Bibloteka. Muri dhe mbishkrimi në fjalë, sikur tregohet me gisht nga dora e Monumentit Partizan, veprës se skulptorit Kristaq Rama, babait të Kryeminstrit të sotëm shqiptar. Ngjyra bardhë-e-zi, si kontrast dhe njëkohësisht si sfond i mbishkrimit të murit sikur gëlthet me një tjetër plagë të njerëzimit, sëmundje që edhe ne shqiptarët mezi kemi krijuar imunitet: “të lexuarit bardhë-e-zi të historisë”. Më lejoni t’Ju kujtoj fjalët e Umberto Ecos zotëri (Youtube: “Umberto Eco – Perché i classici”) i cili thotë që “Kujtesa gëzon dy virtyte: të konservuarit dhe të filtruarit”. Ato shkronja, të vendosura në atë mënyrë tek ai mur duket sikur thonë: “Në emër të njohjes së të shkuarës ne ju hedhim hi syve duke ju ndërtuar gjëra të reja, mu aty, ku ju i hiqnit kapelen respektit të së shkuarës. Në emër të rikthimit të së shkuarës me këtë veprim të përsëritur të tjetërsimit, ju ngremë botën e re mbi gërmadhat e botës së vjetër. E teksa trazojmë plagët e së shkuarës, ju themi: shikoni se asgjë s’ka ndryshuar.”

Më lejoni ta mbyll me një fjali të Maks Velos, i cili në artikullin “10 vjet: Ja si u masakrua Tirana” (faqe 25, “Betonizimi i Demokracisë”, Tiranë 2013), thotë: “Krimet e arkitekturës lexohen lehtësisht, përjetësisht dhe dënimi është si një vajtim që do të dëgjohet si legjendë mbi këtë qytet”.

Lus mirëkuptimin Tuaj zotëri.

Me respekt,

Lazjon PETRI

(c) 2019, autori.

23 Komente

  1. Kulla në Korçë është ndërtesë publike, madje më shumë se ç’mund ta përballojë. Nëse qytetarëve të Korçës nuk u pëlqen, nëse u duket se ua cenon identitetin e qytetit, atëherë këta mund të organizohen dhe të kërkojnë heqjen e saj, shkatërrimin, rrafshimin. Do të ishte një gjest i mrekullueshëm, njëkohësisht estetik dhe social, por edhe një mesazh ndaj arrogancës së atyre që i mbjellin këto abominacione. Unë besoj se mund të arrihet, me rrugë demokratike, paqësore dhe të arsyetuar; madje shumë më të arsyetuar se megalomania e kujt e nguli këtë obelisk në barkun e qytetit. Përkrahja e ekspertëve nuk do të mungonte. Provojeni, Lazjon. Historia ka treguar se kauza të tilla bëhen edhe strumbullar për ripërtëritjen e komuniteteve, duke u dhënë këtyre një synim fisnik dhe të arritshëm.

  2. Mua me shqeteson kjo prirje qe shikoj ne vendet tona, kryesisht ne Shqiperi. Te tere jane bere arkitekte, gjykates, historiane, gjuhetare, gjeologe, gjeometer, gjeografe.
    Kjo me shqeteson sepse duke ditur qe institucionet i kemi jashtezakonisht te dobeta, keto (keta? ) te fundit shpesh behen pre e presionit te rruges, ne dem te Procesit.
    Thua “fuqia e opinionit publik” ?
    E drejte, e drejte dhe kjo…
    Por vras mendjen, kush e mban kandarin qe e peshon kete opinion?
    Kush peshon me shume, bie fjala, ai qe e urren Sheshin e ri Skenderbej, ai qe i (e?) pelqen apo ai qe eshte indiferent?
    Dhe ky i fundit, duhet t’a deklaroje indiferencen e tij ne menyre elokuente ne shkrime gazetash mbushur ( shkrimet) me citate, referenca dhe emra filozofesh obskure finlandeze qe t’ja marrin seriozisht indiferencen e tij?
    Kush eshte alternativa thua?
    Qe tja mbyllim gojen kundershtuesve te dickaje?
    Jo, nuk e them kete. Akoma.
    Por, te jemi pak te permbajtur them, dhe ta konsiderojme edhe mundesine qe Procesi ka vlere “intrinsic” dhe nuk ben ta menjanojme keshtu shkujdesshem.

    1. Mua personalisht ajo kulle ne mes te Korces me eshte dukur si ciban i stermadh, qe vetem shemton.
      Ndaj te njejtin mendim me autorin e shkrimit per kete kulle, ndersa jam me pak i ekspozuar ndaj pikave te tjera te parashtruara. Teorikisht apo ligjerisht, per kete duhej marre edhe mendimi institucional edhe i publikut, gje qe nuk di si eshte proceduruar.
      Por jam nen pershtypjen se autori i ve “tere fajin” arkitektit, I cili (besoj) ka paraqitur idene e tij. I takonte jo atij ta pranonte. Pra, nese midis 5 punimeve, juria zgjodhi kete, une do te fajesoja, jurine dhe pushtetin vendor qe e lejoi realizimin. Ne fund te fundit, kulla tashme u ngelet ne dere korcareve dhe atyre qe e dhane lejen per te.
      Personalisht kam marre pjese ne disa seanca te informimit te publikut ne jug te Shqiperise dhe kam ngelur I zgjenjyer si eshte zhvilluar dhe si eshte arritur ne konkluzionet qe donin firmat dhe ata qe ishin pas tyre.

  3. Kullen duhet ta shembin vete korçaret, secili me nje kazme e varre duke e filluar nga lart kuptohet dhe nen mbikeqyrjen e inxhinjereve te ndertimit, te cilet Korces nuk i mungojne.
    Mund ta nisin organizimin me nje OJQ, Aleanca qytetare per heqjen e Kulles, te marrin firma e te bejne nje peticion, pas peticionit ultimatumi e blerja e nje kazme ose varreje nga secili, duke parashikuar pune me turne per rrenim te shpejte, se smund te bllokohet trafiku me muaj.

  4. Organizohuni, protestoni, dhe nisini nje peticion kryetarit te bashkise.

    Nese ai nuk ju del krahe, mos ja jepni voten. Nese vertete jeni ne shumice aty ne Korce qe nuk e pelqeni kullen (dhe as nuk e dyshoj hic qe mund te jeni. Edhe mua me eshte dukur nje pacavure qe c’te te them), kjo ka per ti dhembur kryetarit.

    Rruge tjeter une nuk shoh. Protesta dhe vota jane te vetmet.

    Eshte pak a shume i njejti diskutim si me parkun e lodrave ne kodrat e liqenit ne Tirane. Te prishesh pronen publike, sikurse thote Hyllin psh, per mua nuk eshte opsion.

    1. Prone publike perfshin shume gjera, mes tyre hidrocentrale e pyje. Kulla ne fjale hyn tek simbolet publike, si puna e busteve, shtatoreve apo obeliskeve, pavaresisht se ka funksionin e kullave te Bolonjes psh ku hipen robi e sheh pullazet.
      Publiku mund ta rrezoje nje simbol publik te cilin nuk e do, u rrezuan bustet e shtatoret e Enverit dhe Stalinit ne gjithe Shqiperine, nuk u rrezoka dot nje kulle apo nje kerpudhe.
      Biles kostot i duhen faturuar personave te cilet gjate kohes ne pushtet ndertojne gjera te tilla me leket e publikut.

      Psh Rames mund ti mbahen nga rroga sot dhe neser nga pensioni te gjitha leket mbi 150 mije leke te vjetra ne muaj, sa eshte pensioni minimal dhe ti konfiskohen pronat e leket neper banka, brenda e jashte vendit, me perjashtim te nje fondi sa per nje shtepi 1 dhome e 1 guzhine.

      Po njesoj kryetarit te bashkise se Korçes e pergjegjesve te tjere. Keshtu publiku ka mbrapsht leket e veta.

    2. Mund të bëhet që qytetarët të votojnë për “heqjen” e kullës? Për shembull, të ketë një skedë më vete në zgjedhjet lokale? E lejon ligji këtë lloj referendumi lokal? Kulla atje nuk është si sheshi “Skënderbej”, që i përket Tiranës edhe qytet edhe kryeqytet dhe ku janë disa palë që kanë pjesë. Nëse nuk u pëlqen qytetarëve, atëherë DUHET hequr. Jam i bindur që ka shumë banorë të qytetit që do të ishin gati të paguanin një lloj takse “una tantum”, për ta hequr sysh.

      1. E drejte Ardian, teorikisht ekziston edhe mundesia e referendumit.
        Fakti qe ky opsion me shpetoi, tradheton ne fakt nje kulture te munguar ndaj referendumit ne Shqiperi.

        Problemi eshte qe ligji per referendumet eshte i tmerrshem. Ka kohe qe flitet per nje ligj te ri, madje edhe si pjese e reformes se re qe pritej per keto zgjedhje. Nuk besoj se ka per tu bere.

        Ideja eshte qe duhen 10% e zgjedhesve te regjistruar ne zgjedhjet e fundit vendore per ate njesi, ose 20 mije firma zgjedhesish (cilado qofte me e vogel nga keto ne rastin e njesise ku kerkohet referendumi).

        Pastaj ka lloj lloj pengesash. Duhen kryer te gjitha procedurat deri me 15 mars (ironikisht vetem 3 dite nga sot, iku dhe ky vit 🙂 ), ose perndryshe shtyhet vitin tjeter. Nuk mund te mbahet tre muaj para apo pas zgjedhjeve vendore, dhe duhet te kaloje si kerkese nga KQZ, dhe me kushtet e sotme veshtire se kjo KQZ nuk nxjerr klecka ne nje rast te tille hipotetik. Etj etj.

        Ky i referendumeve lokale, eshte nje KRIM qe politika e 30 viteve ka kryer ndaj komuniteteve ne Shqiperi. Nuk ka as edhe nje rast te vetem referendumi lokal ne 30 vjet, ne mos gabohem.

  5. Nuk është mbushur ende java kur me tim vëlla u desh të shkojmë në Korçë për t’i dhënë lamtumirën e fundit dajës tonë, që u largua nga jeta. Në pritje të orarit të varrimit, dolëm nga qendra. “Çfarë është kjo?” -pyeti im vëlla, që kish vite pa vajtur në Korçë, duke më treguar karabinanë e kullës ballkon. “Kjo-i shpjegova shkurt-është turpi i qytetit, i atij qyteti që i ka dhënë Shqipërisë ajkën e artistëve më të spikatur, por që tani, pasardhesit e tyre lejojnë të nëpërkëmben, t’u fyhet historia dhe inteligjenca, duke pranuar në heshtje e të dhunuar diktimin nga dikush, që shijet e tij të kultivohen e pranohen në tërë një qytet”.

  6. “Ne nuk pranojme te jemi hebrenjte e rradhes ne kete holokaust arkitektonik” thote autori i letres se hapur!
    Kuptoni tani ku kemi mberritur?
    Cfare logjike dhe racionaliteti pres une nga nje person qe eshte afte t’i vervisi tjetrit te tilla fjale?
    M’ane tjeter, kjo gjuhe eshte argetuese. Me kujtoi ate episodin e “Curb your enthusiasm” ku ulen per darke dy “survivors” – njeri “survivor” i kampeve te perqendrimit dhe tjetri pjesmarres ne show-n televiziv “Survivor”.

  7. Hyni ne Muzeun Mesjetar. Ky qe i thone: “Gjermani” ka planifikuar cdo gje. hapesirat dhe organizimet. Punonjesit thone qe edhe vendosjen e ikonave. Ka 1000 gjera te tmerrshme aty, por me e tmerrshmja eshte se cdo ikone (ne vend te kapej me kapse te posacme sic e do rradha dhe puna) eshte mberthyer me gjashte vida (dy lart dhe kater poshte) qe shkaterrojne strukturen e drurit tashme te demtuar nga koha dhe insektet. Nuk kam pare dem me te madh. Ne rastin e perpunimit te nje ikone mberthimi per here te dyte do te jete fatal. Ngaterrojne nje lloj luksi ne investim, qe e bejne me bollek, me konservimin e vlerave. Ky nderton duke shkaterruar. Shkaterron ato qe jane vlera te pakthyeshme. I duhen dhene udhet ose i duhet hapur dera e burgut.

  8. Ndryshimet e bera ne Urbanistiken dhe arkitekturen e Korces paskan nje plan te miremenduar? Cudi. Mua me duken si te bera nga nje dore mediokre e nje nepunesi province.

  9. Ja një ide, meqë jam për heqjen por kundër shkatërrimit: një vend ideal për kullën me ballkon do të ishte diku andej nga Bregu, ku ajo edhe estetikisht do të bëj kontrast me bunkerët përreth por edhe funksionalisht asaj do t’i shtohet vlera, si kullë vrojtimi për plazhistët dhe… skafistët. Mund t’u jepet me koncesion këtyre të fundit për të mbuluar kostot e zhvendosjes, ose, po s’patën këta interes, le ta marrë prapë “Fusha”. Voilà.

  10. Thoni referendum.
    Po kush do i vendoste parametrat e ketij referendumi?
    Ata qe e propozojne?
    Si psh do formulohej pyetja?
    Ja psh nje version: a jeni ju dakort qe te prishet kulla me para publike?
    Ja nje version tjeter: a jeni ju dakort qe shteti te rimbursoje pronaret e kulles me x leke dhe pastaj ta prishe kullen me para publike?
    Ose ja nje version tjeter akoma me i komplikuar:
    A jeni ju dakort qe ju te gjithe paguani x leke per banor dhe pastaj keto fonde te perdoren per te blere dhe pastaj prishur kullen.
    Besoj se biem te gjithe dakort qe keto versione mund te kene reagim te ndryshem nga votuesit?
    Kush pra e vendos cilin version te hedhim ne referendum?
    Dhe ke te pyesim?
    Banoret e Korces? Rrethit? Qarkut te Korces?
    Po kete si ta vendosim?

    1. Po mire, ja si propozon ti qe mund te realizohet nje referendum lokal ?

      Se keto qe thua ti vlejne per cdo lloj referendumi : dikush diku, duhet te dali dikur dhe te formuloje nje kerkese.

      Po jane pikerisht keto klecka per te cilat e kisha fjalen kur shkruaja se veshtire qe te tilla kerkesa te kalojne nga filtrat e KQZ.

      Ligj i tmerrshem !

      1. Jo nuk eshte ligj i tmerrshem. Eshte ligj i menduar mire pikerisht per te diskurajuar te tille referendume ku cdo njeri me emocione te forta per kete apo ate arsye te kete mundesi qe te hedhe nje pyetje ne popull ashtu taze, te sapo dale nga pena e talentuar e nje shkruesi te specializuar per te ngjallur, aghm, emocione te forta.
        Shiko me lart te lutem. Nje shkrim i nje “tourist guide “ e beri nje njjeri perndryshe te arsyeshem, te beje thirrje per kazme dhe qysqi.
        Keto mundohet ligji te diskurajoje.

        1. Që kjo punë do menduar mirë dhe kërkon patjetër disa juristë ti dalin ballë as diskutohet fare. Kërkesa për referendum duhet formalizuar dhe parashtruar rigorozisht brenda rregullave që përcakton kodi. Po ky është problem kot në fakt, sepse ne këtu po flasim në parim.

          Pastaj ja më thuaj ti, kjo është arsyeja përse ne nuk kemi asnjë referendum lokal në 30 vjet? Nuk doli një i mençur të bëjë pyetjen e duhur dhe ta parashtrojë kërkesën brenda rregullave? Apo skemi pasur ndonjëherë nevojë për referendum?

          Ligji duhet ndryshuar dhe sa më shpejt madje, jemi shumë vonë.

        2. Jo nuk eshte ligj i tmerrshem. Eshte ligj i menduar mire pikerisht per te diskurajuar te tille referendume ku cdo njeri me emocione te forta per kete apo ate arsye te kete mundesi qe te hedhe nje pyetje ne popull ashtu taze, te sapo dale nga pena e talentuar e nje shkruesi te specializuar per te ngjallur, aghm, emocione te forta.

          Ligji mund të jetë i mirë në vetvete por megjithatë pa shumë vlerë dhe ndoshta i dëmshëm për shoqërinë shqiptare në nivelin e zhvillimit që ajo ka sot; është ligj i kopjuar pa u menduar shumë nga kushedi seku dhe nga kush, ndoshta me qëllime të mira – këto që shkruani ju më lart – por prapë ligj i papërshtatshëm për Shqipërinë e sotme. Jo vetëm sepse kufizimi në maksimum i referendumeve tregon mosbesim të klasës politike ndaj popullit/qytetarëve të vet, por edhe sepse në një vend demokratik një ligj për referendumet që praktikisht i bën ato të pamundura presupozon një klasë politike që u përmbahet ligjeve dhe rregullave demokratike dhe respekton ndarjen e pushteteve, që është e ndershme, kompetente dhe e përgjegjshme për veprimet e saj (tamam klasa politike shqiptare!), presupozon një administratë të pakorruptuar, për më tepër nënkupton një sistem të fortë dhe të pavarur drejtësie, që kontrollon dhe ndëshkon çdo shkelje të ligjeve që nga nëpunësi më i vogël i shtetit, deri te presidenti dhe kryeministri, presupozon checks and balances, pra ku populli nuk e ka të nevojshme të shkojë me patjetër në referendum për çështje të interesit publik. Gjermania p.sh. ka një ligj të tillë, për arsye të kuptueshme historike, por prapë edhe aty ligji është sot i debatueshëm si anakronik. Por një ligj i tillë për Shqipërinë e sotme?!

          Jo se unë pres mrekulli nga lehtësimi i referendumeve – edhe ato mund të keqpërdoren po u përdorën pa kriter dhe pa limite të mirëmenduara – por t’i bësh pothuajse të pamundura, siç ndodh me ligjin aktual, kjo vetëm sa i hap rrugë më tepër arbitraritetit dhe korrupsionit (“emocioneve të forta”) të qeveritarëve të radhës.

    2. Shkruan autori:

      “Këto përgjigje, më shumë sesa nga Ju, do të ishte e drejtë t’i kërkoja nga ekipi i cili gatoi listën e kërkesave për konkursin ndërkombëtar të 2009. Nuk është e udhës t’jua kërkoj Juve këtë gjë, sepse Ju shpalosët kreativitetin Tuaj dhe u shpallët fitues, porsi njeriu që, teksa konkuron me kandidatët e tjerë, e përshtat përvojën dhe CV-në e tij për t’u pranuar dhe përzgjedhur nga ata të cilët shpallin kualifikimet e dëshiruara për vendin vakant të punës.”

      Nëse diskutimi për kullën do të shtrohej për zgjidhje prej të interesuarve dhe jo thjesht për të shfryrë inatin, fokusi do të duhej të ishte tek përgjegjësit e vërtetë për vendimmarrjet në lidhje me hapësirat publike dhe jo tek arkitekti.

      Ndoshta, Korça mund të bëhet shembull e të jetë e para në gjetjen e udhës ligjore, me pjesëmarrjen e komunitetit, për të refuzuar imponimin skandaloz dhe mungesën e dialogut që ndodh në Shqipëri kur bëhet fjalë për hapësirat publike. Eksperienca nga vende të tjera të Europës flasin për përvoja shumë të ndryshme nga çka ndodh tek ne (banorët pyeten nëpërmjet pyetësorëve që dërgohen në çdo shtëpi edhe për ndërrimin e ngjyrës së fasadave të banesave e jo më për ndërhyrje më të mëdha).

      Nëse ndokush do të merrte kurajon të niste punën për një referendum, hapi i parë do të ishte mbledhja e disa specialistëve nga fusha e ndërtimit dhe jurisprudenca. Ndërtuesit le të përcaktojnë, të zezë mbi të bardhë, koston e punimeve për heqjen e kullës, volumin e punës, krahun e punës, gjithçka, në një shifër konkrete.

      Detyra e juristëve pastaj do të ishte që të gjenin hapësirat në interpretimin e ligjeve që: ASNJË qindarkë të mos paguhet nga taksapaguesit, por nga përgjegjësit për marrjen e këtyre vendimeve, në të gjitha nivelet.
      E theksoj: në të gjitha nivelet.

      Nëse kjo rezulton e pamundur, asnjë hap prapa! Koha për të amenduar ligjet përkatës, ose për të propozuar të reja në përputhje me të vendeve të tjera europiane, ku përfshihet pjesëmarrja DIREKTE e komunitetit në vendimmarrje.

      Ky është mësimi që Korça e mësonjtores së parë, duhet t’u japë kapriçove diktatoriale në urbanistikën e qyteteve.

    3. Nuk kuptoj se cili është qëndrimi juaj për artin dhe estetikën e kullës, përpara se të përgojoni mendimet e të tjerëve!

      Propozoj që të ketë një referendum që persona me “konflikt interesi” apo “të paguar” të mos jenë pjesë e diskutimit në këtë forum.

      1. econom,

        Kur shkruani “konflikt interesi” apo “të paguar”, e keni fjalën për cilin/cilën nga diskutuesit?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin