Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

LEXIMI – SPORT I MUNDIMSHËM

Leximin jemi mësuar ta konceptojmë si diçka që e kryejmë në prehje – të ulur në kolltuk ose në një stol në park; të shtrirë në divan ose në krevat. Përmes syve, fjalët përftojnë kuptime të lidhura mes tyre në mendje. Është kjo e fundit që punon, makinë për ta riqepur tekstin që kemi përpara, ose për t’i dhënë një formë të kapshme e të kujtueshme; teksa trupi merr pjesë në akt thjesht duke mos ndërhyrë në proces, ose e shumta, duke mbajtur sytë hapur dhe librin (në duar) dhe duke kthyer faqen sipas rastit.

Por nuk ka qenë kështu. Në sprovën me titull “Në vreshtën e tekstit”, që ia kushton veprës Didascalicon të dijetarit mesjetar Hugues de Saint-Victor, filozofi Ivan Illich përshkruan qasjen ndaj leximit në komunitetet monastike të Mesjetës, duke shënuar se, për dijetarë si Hugues-i, leximi ishte para së gjithash aktivitet motor i trupit. Dhe nuk e ka fjalën vetëm për të lexuarit me zë dhe faktit tjetër që lexuesi me zë e përthith tekstin dyfish, nëpërmjet syve dhe nëpërmjet veshëve; por edhe për vetë lëvizjet e gojës, të gjuhës, të nofullave, të fytit, të kordave vokale dhe të mushkërive, që mundësojnë artikulimin e të folurit dhe që, në mënyrën e tyre, e kalojnë tekstin në trupin e lexuesit, ose e trupëzojnë. Edhe sytë marrin pjesë në këtë aktivitet të bashkërenduar, duke i kapur shkronjat e alfabetit nga faqja dhe duke i mbledhur bashkë (legere, khs. me shqipen lidh), për të formuar rrokjet.

Madje jo vetëm: për ta kuptuar tekstin, lexuesi i komuniteteve monastike të Mesjetës ka nevojë të sintonizohet edhe me ritmin e tij; dhe pastaj ta përfytyrojë sikur po e fut këtë tekst në gojë dhe po e përtyp – një metaforë e themeluar mbi muskujt e përbashkët. Prandaj nuk është për t’u habitur, thotë Illich-i, që manastiret e epokës para-universitare na i kanë përshkruar, në burime të ndryshme, si vendet ku jetojnë mërmëritësit dhe përtypësit (mumblers & munchers). Paraqitja e shkrimeve të shenjta si ushqim për t’u përtypur nëpërmjet leximit para se të gëlltitet, është kështu dyfish metaforike: në fakt, thuhet se murgjit lexues i mbanin dhe i rrotullonin “skripturat” në gojë. Murmurimën që vinte nga manastiri e krahasonin shpesh me zukatjen e bletëve; dhe produktin e leximeve të teksteve të shenjta me mjaltin – aso kohe praktikisht i vetmi ushqim tërësisht i ëmbël (si e ëmbël jepet rëndom shija e Fjalës së shenjtë). Veç mjaltit, edhe buka dhe vera dalin shpesh si gjymtyrë në këto krahasime.

Dhe jo vetëm. Illich-i vëren se murgu i atyre kohëve, që lexonte dhe meditonte, shpesh krahasohet me lopën ripërtypëse; aq më tepër që, në traditën e periudhës, kafshët ripërtypëse (ruminante) konsideroheshin si të pastra (pure), dhe murgu gjithnjë përqasej me një lopë, dele ose dhi, për nga mënyra si sillej me ushqimin (dhe “ushqimin”). Illich-i citon studiuesin Jean Leclercq, i cili është ndalur te një pasazh në një dorëshkrim të shekullit të 12-të, ku thuhet se “një murg në manastir është si kafsha e Samaritanit në stallë. Kësaj i japin kashtë që të hajë, ndërsa murgu përtyp me pasion, duke u ushqyer me kujtimin e Jezu Krishtit.” Gjithsesi, në Mesjetë leximi gjithnjë e pat ruajtur një komponente orale (gojore) mbizotëruese.

Hugues-i vetë e afron leximin me vjeljen; një krahasim që merr forcë edhe nga etimologjia e fjalës latine pagina, e cila në atë gjuhë dikur shënjonte “rreshtat e vreshtit” dhe më pas, me metaforë, kolonat e tekstit të shkruar. Teksa lexuesi këput frytet nga fletët e pergamenës, shkruan Illich-i, voces paginarum i del nga goja – si murmurimë e butë, nëse po i lexon vetes (sibi legere) ose si ligjërim e shkoqur (clara lectio) ose në recto tono, nëse po u lexon murgjve të tjerë.

Në fakt, shkruan Illich-i, që në lashtësi të lexuarit konsiderohej si ushtrim i lodhshëm fizik; aq sa mjekët në periudhën helenistike t’ua këshillonin të sëmurëve si alternativë ndaj lojës me top ose shëtitjes në pyll. Aq e vërtetë është kjo, sa ai që do të lexonte, duhej të ish në formë të mirë fizike; përndryshe, të dobëtit ose të pamundurit nuk duhej ta bënin.

Në Mesjetë flitej edhe për manifestimet fizike të eksperiencave spirituale që shoqëronin leximin; një praktikë me rrënjët në traditën religjioze hebraike, vëren Illich-i, edhe pse ishte Regjimi Benediktin që krijoi, sërish në Mesjetë, një kontekst të tillë ku i gjithë trupi i murgut të përfshihej në lexim të përhershëm (lifelong). Një murg mund të jetë edhe i pagdhendur dhe analfabet, por ai i bashkohet korit dhe këndon Psalmet shtatë herë në ditë, aq sa këto bëhen pjesë e qenies së tij dhe ai mund t’i këndojë edhe kur po ruan dhitë. Disa elemente karakteristike të leximit me zë në grup janë ruajtur edhe sot në shkollat kuranike ose hebraike, thotë Illich-i, ku trupat e nxënësve i sinkronizojnë lëvizjet e tyre me ato ritmin e recitimit, që këto të rimarrin, në një formë të përshtatshme, lëvizjet e organeve që prodhojnë ligjërimin e folur. Në mënyrë rituale, vazhdon Illich-i, nxënësit e përdorin gjithë trupin për t’i trupëzuar rreshtat e tekstit, çfarë ndihmon edhe të kujtuarit e mëpasmë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: një version i kësaj eseje ka dalë në mars të vitit 2018, në këtë revistë. Komentet më poshtë janë të asaj periudhe.

4 Komente

  1. Shën Augustini (354 – 430 e. s. ) ka një pasazh te «Rrëfimet» e veta (Confessiones VI, 3), një anekdotë që tregon mjaft për historinë e të lexuarit. Ka të bëjë me një nga mësuesit e tij, Ambrozin (340–397 e.s.), peshkopin antiarian dhe antipagan të Milanos.
    «Kur [Ambrozi] lexonte, sytë i shqyrtonin faqen dhe zemra e tij kërkonte kuptimin, por zëri i tij ishte i heshtur dhe gjuha e palëvizshme. Të gjithë mund t’i afroheshin lirisht dhe miqtë zakonisht nuk shpalleshin para se të hynin; ndodhte shpeshherë që kur shkonim ta vizitonim, e gjenim duke lexuar kështu, në heshtje pasi ai nuk lexonte kurrë me zë.»
    Për këtë arsye, Ambrozi konsiderohet edhe si shpikësi i leximit pa zë. Deri në atë kohë teksti ishte bërë për t’u “zgjedhur” (siç thotë Pjetër Bogdani: imparò anche leggere, e scrivere = xun’ ende me xgedhunë, e me shkruem), për t’u deklamuar… edhe ata që lexonin një letër private, e bënin këtë me zë, duke e marrë kuptimin nga të dëgjuarit dhe jo nga shqyrtimi i pazëshëm i tekstit. Ndoshta ka qenë një ndër arsyet pse të lashtët i jepnin rëndësi retorikës.

  2. Mendja e rrok, zemra e perqafon, trupi ushtrohet, duke kenduar me ze, rreshtat e vreshtit, mjerisht kjo tradite e vyer, e para 90-tes, te kendimit te librit, veçmas dhe ne bashkesi, ka humbur neper shkolla, ku vijonte edhe ne shtepi. Shkrim mbreslenes, tejet i kendshem!

  3. Latini thotë : “verba volant, scripta manent”, dhe kjo jo vetëm në kuptimin e parë, të nënshkrimit të një marreveshjeje, por , ndoshta dhe nga fakti se e shkruara ishte e ftohtë, e vdekur thotë Birges tek Ligjërata, kurse e folura gjallëron tekstin, fjalëve u jepte frymë, tingullim, nuanca, tonalitete.
    Kjo ndoshta ishte arsyeja se përse në antikitet i jep rëndësi retorikës dhe oratorisë.
    Më tej Borges thotë se të mëdhenjtë si Krishti, Buda kanë lënë aspak ose pak gjëra të shkruara.
    Shkronja vret, shpirti ngjall thuhet në Bibël. Fjala e folur dikur kishte peshë (edhe pse latini thotë verba volant). Një fjalë e urtë shqipe thotë: Burri lidhet prej Fjalës. E më tej Fjala e Dhënë-Besa si institucion i konstitucionit shpirtëror të shqiptarit në kohërat arkaike.

  4. Është ajo ndeshja titanike mes oralitetit dhe të shkruarit që u zhvillua në Mesjetë e përfundoi pastaj në favor të së dytës ku më shpejt e ku më vonë. Siç rrëfen Walter J. Ong, në Anglinë e shek. XII kontrolli i llogarive dhe i taksave të paguara, të shkruara, sigurisht, nëpër qitapë bëhej gojarisht (oralitet) – merrnin vlerë ligjore vetëm pasi lexoheshin më zë të lartë, nga rrjedh edhe sot e kësaj dite termi “auditing”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin