Mes librave që mora këtë herë në Tiranë, më i çmuari ishte pa dyshim Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, nga Anila Omari; botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ky leksik vjen në vazhdim të botimit kritik, të përgatitur nga e njëjta autore, të veprës së Bogdanit Cuneus Prophetarum, që ka dalë tashmë prej më se 10 vjetësh.
Veç cilësisë së përgjithshme të punës dhe kompetencës profesionale së autores, e veçanta e këtij botimi të tanishëm është se fjalori – ose lista e plotë e fjalëve të përdorura nga Bogdani – është hartuar sipas metodës së analizës së konkordancave tekstuale, ose vjeljes elektronike të tekstit. Ndryshe nga metodat tradicionale të filologjisë tekstuale, kjo metodë e re lejon kontroll total të tekstit nga ana e studiuesit.
Krahasimet me italishten e origjinalit e kanë ndihmuar A. Omarin të japë përkufizime të sigurta të kuptimeve të fjalëve të Bogdanit dhe të krijojë, sado tërthorazi, një ide për kapacitetet reale dhe potenciale të shqipes së shkruar në shekullin kur shkroi Bogdani.
Edhe pse vepra Cuneus Prophetarum ka natyrë fetare, sërish ajo është më e pasura në përmbajtje nga të gjitha simotrat e letërsisë së vjetër të Veriut dhe prandaj e ka vënë Bodganin dje, dhe studiuesit e tij sot, para sfidave më të vështira për t’u përballuar.
Në studimin e gjatë që i paraprin Fjalorit, A. Omari jo vetëm që sqaron dhe ilustron në hollësi metodën që ka ndjekur për përpilimin e fjalorit dhe paraqitjen e fjalëve, por edhe jep mendime të vyera sa për gjuhën shqipe që pat në dispozicion Bogdani, aq edhe për gjurmët që la ky autor në shqipen e vet, nëpërmjet zotimit dhe mundimit intelektual.
Analiza e formimit të fjalëve, sidomos atyre abstrakte, fotografon një gjendje të zhvillimit leksikor të shqipes së shkruar që i paraprin këtij të sotmit, por që do të japë ndihmesë të madhe në sqarimin e rrugës që ndoqi shqipja – nga një autor në tjetrin, nga një dialekt në tjetrin – për t’u shtrirë edhe në përmasën e shkruar.
Këtu çdo studiuesi serioz i duhet dorë e sigurt për të dalluar se çfarë i përket shqipes së Bogdanit dhe çfarë ka krijuar mirëfilli ky autor, në procesin aq të zorshëm të ballafaqimit të shqipes me italishten dhe, në thelb, me latinishten mesjetare.
Interes për historinë e gjuhës shqipe kanë edhe huazimet që dalin te vepra e Bogdanit – ato diturore nga italishtja, por edhe huazimet që i ka pasur shqipja e Bogdanit, dhe që kanë hyrë nga italishtja, nga sllavishtja dhe nga turqishtja. Nëse marrim pastaj në shqyrtim leksikun e shqipes në veprat e autorëve të tillë si Buzuku, Bardhi dhe Budi, atëherë krahasimi do të na lejojë të shohim dinamikat e shqipes në një periudhë që ende e kuptojmë shumë pak, nga ana e zhvillimeve gjuhësore.
Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit është nga ato vepra që vendosen në themelet e dijes albanologjike; meqë mbi to ngrihen pastaj studime të tjera, projekte, doktoratura dhe vepra për një publik më të gjerë. Botimi i këtij libri të kushtueshëm për t’u hartuar, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, tregon se në fusha të tilla, të flasësh për “rentabilitet” do të ishte sakrilegj.
Kultura shqiptare e ka njohur shkrimin relativisht vonë; dhe Bogdani na përshëndet nga një shekull që, përndryshe, e njohim shumë pak. E botuar në vitin 1685, Cuneus Prophetarum është nga dëshmitë e fundit të asaj shqipeje të vjetër liturgjike dhe intelektuale të Veriut, e cila i parapriu shqipes moderne të Rilindjes. Por jo vetëm – është edhe nga dëshmitë e fundit të një mënyre specifike të së shkruarit shqip.
Është fat i madh për albanologjinë që vepra e Bogdanit është ruajtur dhe mund të studiohet sot në tërësinë e vet. Krahas studimeve të ngjashme, që janë kryer ose do të kryhen për autorët e tjerë të Veriut dhe për autorët arbëreshë të Pararilindjes, edhe ky Fjalor i tanishëm, i A. Omarit, do të zërë vendin e vet aq të nevojshëm, në bibliotekën kanonike të historisë së gjuhës shqipe.
Shënim: për vlerësimet e shkurtra më lart u mbështeta edhe në recensionin që pat përgatitur për veprën në fjalë prof. Seit Mansaku, dhe që autori pati mirësinë të ma jepte për ta shfrytëzuar.