Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

UDHËTIM NË BIZANT

nga Sokol Çunga

“[…] Prandaj lundrova detrat dhe erdha
Në qytetin e shenjtë Bizant.”

Duke lundruar për në Bizant
William Butler Yeats

Në përfytyrimin e njeriut modern perëndimor, Bizanti vazhdon të mbetet një periudhë historike ekzotike, misterioze dhe e errët, e një të kaluare shumë të largët. Termi “bizantin”, në zhargonin e përditshëm, përkufizon një njeri apo sjellje dredharake, të paligjshme, imorale. Këtij paragjykimi i kundërvihen qetësisht monumentet e mbetura më këmbë kudo në zonat ku ka qenë shtrirë Perandoria Bizantine, rrënojat e dukshme apo ato që presin të zbulohen, dokumentet e ndodhura në arkivat historikë të Evropës, arkitektura, letërsia, arti pamor dhe, ajo më pak e njohura, muzika.

Ndonëse muzika bizantine ka luajtur një rol të rëndësishëm në muzikën perëndimore, ajo ka mbetur një terra incognita për perëndimin, si për studiuesit dhe muzikantët (përjashto një komunitet shumë të vogël), ashtu dhe për dëgjuesin, në përgjithësi. Shkaqet për këtë mosnjohje janë komplekse dhe të dyanshme. Nga njëra anë qëndrojnë ndryshimet kulturore dhe gjuhësore mes Lindjes dhe Perëndimit, distanca që u vendos mes dy poleve kulturore pas skizmës së Kishave (viti 1054), interesi i ngushtë për të studiuar vetëm pikat ku dy qytetërimet takohen me njëri-tjetrin, si dhe fakti që studiuesit perëndimorë e patën drejtuar vëmendjen tek dorëshkrimet e shek. X-XIII, duke e konsideruar muzikën “neo-bizantine”, jo pa përçmim, si të padallueshme nga muzika osmane. Pas rënies së Konstandinopojës dhe shkatërrimit të Perandorisë, muzika bizantine u zhvillua, kryesisht, brenda kontekstit kishtar, nuk u bë muzikë oborresh (e kundërta e muzikës klasike në perëndim), mbeti e pa lidhur me ndonjë strukturë shtetërore, e njohur vetëm për ata që kapërcenin pragun e kishës.

Nga ana tjetër, komunitetet lokale që e përdorin muzikën bizantine, deri vonë nuk e kanë promovuar studimin e saj, duke sjellë, si pasojë, mungesën e interesit nga perëndimi. Interpretuesit dhe muzikologët e muzikës bizantine nuk e kanë pasur të lehtë të krijojnë një dialog konstruktiv me publikun dhe studiuesit perëndimorë, sa për shkaqe të brendshme (arsye të thjeshta praktike, apo krenaria e ruajtjes së një tradite qindravjeçare), aq edhe të ndodhur përballë një debati në kufijtë e imperializmit kulturor, të cilin e kanë mbajtur ndezur studiuesit perëndimorë.

Ndërkaq, qytetërimi perëndimor nuk ka mbetur pa u ndikuar nga modele më të vjetra apo të panjohura muzikore. Interesi i mendimtarëve perëndimorë të shek. XIX-XX (Friedrich Nietzsche, Herman Hesse, etj.) për kulturën e Lindjes së Largët nuk la pa ndikuar brezat e pas Luftës II Botërore. Në kërkim të udhëve të reja, për të gjetur lumturi dhe ndriçim shpirtëror, duke mos përfillur krishterimin, një pjesë e qytetërimit perëndimor gjeti zgjidhje tek kultura dhe spiritualiteti lindor aziatik. Filozofia, letërsia dhe spiritualiteti zen dhe budist u kthyen në mënyrë jetese për shumë perëndimorë, u bënë, po ashtu, lajtmotivi i lëvizjeve kulturore-shoqërore si Beat Generation dhe Hippie. Teksa u huazua si muzikë rituale-spirituale, muzikës budiste iu hap vend lehtësisht brenda muzikës moderne, duke i dhënë mundësi të zhvillohej brenda rrymave muzikore Rock’N’Roll, Pop dhe, sidomos, asaj New-Age. Po kaq e pranishme ishte edhe në kinematografinë popullore amerikane. Efekti komercial, vetvetiu, solli njohjen e saj të gjerë nga njeriu modern i shek. XX-XXI.

Shijet perëndimore për ekzotiken dhe të vjetrën nuk u kufizuan vetëm me muzikën e Lindjes aziatike. Gjatë gjysmës së e dytë të shek. XX u risoll në vëmendje, mes të tjerash, edhe muzika gregoriane. Veç përdorimit të saj në adhurim, apo promovimit që iu bë nga kore murgjish bashkëkohorë, muzika gregoriane u bë e kërkuar edhe në mjedise diametralisht të kundërta me misionin e saj fillestar, duke u huazuar nga rryma muzikore si Rock’N’Roll, Pop, Techno, New-Age, Power/Thrash Metal, Black Metal, etj. Është mëse e kuptueshme se pas një përfshirjeje të tillë, orientimi për tek muzika gregoriane mbetet çështje shijeje, jo informacioni.

Në territorin e Shqipërisë së sotshme, muzika bizantine është përhapur bashkë me përhapjen e krishterimit. Zhvillimi i saj ndodhi natyrshëm, si edhe në çdo vis tjetër ku vepronte Kisha e Lindjes. Ndërprerja e vetme e madhe ndodhi mes viteve 1967-1991, kur shteti ateist shqiptar ndaloi me ligj çdo manifestim fetar në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Dëmi ishte i madh, por vetëdija nuk humbi. Sot, të gjurmosh traditën e muzikës bizantine në Shqipëri është si të gërvishtësh një mur të lyer me shumë bojëra, për të nxjerrë në dritë afreskun e fshehur nga koha dhe njerëzit.

Muzika bizantine – njësi kulturore e Bizantit

Njësia shtetërore, politike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore, e cila njihet sot si “Perandori Bizantine”, nga vendasit quhej Perandori Romake (ose Perandori e Romës së Lindjes). Zyrtarisht u themelua më 324 pas Krishtit, duke pasur si qendër administrative kryeqytetin e themeluar prej Konstandinit të Madh dhe të emërtuar sipas tij: Konstandinopojë.

Faktet tregojnë se në Bizant ka qenë zhvilluar gjerësisht muzika shekullare, e cila ishte vokale dhe instrumentale. Fatkeqësisht, tradita e kësaj muzike nuk ka mbërritur në ditët tona dhe informacionet për të janë të pakta dhe fragmentare. Ajo që ka mbijetuar është muzika që këndohej në kishë.

Hyrja e Perandorit Niqifor Fokas në Konstandinopojë më 963, ilustrim nga kodiku i Kronikave të Joan Skilicit (John Skylitzes), dorëshkrim, shek. XII (Biblioteka Kombëtare e Spanjës, Madrid, Cod. Vitr. 26-2, folio 145 verso).

Muzika bizantine është muzikë vokale monofonike liturgjike. Është përdorur gjerësisht në adhurim nga Kisha e krishterë e Lindjes, por, ndryshe nga Perandoria, nuk e ndali zhvillimin e vet më 1453. Prejardhja e muzikës bizantine është e përbërë. Rrënjët më të hershme mund të gjenden tek muzika adhuruese e judenjve, tek muzika dhe poezia klasike greke, por edhe tek muzika siriane. Përpara themelimit të Konstandinopojës, u zhvillua në qytetet e para të krishtera të Aleksandrisë, Antiokisë dhe Efesit. Dorëshkrimet më të vjetra me shenjat muzikore bizantine, që quhen shenja ekfonetike, i hasim që në shek. IX (pas Krishtit), kurse dorëshkrimet e mirëfillta muzikore, të pajisura me neuma, datojnë që prej shek. X.

Kisha e hershme e periudhës paleo-kristiane praktikonte këndimin (psaljen) nga i gjithë grupi i besimtarëve që ishin të pranishëm në adhurim. Në shek IV, meqenëse jo të gjithë besimtarët arrinin të mbanin mend çdo melodi që këndohej, por edhe për arsye estetike, përgjegjësinë e këndimit e merr një grup besimtarësh të talentuar dhe të stërvitur me artin e psaljes, psaltët. Detyra e psaltëve është të këndojnë gjatë shërbesave fetare në kishë, me kujdes dhe përulësi. Tradicionalisht, psalti apo kori i psaltëve janë meshkuj. Kjo, pasi psaltët konsiderohen kler i ulët, dhe grada klerikale nuk u jepet femrave. Sidoqoftë, në kohët e sotshme ky rregull nuk është absolut. Femrat apo fëmijët mund të psalin edhe pa marrë uratën e posaçme, vetëm apo në kor, gjatë adhurimit apo jashtë ceremonive fetare.

Sipas mendimit teologjik dhe mistik të Kishës Ortodokse, muzika bizantine u transmetua nga engjëjt tek njerëzit në vitet e para të krishterimit, në kohën kur besimtarët luteshin dhe këndonin së bashku me koret engjëllore. Ky koncept, i cili dominoi deri në rënien e Bizantit, solli tre dukuri tek muzika bizantine: 1. bëri që Kisha të mbante qëndrim konservativ ndaj zhvillimit të pakontrolluar të kompozimeve muzikore; 2. sanksionoi tradita melodike dhe një pjesë të himneve; 3. frymëzoi, për një farë kohe, anonimitetin e kompozitorit/autorit. Me rënien e Bizantit dhe ardhjen në fuqi të Perandorisë Osmane, e cila, në Azinë e Vogël dhe në Ballkan u vendos në po ato territore që dikur ishin pjesë e Bizantit, muzika bizantine vijoi të ruhej dhe të kultivohej nga të krishterët ortodoksë, një popullsi multi-etnike që jetonte në territorin e osmanëve. Me zhvillimin e kombeve-shtete, në shek. XIX-XX, nënshtetasit e krishterë të shteteve laike vijuan ta ruanin muzikën bizantine përmes adhurimit, dhe sot muzika është një nga elementët më të përveçëm në adhurimin ortodoks.

Kisha Ortodokse që vepron në territorin e Shqipërisë së sotshme ka qenë ndodhur, në pjesën më të madhe të kohës, nën varësinë e Patriarkanës së Konstandinopojës, prej së cilës ka marrë dhe traditën liturgjike. Gjuha zyrtare e shërbesave ka qenë greqishtja, deri në kohën e formimit të identitetit kombëtar shqiptar. Pasi u shpall autoqefale (e pavarur nga Patriarkana), Kisha Ortodokse e Shqipërisë vijoi të ruante traditën konstandinopolitane të shërbesave, ruajti muzikën bizantine në adhurim, por ndërroi gjuhën e shërbesave, nga greqisht, në shqip. Më 1908, kleriku ortodoks Theofan S. Noli, përktheu dhe botoi për ortodoksët shqiptarë të Bostonit, në Massachusetts, ShBA, librin e parë me shërbesa fetare në shqip.

Pas ndalimit të fesë më 1967, KOASh filloi veprimtarinë e saj më 1991, duke ringjallur, njëkohësisht, edhe përdorimin e muzikës bizantine. Sot në Shqipëri funksionojnë disa kore të muzikës bizantine, të cilët veprojnë në qytete të ndryshme të vendit. Në vitin 2013 në Tiranë u çel Shkolla e Muzikës Bizantine “Joan Kukuzeli”, pranë së cilës funksionon dhe kori me të njëjtën emër, pjesë e këtij albumi.

(c) 2018, autori

 


Shënim: Kjo ese shoqëron albumin e ri të Eda Zarit “ENTROPY, Where Byzantium Meets Jazz”, Enja Records, 2016.

6 Komente

  1. Duke qene profan ne muzikologji, me eshte dukur sikur kam vene re nje ngjashmeri midis polifonise se jugut dhe koreve kishtare ortodokse. Brenda mundesive, mund te sqaroni dicka nqs keni info?

    1. Nuk jam muzikolog, por një gjë është mëse e qartë: muzika bizantine është monofonike (lexoni edhe më sipër), kurse e kënduara tradicionale e jugut është polifonike. Dallim i qartë.

      1. Sokol, se pari dua t’ju falenderoj per shkrimin . Muzika bizantine si pjese e liturgjise ne Kishen Ortodokse eshte nje fenomen sa interesant aq edhe i komplikuar.
        Se pari nuk vura re te permendni Jan Kukuzelin( Durrsakun), reformatorin e madh te muzikes kishtare ortodokse.
        Muzika e aplikuar ne Kishen bizantine , sikurse e nenvizoni, njihet si muzike monofonike , ose e kenduar njezeshem nga kori psalteve.
        Ka mjaft diskutime per origjinen e muzikes bizantine, evoluimin e saj dhe raportet me traditen e muzikes laike/ folkun , me muziken e kishes katolike dhe , se fundi me raportet e kenges isopolifonike shqiptare ( toske dhe labe) me korin e kishes bizantine.
        Sipas muzikologeve, nga shekulli XV e tehu, ne muziken bizantine u futen influencat e kishes katolike apo te muzikes perendimore dhe veçanerisht isua, si shtrati mbajtes i melodive hymnologjike nga psaltet dhe sigurimi i harmonise ne kendimin e toneve/ shkalleve muzikore. ( iso kratos- mbajtesit e isos)
        Per disa muzikologe, vete origjina e isos mbetet e turbullt dhe me se shumti shikohet si e prejardhur nga traditat arkaike orale greke. Ka prej tyre qe futjen e isos e shikojne si degradim te tradites se muzikes bizantine para mesjetare dhe e lidhin me ndikimet e kultures otomane dhe arabe.
        Ketu nderfutet edhe debati rreth origjines se isopolifonise shqiptare. Vete struktura e polifonise labe perbehet nga shumezereshi ( marresi, kthyesi dhe hedhesi/ preresi) dhe ISO -Isua. V.Tole e kerkon origjinen e isopolifonise tek vajtimi me ligje, si tradite e lashte shqiptaro- greke ( vajtimi kuajve te Akilit dhe sirenave) dhe tek kori tragjedive greke, teze kjo e hedhur dhe nga I.Kadare ne persiatjet e tij.
        P . Barka e shikon origjinen e isopolifonise ne Epir , duke hequr kerraben nga tradita dorike, kulti Dodones dhe harmonia e Pitagores.
        Sipas muzikologeve greke dhe te tjere, muzika e kishes bizantine perthithi traditen vendase te muzikes orale dhe , me pas, ndikoi mbi kete tradite, duke u bere shtrati ku hodhi shtat isopolifonia .Ne kete kontekst, Barka thekson se isopolifonia eshte produkt i korit ne kishen bizantine dhe kete e ilustron me stilin himariot te kenges labe. Sipas tij Himara kishte kontakte me Korfuzin dhe Kisha Ortodokse e Korfuzit, duke qene nen ndikimin venecian, kishte perthithur elementet e muzikes pokifonike perendimore.
        Nga ana tjeter Eno Koço ne nje kumtese te tij fokusohet tek tradita e Kishes Ortodokse tek arbereshet e Kalabrise dhe Sicilise dhe i meshon idese se arbereshet ruajten ritualet dhe muziken e origjines ( para turke ) , pra te traditave muzikore popullore te Ballkanit Jug perendimor .
        Sipas tij fenomeni isopolifonise nuk lidhet me Kishen bizantine sepse ajo ishte e perhapur deri ne shek. VIII ne Italine e Jugut por para shek. XV aty nuk pikasen elementet qe gjenden ne traditen e muzikes te kishes ortodokse arbereshe.
        Sigurisht qe kerkohet nje pergatitje multidisiplinare , ne fusha si muzikolog, bizantolog, antropolog, per nje qasje integrale ne shkoqitjen dhe ndriçimin e raporteve mes muzikes bizantine, tradites folklorike orale dhe isopolifonise se Shqiperise Jugore.

  2. Dime shume pak, per t’mos thene aspak, per muziken bizantine. Gjithnje mendojme shabllon, se muzika bizantine eshte ajo e atyre koreve kishtare gregoriane, te cilat ne viten ’90 hyne ne mode per shkak se u kthyen gati ne tekno, (p.sh. dhe afersisht: Enigma, CD-n e te cilve e bleva asaj kohe).

    1. Askush nuk thotë se muzika bizantine është e koreve gregoriane. Vetë emërtimi “kor gregorian” tregon dhe llojin e muzikës…

  3. Muzika bizantine duke qene e lidhur,me zanafilat e krishterimit Lindor,qe u zyrtarizua nga Kostandinini i madh,dhe pastaj kodifikimi i saj nga Jan Kukuzeli,sherbeu si nje paradhome,per fillesat e muzikes klasike perendimore,me koret e burrave me zera bass&bariton,te tradites baroke,madje u persosen koret bizantine,per te ruajtur veçorine,me basso profondo(i thelle)per te ruajtur mistiken e monofonise,madje duke e shpjere ate,ne nje nivel artistik te pa’arritshem,vlen te permendet kollona zanore madheshtore e filmit antologjik”Ivan Grozni-i tmerrshem”i rregjisorit Rus me fame boterore Sergej Eisenstein,i cili e kuptoi mese miri,rendesine e kesaj tradite te hershme muzikore,pasuri e njerzimit,per te pare ate si shtylle kurrizore te patjetersueshme,te kryevepres se tij pamore,e patejkaluar deri me sot,me ane te bassit profondo&korit te muzikes bizantine me te fuqishmin e kohes,duke ruajtur veçorite si diçka tejet e vyer,qe vjen nga thellesite,e shekujve me nje ngjyrese melodie,krejt te dallueshme&te pangjashme,me koret e muzikes klasike apo koret gregoriane,duhet te jemi fatlum,qe kjo tradite me vajtimet e pertejvarrit,per Shen Merine e virgjer etc vazhdon ende te levrohet,permes korit te muzikes bizantine”Jan Kukuzeli” ne Durres Vlore etc dhe te shijohet ne gjuhen amtare,albumi Entropy i artistes Eda Zari,eshte nje deshmi se gershetimit te persosur te muzikes bizantine,me muziken Jazz,duke ja rritur vlerat kesaj te fundit.Falenderojme autorin e shkrimit tejet kersherues sqarues shpjegues,mbi muziken bizantine nga fillesat e saj deri ne ditet e sotme!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin