Si sot 11 vjet më parë u themelua “Peizazhe të Fjalës”. Vendimi për ta krijuar ishte i çastit, emri i zgjedhur në procesin e regjistrimit rimerrte adresën e emailit. E vetmja ambicie ishte të kishim një hapësirë për të komunikuar me lexuesin dhe për rrahjen e mendimeve. As që guxonim të përfytyronim çfarë do të ndodhte me blogun në rrjedhë të viteve dhe aq më pak që, sot pas kaq kohësh, ekzistenca e “Peizazheve të fjalës” do të varej nga negocimi i pandërprerë midis arkivit të shkrimeve dhe përditshmërisë së përsiatjes. Suksesi ynë kryesor? Ndoshta që kemi shmangur transformimin në atë establishment të diskursit publik, të cilin deshëm atëherë ta sfidonim. Ndoshta që i jemi ruajtur edhe atij konformizmi të frikshëm që sjell me vete dëshira për të qenë alternativë dhe anti-konformistë. Ndoshta që, duke u rritur vit pas viti, i kemi shpëtuar plakjes dhe sklerotizimit. Ndoshta që, si anija në det, e kemi gjetur rrugën në sinkroni me valëzimin. Urimi ynë për ju bashkudhëtarët? Mos na u ndani.
(foto nga festimi i 10 vjetorit vjet në nëntor në Tiranë këtu)