Le t’u kthehemi për një grimë qëndrimeve të ndryshme të historiografisë dhe të kulturologjisë shqiptare ndaj Kavaliotit dhe vetë fenomenit Voskopojë gjatë këtyre dekadave të fundit: nga njëra anë, gjejmë vlerësimet sipërore të Jup Kastratit e të Alfred Uçit (veçanërisht të ekzagjeruara), nga ana tjetër rishikimet, revizionimet dhe zhvlerësimet e Xhevat Lloshit dhe të Shinasi A. Ramës. Për mua, polarizimi thjesht rimerr dy faqet e kombëtarizmit tonë, ashtu siç janë shpalosur në rrjedhë të historisë: inkluzivitetin, ose dëshirën për të parë e njohur shqiptarë kudo, në hapësirë dhe në kohë; dhe ekskluzivitetin, ose vullnetin për ta trajtuar shqiptarinë si një lloj klubi meritokratik, ku shqiptarët do të pranohen vetëm pasi të kalojnë një sërë filtrash. Karakteristikë e këtyre dy prirjeve, që mund të duken të kundërta, është se ato shpesh veprojnë njëkohësisht – ose sipas interesave ideologjike të atyre që i adoptojnë.
Sikurse e parashtrova në dy pjesët e mëparshme të këtij shkrimi, edhe Lloshi edhe Sh. Rama, sado që me ton të ndryshëm, thonë se Kavalioti nuk ka arsye të vlerësohet lart nga kultura shqiptare, dhe aq më pak të mbivlerësohet, sepse nuk ka qenë shqiptar dhe nuk ka punuar për shqiptarinë: madje Sh. Rama nuk ngurron ta quajë “antishqiptar.” Veprimtaria e këtij dijetari, shpjegojnë të dy këta, është shtjelluar brenda kulturës së krishterë ortodokse në Shqipërinë e Jugut, e cila nuk e ka përkrahur elementin shqiptar, shkrimin shqip dhe shkollën shqipe e lëvrimin e kulturës shqiptare; madje edhe në kohën kur identiteti kombëtar grek modern nuk ishte ngjizur ende.
Argumenti kundër Kavaliotit ngrihet kështu mbi idenë e këtyre autorëve për identitetin – të cilin Lloshi gjithnjë duket ta mbështetë mbi gjuhën amtare, ndërsa Sh. Rama te gjaku. Edhe njëri edhe tjetri nuk duan të marrin parasysh se, në shekullin XVIII, jo vetëm që identiteti individual përjetohej ndryshëm nga ç’e përjetojmë ne sot dhe mbizotëronte identifikimi mbi bazë fetare dhe komunitare, por edhe vetë identiteti shqiptar ishte ende në shpërgënj, nuk ishte kristalizuar. Prandaj, më duket mua, nuk ka shumë kuptim të thuash me të madhe për Kavaliotin se “nuk ka qenë shqiptar”, në një kohë që në kohën e këtij “të qenët shqiptar” ishte diçka tjetër nga ç’është sot, dhe gjithsesi shumë më e parëndësishme, jashtë kontekstit komunitar-fetar.
Një gjë e dimë me siguri – që Kavalioti veproi në Voskopojë dhe fatet e tij, si figurë kulturore, nuk mund të ndahen dot nga çfarë përfaqësonte ai qytet, në Ballkanin e shekullit XVIII. Historiografitë kombëtare të vendeve të Ballkanit e kanë trajtuar Voskopojën sipas midesë – përfshi këtu rumunët, që e kanë parë si manifestimin më të lartë të “qytetërimit arumun” në Ballkan, por edhe grekët, të cilët e kanë përshkruar si produkt të ortodoksisë ballkanike (“greke”). Tani, për shkaqe historike, zhvillimet kulturore aq të spikatura në Voskopojë nuk mund të ndodhnin veçse brenda suazës së ortodoksisë dhe të kulturës kishtare bizantine; në kuptimin që edhe shtypshkronja e këtij qyteti – e para në Ballkan – do të nxirrte kryesisht libra të kishës ose të lidhura me praktikat fetare, si hagjiografi dhe tekste të ngjashme, në gjuhën greke. Por kjo nuk e bën Voskopojën “greke.” Të shënohet këtu edhe që historiani suedez Johann Thunmann, që e vizitoi këtë qytetin në periudhën e lulëzimit të tij, vërejti se në rrugë kish dëgjuar të flitej vetëm arumanisht (vllahisht).
Për prejardhjen etnike të banorëve të Voskopojës gjithnjë do të diskutohet. Imazhi i një Voskopoje arumune të krishterë, etnikisht e kulluar, ishull i rrethuar nga “turko-shqiptarët” që pastaj e shkatërruan prej zilisë, është imazh mitologjik, pothuajse histerik, që është adoptuar dhe promovuar lirisht nga ideologët, por që nuk i përgjigjet realitetit. Më e arsyeshme është të supozohet e të përfytyrohet një Voskopojë etnikisht e përzier, ku elementi etnik arumun (vllah) bashkëjetonte dhe bashkëpunonte me elementin etnik shqiptar-ortodoks. Historiani Pëllumb Xhufi, i cili Voskopojës i ka kushtuar një monografi me titull Shekulli i Voskopojës (1669-1769) (Botimet Toena, 2010), ka treguar si edhe thjesht analiza onomastike e emrave të banorëve të qytetit që janë ruajtur, e dëshmon këtë natyrë të përzier të qytetit. Me interes në këtë kontekst është edhe një vërejtje e dijetarit Gustav Weigand, i njohur si studiues dhe dashamirës i elementit arumun (vllah) në Ballkan, i cili ka shpjeguar se ndërtimi i qyteteve si Voskopoja, “me shtëpi solide guri”, nuk mund t’u atribuohet vllehëve, të cilët parapëlqenin, me traditë, vendbanime blegtorale të lëvizshme, si katundi; prandaj gjasat janë që elementi lokal me prejardhje shqiptare të jetë përfshirë, që në krye, në ndërtimin e qytetit. Me fjalë të tjera, ndryshe nga ç’pretendon një takëm i përndezur historianësh dhe ideologësh në Ballkan, vendasit shqiptarë etnikë kanë marrë pjesë më shumë në ndërtimin, se në shkatërrimin e Voskopojës.[1] Edhe vetë fakti që autorët voskopojarë të fjalësve shumëgjuhësh, nga Kavalioti te Dhanil Haxhiu, e kanë përfshirë shqipen në listat e tyre, flet për prani domethënëse të elementit shqiptar (shqipfolës) në shkollat.
Xhufi me të drejtë shtron edhe pyetjen se si e përfytyronin ose e identifikonin veten banorët e qytetit, në periudhën e lulëzimit të tij – sepse përgjigjja do të ndihmojë për t’iu shmangur stereotipive moderne për identitetin kombëtar. “Vetëpërcaktimet etnike ishin një gjë shumë e rrallë në atë kohë, kur në marrëdhëniet e përditshme njerëzit vetidentifikoheshin sipas fshatit, qytetit ose krahinës nga vinin,” shkruan ai. E megjithatë, ndonjë nga dokumentet e rëndësishme të kohës, si Kodiku i Shën Prodromit, “përcakton si atdhe të voskopojarëve pikërisht Voskopojën.” Vetë identiteti voskopojar, i mbivendosur ndaj identitetit fetar, etnik dhe gjuhësor të banorëve të qytetit, do parë si një dukuri emergjente, që i detyrohej bashkëjetesës dhe bashkëpunimit të qytetarëve, për të cilët Voskopoja ishte diçka më tepër se emri i një vendbanimi – sepse përfaqësonte një realitet të përditshëm dhe një kriter për organizimin e eksperiencës së tyre sociale. Kjo shpjegon edhe pse një numër tregtarësh dhe të tjerë banorësh të qytetit, kur gjendeshin në vende të tjera në Europë, identifikoheshin haptazi si voskopojarë. Xhufi gjithashtu sjell dëshmi se, po këta voskopojarë, në rrethana të tjera do të quhen prej të huajve “shqiptarë” dhe si të tillë do të regjistrohen nga autoritetet lokale, anembanë Europës. Gjetiu, të njëjtët do të identifikohen si grekë, çfarë mund të ketë lidhje me fenë e tyre, siç mund të ketë lidhje me gjuhën që ata përdornin për të shkruar. Në përgjithësi, banorët e Voskopojës gjendeshin në fazën e një identiteti fluid, ose ishin bartës identitetesh të ndryshme, të cilat kushedi edhe i përdornin sipas interesit.
Në Ballkanin e shekullit XVIII dhe në shkrimet e bashkëkohësve, emërtimet pseudo-identitare si “turq” dhe “grekë” nuk kishin ndonjë kuptim etnik, por u referoheshin komuniteteve – dhe individëve – në bazë të identitetit të tyre fetar: turq ishin ata të besimit mysliman, grekë ata të besimit ortodoks. Brenda kësaj skeme, identiteti etnik nuk ngrinte peshë – as në realitet, as në përfytyrimet dhe në analizat. Më vonë, me zgjimin e vetëdijës kombëtare në popujt e Ballkanit, nuk munguan përpjekjet për t’i populluar këto identitete fetare me elementin etnik, duke përfituar edhe nga ambiguiteti i emërtimit grek – që mund të shënjonte edhe përkatësinë fetare, edhe atë etnike. Kjo lejoi pastaj që shqiptarët e besimit mysliman të vijonin të identifikoheshin si “turq”, ndërsa ata të besimit ortodoks si “grekë” – pa çka se identiteti shqiptar, që kish nisur të kristalizohej mirë në shekullin XIX, nuk mbështetej në identitetin fetar, por në atë gjuhësor.
Edhe vështirësitë për të pranuar dhe identifikuar elementin shqiptar ortodoks në Voskopojë janë burim i këtij ekuivokimi – jo gjithnjë të pafajshëm. Ndryshe nga arumunët (vllehët) të cilët ishin me përkufizim ortodoksë meqë nuk u islamizuan, shqiptarët e asaj kohe, sikurse edhe të sotmit, kishin përfunduar fetarisht të përçarë – shfaqeshin si edhe “turq” edhe “grekë”, në sytë e atyre që vijonin ta ndanin botën ashtu[2]. Për disa, kaq ka mjaftuar për ta përjashtuar shqiptarin ortodoks si kategori identitare, për ta etiketuar në mënyrë implicite si “grek” dhe pastaj për ta defaktorizuar nga zhvillimet kulturore kombëtare. Mirëpo konstrukte të tilla ideologjike mund t’u shërbejnë në praktikë atyre që i kanë adoptuar, por nuk është se vlejnë, sado pak, për të ndriçuar realitete komplekse, si ai i Voskopojës qytet të shekullit XVIII.
[vijon]
(c) 2017, Peizazhe të fjalës.
[1] Arsyet e shkatërrimit të Voskopojës në fund të shekullit XVIII janë komplekse; Sh. Rama me të drejtë shkruan se kjo ndodhi për shkak se voskopojarët u ngashënjyen nga e ashtuquajtura “revoltë e Orllovit” (dhe pastaj u goditën drejtpërdrejt por e pësuan edhe ngaqë, si pasojë e shtypjes së revoltës, ndryshuan edhe rrugët tregtare në Ballkan, të cilat deri atëherë kishin privilegjiuar Voskopojën), të tjerë përmendin probleme të natyrës ekonomike, të tjerë akoma çështje borxhesh të pashlyera. Gjithsesi, arsyeja pop-historike se Voskopoja u dogj dhe u shkatërrua nga shqiptarët (turqit, myslimanët) të cilët nuk ia duronin dot shkëlqimin – praktikisht errësira që e mbyti dritën – është tepër simpliste për t’u marrë në konsideratë.
[2] Mes privilegjeve që Porta e Lartë i pat akorduar Voskopojës, ishte edhe ndalimi i vendosjes së myslimanëve në atë qytet (Xhufi, vep. cit. f. 161, duke iu referuar studiuesit grek Kurilla).
Po pres me padurim fundin. Megjithatë, marr guximin të vendos këtu një mendim, i cili më piqet pas leximit të 3 pjesëve të artikullit. Prof. Lloshi dhe Dr. Rama pozicionohen si profesionistë në artikujt e tyre, por vetëm si profesionistë nuk flasin. Prof. Lloshi flet si historian dhe filozof. Mirëpo nuk njeh historinë e Voskopojës apo realitetin e shek. XVIII (por jo vetëm) në Ballkan (çka kuptohet lehtë nga artikulli i tij), sikundër dhe flet për rëndësinë e filozofisë së Kavaljotit pa pasur lexuar vetë tekstet e Kavaljotit, apo tekste të tjera që merren me të, përjashto Akademik A. Uçin. Këtë të fundit, tekstet e Kavaljotit në origjinal, ia vura në vëmendje Prof. Lloshit pasi këndoi artikullin në konferencë, dhe m’u përgjigj publikisht: “S’kam nevojë të lexoj Kavaljotin, ay s’është shqiptar”, e të tjera. Ç’ka tregon shumë për mosseriozitetin e punës. Kurse Dr. Rama çon më tutje debatin, duke i këputur edhe ca epitete aspak shkencore qoftë temës, qoftë Kavaljotit, dhe duke sjellë në diskutim komplote të agjentëve Rusë, dikur, sikdundër dhe sot, etj. E kuptoj, zotërinjtë aludojnë për dhe mendojnë ende si në kohëra të tjera, kur Partia qe në ballë dhe populli më këmbë. Shërbimi vazhdon. Punë e tyre.
Pas leximit edhe të pjesës 3 të Ardian Vehbiut shoh se autori përpiqet të sjellë në binarë të arsyes tekstet e të sipërpërmendurve, sa duke i kritikuar, sa duke rënë dakord me ta. Çfarë vë re është se Vebiu flet më shumë nga pozita e publicistit. Punimet shkencore për Voskopojën dhe Kavaljotin janë pa fund. Përgëzime z. Vehbiu për kurajon, por po aq kontribuon edhe në artikulime të gabuara, të cilat u mbivendosen gabimeve të dy artikujve që kritikon. Fjala vjen, ideja e Gustav Weigand nuk është argument i pakundërshtueshëm, pasi autori niset nga një traditë e vllehëve, duke e përgjithësuaratë. Vllehët lëviznin me tufat e tyre, por kjo nuk i ndalonte të ndërtonin një shtëpi dhe ta kishin si vendnisjeje dhe vendmbërritjeje, sapo të arrinin një nivel begatie që u lejonte blerjen e një pasurie të patundshme. Ka plot fshatra të tjerë vllehe shpateve të Gramozit, në të dyja anët e kufirit, nëpër Pind, apo gjetiu në Trakë dhe Tesali. Datojnë nga shek. XVIII, si Voskopoja, dhe më pas. Po aq i debatueshëm është Thunmann, teksa në historiografinë e shek. XX e prapa mëtimet e udhëtarëve nuk para merren shumë si të vërteta, pasi këta jo vetëm e shikonin realitetin me syrin e përkthyesit apo shoqëruesit, por në mendimet e tyre kontribuon jo pak përvoja vetjake (pozitive apo negative) me vendin, moti, ushqimi, lodhja fizike, etj.
Bibliografia për temën do të ishte e stërgjatë, dhe nuk kam kohë të bëj studime të mirëfillta tani. Me sa më sipër nuk dëshiroj assesi të dekurajoj Ardian Vehbiun, por të shtoj se edhe këto kontribute të tij, me gjithë dëshirën e mirë për të kritikuar dhe kaluar debatin në kah pozitiv, teksa trajtojnë tema specifike si etnia, arsimi, gjuha, kultura, ekonomia, bartin mjegullën e mungesës së informacionit.
Sokol, as Weigand-i as Thunmann-i janë udhëtarë të zakonshëm: i pari ishte studiues dhe specialist ballkanolog; udhëtimet e tij kanë qenë në funksion të studimeve të tij. Askush nuk i ka njohur aq mirë sa ai rumunët dhe arumunët në Ballkan, prandaj dëshmia e tij merr rëndësi të madhe, aq më tepër që dihet se ka qenë dashamirës i elementit arumun. Thunmann-i, edhe ai, ka qenë studiues para se të ishte udhëtar; dhe ai gjithashtu ka udhëtuar në funksion të studimeve, jo për të shëtitur dhe për të pasur eksperienca ekzotike. Prandaj dëshmitë e këtyre unë nuk do t’i ngatërroja me ato të udhëtarëve të tjerë të huaj, në Ballkanin e kohës.
Tani, sa për ndërtimin e Voskopojës, edhe sikur të mos kishim dëshminë e Weigand-it, mund të arsyetojmë se në atë kohë kish një farë specializimi ose një ndarje punësh edhe në ekonomitë rurale; në kuptimin që kur një fshatar kish nevojë të ndërtonte një shtëpi, do të thërriste muratorët. Madje në Shqipërinë e Jugut ka pasur komunitete të mirëfillta, që ndonjëherë i quanin edhe “mjeshtra”, dhe që lëviznin fshat më fshat, për të ndërtuar dhe meremetuar shtëpitë. Duke qenë Voskopoja e rrethuar me fshatra ortodokse shqiptare ku jetonin dhe sot ende jetojnë muratorë të specializuar, atëherë këta me siguri janë thirrur që të ndërtojnë – shtëpitë dhe kishat. Për arsye të ngjashme, një qytet si Voskopoja nuk mund të ketë qenë mirëfilli vllah (arumun) – nëse vllehtë dhe ortodoksët shqiptarë bashkëjetonin lirisht kudo gjetiu në Shqipëri, më duket afërmendsh që ta bënin këtë edhe në Voskopojë.
Nuk doja të thoja kurrsesi që Voskopoja ishte krejtësisht vllahe, dhe nuk po e them. Por nuk mund të habitem pse vllehët paskërkan shtëpi, dhe nuk jetojnë me karvanë nëpër tenda, se kështu thotë tradita. Unë vetë nuk do t’i merrja mendimet e Weigand-it si dëshmi për Voskopojën e shek. XVIII, për arsyen e thjeshtë se ky ka punuar pothuaj një shekull pas shkatërrimit të parë të Voskopojës. Gjithmonë del pyetja: cili është burimi? Më duhet të rishikoj Thunmann, me këtë rast, dhe faleminderit që më tërheq vëmendjen.
Siç e kuptoj unë, Voskopoja është një lloj qendre kozmopolite dhe multietnike, siç është multietnike e gjithë Perandoria Osmane. Pastërti etnike nuk ka në Voskopojë. Religjioni mbetet i krishterë, sipas traditës së Kishës së Lindjes, gjuhët e folura apo të shkruara aq sa janë edhe etnitë që e popullojnë.
Po prisja edhe unë fundin por meqë Sokoli ia shkrepi argumentit thash të ndërhyj edhe unë tani. 🙂
Weigand në fakt në pasazhin e mësipërm (nuk di nëse XhaXhai citon direkt apo tërthorazi; unë citoj nga përkthimi i librit Die Aromunen i bërë nga vllahologu i njohur Thede Kahl në greqishte) argumenton me Pouqueville-in në lidhe me emrin e Voskopojës, dhe tekstualisht pjesën e dytë të emrit -poli/ -poje (poli – πόλις gr. – qytet) dhe thotë se aromunët nuk ndrëtojnë qytete por katunde. Në përkthimin që kam unë nuk thuhet gjë për “shtëpi solide guri”. Sidoqoftë, qyteti erdhi si zhvillim i rrethanave ekonomike e demografike, nuk u ndërtua ad hoc si qytet, dhe rreth viteve 1650 ende një fshat baritor ka qenë (“katundi” arumun), pra nuk e kuptoj fortë ku qëndron ky argument. Mund të bëjmë një krahasim psh me Mecovën, një tjetër qendër historike aromune në Greqi, e cila është e ndërtuar në gur pa ndonjë ndërmjetësi shqiptare.
Shqiptarët në Voskopojë kanë qenë një komunitet i vogël me një mëhallë të vetme (arnaut mahalesi) të vendosur kronologjikisht t fundit në qytet, ashtu siç ishin komunitet e tjera të ardhura (psh aromunët nga Fshatrat e Mecovës dhe të Skamnelit që kishin përkatësisht mëhallët e tyre, mecovit mahalesi dhe skamnelit mahalesi).
Citimin nga Weigand-i e kam bërë sipas P. Xhufit (f. 65). Por, edhe vetëm duke arsyetuar, ma do mendja se gjithë ato ndërtime që kish Voskopoja, përfshi këtu edhe 24 kishat, janë bërë nga ustallarë të specializuar në ndërtime. Xhufi thotë që këta vinin nga fshatrat përreth Voskopojës (fshatrat e Oparit). Më duket fare normale, që në një qytet të madh dhe të hapur (për ortodoksët) e pa mure, të vendoseshin edhe shqiptarë ortodoksë. Nëse do të pranojmë që identiteti etnik në shekullin XVIII nuk ishte përcaktues, si për shqiptarët si për arumunët (vllehët), atëherë vetë ideja e një qyteti etnikisht të pastër nuk mund të mbahet në këmbë. Njëlloj e kam të vështirë të përfytyroj çfarë mund të kish mirëfilli arumune në kulturën e Voskopojës – e cila mbeti greke-ortodokse në shprehjet e saj më elokuente. Sërish te Xhufi lexoj për voskopojarë të shquar të cilët, jashtë zonës, identifikohen si “shqiptarë”, me gjasë ngaqë vinin nga një zonë gjeografikisht e identifikuar si “Shqipëri”. Është e vërtetë, nga ana tjetër, që shumë prej njerëzve të penës, që më pas bënë emër edhe për orvatjet e tyre për ta shkruar shqipen, identifikohen pozitivisht si arumunë (vllehë). Për mua, kjo do të thotë ose që autoritetet kishtare në qytet parapëlqenin elementin arumun, ose që arumunët vetë ishin më të prirur për t’u marrë me dije; një argument ndihmës këtu ka të bëjë me raportin e tyre me pronën dhe pasuritë e patundshme. Si me thënë, arumunët në këtë rast ndonjën një trajektore të ngjashme me atë të hebrenjve në Gjermani dhe gjetiu në Europë; çfarë ka vazhduar, tek e fundit, deri sot e kësaj dite.
Po, ndërtimet kërkojnë ustallarë, por këta nuk i japin identitetin Voskopojës. Për mua (dhe nëse Lloshi do të dalë atje unë bashkohem me të) Voskopoja nuk ka patur asgjë që mund ta etiketojë si “shqiptare” përveç një popullsie të vogël dhe të vendosur shumë vonë (diku nga 1750 e më pas).
Është krejt e gabuar të mendohet se aromunët ngelën në stadin e nomadizmit dhe blegtorisë. Në rrethanat e qytetëzimit mundën të hedhin në dorë tregtinë dhe artizanatin pothuajse të të gjithë Ballkanit.
Nëse shkëlqimi i Voskopojës ndikoi në Rilindjen shqiptare apo solli një interesim intelektual mbi qytetërimin shqiptar kjo më duket e pashmangshme por krejt anësore. Më vjen ndërmend një krahasim këtu me shkollën Zosimea të Janinës. Edhe kjo shkollë ka patur një ndikim të fortë mbi Rilindjen, por ky nuk ka qenë objekti i saj. Ndikimi erdhi si pasojë e shkollimit dhe edukimit të shumë shqiptarëve atje por shkolla (dhe shteti grek prapa saj) kërkonte njerëz që t’i shërbenin çështjes greke. Dhe ky në fakt ka qenë edhe një “ankim” si të themi në ato vitet e errëta të nacionalizmit të shekullit të kaluar nga intelektualët grekë, se armiqtë e greqizmit u shkolluan me pará të shteti grek. Kështu ndodhi psh edhe me Grigor Prličev-in dhe me nacionalizmin maqedonobullgar, por kjo është çështje tjetër.
“Vetë identiteti voskopojar, i mbivendosur ndaj identitetit fetar, etnik dhe gjuhësor të banorëve të qytetit, do parë si një dukuri emergjente, që i detyrohej bashkëjetesës dhe bashkëpunimit të qytetarëve, për të cilët Voskopoja ishte diçka më tepër se emri i një vendbanimi – sepse përfaqësonte një realitet të përditshëm dhe një kriter për organizimin e eksperiencës së tyre sociale. Kjo shpjegon edhe pse një numër tregtarësh dhe të tjerë banorësh të qytetit, kur gjendeshin në vende të tjera në Europë, identifikoheshin haptazi si voskopojarë.”
Mbi këtë kam rezerva pasi kjo më duket më shumë çështje e lokalizmit, identifikimi në perjudhën që hetojmë nuk e kapërcente shpesh hapësirën e fshatit apo krahinës ku jetonin.
Mund të sjell një shëmbull nga një varrezë në një kishë serbe në Budapest. Në pllakën e varrit shkruhet (në greqisht): “Këtu prehet midis të vdekurve Athanasios Panajotu, për nga origjina (γένος) shqiptar (Αλβανίτης në tekst), nga qyteti i Vithkuqit që jetoi 60 vjetë dhe fjeti më 2 mars 1799.
Këtë krahasim me çifutët e bënin që atëhere aromunët e tjerë, me këtë përcaktim u drejtoheshin psh frashërjotët voskopojarëve.
Tannhauser, me terhoqi vemendjen vecanerisht paragrafi i fundit i krahasimit me çifutet qe arumunet frasheriot e perdornin per voskopojaret. Ne fakt, korçaret madje dhe vete voskopojaret tregojne se i nxoren jashte tregut çifutet, duke tregetuar edhe diten e shtune, qe, siç dihet, ishte dite pushimi per hebrejte… si me thene krahasimi i shpeshte me hebrejte me eshte dukur interesant , por i palevruar nga studiuesit e fushes deri ne ate shkalle ku dhe mund te gjenden te tjera pika te ngjashmerise , veç asaj te investimit ne imobiliare , qe konstatoi A. Vehbiu.
Shkruan:
Kam disa probleme me këtë pohim. Duke filluar nga vetë kuptimi i fjalës “shqiptare” – sepse mund të themi që Voskopoja ishte në territorin e Shqipërisë gjeografike dhe kaq do të mjaftonte për ta quajtur – në një mënyrë – shqiptare. Por e kam të qartë që nuk mund ta diskutojmë kështu. Atëherë le të sqarojmë se ç’kemi parasysh me “shqiptare” – unë do të thoja, njerëz që flasin shqip. Madje nuk ka nevojë as edhe që ta identifikojnë veten si “shqiptarë” – thjesht të flasin shqip. A ka pasur të tillë në Voskopojë? Unë besoj se po, dhe këtë e mbështet në argumente edhe faktike edhe logjike. Duke filluar nga ajo që autorët e fjalësve shumëgjuhësh, Kavalioti dhe të tjerët, e përfshinin shqipen – çfarë provon se të paktën në Akademi kish nxënës që flisnin shqip. Por – mund të thuhet – këta nuk është e thënë të kenë qenë nga Voskopoja. Dakord.
Pastaj, kemi dëshminë e atyre që identifikohen si “shqiptarë” kur udhëtojnë jashtë Voskopojës; sikurse edhe dëshminë e disa emrave banorësh që janë qartazi shqiptarë.
Dëshmia e bazuar në vëzhgimin e Weigand-it nuk mund të anashkalohet lehtë gjithashtu. Por këtu duhen bërë disa sqarime. Duke filluar nga ajo që tradita e “katundit” mes arumunëve blegtorë shëtitës nuk do të identifikohet me zakonet e tyre në qytet. Qyteti është diçka tjetër.
Dhe le të pyesim se çfarë i shtyu këta njerëz ta ndërtojnë qytetin e Voskopojës. Që nuk ishte qytet i rrethuar me mure, as kryeqendra e ndonjë principate a ndonjë garnizon a ku di unë çfarë tjetër. Ishte qytet ballkanik, tipik për Ballkanin qendror, PA MURE, i hapur. Ishte qytet tregtar, që pastaj shërbeu edhe si stacion shkëmbimesh materiale, financiare dhe kulturore mes popullsive të krishtera ortodokse të Ballkanit. Ndoshta madje edhe u ngrit mbi këtë funksion të shkëmbimit.
Tani karakteristikë e një komuniteti tregtarësh është se këta duan të lëvizin dhe t’i mbajnë rrugët të hapura; dhe voskopojarët nuk bëjnë përjashtim – i ndesh nga të gjitha anët, në Ballkan dhe më tutje. Gjithë kjo lëvizje nuk pajtohet me konceptin e një qyteti “thjesht arumun”. Ndoshta më mirë do të ishte të diskutonim se çfarë statusi kishin jo-vllehtë në qytet. Se veç shqiptarëve do të ketë pasur atje edhe sllavë (bullgarë). Sikurse do të ketë pasur edhe grekë mirëfilli. Këta ishin të gjithë “rum milet”, siç e tha Sokol Çunga më lart; dallimet mes tyre do të kenë qenë të dorës së dytë, sa kohë që edhe martoheshin mes tyre. Ka pasur në Ballkanin qendror edhe qytete të tjera të kësaj natyre – stacione ndërballkanike. Qytetet kanë nevoja të ndryshme nga fshati, dhe aq më tepër nga “katundi” blegtoral arumun. Kanë nevojë për shërbime, për rend publik, për shkolla, për hane, për ndërtues dhe zanatçinj (edhe që t’u shërbejnë karvaneve). Këto nevoja plotësohen nga njerëz me prejardhje të ndryshme. Unë nuk di të jetë thënë e shkruar gjëkundi që arumunët nuk i donin shqiptarët ortodoksë në qytet, ose përpiqeshin t’i mbanin larg; përkundrazi. Madje qyteti ka shërbyer edhe si skena ku realizoheshin në mënyrë optimale marrëdhëniet mes tyre.
Shkruan sërish:
“Anësore” për kë? Për emancipimin e qytetërimit shqiptar nuk më duket se ka qenë aq anësore. Atëherë për kë? Për ortodoksinë greke në Ballkan? Ndoshta. Por këtu edhe unë mund të pyes: cili ishte qëllimi i qytetërimit voskopojar? Çfarë synonte të arrinte? Sepse më duket shumë lehtë të themi: ishte një qytetërim që dështoi krejt, pavarësisht se nuk dha vllehëve atë që mund t’u duhej (një gjuhë të shkruar, një ndjenjë dhe një lëvizje kombëtare, një shkollë për fëmijët). Unë nuk di si e konsiderojnë vllehët vetë Voskopojën – si shans të humbur, si katastrofë, si sakrificë, si dëshmi të vonesës së tyre kulturore. Por vështirë të thuash se Voskopoja u dha ndonjë gjë konkrete vllehëve si etni më pas, me përjashtim të një krenarie detyrimisht të trishtuar. Atëherë çfarë mbetet? Trashëgimia e Voskopojës në Rilindjen Kombëtare të shqiptarëve. Unë këtu do të shtoja edhe që shumë vllehë u përfshinë me dëshirë në këtë Rilindje – madje për Toskërinë Rilindja nuk mendohet dot, jashtë strukturave të gatshme financiare dhe logjistike të vëna në dispozicion nga vllehët, veçanërisht të kolonive (Bukuresht, Sofje, Stamboll, Misir). Prandaj do të isha kurioz, Tannhauser, të dija se çfarë do të ishte QENDRORE në trashëgiminë që la pas Voskopoja, në vizionin tënd, përballë asaj “krejt anësore” që paska qenë ndikimi i Voskopojës në kulturën shqiptare.
Atëhere, ajo që dua të them unë që të kuptosh më mirë argumentin tim, është se mundë të shkruash një histori të FENOMENIT të Voskopojës pa përmendur fare shqiptarët dhe prapë të jetë e plotë ajo. Nuk e mohova praninë e popullsisë shqiptare, madje e pranova që nga postimi i parë, kështu që doemos do ketë shqiptarë që identifikohen si të tillë nga Voskopoja, edhe pse më duket se është më shumë një nocion gjeografik, ashtu si shumë voskopojarë identifikohen si maqedonë.
Weigand nuk e vë në dyshim ndërtimin e Voskopojës nga aromunët; argumenti i Weigandit është vetëm në lidhje me emërtimin e Voskopojës. Nëse e kam kuptuar drejt Xhufin (nuk e kam lexuar librin), në mënyrën se si e ka transmetuar atë që ka thënë Weigand, është se nuk mund të kenë ndërtuar aromunët Voskopojën se ata parapëlqenin katundin gjë që nuk del nga teksti i dijetarit gjerman.
Ajo që thotë Weigand është se pjesa –poli/ -poje (=qytet) e emrit nuk mund të jetë greke por sllave pasi që vllehët nuk ndërtonin qytete por katunde. Përkthej pasazhin “Pouqueville-i (v. II, f. 392) thotë se Moskopoliu ndërtua në shekullin e XI mbi rënojat e qytetit antik nga barinj vllehë që i dhanë emrin që do të thotë . Nuk duhen prova që të tregohet se kjo është një krijim i pastër i fantazisë. Barinjtë vllehë nuk ndërtojnë qytete por fshatra me kasolle, të quajturat dhe veç kësaj fjala polis është krejt e panjohur tek barinjtë, e shumta të dinë fjalën qytet, dhe diçka që e bën pastaj teorinë krejt të pabazë, është se qyteti nuk quhet por ose siç e thonë shqiptarët , dhe prandaj kjo fjalë është me origjinë sllave, si shumë toponime në vend […]”. Deri këtu Weigand.
Tani thjesht nga ana arkitekturore, pamjen (stilin) e Voskopojës e kanë cilësuar si të ndikuar nga modeli venetomaqedon apo edhe austriak me shumë nuanca orientale, çfarë e bën edhe nga kjo pikëpamje unike. Këtu pra mund të kemi edhe ustallarë nga lindja apo nga perëndimi.
Nuk do thoshja se janë vetëm “rum milet”, përcaktimet si “shqiptar”, “vllah”, “bullgar”, “grek / romaios” kanë filluar të shfaqen, për të dalluar një farë origjine, një farë diferencimi. Unë mund të them se statuti ekonomik apo shoqëror diferenconte edhe njësitë e njëjta të një komuniteti, psh aromunët që ishin ende të angazhuar në blegtori ishin thjesht “vllehë” kurse tregëtarët, bankierët, zejtarët ishin kthyer në “grekë”. Si “grekë” (grk) i njihnin tregtarët aromunë serbët, po ashtu edhe austriakët (mund të përmend këtu veprën e industrialistit gjerman Alexander von Peez, Die Griechischen Kaufleute in Wien, ku thotë se transformimi i ekonomisë austriake nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontributin e tregtarëve grekë, veçanarisht të Voskopojës).
Qëllimi i qytetërimit voskopojar?
Nëse ka patur një të tillë, pra nëse konsiderojmë se qyteti do përmbushte një destinacion, besoj se përmblidhet në atë vjershën e Dhanilit “Shqiptarë, vllehë, bullgarë, ju që flisni gjuhë të huaja gëzohuni, dhe përgatituni të bëheni romej, lërini gjuhën barbare, zërin dhe traditat… Racën tuaj të nderoni bashkë me atdheun, shqiptarobullgaritë duke i bërë greke. Nuk është e vështirë tani të mësoni romeikisht dhe mos barbarizoni me pesë dhjetë fjalë. Popuj që ishit me gjuhë të huaja, por besimtarë në perëndi, zgjohuni nga gjumi i thellë i injorancës, mësoni romeikisht, nënën e dijes”. Për fjalë të tilla, një grek nga Etolia, jo shumë larg kronologjikish, ka marë anatemën e historiografisë shqiptare.
PS, Nuk më ka lënë ende kujtesa, shoh se diçka mbi “revizionizmin” e Lloshit kishim folur edhe para disa vjetësh (plot gjashtë në fakt, u plakëm XhaXha!)
https://peizazhe.com/2011/08/14/historiane-te-rrezikuar/
Jam dakord me ty, mund të shkruhet një histori e Voskopojës pa i përmendur shqiptarët.
Nuk di të them nëse mund të shkruhet një histori e Voskopojës pa i përmendur arumunët (vllehët).
Kam përshtypjen se kur lidhet tradita e Voskopojës dhe popullsia e saj (ose e prejardhur që andej) me grekët, bëhet fjalë për popullsitë ortodokse josllave në përgjithësi.
Në të njëjtën mënyrë sikurse fjala “turk” aso kohe identifikonte myslimanin – pavarësisht nga etnia e tij shqiptare, greke ose sllave.
Grek/Turk: nëse duam t’i japim kësaj kundërvënie një kuptim më të gjerë se ai thjesht fetar, duhet të zhvendosemi në shekullin XIX.
Sa për qëllimin e qytetërimit voskopojar – nëse është ashtu siç e formulon ti, atëherë ai qytetërim dështoi. Dhe nëse një qytetërim dështon, atëherë mbase ia vlen sidomos të studiohet për të parë trashëgiminë që ka lënë pas. Për shembull, kush e studion sot Kartagjenën dhe si?
Dua të them: nuk e vë në dyshim fenomeni Voskopojë mund të studiohet fare mirë pa i përmendur fare shqiptarët, por shqiptarët ishin ndoshta TË VETMIT që përfituan njëfarësoj nga lulëzimi kulturor i Voskopojës. Të tjerët humbën – që nga arumunët (vllehët), te greqizuesit dhe te lëvizja për të përhapur shkronjën greke. Ndoshta kjo mund të shërbejë edhe si argument për të kundërshtuar zellin përjashtues të Lloshit dhe sidomos të Sh. Ramës.
P.S. Ta di unë që tema të tilla të sjellin ty te Peizazhet, do të thyhem më dysh që t’i sjell më shpesh 🙂
E sjell edhe një herë pasazhin nga Weigand se po shoh që kam përdorur shenjat > < dhe më ka ngrënë fjalët, “Pouqueville-i (v. II, f. 392) thotë se Moskopoliu ndërtua në shekullin e XI mbi rënojat e qytetit antik “Mosk” nga barinj vllehë që i dhanë emrin “Voskopolis” që do të thotë “qyteti i barinjve”. Nuk duhen prova që të tregohet se kjo është një krijim i pastër i fantazisë. Barinjtë vllehë nuk ndërtojnë qytete por fshatra me kasolle, të quajturat “Katunde” dhe veç kësaj fjala polis është krejt e panjohur tek barinjtë, e shumta të dinë fjalën qytet, dhe diçka që e bën pastaj teorinë krejt të pabazë, është se qyteti nuk quhet “Voskopolis” por “Moskopolis” ose siç e thonë shqiptarët “Muskopoje”, dhe prandaj kjo fjalë është me origjinë sllave, si shumë toponime në vend […]”.
Jam dakort se qytetërimi në “qëllimin” e tij parësor dështoi, dhe humbësit kanë qenë greqizmi forca asimiluese e të cilit është mbivlerësuar si nga grekët e mirëfilltë (me shkollë nuk krijohen grekë) ashtu edhe nga nacionalizmat e pupujve ballkanikë (ku edhe atje që ka patur grekë të mirrëfilltë apo me ndërgjegje greke shikonin ndikimin e shkollës apo kishës greke).
XhaXha, ti e di që unë kam një dobësi në tema të tilla, por në fakt angazhimi me disa projekte personale më ka bërë ta humbas pak sensin e kohës, pa kuptuar se kanë kaluar vite pa u dukur. Ju lexoj ama rregulisht dhe me kënaqësi 🙂
Pershendetje i nderuar, nqs zoteroni listen e plote te kryefamiljare te mehallave te Voskopojes , ju lutem publikojeni qe ti shqyrtojme bashkarishte , ne lidhje me perkatesine e tyre etnike.Ndersa une ju ftoje te lexoni punimet e Z.Molossos , Komis, Paparigopoulos dhe se fundmi M.Kokolakis qe flasin per simbiozen Arumuno-Arberore ,ne malesite e Pindit.Personalishte kam hasur ne nje Defter te shek 17-te , Karye( zoterues ne osmanishte) -Gjon Kali ,ne Mecove.Dhe nuk ishte rast i vetem…
Voskopoja si qender zhvillimi eshte nje çeshtje komplekse. Kurse shkrimi Xh . Lloshit fokusohet tek identiteti dhe vleresimet e bera nga Kastrati, Uçi etj. per Kavaljotin dhe kontributi e tij si “mendimtar i shquar shqiptar dhe iluminist”. Xh.Lloshi dhe Sh.Rama ndjekin logjiken ” as..as”. Vehbiu duket se ndjek logjiken ” edhe …edhe” per rolin e Kavaljotit dhe vendin e tij ne kulturen shqiptare
Ju z. Çunga, si njohes i studimeve te shumta per Kavaljotin, çfare mendimi keni? Se te thuash se Veskopoja ishte qender kozmopolite dhe multietnike dhe se ” identitetet etnike ishin fluide” dhe jo te ngjizura sikurse jane sot, mendoj se problemit i vihet rrotull.
Ne shkrimet e tij Vehbiu e ka “hapur firzamoniken” , duke cekur çeshtjet komplekse historike te Voskopojes, ndoshta nga perceptimi dhe droja se, duke ulur nga piedestali Kavaljotin,terthorazi vihet ne pikpyetje kontributi komuniteit vlleh ne zhvillimin e Voskopojes.Kete droje e shikoj edhe ne komentin tuaj.
Kavaljoti normalisht nuk mund te shkeputet nga fenomeni Voskopoje. Por fakti qe per identitet etnike asokohe kishte perceptim tjeter, mos nuk duhej shtruar fare parimisht çeshtja Kavaljoti nga z. Lloshi?
Ndodh shpesh te thuhet ne studime se “x çeshtje eshte komplekse”, duke shprehur si natyren e problemit por dhe si alibi e pafuqise njohese per te ndriçuar kompleksitetin. .
Pika.s, mënyra skematike e të parit të një realiteti shumë të largët nga sot, pra, se po të ulet Kavaljoti nga piedestali, vihet në pikëpyetje kontributi i vllehëve për Voskopojën, nuk vlen për një shoqëri të ndërtuar jashtë kornizës së këndit të emulacionit. Nuk më duket se Vehbiu ka hall të mbajë Kavaljotin në piedestal, por t’u drejtohet ca temave të cilat duhej të ishin marrë në konsideratë nga dy autorët e mëhershëm, që u bënë zanafillë e këtij debati. Nuk kam thënë ndokund se identitetet etnike ishin fluide, por se Voskopoja ishte multietnike. Shtoj se çdo etni lidhej me të tjerat përmes rregullave të vendosura nga vetë komuniteti i përbërë, siç ishin, fjala vjen, statutet e esnafëve. Të paktën lexo “Shekulli i Voskopojës” të Pëllumb Xhufit, për sa i përket informacionit të përgjithshëm. Nëse më lexon drejt, nuk po mbroj ndonjë etni të Kavaljotit, pasi etnia e tij është e fundit gjë e rëndësishme për ne sot. Ishte rum milet. Jam i qartë?
Duke marre ne konsiderate njohurite tuaja, Sokol, dhe faktin qe ju keni rezerva ndaj qasjes se Vehbiut, desha te dija mendimin tuaja eksplicit per Kavaljotin . Jo per etnine e tij ( e cila ka anen objektive dhe subjektivitetin, vetperceptimin e tij per perkatesine etnike por kete nuk mund ta dime) por per kontributin e tij. Nese etnia mbetet e mjegullt ( rum milet ne veshtrimin e PO por, nga ana tjeter, njerzit jetonin brenda komuniteteve me te ngushta) dhe konceptualisht e ndryshme nga ajo qe perfytyrojme ne sot, kontributi i Kavaljotit lidhet me ate qe prodhoi, me deshmi siç jane Fjalori, doreshkrimet filozofike , mesimdhenia etj. A e bejne keto “mendimtar shqiptar” , pertej etnise se tij ?
Nuk jam i sigur sa i volitshem eshte si krahasim rasti i Jan Kukuzelit- me te jatin arber nga Dyrrahu dhe nenen bullgare, me kontribut ne muziken bizantine, brenda se ciles veproi ne manastiret ne Athos. Me keto kondita, ne e mbajme si pjese te krenarise kombetare. Ja dhe nje shqiptar i shquar thuhet ne studimet tona. Po cfare e ben x personalitet pjese te mendimit dhe kultures tone kombetare, origjina, etnia, gjuha qe fliste, mjedisi ku punoi apo kontributi ; si praktike dhe si produkt shkrimor?
Pika.s, dil tek pjesa VI.
Pika, percaktimi i identiteteve etnike si fluide, sidomos ne vise te banuara nga komunitete te perziera, apo ne zona kufitare eshte shume i shpeshte dhe nuk ka te beje vetem me Voskopojen e shek. XVIII por me shume realitete te ngjashme.
Nje deshmi e sjell, p.sh., Zygmunt Bauman-i kur flet per identitetin e banoreve te disa zonave rurale bilingue qe gjenden pergjate kufirit ruso-polak. Ne fillim te shek. XX keta banore, te pyetur nga nepunesit qe duhej te regjistronin etnine e tyre, nuk dinin t’i pergjigjeshin pyetjes nese ishin ruse apo polake. Thoshin se ata ishin prej ketij vendi a prej atij fshati, se i flisnin njesoj te dyja gjuhet, sipas rastit dhe qejfit dhe refuzonin te jepnin nje identitet te vetem dhe te prere.
Deshmine e dyte po ta sjell une, qe pikerisht dy dite me pare takova dy familje kosovare nga Peja. Me thane se ne shtepi ata flisnin turqisht, por nganjehere edhe shqip. I pyeta: jeni turq apo shqiptare? M’u pergjigjen se ishin shqiptare, por edhe turq. Djali i vogel (16 vjeçar) me tha si me shaka: – baba thote se eshte me shume turk sesa shqiptar, ndersa une jam me shume shqiptar se turk.
Kur keta sot nuk i kane ide te qarta mbi identitetin e tyre, pse duhet te pretendojme qe voskopojaret e shek. XVIII te kishin ide te qarta mbi perkatesine e tyre etnike?
Dakort Relapso, dukuria e identitetit fluid eshte e vezhgueshme ne komunitetet bilinguine, ne vijat kufitare nderetnike. Mua me ka rene rasti ta konstatoj kete me persona qe jetojne ne banimet pergjate kufirit te Rusise me Ukrainen. Ajo qe komplikonte perceptimin e tyre per identitetin etnik ishte jo vetem bilinguizmi por edhe kalimi banimeve te tyre administrativ nga njeri shtet ne tjetrin.
Identitetin fluid Bauman dhe Giddens e shikojne jo vetem si dukuri te enklavave te perziera etnikisht por edhe si dukuri te “late modernnity”. Sipas tyre ne shoqerine postmoderne nuk mund te flitet per nje identitet solid ne rrafshin personal.
Ne kohet moderne ( shembulli qe sjell ti) konfuzioni vjen ne kontekstin e nacionalizmit dhe shtetit- komb qe galvanizon identitetin kombetar. Kurse ne Voskopojen para dyqind vitesh, identitetet ishin ende te pangjizura etnikisht.
Asokohe individi kishte vetedijen e te qenit pjese e nje komuniteti apo krahine- voskopojar, kurveleshas, mirditor etj.
Nga ana tjeter , identiteti nenkupton ngjashmeri ( brenda grupore) dhe dallime ( jashte grupore). Vllehet , duke qene nomade, nga Pindi ne Voskopoje e viset e Shqiperise se Jugut, identitetin e krijonin permes negocimit dhe nderveprimit me komunitetet vendase ku nguliteshin. Ne keto rrethana,ngjizja si komunitet realizohej nen shenjat religjioze , sepse Kisha Ortodokse ishte nukli bashkues, si ideologji perbashkuese dhe praktike sociale ndervepruese.
Vetedija ishte lokale ( ne termat hapsinore) dhe religjioze, ne termat kulturore.
Sikur luanet te shpreheshin se cfare jane, ata do ta vetpercaktonin identitetin e tyre si mishngrenes, pra mbi bazen e asaj gjeje qe u siguron ekzistencen. Mishngrenes jane edhe tigrat, ujqrit, çakallet. Por vetedija se i perkasin nje familje me te gjere, mungon.
Keshtu dhe shqiptaret e kater vilajeteve. Shqip flisnin te tere por ende mungonte vetedija e te qenurit pjese e nje te tere. Dhe keshtu identifikimi ishte krahinor dhe, nen trysnine e PO , fetar ( turk/ muhamedan, ortodoks/ grek).
Voskopoja ishte nje monade e ketij realiteti. Dhe Kavalioti, gjithashtu. Ne kete situate, nuk ngre peshe perkatesia e tij etnike por vetperceptimi si ortodoks, produkti ( Fjalori dhe Filozofia) si vegla ne sherbim te Ortodoksise ( permes programit te Akademise)
Plotesisht dakord! Perkatesia etnike nuk ngre fare peshe dhe nuk mund te sillet si kriter vleresimi per vepren e Kavliotit.
Sa per ate qe thua ti mbi vepren e tij “si vegel ne sherbim te ortodoksise”, ka nje artikull tejet interesant te Aurel Plasarit (Edhe nje here per Unicum-in e Kavaliotit), botuar ne vitin 2000, ku argumentohet mjaft bindshem se “Protopeiria” e Kavaliotit ne te vertete kercenonte pikerisht interesat e Patriarkanes se Stambollit, se ciles Plasari i faturon jo vetem zhdukjen fizike te kopjeve te shtypura te librit, por edhe shkaterrimin e Voskopojes.
I Nderuar Sokol, me lejo te bej nje paralelizem , per Himaren shume eshte thene e sterthene , e do flitet akoma , ama te gjitha keto fjale i flakerin era tutje , kur nje Paleografe i Osmanishtes ka nje Defter ne dore , veniten ne caste spekullimet para fakteve mirfill . Keshtu qe me lejo ,qe si me te mireqene shkencerishte ,te cilesoj listen me Onomastiken e kryefamiljareve te cdo mehalle te Himares a makari te Voskopojes kontekstualishte ( nga ku lehtesishte dallohet etniciteti i Gjinit me Dhimitriu-ne), Thunmann e tjere rrjedhimishte kalojne ne plane te dyte a te trete fare . Gjithesesi , objektiviteti mbetet parim baze i Historigrafise , dhe kete atribut une e kam verejtur konkretisht tek historianet e Osmanisteve si Prof P.Xhufi ,Prof F.Duka , Prof D.Gjorgev , Prof H.Isufi etj etj
Pjesën IV e kisha lënë për ta nxjerrë nesër – por vetëm për të ruajtur një ritëm të publikimeve në PTF. Meqë shoh se ka interes, vendosa ta nxjerr që sonte.
Dy shkaterrimet e Voskopojes jane ne fillim te dy lufterave ruso-turke, i pari 1769 perkon me luften e viteve 1768-1774 dhe i dyti 1788 me luften e 1787-1792, keshtu qe argumentet politike kane absolutisht perparesi ndaj çdo interpretimi kulturalist apo sociologjik. Argumenti i Shinasi Rames del jashte mitologjive kulturalisto-sociologjike per t’i dhene peshen e duhur nje ngjarjeje ne thelb politike.
Popullsia e Voskopojes ka qene e vogel, shume larg shifrave bombastike prej 40 apo 70 mije. 24 kishat qe citohen vazhdimisht jane tregues te nje qyteti te vogel, per Ohrin i cili s’ka pase ndonjehere me shume se 15 mije banore thuhet se ka pasur 365 kisha nga 1 per çdo dite te vitit (shifer padyshim e ekzagjeruar por per nje krahasim qe na jep idene e njefare raporti kishe/popullate, edhe pse ky raport mund te gjendet fare lehte duke analizuar qytetet e krishtera ne Ballkan).
Popullatat çobanfolese kane pasur dendesi te ulet duke qene se blegtoria pa bujqesi nuk lejon dendesi me te madhe se 1 max 2 banore per kilometer katror. Fiset nomade te stepave jane deshmi historike por edhe aktuale ku sado e mire te jete kullota dendesia e popullsia zor se kalon 1 banor per km2 ja maksimumi 2 kur zona ka te integruar ndonje forme rudimentare bujqesie.
Nqs pranojme te shkelim cdo lloj argumenti demografiko-ekonomik per t’u bere qejfin disave (edhe pse s’ka ndonje arsye logjike) mund t’a çojme dendesine ne 5 banore per km2, por jam i bindur qe po them nje blasfemi kur pranoj nje dendesi te tille per popullata thjesht blegtorale.
Fakti eshte qe cobanet nuk i gjejme asnjehere si bujq ne Shqiperi, por vetem si blegtore e pas shkaterrimit te Voskopojes edhe si tregtare.
Para krijimit te Voskopojes ne zonen e Korçes veshtire se mund te kete pasur me shume se disa qindra fryme vllehesh, ja t’i rrumbullakosim 1 mije fryme, ne rastin e blasfemise t’i cojme ne 2-3 mije fryme.
Nqs ky qytet ka pasur shume vllehe atehere kane qene te ardhur nga Maqedonia dhe Pindi. Perndryshe duhet te supozojme se vllehet jane marre edhe me bujqesi edhe me blegtori sikunder shqiptaret e atehere ne territoret malore mund te supozohet nje dendesi deri ne 10 banore per km2.
Ne keto kushte,cdo interpretim qe nxjerr ndonje popullate te madhe (mbi 5 mije banore) duhet te pranoje automatikisht nje shume absolute shqiptaresh, qe kane shqipen gjuhe amtare, sa me i madh behet qyteti aq me e madhe shumica shqiptare, ne rastin e shifrave bombastike mbi 50 mije banore shqiptaret duhet te kene qene 40 mije.
Greket jane jashte loje, nuk ka pasur kokerr greku ne zonen kufitare , ne ate qe sot greket e quajne Maqedonia Perendimore, kane qene shumica bullgare, pakica shqiptare, vllehe e turke.
Kavaljoti ka qene coban filorus e filogrek, i cili s’ka lidhje me çobanet filorumune e filoshqiptare qe dhane kontribut ne Rilindjen shqiptare. Cobanet e Rilindjes sone ne fund te fundit o kane qene filorumune e rrjedhimisht filoshqiptare o kane qene filogreke e rrejdhimisht antishqiptare.
Ideja e Selanikut brenda kufijve te shtetit shqiptar ka qene hedhur prej qarqeve rumune per te krijuar nje shtet shqiptaro-vllah ne kundervenie ndaj Athines, duke qene se per rumunet shqiptaret ishin me pak te rrezikshem ndaj identitetit vlleh, ndryshe nga greket te cilet kishin dhene prova greqizimi dhe i quanin vllehet greke.
Si komunitet etnolinguistik humbja e gjuhes sjell humbjen e identitetit, keshtu qe vlleh behesh po fole çobançe e nuk je me vlleh nqs nuk flet çobançe.
Hyllin, je i papare. Po me nga nje per km2 i bie qe spaskemi qene me shume se 28.000 . Madje po te heqesh siperfaqen kenetore i bie edhe me pak.Dhe sado qe ta shtosh me popullsi qyetetesh , prapseprap mbeten shume pak..
I papare je ti, sepse e specifikoj vazhdimisht, si dendesi popullatash blegtorale, po si duket leximin vertikalisht e paske hobi.
Zonat me popullata blegtorale, pa prani bujqish,dmth tokash are jane te mundura vetem ne habitatin vlleh, ne ato qe kane qene ishuj vllehesh ne Shqiperi por edhe Ballkan. Malet e Pindit kane pasur historikisht dendesine me te ulet ne Ballkan, vazhdojne te jene edhe sot malesite me dendesine me te ulet ne Ballkan, edhe pse ka hyre disi bujqesia.
Ne zonen e Korçes llogarite e mia bazohen tek ishuj vllehe me nje siperfaqe prej rreth 500 km2 territor malor, ku s’ka toke are sepse vllehet ne ishujt e tyre nuk jepen te merreshin me bujqesi (ndoshta humbnin identitetin vllah ata qe merreshin me bujqesi,po s’ka rendesi). Keshtu ne ato ishuj me dendesi 1 banor per km2, kane qene 500 vllehe, max 1000 (dmth 2 banore per km2) nqs supozojme se mbillnin ndonje kopsht me perime, kurse rasti i blasfemise me 5 banore per km2, pra 2500 vllehe ne ishuj me siperfaqe totale 500 km2 supozon diçka te pamundur ne mungese te bujqesise.
Dendesine prej 10 banoresh per km2 per zonat malore e gjejme kudo ne malet e Shqiperise, psh Coon perzgjodhi per studim rreth 1 mije shqiptare nga Gegeria Malore nga nje popullsi prej 100 mije banoresh. Ne nje territor prej rreth 9 mije km2 i bie diku tek 10-11 banore per km2, te cilen Coon e interpreton si maksimumin e popullsise/dendesise qe mund te mbaje zona, te cilen e ka mberritur sipas tij qe ne antikitet.
Diferencen e madhe mes bujqesise dhe blegtorise e percakton stina e dimrit. Nje popullate vetem blegtorale duhet t’i prese ose shese te gjitha bagetite teper sa hyn dimri, perndryshe do t’i ngordhnin, sepse territori mbulohet nga bora e ka me pak kullota te disponueshme. Nje nga arsyet qe ne dimer popullatat blegtorale preferonin te zbrisnin ne fushe sa me shume bageti te ishte e mundur.
Po ashtu mungesa e komunikimit prej shtigjeve te mbylllura nga bora, kerkon hambare drithi qe popullata te mos vdese urie ne dimer. Popullatat blegtorale nuk kane pasur hambare drithi per çdo familje sepse ndiqnin nje tjeter filozofi jetese. Zakonisht hiqnin shume keq ne dimer edhe pse kishte dendesi shume te ulet.
Shqiptaret ne ndryshim nga vllehet punonin cdo meter 2 te punueshem ne malesi dhe jane te rendomta vrasjet per shtyrje gardhi, apo eshte e mirenjohur vlera e gurit qe shenjonte kufije e tokave are. Kjo sepse nga ajo pak toke e punueshme dilte drithi per ne dimer apo hajet e bagetive (mullaret per ne dimer). Nje rendiment i ulet bujqesor gjate beharit donte te thoshte uri e tmerrshme ne dimer dhe prerje bagetish per mungese hajesh.
Ndryshe eshte situata ne fusha jomoçalore e kodra te buta, aty dendesia shkonte rendom ne 30-40 banore per km2 ne rast se kishte qytete te medha me vlere tregtare edhe 50 apo 60 banore per km2. Kavaja, Elbasani, Berati, Tirana, Gjirokastra, Korça, Janina apo Shkodra, Prizreni, Peja, Prishtina etj jane edhe qendra qe kane fusha apo kodra te buta rreth e perqark.
Voskopoja eshte anomali e jashtezakonshme, sepse eshte ne mal, por gjithsesi bazen bujqesore e ka pasur ne fushen e Korces, dmth eshte ushqyer prej asaj fushe. Po nga ajo fushe kane ardhur edhe shumica e banoreve qe e kane populluar, sepse perndryshe vlleheve u duhej te pillnin me shume sesa lepujt ne menyre qe popullsia e vendbanimit te 10-fishohej brenda 1-2 brezash.
Persa i peket demografise historike te Shqiperise ne teresi, kjo eshte nje fushe studimi qe gjendet ne erresire te plote, kushdo ia keput shifrave sipas qejfit, pa perdorur as shifra zyrtare as metodologji. Duam 50 mije banore ne Voskopoje, po more ka mundesi, duam 40 mije ne Shkoder apo Janine, po as qe diskutohet qe eshte e mundur, duam 30 mije ne Prizren e 30 ne Prishtine, patjeter, nja 50 mije i do Shkupi. Nqs Shqiperia do i kishte pasur qytetet me aq shume banore ne fund te shekullit 18, do kete qene territori me popullsi urbane me te larte ne Europe.
Ngaqe mungojne analizat kritike ndaj shifrave qe japin udhetaret e kohes, gjendemi qe duhet te flasim per nje Voskopoje 40-70 mije banoresh, qe normalisht behet nje perralle me mbret, ndokujt i duket si Atlandida e vlleheve, ndonje tjetri si Troja e arumuneve apo edhe si Jutbina e Lugjet e verdha te çobaneve,
Po keto jane muhabete kot, po aq kot sa 1 a 2 milione persianet e Herodotit, 1200 anijet e Homerit apo 300 mije banoret e Sybarit ne Italine e shek 6 p.l.k.
Hyllin , me poshte ke nje link ku permenden shifrat lidhur me popullsine e zones kufitare Maqedoni-Shqiperi dhe pjeserishte Greqi-Shqiperi( pjesa qe dikur banohej nga popullsi sllavo-bullgare), une nuk guxoje te ve ne dyshim saktesine matematikore te te dhenave te percjelle nga Osmanologet ‘Maqedonas’ si Gjorgiev, Stojanovski , Sokoloski etj ( ne keta autore u mbeshtete Schmidt ), por kundershtoj prerazi kriteret krejtesisht arbitrare e te gabuara te percaktimit te etnicitetit npm Onomastikes, ne lidhje me Voskopojen me 1568/69 ishin 330 familje ,5 lagje (dhe njera quhej Arnaut, te perkatesise myslimane ) te tjeret ishin ‘Goga vlain’ apo ‘Nushi’, pra Vllehe.Po perseris arsyetimin tim , nese shqyrton Defteret e mevonshme ,pervecse shtimit te dukshem demografike do verehet edhe shtimi i elementit Arberore Ortodokse, sepse llogjikisht te ardhurit duhet te ishin nga fshatrat perreth (Arberore Ortodokse), sepse vllehet e asaj kohe nuk kishin nje ‘kontigjente njerezore’ te mjaftueshem per te furnizuar qytetin me banore te rinje.Pra nqs zbulohet ta zeme nje Defter i 1750 , ta garantoje qe nje pjese e konsiderueshme e popollates Voskopojare do te ishte thjeshte Shqiptare Ortodokse, lexo faqen 15/16-te ;http://cosbelgrade.com/sites/default/files/gorgiev_d_siedlungsverhaltnisse_im_makedonisch__0.pdf
Per te qene me koncize ne kundershtimin tim kundrejt Gjorgiev , ( ne lidhje me Pollogun,Reken,Dibren etj Profesore si Palikruseva,Rexha ,Dervishi etj e kane vertetuar bindshem pranine e Arberoreve ortodokse ne keto treva npm antroponimise qe evidentohet neper Deftere), pika e pare eshte hiperbolizimi i pranise sllave ne Korce e Bilishte , e dyta pohimi ‘90% e popullsise se rajonit te Prespes ishte sllave’ dhe qe ne rajonin e Kosturit kemi vetem 23 antroponime Arberore ‘..pra ne lidhje me Prespen po ju paraqes emrat e kryefamiljareve te fshatit Tirsia/Trivunon ne lindje te liqeneve , viti 1481 ;Nikola, Leko, Gin, Dimitri, Petro, Atanas, Kosta, Pavel, Lesh, Samko, Kiro, Mirali, Bard, Kovach, Gon, Andrea, Spiro, Todor, Aleksa, Belo, Gin, Dubnik, Tornik, Rade, Vasil, Todor, Andrea, Nikola, Gin, Aleksa, Mirche i Iorgi. mua nuk me duken 90% sllave , apo jo ?!
Shembulli i dyte fshati Stensko/Stena ,jug-lindje e Kosturit , viti 1481 ;Tanush, Nikola, Gon, Gon, Pal, Raio, Gin, Lazar, Tole, Papa Gerg, Minkul, Martin, Gon, Andrea, Mikho, Yano, Niko, Gerg,Nikola, Raiko, Lubne ,Dimo.Pra qartesishte gabohen edhe per Kosturin, me kete dua te emfatizoje rendesine e Deftereve ne lemine e Historiografise, qe mesa duket nevojiten per te hedhur edhe ndopak drite ne te kaluaren e Voskopojes .
Andrea çeshtja e bullgareve ngjan disi me te grekeve. Patriarkana e Ohrit i ka pasur ato zona nen kontroll kishtar, gjuha liturgjike ishte sllavishtja, punetoret qe e lidhnin mbijetesen me kishen duhet te dinin bullgarisht, dmth kisha bullgare e Ohrit ka vepruar si agjent bullgarizimi, ashtu sikunder kisha greke vepronte si agjent greqizimi.
Une do thoja qe eshte per t’u habitur me rezistencen shqiptare ndaj bullgarizimit po te kemi parasysh ku gjendet Ohri qe ishte qendra e Kishes Bullgare. Ndersa shqiptaret myslymane u mbrojten nga Islami (mund edhe te kete vepruar vete islami si qender shqiptarizimi ) shqiptaret e krishtere te zones se liqeneve, jane rrotulluar here si greke, here si bullgare, ndonjehere besoj edhe si vllehe, sidomos kur islami u pa si feja e shqiptareve.
Mendimi im eshte me termin vllehe te jene perfshire shume shqiptare te krishtere, si tip identiteti rifuxho, ne konfliktet mes grekeve te Kostandinopojes dhe bullgareve te Ohrit nga njera ane, dhe shqiptareve myslymane me te krishteret e çdo etnie nga ana tjeter.
Perndryshe vllehet duhen vleresuar jo si popullata blegtorale por si popullata qe merreshin me çdo aktivitet, bujqesi, ndertim, zejtari, tregti etj. Ketu duhet bere dallimi esencial dhe duhet dakortesia, o kane qene popullata blegtorale keshtu qe çdo bari shtegtar ka qene vlleh, ose kane qene popullata sedentare si shqiptaret e bullgaret dhe barinjte shtegtare kane qene jo vetem vllehe, por edhe shqiptare ose bullgare.
Pa rene dakort ne parim per kete fenomen besoj se do te vazhdohet te rrihet uje ne hava edhe nja 2 shekuj te tjere.