Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Letërsi

ARDHMËRIA E LIBRIT

nga Don Kishoti

Historia e librit mund të shkruhet si një histori qëllimesh të shumëllojshme që libri ka arritur në jetën tonë. Nuk jam duke folur për tërësinë e mendimeve dhe dijeve që ka përmbajtur libri historikisht, por për librin si një mjet që arrin disa synime të caktuara brenda një shoqërie, gjatë periudhave të ndryshme historike. Mund të thuhet se libri ka një “telos” të vetin historik: libri ka jetën e tij, zhvillimin e tij të përveçëm në kohë.

Dua të shtroj disa pyetje, pasi pyetjet i japin drejtim dhe udhëzojnë mendimin.[i]

Çfarë qëllimi të përgjithshëm ka pasur libri për rilindësit shqiptarë? Çfarë synimesh ka pasur libri për një lexues të thjeshtë gjatë kohës së komunizmit? Po për njerëzit në pushtet? E çfarë synimesh kryesore ka libri sot në periudhën e internetit dhe kompjuterit? E çfarë synimesh duhet të ketë libri në të ardhmen?

Tërësia e këtyre pyetjeve parakupton pikërisht që libri ka pasur qëllime të ndryshme për njerëz të ndryshëm gjatë periudhave po ashtu të ndryshme. Mund të thuhet në mënyrë përgjithësuese se libri për rilindësit kishte si pikëqëllim kryesor ndërgjegjësimin kombëtar dhe krijimin e pavarësisë. Dhe këtu e kam fjalën për pavarësinë gjuhësore, duke e dalluar shqipen më shumë nga ndikimet e gjuhëve të tjera, pavarësinë kombëtare, duke vënë në pah gjërat që na dallojnë ne nga kombet e tjera dhe pavarësinë shtetërore, duke shprehur nevojën për vetëqeverisje.

Sigurisht që nuk jam duke thënë se për çdo rilindës në çdo sekondë libri kishte qëllimin e krijimit të pavarësisë: nuk do çuditesha nëse një nga rilindësit e mori një libër dhe e lexoi sa për t’u dëfryer. Në këtë mënyrë, mund t’i ndajmë qëllimet e librit, në qëllime të nevojshme dhe qëllime të mundshme. Qëllimi i nevojshëm i librit është qëllimi kryesor që libri duhet të kryejë, pa të cilin libri humb vlerën krejtësisht. Qëllimi i mundshëm i librit është përdorimi i librit për të kryer diçka që libri mund ta kryejë, por që nuk është e domosdoshme. Përdorimi i mundshëm i librit është si të përdorësh tavolinën për t’u ulur, e jo për të shkruar. Dhe kam parë jo pak nxënës që e përdorin tavolinën në mënyrë të tillë.

Për ta ilustruar këtë dallim të qëllimeve të librit nëpërmjet kohës së rilindësve, mund të thuhet se libri si një mjet për t’u gëzuar dhe kënaqur ishte një qëllim i mundshëm, por libri kishte një qëllim të nevojshëm: krijimin e pavarësisë.

Por edhe gjatë një periudhe të caktuar, libri mund të ketë shumë qëllime të nevojshme, në varësi të klasës së cilës dikush i përket. Për shembull, gjatë periudhës së komunizmit nuk mund të thuhet se libri kishte po atë qëllim të nevojshëm për një lexues të thjeshtë siç kishte për dikë lart në pushtet, brenda partisë. Libri në kohën e komunizmit për një lexues jo në pushtet kishte qëllimin kryesor ta largonte atë nga realiteti i përditshëm. Dhe nuk është e rastësishme që letërsia e lashtë greke ishte aq e dashur për lexuesit gjatë periudhës komuniste: letërsia e lashtë greke të jepte mundësinë të zhyteshe në një gjithësi tjetër, me rregulla të tjera dhe me para kuptime të ndryshme.

Po, sot ku jemi? Cila është marrëdhënia e domosdoshme që ne kemi sot me librin? Libri sot ndodhet në një kapërcyell. Qëllimi i domosdoshëm i librit sot nuk është ende i trajtësuar qartësisht. Libri është mes një rrëmuje, një farë ndryshimi thelbësor. Mbase edhe një krize. Por dua të them se kriza e librit sot nuk është aspak e njëjtë me krizën që paraqitet gjerësisht. Mund të lexosh me qindra artikuj sot që vetëshpallin vdekjen e librit: të rinjtë nuk lexojnë më, interneti do e bëjë librin të panevojshëm, kompjuteri im ka miliona libra ndërsa biblioteka jote ka vetëm tetëdhjetë libra, libri vret pemë, etj. Të gjitha këto paralajmërime janë boshe pasi ato nuk vetëshpallin asgjë. Dua të them se libri ka vdekur, por jo në mënyrën që paraqitet nëpër revista apo intervista.

Libri sot ka vdekur pasi qëllimi i tij i domosdoshëm si përçuesi kryesor i dijeve ka përfunduar. Kompjuteri dhe interneti është mjet më i lehtë, më i shpejtë, më i dobishëm, më zbavitës për ta kryer qëllimin e përcjelljes së dijes. Nëpërmjet internetit, dijen që ndodhet në librin Principia Mathematica mund ta dërgoj për dy sekonda diku në një kontinent tjetër. Hulumtimi është më i lehtë nëpërmjet kompjuterit se sa librit: mund të kërkosh fjalët që do brenda librit menjëherë, nuk duhet të shkoj në bibliotekën e universitetit për ta gjetur librin, përcjellja e dijes në mënyrë interaktive në kompjuter dhe internet është shumë herë më zbavitëse se sa leximi i një libri të palëvizshëm. Mund të vazhdoj pafundësisht duke dhënë shembuj se si kompjuteri dhe interneti janë mjet më i vlefshëm si përcjellës i dijes se sa libri. Mendoj se libri vdiq pikërisht kur enciklopeditë e shumëvëllimshme u hoqën nga bibliotekat.

Nuk duhet asnjëherë të harrojmë se qëllimi kryesor i librit që nga koha kur u krijua ka qenë gati gjithmonë përcjellja e së Vërtetës. Libri në trajtën që e përdorim ne sot lindi për të përcjellë fjalët e Zotit. Bibla ishte tmerrësisht shumë e vështirë për t’u lexuar nëpër qindra dorëshkrime mbledhur rrotull, prandaj dhe kemi këtë libërlidhje që kemi sot. Por, jo vetëm libërlidhjen bashkëkohore, por edhe shtypshkrimin e librit e kemi dhuratë nga feja. Shtypshkrimi i gjerë i librit filloi si pasojë e nevojës që Martin Luteri shikonte në përcjelljen e fjalëve të Zotit tek çdo familje. Sigurisht, libri nuk ka pasur vetëm synim fetar, por edhe shkencor. Shkencëtarët për mijëra vjet kanë shpërndarë dijen dhe të vërtetën nëpërmjet librit. Mijëra bashkëbisedime shkencore kanë ndodhur brenda librave. Libri ka qenë një mjet thelbësor në zhvillimin si të shkencës, po ashtu edhe të fesë.

Tani duhet të shtrohen pyetjet: Nëse qëllimi kryesor i librit si përçues i dijes ka vdekur, çfarë qëllimi do të ketë libri nesër? A do mund të ketë libri ndonjë qëllim tjetër? Apo kjo vdekje që e ka kapluar sot librin do e fundosi atë përjetësisht? Këtu jam pak më shpresëplotë. Mendoj se vdekja që ka kapluar librin sot është një vdekje e përkohshme dhe e nevojshme. Besoj se libri do të ringjallet. Nuk jam si komshiu im: ai i ka hedhur librat e tij.

Po e përsëris edhe një herë: libri është në një kapërcyell, në një kalim nga një qëllim thelbësor në një qëllim tjetër thelbësor. Parashikimi im është se e ardhmja e librit është libri si një vepër arti, libri si një vepër e punuar me kujdes dhe vëmendje, libri si një bashkim i imazhit dhe fjalës. Libri nuk do udhëhiqet më nga e Vërteta, por nga e Bukura. Dizajni dhe ilustrimi i librit do jenë kyç. Cilësia e letrës gjithashtu, në mënyrë që t’i shfletosh faqet plot ëndje. Kjo ndihet tashmë: shohim një rigjallërim të punishteve për libraqepjen, më shumë vëmendje për dizajnin dhe ilustrimin e librit nga shtëpitë botuese. Në Kanada, për shembull, ka disa shtëpi botuese që botojnë vetëm libra të bukur: Aliquando Press, Barbarian Press, Greyweathers Press, Porqupine’s Quill, etj. Siç e kanë thënë edhe shumë filozofë të historisë: zhvillimi i mëtejshëm përherë përmban rikthim tek e kaluara. Edhe ky zhvillim i ri i librit, mund të shikohet si një rikthim i librit në kohën mesjetare, ku njerëzit kishin shumë pak libra. Por ato pak libra që kishin të ngjallnin ndjenja hyjnore nëpërmjet ilustrimeve dhe kujdesit me të cilin punoheshin. Ky është parashikimi im: shtëpitë botuese në të ardhmen do t’i ngjasojnë manastireve.

 

(Ëndrra e Maces nga Pablo Neruda. Shtëpia botuese Aliquando. Vetëm 30 kopje të këtij libri janë botuar. Libri është dizajnuar, printuar me “letter press printing” dhe lidhur me qepje nga William Rueter. Ilustrimet me gdhendje druri nga Maria Hofker-Rueter.)

 

(Perikliu nga Shejkspiri. Botuar nga shtëpia botuese Barbarian në 2011. Shtypshkrimi me “letter press” e i lidhur me qepje nga Jan Elsted dhe Crispin Elsted. Ilustruar me gdhendje druri nga Simon Brett. Ky libër fitoi vendin e parë në 2011 në konkursin e librit më të përkryer të organizuar nga Alcuin Society në Kanada.)

 

(Shkëputur nga ilustrimi me stilolaps i tregimeve të vëllezërve Grimm nga Maurice Sendak. Tregimi “Goblinët”. Botuar në 1973 në New York nga Farrar, Straus and Giroux.)

Tani dua të kthehem brenda kontekstit shqiptar. Shtëpitë botuese jo vetëm që nuk janë kthyer në manastire ku rritet dhe gjelbërohet e Bukura, por do shkoja aq larg sa të thoja se shumica e tyre janë kthyer në çerdhe hajdutësh. Shkrimtarët e shkretë duhet të paguajnë mesatarisht rreth një qind mijë lekë të reja për të botuar librat e tyre. Shtëpitë botuese zhgrapin lekët e shkrimtarëve dhe botojnë libra pa kujdesin më të vogël: pa redaktim, pa dizajn të brendshëm, me letër të papërshtatshme  dhe me ilustrime të që të kallin frikë e drithërimë. Më pas janë pikërisht drejtuesit e shtëpive botuese që dalin nëpër media si heronj të kulturës, kur në të vërtetë janë pikërisht ata që po e varrosin atë. Asnjë mbështetje për shkrimtarët shqiptar. Si përfundim, vetëm shkrimtarët e kamur botohen. Shumë nga këta shkrimtarët e kamur janë të lidhur ngushtë me ndërmarrjet më të mëdha korruptive në vend: partitë politike.

Njerëzit që punojnë nëpër shtëpi botuese janë të drejtuar nga Fitimi, jo nga e Vërteta dhe e Bukura. Prandaj dhe botojnë ose njerëz të kamur ose “njerëz me emër”. “Njerëzit me emër” shiten. Të botosh “njerëzit me emër” është e thjeshtë. Nuk kërkon asnjë mund. Të botosh shkrimtarët që nuk njihen, të zbulosh, ndihmosh dhe mbështesësh shkrimtarët e rinj: kjo kërkon punë, flijim dhe dashuri. Të tillë shtëpi botuese nuk kemi. Kemi shtëpi botuese që ngjiten pas partive politike për të marr përfitime duke botuar libra shkollor. Këtë e kemi.

Pastaj, dalin ata që ankohen se librat nuk po lexohen, librat nuk po blihen, libra të mirë nuk po shkruhen. E vërteta është që shkrimtarët e njëmend janë të fshehur dhe do dalin në pah pasi të vdesin, pasi ky sistem i përçudnon dhe i shtyp në zhgënjim dhe heshtje.

Pavarësisht humbjeve, pavarësisht zhgënjimeve, pavarësisht bjerrjes së shpresës, dëshira për të luftuar dhe ndryshuar nuk duhet të zbehet asnjëherë. Shpresa e njëmend lind pikërisht kur përballesh sy më sy me Vdekjen. Jo kur mundohesh ta anashkalosh.

Prandaj dhe dua të hedh farat për një të ardhme më të ndritur. Në fakt ajo që na duhet, nuk është lindim një traditë nga asgjëja, por të rilindim një traditë që tashmë ka humbur. E vërteta është se Shqipëria ka pasur një sërë lustruesish të shkëlqyer gjatë periudhës së komunizmit, si Safo Marko, Musa Qarra, Artur Muharremi, Hiqmet Agolli, Gëzim Tafa, Ilir Pojani apo Gazmend Leka. Safo Marko dhe Musa Qarra kanë ilustrime jashtëmase shumë mbresëlënëse të ballinave. Ilir Pojani ka ilustrime të shkëlqyera të botuara tek revista Hosteni. Ndërkohë, Gazmend Leka ka ilustruar tërësisht librin më të bukur të botuar ndonjëherë në shqip: Tregime të Moçme Shqiptare, ritreguar nga Mitrush Kuteli. Sërish, ideja ime nuk është të shkojmë e të kopjojmë tani Safo Markon dhe Gazmend Lekën, por ilustrimet e tyre mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të ilustrimit, pas një periudhe të zymtë dhe dëshpëruese të pas 90s.

 

(Ballina ilustruar nga Safo Marko. Skandalet e Kloshmerlit nga Gabriel Shëvalie. Përkthyer nga Klio Evangjeli. Botim i vitit 1974.)

 

(Kopertina ilustruar nga Safo Marko. Frymë të Vdekura nga Nikollai Gogol. Përkthyer nga Mitrush Kuteli. Botimi i vitit 1974).

 

(Koperina ilustruar nga Musa Qarri. Foma Gordejev nga Maksim Gorki. Përkthyer nga Petro Zheji. Botim i vitit 1973.)

 

(Kopertina ilustruar nga Musa Qarri. Ja Vdekja, Ja Liri nga Niko Kazanzaqi. Përkthyer nga Enver Fico. Botimi i vitit 1973.)

(Shkëputur nga libri Qypi me Florinj i Ndoc Paplekës. Ilustruar nga Artur Muharremi. Botim i vitit 1990.)

(Shkëputur nga libri Zotërinjtë Gollovliovë nga Mihail Saltykov-Sedrin. Ilustruar nga Hiqmet Agolli. Përkthyr nga Mitrush Kuteli.)

 

(Shkëputur nga libri Erdhi ditë e Arbrit nga Odhise Grillo. Ilustruar nga Gëzim Tafa. Botim i vitit 1988.)

(Ilustrim nga Ilir Pojani kushtuar zyrtarëve që i kanë humbur lidhjet me njerëzit. Marr nga kopertina e revistës Hosteni, botimi 12 shkurt, 1985.)

(Diplomatët e superfuqive nisen për mision paqe. Ilustrim nga Ilir Pojani për revistën Hosteni, botuar në 12 Mars, 1985.)

 

(Shkëputur nga libri Tregime të Moçme Shqiptare i Mitrush Kutelit. Ilustruar nga Gazmend Leka. 1986).

(Shkëputur nga libri Tregime të Moçme Shqiptare i Mitrush Kutelit. Ilustruar nga Gazmend Leka. 1986).

(Shkëputur nga libri Tregime të Moçme Shqiptare i Mitrush Kutelit. Ilustruar nga Gazmend Leka. 1986).

 

(Shkëputur nga libri Tregime të Moçme Shqiptare i Mitrush Kutelit. Ilustruar nga Gazmend Leka. 1986).

Është një gjë të thuhet se librave mund t’i rikthehet hijeshmëria e dikurshme e ilustrimit dhe një gjë tjetër fare ta kryesh atë. Si mundet që ne ta rikthejmë këtë traditë të ilustrimit të librit? E para, mendoj se duhet të ketë më shumë bashkëpunime midis shtëpive botuese dhe studentëve të grafikës dhe arteve të bukura. Studentët mund të kryejnë ilustrime librash si punime përfundimtare universitare. Ilustrimi i librit mund të jetë lëndë me zgjedhje nëpër universitete. Kjo do të bëjë që të kemi më shumë njerëz të specializuar në ilustrim. Më vonë, këta njerëz mund të punësohen me orë të përkohshme ose të plota nga shtëpi botuese apo shkrimtar për të ilustruar libra. Ndërkohë, Ministria e Kulturës duhet të nxisë dhe mbështesë botimin e librave të shkruar dhe ilustruar nga njerëz vendas. Dostojevski dhe Dantja nuk kanë nevojë për mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, për këtë gjë jam i sigurt. Mund të organizohet edhe një konkurs për librin më të arrirë të vitit, nga pikëpamja e librit si vepër arti: ku vlerësohet sjellja e librit dhe jo përmbajtja (kopertina, lidhja e librit, ilustrimet e brendshme, etj.).

Dikush mund të thotë se këto që thashë më sipër për sa i përket mbështetjes së librit mund të jenë ëndrra e një të marrosuri. Mbase. Por dëshira nxit veprimin. Edhe nëse këto që kam thënë nuk kanë për t’u plotësuar ndonjëherë, është më mirë të vdesësh si Don Kishoti se sa të jetosh si Sanço Pança.

(c) 2018, autori.


[i] Në sprovën “Pyetja kushtuar teknologjisë”, Heidegger e fillon shkrimin pikërisht duke nënvizuar se pyetjet nuk janë të pafajshme: ato përmbajnë parakuptime të cilat drejtojnë vetë rrjedhën e bisedës apo mendimit.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin