Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

GJAK BRENDA GJAKUT

Në librin e tij me kujtime Eight hours from England (Heinemann, London 1945), Anthony Quayle – oficer i SOE dhe liaison me forcat partizane në zonën e Vlorës dhe të Bregut gjatë Luftës II Botërore – tregon si e vranë një Ismail Karapici[1], ish-student i Akademisë Ushtarake të Artilerisë dhe të Xhenios në Torino dhe ish i dënuar në Italinë fashiste, si i përzier në përgatitjen e një atentati kundër Mussolini-t, dhe që, i liruar nga forcat aleate në fund të vitit 1943, ishte rekrutuar si agjent i OSS-së dhe kishte kërkuar vetë që të shërbente në Shqipërinë ende të pushtuar prej nazistëve. Quayle-i e pat njohur Karapicin si “anëtar të partisë komuniste” (nuk kuptohet se cilës, por me siguri jo PKSH-së) dhe aset të aleatëve në zonë: “është trim si luan”, u pat shprehur një prej kolegëve të tij. Karapici kish nënën dhe një motër në Vlorë, por nuk i kish takuar dot edhe pasi ish kthyer në Shqipëri me amerikanët, nga frika se mos dekonspirohej. “Kam jetuar në një dhomë përballë shtëpisë së tyre,” i tha ai Quayle-it, “i kam parë të hynin dhe të dilnin, por nuk u kam folur.”

Në 15 shkurt të vitit 1944, Karapici u largua nga baza e aleatëve në Sea View (në Karaburun, nga ana e Jonit) pasi kish marrë në dorëzim 30 florinj (gold sovereigns) për të blerë një makinë, që i duhej për punët e veta operative. Po atë ditë në mbrëmje, shoqëruesi i tij, Mysli Kali (Misli ia shkruan emrin Quayle) u kthye në Dukat, për të dhënë lajmin se Karapicin e patën vrarë dy të panjohur. Mysliun “e arrestuan” menjëherë – me kanun, roja e dikujt që e vrasin, e ka humbur nderin dhe “është detyrë e familjes së viktimës që ta vrasë edhe atë.” Karapicit ia gjetën trupin pas dy ditësh – të goditur tri herë me plumb dhe shumë herë të tjera me thikë. Një nga plumbat i kish shkuar tejpërtej pëllëmbës së dorës – ndoshta ngaqë ish përpjekur t’ia shtynte tutje tytën e armës vrasësit.

Kur Hodoja, një nga dukatasit që po ua tregonte këtë histori anglezëve, mori vesh që Karapici kish pasur florinj me vete, menjëherë shpërtheu: “Prandaj e paskan vrarë!” Vallë do ta vriste shoqëruesi i vet i besuar për aq pak florinj, pyeti njëri prej anglezëve. “Për tridhjetë florinj”, tha Hodoja, “një varfanjak si Mysliu do të vriste gjyshen e vet.” Dhe pastaj vazhdoi: “Ai [Mysliu] e dinte që Karapici nuk kish familje, që t’ia merrte hakun; dhe do ta kish vrarë Ismailin edhe për pesë, madje për tre florinj vetëm.”[2]

Ndërkohë fshati mori vendim që ta dënonte Mysliun me vdekje për pabesi, por vendimi u anulua sakaq, përkundrejt presionit nga një dërgatë prej tridhjetë burrash, kushërinj e të afërm të Mysliun, që shpjeguan se, edhe një fije floku sikur t’i prekej njeriut të tyre, do të lajmëronin gjermanët në Vlorë për të dhënat e të marrat e Dukatit me bazën aleate. Prandaj edhe Mysliun e liruan dhe e lanë të kthehej në shtëpinë e vet.[3]

Kjo është historia që tregon Quayle,[4] dhe që m’u kujtua këto ditë, kur lajmi për vrasjen e 8 vetëve nga një Ritvan Zykaj në Resulaj të Vlorës pushtoi titujt e mediave shqip anembanë – dhe jo për ndonjë arsye të veçantë, por vetëm ngaqë mendova se sa pak “kushton” akoma jeta e njeriut në Shqipëri. Dhe menjëherë solla në mend për ca fjalë të Asdrenit më se një shekull më parë, kur udhëtoi në Shqipëri në vitin 1903 dhe iu deshën dy ditë për të shkuar nga Durrësi në Tiranë (një dreq e di se ç’kërkonte Asdreni në Tiranë në 1903). Shkruan Asdreni:

Këtu jeta e njeriut ka aqe fort të pakë vlerë, sa në ngjet që udhëtari të shpëtojë gjallë, kjo i detyrohet më tepër atij që i gjun, se nuk do që të prishë një plumb për një njeri.[5]

Kostoja e municionit: ja një deterrent për vrasjet që sot vështirë se mund të funksionojë dot!

Për tridhjetë florinj, pat thënë ai dukatasi, një varfanjak si Mysliu do të kish vrarë edhe të gjyshen. Pavarësisht nga kush patën qenë autorët e vërtetë të krimit, mua më mjafton – për argumentin – fakti që një vendës, po t’i besojmë Quayle-it dhe nuk kemi arsye pse të mos i besojmë – e konsideron vjedhjen e një sasie relativisht të vogël florinjsh si motiv të mjaftueshëm për vrasje. Duke shtuar pastaj se Karapici nuk kish familje që t’i dilte zot dhe t’ia merrte gjakun – çfarë lë gjithashtu të kuptohet se frika nga gjakmarrja ishte i vetmi deterrent funksional[6], në një Shqipëri që Lufta II Botërore e kish katandisur në truall dhe e kish kthyer mbrapsht në histori, edhe më mbrapsht se ç’kish qenë në vitet e sundimit osman.

Por nga ana tjetër, dhe kjo meriton gjithashtu vëmendje, Dukati vendos që ta dënojë me vdekje Mysliun: jo aq ngaqë ky mund ta ketë kryer vrasjen, por ngaqë ka dështuar në detyrën si roje: Karapici kish qenë në besën e dukatasve, dhe këta ia kishin transferuar mandatin Mysliut, që e shoqëronte nëpër male. Dhe këtë të dytin duan ta vrasin thjesht ngaqë nuk e mbrojti mikun, por edhe ngaqë bëri gabimin që të mos vdiste edhe ai, së bashku me Karapicin.

Dhe, më në fund, akti i tretë i kësaj drame të maleve: ndryshe nga Karapici, Mysliu ka familje të madhe, një çetë me burra të gatshëm që t’i dalin zot dhe të kërcënojnë jo vetëm Dukatin, por edhe mbijetesën e misionit aleat në Karaburun. Besa është besë, por familja është familje – dhe sa për Karapicin, nuk ia ka kush fajin, që është njeri pa njeri.

Kur Quayle-i e takon për herë të parë (dhe të fundit) Ismailin, e sheh të veshur me uniformë amerikane, me gjithë kambale (gaiters). Kështu sillet ky rrotull nëpër krahinë? – pyet kolegun e vet. Jo, i thotë tjetri, vishet me uniformë vetëm kur vjen të më takojë mua te baza në Sea View. Është marrëzisht krenar për të [uniformën]. E mban te shtëpia e Çelës [Xhelil Çela ose Çelo, kontakti kryesor i aleatëve në Dukat] dhe gjithnjë shkon të ndërrohet para se të kalojë malin… E trishtuar kjo figurë, e atentatorit të Mussolini-t dhe agjentit krenar të amerikanëve, që vjen të luftojë në Shqipëri kundër nazistëve dhe ikën për dhjamë qeni në një rrëzomë, për një qese florinjsh.

Dhe sërish më vjen mendja te Ritvan Zykaj që vrau tetë vetë për motive të dobëta, në fshatin Resulaj – njëlloj si vrasësi i supozuar i Karapicit, Mysliu, edhe ky kish fis të fortë e madh në numër, që mbase do t’i dilnin zot; po të mos ishte që Ritvani e ktheu armën ndaj të vetëve, ose “vrau brenda familjes”, krim që Kanunet si në Veri si në Jug e dënojnë njëlloj shkoqur. Ndokush mbase do t’u ketë hyrë llogarive për të gjetur se me kë ka rënë vrasësi në gjak – aq më tepër që ky duket sikur i la viktimat edhe pa njerëz të afërm që t’u dalin zot.

Krimi i Ritvanit ishte jo i llojit “mass murder”, siç bën ai shoferi i ndërkryer që futet me makinë në trotuar dhe merr ç’t’i dalë përpara; madje vrasësi ish kaq i obsesionuar me familjen e vet, sa jo vetëm vrau ca prej të afërmve, por edhe i filmoi të vdekurit dhe ua dërgoi videon ca të afërmve të tjerë. Jo vetëm e bëri krimin, por edhe ua transmetoi atyre që i mendoi si publik të gjestit të vet. E vështirë kjo ngjarje: konfirmon një gjë që s’kish nevojë për konfirmim: sundimin e familizmit ndër shqiptarët; por gjithë duke konfirmuar edhe krizën e këtij familizmi.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e autorit.

Fotoja në kopertinë: harta e zonës ku vepronte misioni aleat në Sea View dhe pastaj në gjirin e Gramës, sipas librit të Anthony Quayle, Eight Hours from England.


[1] Një diskutim relativisht shterues për figurën e Ismail Karapicit gjendet këtu. Të dhëna të hollësishme për Karapicin, madje shumë më të plota se ato që sjell Quayle, gjenden te Peter Lucas, te The OSS in World War II Albania: Covert Operations and Collaboration with Communist Partisans, McFarlandApr 14, 2017 (edhe Lucas beson që Karapicin e vranë për t’ia marrë florinjtë). Zgjodha të përqendrohem te ato që shkruan Quayle-i, sepse ky e ka njohur Karapicin personalisht dhe ka qenë dëshmitar i ngjarjeve. Gjithsesi, nuk është synimi im të kontribuoj ndonjë gjë të re, në lidhje me misterin që e rrethon këtë figurë.

[2] Në një raport që i ka shkruar qendrës dy ditë pas ngjarjes, Quayle shkruan se “shqiptarët s’e kanë për gjë të të vrasin që të të marrin morrat nga këmisha (murder you for the lice off your shirt).” Burimi këtu.

[3] Sipas një burimi, tensioni mes Dukatit dhe familjes së Kalit u zgjidh me ndërhyrjen e avokat Skënder Muços nga Vlora. Sipas një interviste të Peter Lucas-it me plakun Hodo Qepi, që duhet të jetë i njëjtë me Hodon i përmendur nga Quayle-i, fshatarët në Dukat nuk donin ta ekzekutonin Mysli Kalin, meqë babai i këtij ishte dorë e fortë në fshat. Hodoja gjithashtu shpjegon se për këtë vrasje, komunistët e shpërbyen Mysliun duke e bërë “komandant brigade”; meqë e konsideronin Karapicin si “renegat”. Burimi këtu. Lucas, nga ana e vet, jep një informacion tjetër: sipas tij, Mysli Kalin e arrestuan forcat partizane, por pastaj e lanë të lirë.

[4] Se kush e vrau pikërisht Karapicin, për këtë janë sjellë edhe hipoteza të tjera, përfshi edhe atë që urdhrin për ta vrarë e pat dhënë Enver Hoxha.

[5] Cituar sipas Misha, Piro, Arratisja nga burgjet e historisë, Botimet Toena 2009, f. 30.

[6] Le të mos përjashtojmë edhe mundësinë që fshatarët vendës që jepnin e merrnin me anglezët dhe amerikanët kishin interes që t’ua paraqisnin këtyre situatën në brendatokë si absolutisht të pasigurt dhe me rrezik jete, për t’i mbajtur këta të lidhur pas vetes dhe për të përfituar prej nevojës së këtyre për siguri personale.

31 Komente

  1. te Lucas ka edhe nje episod sesi vrasin nje oficer italian te vetedorezuar per ti marre kepucet. Laberia ka ende njerez te egjer.

    1. Për vrasje individuale, përgjegjësia i mbetet vrasësit, jo gjeografisë; por nëse duam të bëjmë përgjithësime, unë do të nisesha nga kanuni – i bindur se kanuni ka vepruar pikërisht për të ndalur krimin në zona “të egra”, në kuptimin jashtë hapësirës së rendit. Aq më tepër që i kemi dëshmitë nga palë të treta, ose njerëz që janë kuturisur të hyjnë atje; dhe të mos harrojmë se ka pasur edhe zona që nuk i shkelte kush.

      1. Për krahasim midis kanunit dhe judeo-kristianizmit, si dy filozofi që rregullojnë jetën e njeriut (përditshmërinë).

        Ndërsa i pari rregullon “gjakmarrjen”, i dyti e ndalon vrasjen me të gjitha format (“Thou shalt not kill”).

        Në një lloj mënyre vrasja “rregullohet”, pranohet dhe normalizohet në kanun. Si të thuash futet në ciklin e përditshëm të jetës, pavarësisht (apo pikërisht) për shkak të besës dhe mundësisë për gjakmarrje.

        1. Me duket pak i sforcuar krahasimi i bere midis kanunit dhe judeo-krishterimit si filozofi.

          Nuk jane filozofi, kanuni eshte nje kod ligjesh, ndersa judeo krishterimi eshte me teper se filozofi, eshte mendesi, a vizion per boten, i cili ka ndikuar ne hartimin e kodeve te ligjeve.

          Sigurish kanuni si kod ligjesh mbeshtetet ne nje mendesi per te cilen nuk kemi njohuri dokumentare, por duke u nis persembrapi, nga kodi i ligjeve mund te marrim me mend mendesine qe ka krijuar kete kod. Atehere ka vend per krahasim, si krahasim ne te njejten nivel, pra midis dy mendesive.

          Mendesia judeo-krishtere e permban vrasjen si drejtesi hakmarrese “sy per sy e dhemb per dhemb”, e cila i perket mendesise ebraike, te ciles i mbivendoset falja (hiri) e krishtere.

          Po njesoj sipas ligjeve te kanunit eshte gjakmarrja, por eshte edhe falja e gjakut.

          Pra edhe ne format arkaike ndeshet e njejta esence, kjo sepse kodet ligjore dhe librat e shenjte, biles edhe romanet dhe filozofite jane materializime te esences qe ndodhet brenda njeriut, shpirtit njerzor.

          Si perfundim: ne esence nuk ka gje te re nen kete diell (shprehje mendesi hebraike), dmth progresi vlersohet si kontest, dhe ne tekstin arkaik gjen shenja arkaike qe jane me te dukeshme ne tekstin modern.

          Dmth do shkruhet teksti (ose ku dihet eshte shkruajtur, por akoma i panjohur ne rang zyrtar), ku ekzekutohet perfundimisht drejtesia: mos perbuz asgje!

          1. Kjo ka të bëjë, them unë, edhe me tabunë ndaj vrasjes: sa e fortë ka qenë dhe është, dhe cilat rrethana sociale, kulturore etj. e kanë ndihmuar që të zërë rrënjë?

            Kur dikush nuk vret, sepse e pengon frika nga shpagimi (tit for tat), atëherë tabuja nuk vepron – përkundrazi, vepron instinkti i vetëmbrojtjes.

            Duhet një antropolog që ta sqarojë më mirë, por besoj se tabunë ndaj vrasjes, ose shenjtërinë e jetës së tjetrit, nuk e ndan dot nga feja e krishterë.

            Përndryshe Kanuni, siç e tha edhe P. më lart, vetëm sa e kodifikon reagimin për lloje të ndryshme vrasjesh, por nuk është se e “dënon” moralisht vrasjen si të tillë.

            Të thotë se po vrave do të pësosh këtë dhe atë, por nuk të thotë “mos vrit.” Ndoshta sepse Kanuni pritet të veprojë përtej dhe përmbi kodit etik (fetar).

            Po shihja në Kanun edhe që vrasja e një “të huaji” (udhëtari) etj. trajtohet gjithnjë në kontekstin e besës: në kuptimin që një i huaj vjen në vështrim vetëm në atë masë që është në besë të një subjekti të Kanunit.

            Në vetvete, është një non-entity.

            Kjo të çon vetvetiu tek argumenti i hapësirës publike: sepse në trojet ku vepron Kanuni, kjo hapësirë ka qenë e rregulluar ndryshe nga ç’rregullohet sot, njëlloj sikurse statusi i dikujt.

            Nëse ti je banor i viseve ku vepron Kanuni, statusi yt është familja dhe fisi që të dalin ty zot, ose personi që të ka marrë në besë. Kjo lidhet vërtet me mikpritjen (dhe me statusin e të tretit si “mik”) por unë këtu nuk shoh ndonjë virtyt për t’u mburrur (“mikpritja tradicionale…” bla-bla-bla).

            Ty të japin statusin e mikut që të jesh i mbrojtur; por edhe që mikpritësit e tu të mos kenë reperkusione nesër, nëse ty të ndodh gjë kur gjendesh në ato vise.

            Kjo puna e mikut ndoshta ka shërbyer si një lloj vize: unë që të jap vizën për të hyrë këtu, bëhem edhe garant për jetën tënde.

            1. Të thotë se po vrave do të pësosh këtë dhe atë, por nuk të thotë “mos vrit.” Ndoshta sepse Kanuni pritet të veprojë përtej dhe përmbi kodit etik (fetar).

              Nuk më duket se është e qartë se Kanuni nuk ka funksionuar edhe si kod etik, sikurse është përshembull e qartë kjo për kodin penal. E njëjta gjë, por në të kundërt, mund të thuhet edhe për krishtërimin, Për sa kohë feja dhe shteti nuk kanë qënë të ndara, atëherë feja nuk ka vepruar vetëm në rrafshin etik. Feja ka funksionuar edhe si rregullues i përditshmërisë.

              Ndërkohë, nuk më rezulton se feja në shqipëri ka qene ndonjëherë e identifikuar me shtetin. Nëse Kanuni ka vepruar edhe si kod etik, që besoj se po, atëherë mos dënimi i vrasjes është problem i kodit etik aty ku ka vepruar Kanuni, dhe tani nuk vepron më.

            2. Po të kemi parasysh se Kanuni konsiston në një bashkësi thëniesh të urta dhe proverbash, që përcillen gojarisht, atëherë do të pranojmë edhe se gjithnjë e ka një aspekt etik – në kuptimin që një gjë që thuhet në Kanun është “e drejtë” (just), sikurse është “e drejtë” një gjë që bëhet në pajtim me Kanunin. Nga ky parim bazë i të qenit i drejtë (just), rrjedhin edhe kushte dhe kritere për virtyte të tjera sociale, si nderi, burrnia, besa, mbajtja e fjalës, beja, etj. Por sa kohë që krimet trajtohen dhe zgjidhen sipas Kanunit, që është një forcë e jashtme – gjuhësore, komunitare, kolektive – atëherë nuk ka shumë vend për moralin individual, atë vetanalizë që çon në kristalizimin e subjektit dhe refleksionin që lidhet me ndërgjegjen morale. Gjithçka është e rregulluar nga jashtë; dhe atje ku ka mosmarrëveshje, e vendosin pleqtë ose shkoqitësit. Individit i jepet “Kanuni” nëpërmjet ligjërimit (ligjërimi si mishërim i komunitetit, ose i jetës komunitare).

              Tani, përtej Kanunit, ka pasur edhe një moral tjetër edhe më të thjeshtë, që është ai patriarkal dhe që i rregullon marrëdhëniet brenda dhe jashtë familjes në mënyrë të tillë që të sigurojë vijueshmërinë e rendit patriarkal. Ky i dyti nuk është se bie në konflikt me Kanunin, por edhe të njëjtë nuk besoj se janë. Se kam përshtypjen që në Kanun kanë mbijetuar, gjithnjë në trajtë proverbash dhe thëniesh dhe sanksionimesh praktikash gjithfarësh, norma ligjore mesjetare, si ato të Bizantit ose të tjera; por edhe norma të përcjella nëpërmjet Kishës. Por nuk jam në gjendje ta analizoj këtë, sepse duhet ekspertizë.

              Edhe një gjë, në lidhje me statusin e dikujt që nuk është i komunitetit, por që kalon në truallin ku vepronin Kanuni, p.sh. ngaqë çon një porosi ose për ndonjë punë tjetër. Këtë Kanuni e rregullon te neni 88, Udhëtari i paguem, ku thuhet mes të tjerash se ky “asht ndorja e vetvedit dhe po e gjeti gja në rrugë… nuk i pritet mik derguesit.” Por nga ana tjetër, “Po duel udhtari prej shpis qi e dergon a prej shpis së cillës i kje dergue, e po e gjet gja me bukë të tyne, u pritet mik si mbas Kanunit.”

        2. “… por besoj se tabunë ndaj vrasjes, ose shenjtërinë e jetës së tjetrit, nuk e ndan dot nga feja e krishterë.”

          Analiza e Kanunit eshte me pershtashme te behet me fene hebraike qe eshte ne nivelin e ligjit, sepse Krishterimi eshte nivel tjeter. Kjo nuk do te thote qe brenda Hebraizmit nuk ndodhet fara e krishterimit, gje qe desha te them me komentin tim, dhe Krishterimi si plotesim i ligjit, nuk perban ligjin brenda, dmth Hebraizmin.

          Kjo per te thene qe ne Hebraizem eshte thene “sy per sy e dhemb per dhemb”, por eshte thene edhe shqeto ne Dekalog, dmth ne kod ligjor, “mos vrit”. Ky konflikt skizofrenik ka nje logjike te shendetshme, qe “mos vrit” (shenjterimi i jetes, qe del qarte ne Krishterim) eshte finaliteti i historise, ndersa “sy per sy e dhemb per dhemb” eshte shpagimi per fajin, eshte pershkimi i historise si pagese e borxhit qe ka finalitet shelbimin (shenjterimin e jetes).

          Mos kerkoni qe Kanuni t’i thote drejtpersedrejti keto gjera, mungon mendesia qe e ka krijuar, por i thote keto gjera jodrejtperdrejt.

  2. Laberia ka njerez te egjer, por kjo e vrasjes pas kraheve nuk shpjegohet vetem me Laberine. Pak vite me pare revista “Klan” publikoi nje shkrim per Vizhdan Risiline, qe bente raprezalje ne Vlore gjate pushtimit nazist. Vizhdani, nga dere e njohur, ishte i shkolluar, por egersia e tij, ashtu sic tregohet aty kalonte cdo parashikim. Ne shkrim citohet edhe Petro Marko qe flet per “Vloren ne kuje”, pasi thuhej se nga njerezit e Risilise ishin deportuar apo zhdukur 600 njerez. Pa dallim politik. Nese do ta besojme shkrimin e revistes, kemi te bejme jo me nje kolaboracionist, por me nje nazist te thekur, nje idhtar te ideologjise qe zbaton me bindje nje politike pastrimi radikal. Risilia nuk ka ngjashmeri as me Halil Aline, Isa Tosken apo te tjere qe i aviteshin pushtetit te radhes nga te tjera rrethana.

    Por me interesantja: Vizhdanin e vrau ne Rome Hasan Lepenica, qe ne te vertete ishte rritur ne shtepine e tij dhe e kishte si te thuash si baba te dyte. Hasani thuhet se e beri vrasjen per te marre akses te familjaret ne Shqiperi nga pushteti i Enver Hoxhes, pasi ishte larguar gjate Luftes. Pas ketij atentati regjimi i Hoxhes nuk e kurseu vallen e cinizmit: Tradhtari vrau tradhtarin – shkruhej ne nje nga gazetat e kohes.

    Nga kjo pikepamje, Juda eshte tip ekzistent ne cdo rrethane, edhe pse eshte e veshtire ta lidhesh aktin e tij me 30 asprat e famshme. Madje madje, mund te thuhet se ajo qe beri Vizhdani gjate luftes vertet u shpagua me vrasjen e tij, por vrasja ishte kaq e hidhur dhe e pabese, saqe ajo i jep te drejte atij per gjemen qe beri.

    Duke degjuar ngjarjen e Selenices, nje i njohur im qe eshte i apasionuar pas rrezave te fshatrave me tha si me Shaka, se Ritvani eshte patjeter nga Mallakastra, kercikuq, pasi leberit nuk kane gjak per te bere masakra. Te vrasin po, por jo te bejne vrasje te ketilla. Thuhet se ne kohen e Zogut ne Mallkaster porositeshin edhe vrases me pagese nga zona te tjera, por kjo eshte dicka qe mbetet ne kufijte rrefenjave pa ndonje baze te besueshme.

    Edhe si shaka, kjo meriton vemendje si dukuri. Brezi yne e ka memorien e vitit 1997 dhe nuk eshte e rastesishme qe vrasjet me makabre nuk u kryen ne Vlore, por ne zonen e Beratit dhe ne Burrel. Si te thuash, ka nje antropologji sociale kjo qe eshte anashkaluar. Nese mund ta ndihmojme veten ne kete “argument” ja vlen te theksojme se ne Vlore gjate vitit 1997, asnje prej tre drejtuesve te bandave me te njohura nuk ishte lab: Caushi eshte nga Gorrishti, pra jo nga Lumi, Braka(Gaxhai) eshte vllah dhe Kakami ishte cam.

    Brenda vete Laberise ka dallime ne sjellje. Leberit e Vlores ndryshojne nga ata te Kurveleshit ne Gjirokaster qe nuk jane zevzeke, por nuk ta lene mangut koburen po ua solle ne maje te hundes(Sokol Bizhga qe ka qene shef krimesh ne Vlore ne vitet 1992-1997 dhe qe ishte bere “hasem” me te gjithe eshte nga Kaparjeli), nderkohe qe leberit e Kurveleshit te Tepelenes kane te tjera karakteristika te cilat i bejne te larget me dy te paret. Keto dallime i gjen te mirepershkruara edhe ne Veri – edhe mes katolikeve te Mirdites dhe atyre te Shkodres apo Pukes mund te veresh dallime – por edhe ne zonen e Shqiperise se Mesme. Kjo e fundit ndahet si me thike: ose jane “te urte” sic e pershkruajne veten, ose jane te kobures deri ne fund.

    Nje legjende e brendshme thote se zona e Tomorrices eshte e mbushur me “psikopate”(kemi parasysh kokekrisur, apo ata “qe s’jane mire nga mendja”) edhe pse ne Skrapar per trima mbahet Backa. Po te referojme kroniken e zeze te ketyre viteve, Devolli del nje tjeter rajon ku shfaqen simptoma “psikopatie”, nderkohe qe Pogradeci i qete, ka disa nga vrasjet me te pahetueshme.

    Keto jane ceshtje qe lidhen me traditen, rrethanat, prirjet, por gjejne vend si “legjenda” edhe nga zhurma mediatike. Perndryshe ato pergenjeshtrojne edhe disa vezhgime te hershme te te huajve. P.sh Pukevili flet per Dragotin e Tepelenes, nje fshat trimash sic e quan ai(nuk eshte ne Laberi), por per te cilin ka deklada qe nuk degjohet ndonje zullum. Thanas Vaja ishte ortodoks Permeti, dicka jashte pritmerive per trimerine nese do ecim me gjykimin e sotshem per permetaret.

    Tema eshte shume interesante ne vetvete, por do te duhej nje hulumtim me vete qe nuk eshte i lehte per t’u bere pasi nje fill i holle te ndan nga pergjithesimet stigmatizuese qe mandej cojne ne paragjykime te padrejta.

    1. shume e drejte, vec kesaj duhet marre parasysh se nje pjese e ketyre rrefimeve vijne nga koha e luftes, kur robi percudnohet dhe i lejon vetes ca me shume se ne kohe paqe

  3. Nuk mu duk se shkrimi i A. Vehbiut beri ndonje kapercim nga ngjarjet e Vlores tek ato te veriut. As ndonje paralele midis vrasjes dhe hakmarrjes labe me vrasjet dhe hakmarrjet e malesoreve te veriut,
    Pra , kalimi nga ngjarja e Vlores tek kodet e gjakut ne Kanun (ne komentet ne vijim te shkrimit) duket se hapen nje teme tjeter. Ndersa perzjerja ne krahasime e Kanunit, judeo-krishterimit(?), hebraizmit, krishterimit …etj, shpresoj te qartesohet ne vijim nga krahasuesit, sepse me duket si e lene ne mes, si e ngaterruar, e paqarte.
    Mu duk diku sikur pati nje barazim midis Kanunit dhe Ligjit (te Moisiut). Nese vertet kush e permendi nje gje te tille kishte parasysh pikerisht kete barazim dhe me kete rast ka dashur (sigurisht pa e pohuar direkt) te tregoje se Kanuni eshte nje aderence e Ligjit hebraik, atehere ketu ka vend per diskutim. Them se Psikopati ka edhe me per te thene. Jam kurioz te ndjek shtjellime te metejshme te tij ne lidhje me ceshtjen ne fjale.

    1. Në fakt unë kisha parasysh që edhe versioni i sjellë për vrasjen e Karapicit edhe mënyra si u trajtua nga komuniteti personi i dyshuar për vrasjen nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit të ligjit zakonor – ka pasur edhe Kanun të Labërisë, meqë ra fjala.

  4. E prisja qe te sillej si shembull Kanuni i Laberise, por as qe me shkonte mendja qe shembulli mund te vinte nga ju Ardian. Kanuni i Laberise eshte nje sajese e pas viteve 90. Kurre s’eshte folur me pare per te . Une vete jam lab nga babai, madje kam lindur ne Vlore, por kurre nuk kam degjuar te flitet per Kanun Laberie. Ndersa nga ana e mamase, e cila eshte(ishte se s’eshte me) nga Mirdita, qe ne femijeri kam degjuar per Kanunin dhe jo pak nene te tij i kam degjuar qe i vogel.
    Tani, ti Ardian je studiues shume i vemendeshem, qemtues i holle madje dhe une nuk dua ta besoj qe ti (nese e ke lexuar) do ta konsideroje kanun Kanunin e Laberise.
    Ai qe ka marre persiper ta sajoje ate kanun pas viteve 90, mesiguri e ka bere per kunderpeshe te tipit – kanun maloket, po pse vetem ata, kemi dhe ne kanun. Dhe keshtu ka nisu dhe pa mbushur as tre faqe e ka bitisur. Pra s’ka thene asgje…

    1. aleksi, e ke gabim. Ai qe konsiderohet si Kanuni i Laberise, jane “Shartet e Idriz Sulit”.

      1. Imdat, me jep nje link , te lute, ku te lexoj tekstin integral te ” Shart-eve te Idriz Sulit” , por nese eshte e mundur edhe ndonje shpjegim per ndryshimin e titullit nga Kanun ne Sharte; sikur te me rendisje edhe ndryshime te tjera ne brendesi misis te dyjave…

        1. Aleks, fjala “kanun” është term ombrellë për kodin zakonor, i cili – kot ta theksoj – në shoqëritë analfabete përcillet në formë proverbash, thëniesh, aforizmash dhe “cases”. Libri që marrim në dorë, kur duam të konsultojmë “Kanunin e Lekë Dukagjinit” është i Shtjefën Gjeçovit, i cili e ka sistemuar materialin gojor që ka mbledhur në terren. Por edhe sikur të mos e kish bërë këtë punë Gjeçovi, Kanuni i Lekës njëlloj do të kish ekzistuar. Në kuptimin që, kur ti bisedon me dikë dhe ai të thotë se “kanuni e ka kështu ose ashtu”, nuk është se po i referohet ndonjë kanuni të shkruar, por vetëm një impresioni të kanunit në kompetencën e tij orale. Për të njëjtën arsye, ti e përdor lirisht proverbën “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, edhe pse nuk je në gjendje ta provosh, aty për aty, që kjo ekziston si proverbë dhe as të tregosh se nga e ke dëgjuar për herë të parë. Në rast mosmarrëveshjesh, ka “pleq” që merren me shkoqitjen e çështjeve, dhe që e njohin kanunin më mirë se të tjerët; por edhe këta nuk është se i referohen ndonjë teksti të shkruar (dhe as duhet t’i referohen). Përndryshe, ai bariu në majë të malit që e ka të qartë se çfarë thotë kanuni për një çështje të caktuar, nuk mund ta arsyetojë se nga i vjen kjo dije; njëlloj sikurse ndodh kur e ndërton mirë të pakryerën dhe të kryerën e thjeshtë të një foljeje të shqipes, pa e pasë mësuar gjëkundi gramatikën në shkollë.

    2. Nga Fjalori i Elsie-t:

      Ka edhe literaturë që i paraprin Ismet Elezit.

      Çabej para Luftës II:

      Thuhet se para afërsisht një shekulli u patën bashkuar dy të parë nga të Labërisë, Idris Sulli nga Zhulati dhe Demir Dosti prej Kardhiqi për të reformuar kanunin e vjetër, posaçërisht për të rregulluar rishtas çështjen e rrëmbimit të moçëm dhe të zbimit të gruas.

      Mbledhjen e këtij varianti e ka bërë Rrok Zojzi.

      Eqrem Vlora ka shkruar në 1957 për këtë kanun te revista “Shejzat”:

      http://adsh.unishk.edu.al/items/show/364

      1. Ardian, te falenderoj per linkun. E lexova me vemendje shkrimin e Eqerem Bej Vlores.Shume interesant. Variantin e Rrok Zojsit e kerkoj e kerkoj por se gjej dot. Nese me ndihmon per kete , perseri do te te falenderoj.
        Papazhuli , trajtohet si figure mitologjike, si legjende popullore.
        Po kush tha se ne periudhen bizantine nuk ka pasur rregulla dhe ligje qe mund te jene quajtur Kanun, Kanon apo dhe ndryshe. Edhe ne periudhen pas Robert Guiskardit , kur Bizanti e humbi fuqine si shtet , rregullat sigurisht qe kane vazhdur te rregullojne mardheniet ndershoqerore . Shoqeri pa rregulla, pa doke e zakone kurre s’ka pasur. Puna eshte se qe ngfa koha kur permend Cabeji e deri ne luften e dyte boterore kanuni si nje teresi e plote rregullash, ligjesh, nuk mbahet mend nder banoret e laberise. As Cabej e as Eqeremi Vlora nuk e pohojne kete; dhe s’ka sesi ta pohojne kete, sepse ne kohen kur jetuan ata ky kanun i laberise nuk ka qene funksional, ndaj dhe ata futen thelle ne histori per t’ja gjetur fillin ku qe shkeputur.
        Brezi jone vetem pas viteve 90 degji te flitej per kete kanun. Nuk besoj se do te kete qene e rrezikshme politikisht te permendej gjate viteve te komunizmit, aq me teper qe dhe Rrok Zojsi qenka marre zyrtarisht me kete. Them se duhet ta kene urdheruar; megjithate jam kurioz deri sa ta lexoj cfare ka lene Zojsi.

        1. Ardian, jam dakort me shpjegimin “fjala kanun eshte ombrele etj etj” tani e lexova …pune compiuteri..

  5. Kacakeria ka qene, historikisht, me shume e perhapur ne Jug te Shqiperise. Kjo, natyrisht, qe s’ka te beje me arsye gjeografike ne vetvete, por me mungesen e prezences se forte te Kanunit, te pakten ashtu sic ishte ne Veri.
    Eshte kjo arsyeja, besoj, edhe e Sharteve te Idriz Sulit, qe i perkasin fundit te shekullit te tetembedhjete. Ali Pashes i’u njoh si merite nga Porta e Larte, pikkerisht zgjidhja e ketij problemi tejet shqetesues. Nderkohe, qe nje problematike e tille, te pakten ne kete permase, nuk njihet ne pashallakun e Shkodres, bie fjala.
    Une mendoj qe kjo ka lidhje me Kanunin.
    Ne vitin 1992 ndodhi nje masaker ne Libofshe te fierit. Sipas raportit te policise, dy vellezerit qe kishin bere masakren, edhe i kishin torturuar per nje ore disa nga viktimat.
    Ne vitin 1997 pati shume vrasje te lemerishme ne Jug te Shqiperise.Edhe masakra perfshire. Perjashto disa raste te rralla, te motivuara politikish, shumica derrmuese e tyre ishin per arsye te rendomta kriminale. Nderkaq, ne Veri, edhe pse u hapen edhe atje depot, vrasjet ishin shume te rralla.
    Nje pjese e krimeve te bera ne disa qytete te Jugut, si ne Fier, Berat, Vlore por (per habine time) edhe ne Korce madje, ishin me te vertete te frikshme. Ishin tmerre qe beheshin pa ndjenjen e tmerrit. Njerez te djegur te gjalle; te lidhur pas maskines, dhe te terhequr mes per mes qytetit, ashtu duke u djegur, ne agoni; koka te prera ( kjo ka ndodhur ne Lushnje) te cilat gjuheshin si topa foutbolli…
    Po te veresh me vemendje, edhe vrasja me e rendomte qe eshte bere ne zonen kanunore ( ne Veri), eshte bere, megjithate, me ndjesine e tmerrit te perjetuar nga te dy palet, por edhe nga komuniteti.
    Kurse, krime te tilla te lemerishme, sic kane ndodhur ne qytetet qe permenda me lart, sidomos ne 1997, as qe behet fjale. Dhe, kjo, jam i sigurte per kete, per shkak te Kanunit.
    Nje detaj: ne veri, Kanuni ka prezence te forte ne zonat katolike me shume. Ne zonat myslimane, jo edhe aq;ose aspak. Megjithate, prezenca e tij ne keto zona, ne psiken kolektive, ka po aq peshe; te pakten, aq sa te mos arrihet deri te kryerja e krimeve te llojit “tmerr pa ndjesine e tmerrit”.
    Per t’i rene shume shkurt: si ne Jug dhe ne Veri, shqiptaret jane njesoj sa i perket respektit te normave dhe rregullave moderne te shtetit; pra jane shume mbrapa ne kete aspekt; por, nese ne Veri, kjo problematike me shtetin, kompensohet ne njefare menyre nga Kanuni a hija e rende e tij ne psiken kolektive (kompensim ky, qe te pakten pengon te behen krime te tmerrshme) – ne Jug, perkundrazi, duke pasur te njejten problematike, por edhe mungesen e Kanunit, ka bere te mundur qe te behen krime te tilla te tmerrshme pa ndjesine e tmerrit.
    (P.S: keto jane vetem disa konstatime modeste; nuk kane te bejne aspak me ndjesi gjeografike, krahinore, fetare)

    1. Imdat, jo keq; konstatimet i ke te sakta. sikur te t’kishte rene ne dore edhe libri me i fundit i Baron Nopca-s, do te kishe gjetur aty edhe shpjegime fare te sakta se perse shqiparet ( e veriut) vrasin por nuk gjymtojne ne ndryshim nga popujt e tjere qe aplikonin: cungimin e gjymtyreve per vjedhje; prerjen e hundes se gruas per tradheti bashkeshortore; prerjen e kokes se kundershtarit te mundur,pra pasi e kane vrare; dhunen psikologjike te komunitetit duke e thirrur me dhune per te marre pjese ne ekzekutimin e te denuarit ; dhe shume e shume makabritete, te cilat kanuni i veriut nuk i ka lejuar te depertojne brenda tij, pra geget i kane quajtur cnjerezore… Po te shtojme ketu dhe kapitullin e famshem se cilat jane detyrimet kanunore per martesen, qe s’i gjen askund perreth, por vetem tek popujt gjermanik, atehere do te kuptosh edhe pse Guiskardi i tha Papadhulit, prit pak se kemi pune edhe me ca zakone pak si te ndyra qe s’na pelqejne ( e kishte fjalen per endogamine, qe mazallah se tundet ndonje studiues a historian ta marre ne shqyrtim; pra ceshtja e madhe e konsanguinitetit qe erdhi si molepse nga pjesa aziatike e perandorise dhe po behej norme edhe per perendimin e saj…) sepse po shkonte puna deri aty sa ne ceshtje te martetses po zbatohej me teper Talmudi se Bibla. Kurse tek geget tane Talmudi jo e jo , por dhe martesa sipas Moisiut (Ligjit) ishte nje turp. Nuk kishte tager prifti t’i fuste hundet ne kete gje , ne kuptimin qe t’i rekomandonte martesat =ta themi ne brez te trete, sic ndodhte rendom ku nuk vepronte Kanuni i Lekes= se e kapshin per leckash e si dihej fati. Kurse ajo historia e Papadhulit eshte per te qesh, sme duket histori shqiptare.
      Kodi zakonor ne malsi te veriut, si nen sundimin bizantin ashtu edhe ate te kundert, nuk ka luajtur aspak ne ceshtjet e tij kardinale.

      se harrova, s’besoj se e kam pasur dhe aq gabim , sic ma vure ne dukje diku me lart.
      Megjithate te shofim se cka bere Rrok Zojsi, sepse ai ka qene i fushes dhe s’ja fuste kot; por nuk e kam lexuar. Cudi leberit me kanun, akoma s’me besohet sepse jam vete lab, por jo vetem lab se jam edhe mirditor.

      1. aleksi, edhe ato qe thua ti jane te verteta, por jane nje gje krejt tjeter nga ajo c’thashe une. Krime te tmerrshme ndodhin kudo dhe ne cdo kohe, tek te gjithe popujt e rracat, paperjashtim. Askush nuk eshte i imunizuar nga to. Fjalen un e kisha tek fenomeni, relativisht i ri, jo vetem per shoqerine shqiptare, por edhe per shoqerite e tjera, te te berit krim pa ndjesine e tmerrit qe vjen si pasoje. Tmerri pa ndjesine e tij. Kete une e kam huazuar nga nje parlamentare franceze kur fliste per krimet qe ndodhnin ne hapesirat frankofone ( me duket ne Afrike), ne kohen e sotme.
        Per krimin e bere, nese mund te thuhet, “pa arsye”; kot se koti. Domethene, per tmerrin qe behet, jo per ndonje arsye te forte, si bie fjala ajo e nderit te humbur etj etj.
        Tmerret qe permenda me lart, qe jane bere ne Vlore, Fier, Berat , Korce etj, nuk se jane bere per arsye te “fisme” pra. Jane bere per kenaqesine e zoterinjve kriminele; dhe jane bere ne fund te shekullit te 20-te…
        Jo vetem qe nuk ka patur tmerre te tilla ne qytetet e Veriut, ne fshatrat as qe behet fjale, por asqe mund te imagjinohet nje gje e tille. Po e them keshtu: edhe maloku me koketrashe, me kokekrisur, me mendjekriminale te jete, nuk e con ne mendje, bie fjala, t’i vere flaken viktimes ta lidhe pas makine e ta shetite neper qytet… apo , pasi t’i kete prere koken atij, te luaje me te futboll ne shesh…!
        Sepse, sado i eger te jete krimineli hipotetik, eshte i vetedijshem se do ta zhbinte gjindja, me fis e me fare… pikerisht per shkak te psikes kanunore te saj; e cila gjindje edhe vrasjen me te rendomte, sipas kanunit, e perjeton tragjikisht, me ndjesine e forte te tmerrit!
        Ketu nuk hyn as gjeografia as krahina, dhe me the e te thashe. Ketu hyn Kanuni. As per mire as per keq, e them. Por hyn.

        1. Imdat thua : “Ketu nuk hyn as gjeografia as krahina, dhe me the e te thashe. Ketu hyn Kanuni”

          Mos po thua me kete qe, aty ku ka kanun, krimi mbetet deri tek vrasja dhe nuk shkon deri tek percudnimi ?
          dhe anasjelltas: aty ku s’ka kanun , vrasja s’eshte gje dhe vetem pecudnimi e permbush halmarrjen ?

          Apo , duke qene se s’ka popull pa kanun (sepse keshtu rame dakort te gjithe besoj, pas kaq shume komenteve) , ky percudnim eshte pjese e detyrimit kanunor?

          Sepse ti u fute ne komente duke me thene se une e kisha gabim qe e mohoja kanunin e laberise, sepse ai ekzistonte realisht edhe pse me nje emer tjeter .Shartet e Idriz Sulit..apo jo?

          Tani, perfundimisht, une shtroj edhe nje here pyetjen,( jo per te tjeret, por vecanerisht per ty): cila eshte arsyeja qe ndodhen gjithe ato tmerre ne ato 4 a 5 qytete qe tregon ti ? mungesa e kanunit apo ekzistenca e nje kanuni te tmerrshem ?

  6. Aleks, un se kam problem te them me teper per kete teme, dhe per te tilla te ngjashme. Problem eshte se sa pranohet çfar them, madje e sigurte çfar them nuk pranohet fare, sepse perben nje akuze qe ne aksiome per ke e konsideron veten intelektual te kohes.

    Nese nuk pranohet aksioma qe sistemet, qyteterimet, kodet ligjoe etj, jane materializime te çfar ndodhet brenda shpirtit njerzor, ç’te vazhdoj me tej? Pse te harxhoj frymen kot, vetem per t’i gerric nervat kolegeve qe aplikojne aksiome te kundert? Biles as qe nuk aplikojne aksioma fare, sepse thuhet nje gje, pastaj ngrihet tjetri e kundeshton, pastaj nje tjeter kundeshton dy te paret, e keshtu me tej nje kacafytje e pergjithme intelektuale pa pike kuptimi bjeri t’i bijme, ose me te vetmin kuptim: qefin per tu kacafyt. Ku eshte Kanini qe rregullon diskutimin?

    Çfare kane bere ndryshe (nga pikpamja e aksiomes qe konsideron te brendeshmen) dava katunaresh me mitraloz ne dore nga jugu ne veri ne epoken moderne (qe korispondon me krijimin e shtetit shqiptar), sidmos tani qe nuk ka me kanun por ka vetem freedom?

    1. Psikopat, une vertet prisja qe ti ta coje biseden ne gjera te pathena, se te thenat jane thene gjithnje. pra thjesht per kete te permenda.

      1. Ja po them diçka te pathene, megjithse “nuk ka asgje te re nen kete diell” (kanuni hebraik) dhe nuk eshte se ju nuk i keni thene te gjitha, megjithse ne menyre konfuze, copat e mozaikut jane pothuaj te gjitha ne shkrim te Ardianit dhe komentet ne vazhdim te kolegeve, :

        “Fajin per keto vrasje, te paperfytyrueshme me pare krijimit te shtetit shqiptar, e ka Kamyja dhe libri i tij i “Huaji””

  7. “Kur Hodoja, një nga dukatasit që po ua tregonte këtë histori anglezëve, mori vesh që Karapici kish pasur florinj me vete, menjëherë shpërtheu: – Prandaj e paskan vrarë!”

    Po Ritvan Zykaj pse vrau, di ta thotë ndokush?

    Nga fizionomia, më kujtoi Nicolas Cruz (autor i një krimi në Florida, shtetasit e të cilës nuk e kanë patur fatin t’i njohin kanunet tona të Labërisë, a të Veriut), i cili u diagnostifikua më pas nga mjeku se vuante prej ADHD dhe autizmit.

    Shkruan një vajzë për Zykaj:

    “Ate djalin Ridvanin e famshem te krimit makaber e kisha ne klase ne fillore. Ishte po kaq i shemtuar sa e shihni tani ne foto. Mesuese Fatmira si nxenese e mire qe isha me conte qe te mesoj analfabetet qe te mesonin abetaren… nder ta edhe “Ridvan trimin”.
    Te betohem per ate zot qe akoma e kujtoj eren qe mbante.”

    http://boldnews.al/2018/08/12/do-ju-bej-hatane-ndaj-mos-me-bini-ne-qafe-zykaj-kishte-paralajmeruar-tragjedine/

    Një profili i tillë problematik, i vetmuar, ndoshta edhe i refuzuar, me dëshirën e vet të madhe për t’u bërë “i famshëm” një herë të vetme në jetë, a nuk ngjason me një “incel”? Anglisht nuk ka ditur sa t’i bashkohej në reddit “incel rebellion”, po Alek Minassian e ka parë në lajmet e darkës e ku ta dish, mund edhe të jetë frymëzuar.

    “Jam djale me ideale, dua sherre dhe skandale” shkruante Zykaj në fb.

    Kaq edhe mund të mjaftojë ndoshta për të dalë nga gardhi i kanuneve tona.

  8. Kur vijnë në vështrim bëmat e tanishme, këto duhen parë jo aq në optikën e kanuneve, sa në optikën e një komuniteti (dhe individi) që gënjen veten se ende po rregullohet sipas ndonjë kanuni. Zgavra e mbetur pasi është shkulur kanuni, për mua ka formën e krimit.

    1. Je i sakte Ardian kur thua qe “zgavra e mbetur …ka formen e krimit”, por shkulja e kanunit duhet relativizuar, sepse per disa ceshtje te rendesishme si respektimi i kufijve te vjeter te tokave, apo respektimi i mossanguinitetit kanuni ende eshte veprues.

      1. Lidhur me zgavren qe thote Ardiani, ka pas qene nje shprehje standard ne vakti: “Keni akoma pune per te bere”!

        Ne fakt berthama e zgavres eshte zbrazur qe ne Luften e II Botrore, ne nivel mbareboteror dhe detyrimisht edhe ne Shqiper perderisa Shqiperia ndodhet ne bote. E ka permendur nje komentues me lart rastin historik te vrasjes se atit te adoptuar ne Vlore, dmth te krimit te atvrasjes si krimi me i rende i mundur. Berthama e zgavres eshte familja, dhe ne fakt konflikti komuniste-balliste ka qene vellavrasje (si rendom lufta civile), e jo vetem ne nivelin simbolik dhe publik, por edhe realisht ka pasur raste te konfiktit ball-kom brenda familjes, deri ne sakatosje kriminale midis vellezerish dhe midis ate e bir, neri me Ballin e tjetri me Partine. (kuptohet pretekst mondan, sepse emocioni eshte i njejte me Krimin Origjinal).

        Ka nje menyre shpjegimi se pse Lufta e II Botrore eshte nje fenomen kryesisht i lidhur me institucionin e familjes, por, siç e kam thene me siper, sa para ben, fryme e harxhuar kot, njerzit duan te reja. Psh duan te rejat e modes individualiste demokratike: freedom personale, vetem deshira pa tubu, vepro si ta kete qefi (vetem kujdes nga policia), te lire nga tabute e kanunit, te komunizmit, te fashizmit, e derr derr derr mufka te tilla sentimentale qe tani i ndegjon ngado mbas Luftes III Botrore, dmth mbas Luftes se Ftohte, mbas viteve 90-te.

        E kjo tani do te thote te zgavrosh zgavren qe thote Ardiani, qe eshte nje veprim krejt absurd sepse i bije te zgavrosh boshllekun. Prandaj edhe krimet tani jane absurde, nuk i shpjegon dot e nuk ja vlen t’i shpjegosh, sepse nuk kane as “motive te kota”. Mbas analizes gjithnje te mbeten dore vetem levozhga te kalbura te nje nje fenomeni te kalur e te shkuar.

  9. Nese vrasja e Karapicit ka ndodhur per nje qese florinj, atehere krahasimi me vrasjen e ndodhur para dy javesh nuk gjen vend. Vrasja e tanishme me tete vete brenda fisit ishte nje gjaknxetesi (cmenduri) skicofrenike per shkak ofendimesh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin