Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

DOKUMENTE PËR HISTORINË, APO HISTORI PËR KONSUM?

nga Sokol Çunga*

Shënime pas leximi të botimit: Maks Velo, jetë paralele (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit). Dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit, dënimit dhe burgut.

“L’histoire se fait avec des documents” (historia shkruhet me dokumente), ishte shprehja e famshme e historianëve francezë të shek. XIX Charles Victor Langlois dhe Charles Seignobos, me të cilën çelet kapitulli i parë i librit të tyre, tashmë mes klasikëve, Introduction aux études historiques, (1897)[i]. Mirëpo, si mund ta lexoj dokumentin, që ky të jetë i dobishëm për të shkruar historinë? Në këtë rast “lexoj” nuk është thjesht një lexim horizontal i tekstit apo objektit të ofruar, por lexim vertikal, në thellësi të tekstit, në metatekst, në diplomatikë (të mos ngatërrohet me diplomacinë[ii]), në kodikologji dhe në të tjera burime parësore apo dytësore, bashkëkohore a të mëvonshme.

Këto kisha në mendje rrugës për në shtëpi, pasi mora botimin me dokumente Maks Velo, jetë paralele (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit). Dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit, dënimit dhe burgut, UETPress, 2018, me parathënie të Alda Bardhylit. Libri ka 250 fletë dhe përbëhet nga një parathënie e shkurtër, paraqitja e 106 dokumenteve të dosjes së z. Maks Velo, dhe në fund shoqërohet nga një intervistë mes znj. Alda Bardhyli dhe z. Maks Velo. Libri është pjesë e serisë Scripta Manent të UETPress.

Në parathënien e saj, znj. Alda Bardhyli jep një biografi të përmbledhur të z. Maks Velo, përshkruan takimin me të, shtangien e tij nga leximi i “dosjes” së Sigurimit. Më pas, në 1 faqe tekst, shpjegon arsyet e këtij botimi të cilat do të mundeshin të përmblidheshin në dy pika: 1. Dosja është një “jetë paralele e Velos […], ndoshta biografia më e mirë e tij; 2. Dosja i shërben debatit mbi rolin e arteve dhe të kulturës gjatë komunizmit. Këto m’u dukën arsye të shëndosha për të shfletuar mes dokumenteve të Sigurimit të Shtetit.

Me këtë frymë zura të lexoj dokumentet e botimit. Nga ajo pak përvojë që kam me 2-3 dosje hetimore dhe gjyqësore që kam parë, kuptova se rendi i dokumenteve është lënë i pandryshuar, ashtu siç e pat arkivuar dikur sekretari i gjykatës. Nuk ka organizim në renditjen e dokumenteve, as tematik, as rendor-kronologjik, çka e bën të vështirë ndjekjen e logjikës së ngjarjeve dhe të dinamikës së tyre. Nuk shpjegohet se një pjesë e dokumenteve të Sigurimit i përkasin periudhës pas lirimit të Maks Velos nga burgu, çka flet për një tjetër dinamikë të aparatit represiv. Më pas, herë pas here më dilnin shkurtesat e zakonta të këtyre shkresave. Zbërthimet e shkurtesave apo të emërtesave, si: b.p., p. op., TO, P.P., 2/A, 2/B, etj., mungonin krejtësisht. Vijova të lexoj për kureshtje, sepse desha të mësoj historinë e një njeriu, të cilin e kam parë e dëgjuar shpesh në median televizive, e kam lexuar shpesh në median e shkruar. Mirëpo, këtu u ndërpre fija që më udhëhiqte në skutat e fshehta të diktaturës dhe filloi një ndjesi e çuditshme, që më kapi befas: po lexoja për të mësuar se ç’i kishte ngjarë personit Maks Velo, po lexoja me një kërshëri pothuaj voyeurist-e historinë e jetës së një njeriu. Vallë, për këtë i shërbejnë shoqërisë së sotme shqiptare dhe studiuesve “dosjet” e komunizmit? Kuptova se, në këtë pikë, pavarësisht hyrjes së frymëzuar të përgatitëses, botimi i ishte shmangur qëllimit të pretenduar, prandaj dhe mora guximin të shkruaj këto radhë dhe ta analizoj botimin sa nga ana metodologjike, po ashtu dhe si qytetar i Shqipërisë post-diktatoriale.

Diktatura e Proletariatit nuk ishte një dukuri e izoluar brenda shoqërisë shqiptare, a një dukuri efemere. Diktatura në Shqipëri ia doli të shtrihej në të gjitha hallkat e sistemit shtetëror, të jetës shoqërore dhe personale, deri edhe në intimitetet vetjake. Si e tillë, veprimtaria e Sigurimit të Shtetit dhe e gjithë hallkave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk mund të shihen thjesht si një dukuri paralele me zhvillimin normal të jetës. Përndryshe nuk mund të krijohet pamja e plotë e aparatit represiv të diktaturës. Diktatura nuk kishte asnjë kuptim e veçuar nga gjysma tjetër e togfjalëshit, proletariati, i cili ishte edhe objekt i diktaturës, edhe ushqimi i saj. Nisur nga këto premisa, përmasa e dokumenteve të dosjes së z. Maks Velo nuk mund të kuptohet e plotë pa “garniturën”, metodologjinë e botimit të saj. Po ashtu, asnjë fletë dokumenti e sistemit represiv nuk flet qartë, pa u pajisur me komentet, shpjegimet, analizën dhe sintezën përkatëse. Përndryshe, kthehet në një mjet argëtimi dhe kureshtjeje kolektive, duke krijuar më shumë dezinformim se po të mos kishte qarkulluar kurrë publikisht.

Krejt rastësisht, teksa vazhdoja të lexoja dokumentet e dosjes së z. Velo, gjeta mes librave të vjetër që shiten trotuareve të Tiranës një dosje gjyqësore të vitit 1950. Ishte dosja e gjyqit të parashutistëve Etëhem Çako, Kasem Zhupa, Llukman Lutfiu, e botuar si libër me titullin Para gjyqit të popullit. Një bandë spiunësh dhe diversantësh në shërbim të imperialistëve hedhur me parashutë, Tiranë, 1950. Botimi është një zbardhje e gjithë dosjes gjyqësore të tre parashutistëve Çako, Zhupa, Lutfiu. Nuk shoqërohet nga ndonjë shpjegim apo aparat kritik, as nga ndonjë parathënie, as pasthënie, madje, as tabelë përmbajtjeje nuk ka, por vetëm nga lista e gazetarëve të huaj që ishin të pranishëm gjatë procesit të gjykimit. Botimi nuk mban çmim në shpinë. Nuk do shumë mend për t’u kuptuar arsyeja e “hapjes” së kësaj dosjeje më 1950: propaganda e diktaturës së proletariatit, nga njëra anë, por dhe trembja e cilitdo që do të guxonte të vepronte në kundërshtim me ligjet e kohës. E, megjithatë, është një “dosje” e hapur. Njësoj si sot.

Ku ndryshojnë botimi i dosjes së z. Velo më 2018 dhe ai i parashutistëve më 1950? Në format nuk ndryshojnë aspak. Janë dy botime dokumentesh, pa komente, pa metodologji, pa analizë, pa sintezë. Qëllimi i tyre, ndërkohë, është diametralisht i kundërt. Mirëpo, a mund të kuptohet qëllimi i botimit vetvetiu, kur ky nuk është përgatitur për t’i shtjelluar lexuesit se përse ekziston libri?

Botimi i dosjeve të ish të përndjekurve është një mënyrë relative për të rrëfyer torturën personale, presionin psikologjik, vështirësitë ekonomike, vuajtjen shpirtërore dhe, më pas, vuajtjet fizike të tyre gjatë burgimit, internimit apo dëbimit. Mirëpo, informimi me dokumentet e mekanizmit diktatorial në përgjithësi do të ishte shpërdorim po të shihej vetëm si përgjigje ndaj pyetjeve “çfarë ndodhi?” apo “kush e bëri?”. Pikë së pari këto dokumente na japim mundësinë të rikonceptualizojmë natyrën e regjimit represiv dhe rolin që kanë luajtur institucionet dhe individët në ushtrimin e atij regjimi. Më tej, në një kontekst më të gjerë del në pah jo vetëm roli i institucioneve, por roli i individit, qytetarit të thjeshtë, roli i shoqërisë shqiptare në tërësi teksa, ditë pas dite, përkulej ndaj makinerisë së diktaturës. Në të njëjtën kohë, kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të kuptuar pozitën e vullnetshme apo të detyruar të bashkëpunëtorëve të sistemit, shkallën e bashkëpunimit dhe gradën e implikimit me masat ndëshkuese. Më dt. 20 gusht 2018, teksa Autoriteti për Informimin me Dosjet e Sigurimit të Shtetit çeli një ekspozitë me dosjet e të dënuarve në kampin e përqendrimit të Tepelenës [lajmi këtu: https://www.reporter.al/hapja-simbolike-e-dosjeve-te-sigurimit-pritet-me-dyshim-nga-ish-te-perndjekurit-politike/]. Një i moshuar, ish i përndjekur, i pranishëm në ekspozitë, pyet: “Si mund të pretendojmë që fëmijët tanë të mësojnë për të shkuarën tonë përmes dosjeve të Sigurimit, kur në to ka të pavërteta dhe dëshmi të marra nga hetuesia me forcë”?

Ka të drejtë zotëria që ngre pyetjen. Prandaj i kthehem sërish intervistës së botuar tek Maks Velo, jetë paralele, ku gazetarja e pyet z. Velo: “Në një tjetër dokument më poshtë tregohet qartë se Gjergo ju ka denoncuar. […] E gjykon sot Edison Gjergon?” Përgjigjet z. Velo: “Gjergo ishte piktor me të dhëna, por ishte njeri i dobët. Kur u arrestua, u rekrutua […]” (intervista në fq. 240-241, dokumenti në fq. 20). Z. Velo është krejtësisht i lirë të shprehë mendimet e veta lidhur me ish mikun dhe kolegun e tij, dhe për këtë s’i jep hesap askujt. Por nuk vlen e njëjta gjë në kontekstin e botimit të një libri që përmban burime historike. Është detyrë e botuesit të shpjegojë për publikun se cilat arsye e shtyjnë të formulojë “Gjergo ju ka denoncuar”, ku konsiston “denoncimi” dhe të sqarojë, më tej, në cilat kushte është marrë ky “denoncim”. Gjergo nuk u ngrit të shkonte vullnetarisht përpara hetuesit për të dhënë “denoncimin”. Gjergo, në atë kohë, ndodhej i paraburgosur, pas pak kohësh u burgos në Spaç (para z. Velo), dhe pas daljes nga burgu u shua i dehumanizuar për shkak të dënimit dhe mjekimit që mori pas lirimit nga burgu. Rrethanat assesi nuk e përligjin “denoncimin”, por si do të pozicionohemi përpara dëshmive të dhëna prej atyre që ishin të dënuar në kohën kur merrej dëshmia? I njëjtë është rasti i kompozitorit dhe dirigjentit Milto Vako, i cili pyetet për z. Velo, teksa vetë vuan dënimin në kampin e Ballshit (fq. 57). Nëse dikush tjetër, apo përsëri e njëjta gazetare, do të botojë dosjen e Edison Gjergos, ç’pyetje do t’i kishte bërë Gjergos për Velon? Apo, meqenëse përmendet në dokumente, vallë, a nuk do të kishte qenë më drejt sikur gazetarja të kishte pyetur edhe z. Vako se si kishin ndodhur ngjarjet?

Nga dokumentet e dosjes së të ndjekurit informohemi se më 1976 Maks Velos i është bërë demaskimi në Kooperativën e Bashkuar në fshatin Ndroq të Rrethit të Tiranës. Demaskimin nuk e kanë bërë organet e MPB, por organet e Partisë. Procesverbalet e mbledhjes nuk ndodhen në dosjen e ndjekjes, sepse nuk ka arsye të ndodhen aty. Në këtë rast, vetvetiu shpjegohet një pjesë e mekanizmit të sistemit represiv: nuk ishte thjesht MPB dhe gjykatat që ushtronin terrorin, por edhe kanalet e organizimit politik, çdo qelizë e të ashtuquajturit “proletariat”. Për këtë arsye, botimi kritik i këtyre dokumenteve, studimi i krahasuar i përmbajtjes së tyre është mënyra e dobishme e trajtimit, si për studiuesit, edhe për publikun e gjerë, është metoda e vetme për të zbatuar “drejtësinë tranzicionale”, siç u zbatua nga vendet simotra të dala nga diktaturat e ndryshme të Bllokut të Lindjes. Sigurisht, Shqipëria është shumë, shumë vonë me këtë proces. Pasi, “drejtësi tranzicionale” nuk do të thotë përballje me të shkuarën 30 vjet pasi e shkuara ka marrë fund. Pjesë e drejtësisë sociale është edhe ndjesa publike e çdokujt që ka pasur rol në ushtrimin e regjimit diktatorial. Pyet znj. Alda Bardhyli, në intervistën e saj z. Maks Velo: “Çfarë të ka lënduar më shumë kur hape këtë dosje?”. Përgjigjet Velo: “Që kam kaluar një pjesë të jetës sime përkrah këtyre njerëzve. Asnjëri nuk më ka kërkuar falje” (fq. 242). E pra, minimumi i çlirimit nga e shkuara është pajtimi mes njerëzve, falja e kërkuar dhe falja e dhënë.

Ndërkohë, ende nuk ka ndodhur në Shqipëri procesi i lustracionit, veçse në çaste të turbullta politike me qëllim linçimin e kundërshtarit. Ndoshta hetuesit, prokurorët, gjykatësit e Maks Velos nuk janë më profesionalisht aktivë apo ndoshta nuk jetojnë më. Por nuk është aspak e fshehtë se gjatë këtyre 30 viteve kanë hipur shkallët e karrierës në institucionet shtetërore të së drejtës dhe të administratës publike një numër i habitshëm profesionistësh, dikur pjesë e institucioneve të zbatimit të ligjit edhe në periudhën e diktaturës. Funksioni i tyre i dikurshëm nuk nënkupton, domosdo, barrë ligjore, por nga barra morale nuk përjashtohet askush. Ashtu siç nuk përjashtohet kurrsesi cilido prej qytetarëve të sotshëm që nuk ngre zërin për të protestuar ndaj gjykatësve të sotshëm që ishin gjykatës, prokurorë apo hetues 30 vjet të shkuara. Vetëm duke kombinuar këto dy “shpëlarje” do të ishte e mundur të kuptonim ç’ka ndodhur me të vërtetë, por, po aq, dhe çfarë ndodh sot në shoqërinë shqiptare, në të gjitha nivelet. Pasi, pothuaj gjysmë shekulli diktaturë vijon zgjatimin e vet edhe pas çmontimit të sistemit diktatorial. Diktatura nuk mbaroi më 14 mars 1992, për sa kohë elementë të atij mekanizmi vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të qeverisjes apo të drejtësisë.

Libri mbyllet me një intervistë të Alda Bardhylit me subjektin e botimit, Maks Velon. Intervista është ndërtuar mbi dokumentet, ku Bardhyli pyet Velon se ç’mendon për disa prej dokumenteve. Duket qartë në intervistë tendenca e pyetjeve për të grishur të intervistuarin drejt kallëzimit dhe gjykimit të atyre që dikur e kishin kallëzuar dhe gjykuar, duke përmbledhur, shpesh, që në pyetje, përgjigjen e të intervistuarit. Nuk jepet as datë, as vend, as rrethanë, as mënyrë me të cilën është zhvilluar intervista (p. sh., regjistrim, shkrim, këmbim korrespondence elektronike).

Kur leximi mbaron dhe librit i vjen fundi, nuk mund të mos më bëjë përshtypje çmimi (që, në fakt, e kisha harruar): 1.000 L. Një shumë e paguar për një parathënie me natyrë jo historike a metodologjike, por gazetareske, për një intervistë, për bojë dhe letër të lidhur në një vëllim. Këto dokumente lehtësisht mund t’i kërkojë dhe t’i marrë të digitalizuara nga AIDSSh dhe pa pagesë çdo qytetar i botës. Atëherë, ç’dobi ka, në thelb, ky botim, përveç faktit që i vë në dorë çdo të interesuari një pjesë të jetës dhe vuajtjeve të z. Maks Velo? Nuk di ç’të përgjigjem. Ndoshta një botim faksimile i dosjes do të kishte qenë edhe vizualisht argëtues.

Informimi me dokumentet e periudhës së diktaturës në Shqipëri janë hapi i parë drejt vetëndërgjegjësimit kolektiv për të shkuarën tonë si popull. Në këtë pikë, arkivat tradicionale apo AIDSSh dhe publikimi i lëndës arkivore që ato ruajnë kanë rol kyç në ecurinë e procesit. Mirëpo, kjo mjafton vetëm për të kapërcyer nivelin sipërfaqësor të problemit. Në mënyrë që të kuptojmë se ç’na ndodhi, cilët jemi dhe të përcaktojmë drejt orientimin drejt së ardhmes, dokumenti nuk mjafton të jetë thjesht ilustrim teleologjik apo shkak për të provokuar empati, por duhet përdorur metodologjikisht për të faktuar historinë e vendit dhe njerëzve. Gjithmonë, nëse ka ende kuptim dhe dëshirojmë sinqerisht si shoqëri të merremi me diçka të tillë.

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

(*) Autori është arkivist, punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. Është marrë me promovimin e dokumenteve arkivore si dhe me botimin kritik të burimeve parësore.


[i] Gjendet lirshëm në frëngjisht këtu: https://books.openedition.org/enseditions/273?lang=en; kurse në anglisht këtu: http://www.gutenberg.org/ebooks/29637?msg=welcome_stranger;

[ii] Jean Mabillon: De Re Diplomatica, Libri VI, gjendet këtu: https://books.google.al/books?id=DyUrAQAAIAAJ&printsec=frontcover&source=gbs_ge_summary_r&cad=0#v=onepage&q&f=false.

8 Komente

    1. PP…pa parti , TO..teknikè operative (e pèrgjimit); 2/A dhe 2/B niveli pèrndjekjes

  1. shume dakord. Edhe pse Kastriot Dervishi ka bere shume per perpunimin dhe nxjerrjen ne drite te disa dokumenteve, duhet te shprehemi se ky (edhe Gazeta 55, se bashku me ish-gazeten Luftetari, sot Dita) duhet te jete te gjithashtu pergjegjes per kete lloj gazetarie pas viteve 90, ku dokumentet leshohen si qenve pa kurrfare trajtimi shkencor.

    Keto botime shqeto te dosjeve hetimore jane nje kunder-akuze ndaj akuzave te regjimit. E me te drejte autori thote se nuk kane asnje dallim nga librat e Parashutisteve, apo Gjithmone Vigjilente, dhe historiku zyrtar i firmosur nga nje injorant i Sigurimit te Shtetit. (them firmosur, se nuk besoj i shkruar, pasi ti lexosh librin qe ka botuar pas viteve 90 e gjurmon historikun e sigurimit ne kohen e Skenderbeut).

    Nga ana tjeter duhet pergezuar Maksi (cilado motivet), edhe pse do te ishte mire te mos nxitohej per publikimin e t’ja linte kete pune nje personi te trete.

  2. Impenjimi qe kerkon autori eshte impenjim historiani dhe nuk besoj qe ndonje historian do i futet punes per nje individ si Maks Velo, maksimumi do dale dikush qe do i beje ndonje biografi per qejfin e vet. Dosjet e komunizmit duheshin perdorur qe ne 1992 per te perjashtuar me ligj individe te ndryshem nga administrata publike e sigurisht politika. Gjeja nuk u be, dosjet u pane te dobishme per shantazh, u bitis kjo pune. Te kishe dosje kompromentuese ishte kriter perzgjedhjeje, se hyje ne mekanizmin e bindjes nepermjet shantazhit, forma e preferuar se te bindeshe nepermjet perlyerjes ne korruptim apo blerjes direkte ishte/eshte me i kushtueshem. Tashme keto dosje ne shumicen e tyre nuk vlejne letren ku jane shkruar, se letra mund te riciklohet. C’interes historik perben Gjergoja,Lutfiu apo Aqifi, qe nje historian te harxhoje kohen neper arkiva dhe te botoje dicka ? Historite njerezore jane te pafundme, arkivat per individe johistorike i hulumtojne biografet, rendom familjare e pasardhes. Perndryshe dosja e Saliut eshte me interes historik.

  3. Duket qarte qe autori i ketij shkrimi do te nxjerre ne pah njohurite e tij mbi arkivat, qe me gjithe perpjekjen per te bere nje shkrim lene per te deshiruar. Botimi i dosjes se Maks Velos eshte nje veprim kurajoz.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin