Kush e ndjek faqen e kryetarit të bashkisë Tiranë në Facebook, Erion Veliajt, do t’i ketë vënë re ikonëzat e shumta (emojis) që shoqërojnë statuset, si në shembullin më poshtë:
Ku gjen, mes të tjerash, emoji për pemë, top, raketë ping-pongu, gjimnastikë, biçikletë, xhirime filmash, lojëra të tjera, karaoke ose muzikë live, daulle, tullumbace dhe kështu me radhë.
Zakonisht të thonë se emojit të ofrohen për ta saktësuar mesazhin, ose për ta gjallëruar, ose për të thënë diçka që me fjalë vetëm nuk e thua dot.
Por në më të shumtën e herëve, emojit në këto statuse vetëm sa rimarrin fjalë ose tema që janë përmendur tashmë në tekst, si në rastin më poshtë, kur duket qartazi që bëhet fjalë për një event muzikor:
Pyes: çfarë shërbimi ofrojnë emojit në këto statuse të një nëpunësi të lartë civil?
Ka në to diçka infantile, diçka prej një mendjeje naive, një estetikë si prej kartolerie japoneze, ose dyqani “Hello Kitty”, një reduktim i koncepteve në cartoons, një eliminim total i konfliktit, një frymë emocionale prej filmi multiplikativ, një orvatje gati disiplinuese për pozitivitet.
Por ndoshta kështu më duket mua; ndërsa për brezin e ri, që është mësuar me emojit dhe i përdor, efekti është tjetër.
Unë besoj se këto mesazhe nuk i harton Erion Veliaj vetë, por ndonjë prej stafit të tij; e megjithatë, kryebashkiaku do ta ketë miratuar, të paktën në parim, përdorimin sistematik të emojive.
Sërish, kur unë i shoh këto mesazhe ndihem i infantilizuar; të thuash se mjafton kontakti me to për të më kthyer në moshën parashkollore.
Vallë të kërkojë Veliaj që ta përzgjedhë publikun e vet në Facebook, duke i lënë jashtë ata si unë, që i konsiderojnë emojit të papranueshëm në atë kontekst?
Sërish, nuk besoj. Sikurse nuk besoj që Veliaj vetë të dëshirojë t’u duket disave aq fëminor, sa ç’do ta sugjeronte teknika në fjalë.
Disa pak kërkime dhe verifikime sporadike që bëra te faqet në Facebook të kryebashkiakëve të tjerë nga Europa (duke filluar nga Virginia Raggi e Romës) më konfirmuan se këta nuk i përdorin emojit.
Një koleg më sugjeroi që Veliaj e ka mësuar këtë teknikë nga kryeministri Rama; çfarë do të ishte edhe më shqetësuese.
Më shpjegoi edhe që efekti i emojive në këto statuse është që t’i thuhet lexuesit: këtu nuk ka gjë për të lexuar, prandaj eja gëzo me ne. Në fakt, emojit shoqërojnë statuse me natyrë të hareshme, që komunikojnë rezultate dhe arritje (fitorje) – duke shërbyer si ftesa për haleluja.
Aq më tepër që teksti i statusit shpesh vetëm sa shërben si hyrje për një numër të madh fotografish ose videosh me natyrë thjesht propagandistike, të cilat janë prodhuar nga zyrat e Bashkisë.
Të jenë vallë emojit vegla konotative të ngjashme me, bie fjala, pikëçuditëset që i përdor pa hesap faqja e Ministrisë së Kulturës; edhe atje për të lajmëruar për arritjet dhe fitoret e njëpasnjëshme?
Por sërish nuk bindem deri në fund: Veliaj e ka aparatin e Public Relations më të sofistikuar se Kumbaro; dhe këmbëngulja e tij për të futur elemente ikonike në statuset duhet shpjeguar më mirë (më seriozisht).
Për shembull, te statusi i 28 qershorit 2018, ç’kuptim ka emoji i pikës së ujit, që shoqëron togfjalëshin “rrjeti i ujitjes”? Ky nuk është nga ato koncepte të vështira, që kërkojnë vizualizim; dhe, në çdo rast, pika e ujit nuk ikonizon vetvetiu një rrjet ujitjeje.
Për çfarë shërben, pra, thjeshtimi deri në rrafshim i konceptit?
Një shpjegim për mua më i bindshëm do të ishte se emoji-t, duke pasur natyrë ikonike, e përjashtojnë kundërshtimin – një status me fjalë mund ta kundërshtosh po me fjalë, për shembull duke thënë se “rrjeti i ujitjes nuk punon mirë” (po sjell një shembull ad hoc); por emojin e pikës së ujit si ta kundërshtosh?
Aq më tepër që për disa probleme nga më të rëndomtat me të cilat merret Bashkia, emojit mungojnë – p.sh. ka emoji për një buldozer, por nuk ka emoji për rrugën e prishur a për pusetën e hapur; ka emoji për një llambë ndriçimi rrugor, por nuk ka emoji për një poç të thyer; ka emoji për liqenin në park, por nuk ka emoji për përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare. Në fakt, repertori i këtyre shenjave mbetet krejt i kufizuar; dhe i zhbalancuar drejt shprehjes së emocioneve dhe mendimeve elementare.
Veç kësaj, emojit nuk kanë modalitet tjetër, veç atij dëftor: thjesht janë. Në qoftë se ti më tregon imazhin infantil të një biçiklete, unë mendoj biçikletën; nëse më tregon imazhin, sërish tejet të stilizuar, të notave muzikore, unë do të mendoj për muzikën.
Nocione në vetvete problematike, si politikat bashkiake për parqet, rrugët, këndet e lojërave për fëmijë a koncertet live reduktohen në nocione elementare, si gjelbërimi (gjethja), biçikleta, fëmija dhe muzika.
Për shembull, ideja që fëmijët e vegjël mund të shëtisin me biçikletë natën në bulevard të pashqetësuar ia vlen të komunikohet; por statusi përkatës e humb rrugën përmes emojish tejet gjenerike dhe vargjeve të një kënge pa lidhje.
Të thuash se natyra elementare e emojive shërben për të përshenjuar normalitetin; ose për ta zëvendësuar raportimin e arsyetuar me një rrjedhë pseudo-hieroglifike, ku mungojnë konceptet abstrakte dhe aq më tepër refuzohet problematizimi.
Mund të ngrihet objeksioni se shumë nga këto statuse, të tej-spërkatura me emoji, kanë lidhje me aktivitete bashkiake për fëmijët – si parqe lojërash, biçikleta dhe tullumbace. Por edhe një status për një çështje tejet të koklavitur dhe konfliktuale, si ajo e Teatrit Kombëtar, gëlon nga ikonika. Arkitektët ilustrohen me një laps, ndërsa autoriteti i Bjarke Ingels me një varg emojish ku spikat një dorë që nxjerr një selfie, një telefon celular që vibron, dhe dy emoji të tjera që nuk po i ftilloj dot (një burrë që duket si Ahmet Zogu dhe një diçka që më kujton posterin e një filmi të Spielberg-ut për Kinën).
Më tej, teatri paraqitet me emojin e dy maskave, fakti që do të jetë modern miratohet me shenjën “thumbs up”, që ndërtimi nuk do të ketë kosto me një buzëqeshje dhëmbëjashtë, publiku me një katror prej katër njerëzish, stadiumi i ri me një cartoon të rastit dhe çmimi që do të marrë teatri me një kupë floriri dhe një yll që bën xixa. Tema që ka ndarë më dysh opinionin publik trajtohet me vegla ikonike redundante (sepse të gjitha rimarrin gjëra që janë thënë në tekst), çfarë sërish të nxit të besosh se synimi i vetëm këtu nuk mund të jetë veçse narkotizimi i debatit, ose i problematizimit të çfarë thuhet në tekst.
Temës do t’i rikthehem; meqë i tejkalon caqet e stilit personal të një personi, qoftë ky edhe tejet publik dhe i mirënjohur, si kryebashkiaku Veliaj. Çfarë më intereson veçanërisht janë efektet e emojive në statuset FB të politikanëve, në krahasim me tekstet tradicionale.
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.
Shkrimin e ka marrë – pa leje – Lapsi.al, duke ia ndryshuar titullin dhe për ta përdorur me gjasë për arsye të vetat (mbase që të godasë politikisht Veliajn; nuk më rezulton që lapsi.al të interesohet për semiotikën e komunikimit online), të cilat nuk kanë fare lidhje me arsyet dhe synimet e mia si autor i shkrimit. Ky është abuzim me të drejtën e autorit dhe me të drejtën time të fjalës (e cila nuk është se shkelet vetëm nëpërmjet censurës). Mundi im dhe kompetenca ime shkojnë kështu në shërbim të një medie me të cilën nuk më lidh asgjë.
Pornografi emoji-sh!
Nje bombardim i tille deshiron te perçoje idene e nje komunikimi politik emotiv, pozitiv e afer masave. Veliaj nuk ka realisht ndonje gje per te thene, nuk ka mendim politik dhe nuk mbeshtet doktrina te caktuara, me pak fjale nuk mund te thote dot ndonje gje me vlere politike. Veliaj eshte politikisht i papercaktueshem dhe i pakapshem.
Ne keto kushte kur brendia eshte e zbrazet, nuk ngelet gje tjeter perpos komunikimit emotiv. Ai ka zgjedhur komunikimin emotiv pozitiv, ndryshe nga te tjere, po aq te zbrazet qe kane zgjedhur komunikimin emotiv negativ.
Ky i fundit, ne te shkruar nuk te sjell probleme, sepse shkrimi eshte vete i ftohte dhe i larget, pra s’ka nevoje per vizatime negative, te cilat ne fakt do e nxirrnin ate komunikim negativ thuajse qesharak.
Veliaj kete problem serioz te largesise dhe ftohtesise se shkrimit e kapercen me inflacion vizatimesh/emoji. Lali Eri e ka perkufizuar figuren e tij publike si Lali, ai qe nuk ta prish, ta thote fjalen e mire dhe e ka nje buzeqeshje per te gjithe. Ne pushtet atij nuk i kerkohet te thote ndonje gje serioze, keshtu qe ai ne rregull eshte.
Në futbollin amrikan ka një lëvizjesh mashtruese që quhet “play action pass”, ose “play fake” ku running-back (lojtari që vrapon me topin) bën sikur e merr topin nga quarterback (lojtari që pason topat), por në fakt është duke vrapuar me duar bosh për të tërhequr vëmëndjen e mbrojtjes, dhe për t’i hapur rrugën lojtarit në pozicionin quarterback që ta pasojë topin lirshëm, ose edhe të ikë me topin aty ku do.
Lali Eri është në rolin e atij lojtarit fake që vrapon pa top, por që të gjithë kujtojnë se ai po vrapon për të shënuar. Ndërkohë ata që shënojnë janë Rama & Co. Lali bën skur mbjell pemë, por jabanxhiu nga Librazhdi rrafshon pyje prej vërteti. Lali thotë nuk do japi asnjë leje ndërtimi, por i ka hapur rrugën Ramës të prish teatrin. Gjithë diskursi dhe veprimtaria e tij është fake. Qëllimi i Lalit nuk është të shënojë, nuk është të bëj diskurs, nuk është të komunikojë, nuk është të ndërtojë. Qëllimi i Lalit është të heq vëmëndjen, ta rrafshojë debatin, si për të thënë nuk ka asgjë për të pare këtu, nuk ka sgjë për të diskutuar, nuk ka probleme reale. Sabllonet “i duam pemët”, i duam fëmijët, “nuk e duam betonin”, as nuk mund të kundërshtohen as të debatohen, as nga të majtë dhe as nga të djethtë, për sa kohë nuk ballafaqohen me realitetin. Por Lali Eri vrapon pa top, me qëllimin për të sfumuar realitetin e atyre që vrapojnë me topin për të bërë si të duan.
Biles edhe kur thonë që Lali ka synim të bëhet kryeministër, prapë dyshoj se qëllimi është që të heqin vëmëndjen nga Rama, jo se Lali ka aftësinë që mund t’i kundërvihet Ramës në rolin e pasuesit. Lali nuk di të bëjë lojë tjetër vecse lojës fake, dhe të presë që me topin të luaj dikush tjetër.
Kështu duhen parë edhe këto emotikonet e lalit, ikona sendesh dhe gjestesh pa kuptim, fake.