Sapo mbarove së lexuari një roman të keq – të fundit të një autori që përndryshe të pëlqen shumë.
Dhe tani ke një dilemë: t’ia thuash këtë njeriu? Apo ta mbash mospëlqimin për vete?
Ndokush mund ta konsiderojë lajmërimin në kësi rastesh si detyrim moral ndaj tjetrit: mos e lexoni atë libër, përdoreni kohën tuaj për ndonjë gjë më të vyer.
Por ndokush tjetër këtu ngrihet dhe të pyet: kush je ti, mo, që na e prish ne qejfin me të cilin po e prisnim këtë roman?
Dhe ky i fundit ka dy herë të drejtë: ngaqë një libër që t’u duk ty i keq, mund t’i duket atij tjetrit kryevepër; por edhe ngaqë kur dikush pret të lexojë një libër, po të dëgjojë nga një i tretë se ky libër qenka “i keq”, kjo mund t’ia kushtëzojë eksperiencën e të lexuarit.
Le pastaj po të të dalë përpara një ditë autori dhe të të thotë: e more romanin tim të fundit? Si t’u duk?
Cili prej nesh do të ish aq shpirtkazmë, sa t’i thoshte se romani nuk i kish pëlqyer fare? Cili prej nesh ka takuar ndonjëherë në rrugë një nënë me të bijën dhe i ka thënë nënës se e bija po i duket shumë e shëmtuar?
Atëherë, do t’i thuash autorit: Nuk e kam blerë akoma. Ose: e kam blerë, por nuk e kam filluar akoma. Ose: e kam hequr mënjanë, se po dua ta lexoj me qejf, kur të shkoj me pushime.
Nuk dihet si do të reagojë autori ndaj këtyre përgjigjeve. Mund të të besojë, por mund edhe të kujtojë se ty romani të ka pëlqyer pa masë, por nga zilia nuk ia pranon dot as vetes as të tjerëve; ose të mendojë se ty libri i tij s’të ka pëlqyer hiç, por edhe nuk dëshiron ta lëndosh.
Me një fjalë, edhe kështu nuk shkon.
Edhe të hiqesh sikur nuk dije gjë për romanin e tij të ri nuk shkon – sepse ashtu do ta lëndoje, duke nënkuptuar indiferencë.
Disa mënyra të tjera për t’i thënë autorit se ka bërë një vërë në ujë: më pëlqeu shumë kopertina; ose: më pëlqeu që ka shumë dialog; ose: më pëlqeu që nuk ka shumë dialog; ose: ti përdor gjuhë shumë të pasur, shqipe të kulluar.
Madje mund të sjellësh argumentin më të sprovuar, në kohë dhe hapësirë: i ke treguar gjërat ashtu siç kanë ndodhur vërtet.
Me të tjerët, një opsion është edhe të gënjesh haptazi: romani i fundit i S.? Kryevepër. M’u desh ta gdhija, për ta mbaruar. Tani po e lexoj për së dyti dhe, e dini çfarë? Po më pëlqen edhe më tepër.
Shpenzimin shpirtëror që t’u desh të përballoje, për ta çuar deri në fund një supë kaq lëtyrë, tani mund ta shlyesh disi duke ua faturuar të tjerëve, viktimave të pambrojtura.
U torturove ti, le të torturohen edhe ata.
Ka shkrimtarë që kanë fituar Nobelin, falë këtij efekti paradoksal.
Ndërkohë, të dashurës sate, kur i keni vënë të dy kokat në të njëjtin jastëk, dhe po thithni me radhë nga e njëjta cigare, mund t’ia pranosh:
Libri i atij nuk vlente një lek!
Dhe ajo do të të pyesë: po atëherë ç’pate që e çove deri në fund? Pse nuk e le përgjysmë? Unë nuk të kam ditur për mazohist…
Vërtet, pse e çova deri në fund? Sepse ishte i shkurtër – ja një arsye e mirë. Ose: kisha shpresë se mos vinte duke u përmirësuar, me kalimin e faqeve. Ose edhe më rëndë akoma: i detyrohesha për kaq autorit.
Dhe ajo sërish: po romani ishte vërtet i keq, apo thjesht nuk të pëlqeu ty?
Dhe këtu ty të kujtohet se ty as I huaji i Camus-ë nuk të ka pëlqyer; as Njeriu pa cilësi i Musil-it; madje as Ferri i Dantes. Vepra që i përkasin kanonit të kulturës botërore – dhe që nuk mund të jenë objektivisht të këqija.
Madje për Ferrin e Dantes dikur ke thënë: nuk e ndiqja dot, tepër i vështirë për mua, që nuk kam kulturë të krishterë. Dhe një herë tjetër: poemat duhen lexuar vetëm në origjinal.
Ose për Antonin dhe Kleopatrën të Shekspirit ke thënë që do të preferoje ta shihje të vënë në skenë (edhe pse kishe parë vetëm filmin – por ky është muhabet tjetër).
Edhe një herë: kush na qenke ti, mo, që thuash për një libër se “është i keq”?
Vetëm se edhe opsioni i “nuk më pëlqeu” ka rreziqet e veta, edhe kur implikon idenë se ti nuk pate këllqe për ta kuptuar; edhe kur implikon idenë se ti ke frikë të thuash të vërtetën, se romani ishte i keq; edhe kur implikon idenë se ti do ta shaje atë libër thjesht nga zilia, madje edhe pa e lexuar fare.
Madje ndonjëri këtu mund të ngrihet dhe të thotë: po pse nuk të pëlqeu?
Dhe ti shpjegon: nuk më pëlqeu sepse kishte shumë dialogë; ose, nuk më pëlqeu sepse nuk kishte dialogë; ose, nuk më pëlqeu që nga kopertina; ose, nuk më pëlqeu, sepse autori kish gjuhë shumë të varfër; ose, nuk më pëlqeu, sepse gjysmat e fjalëve nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë.
Ose, duke iu falur, paturpësisht, argumentit më të sprovuar, në kohë dhe në hapësirë: romani nuk i përgjigjet realitetit. Ose: tejet fotografik.
Por kjo bisedë nuk do të zhvillohet kurrë: më kollaj do ta kesh të dalësh në rrugë syze të errëta dhe t’u thuash njerëzve se të ka mbërthyer glaukoma.
Dhe pastaj ndodh që ky libër i mikut tënd, që ti e pëlqen shumë si shkrimtar dhe ia lexon veprat; ky libër, pra, fiton bujshëm çmim kombëtar dhe propozohet për çmim ballkanik dhe fortifikohet deri në atë shkallë, sa çdo kritikë ndaj tij konsiderohet sakaq ziliqare, në mos anti-kombëtare dhe e paguar nga qarqe që nuk ka duan të mirën; teksa autori dhe miku yt i mirë del tani në fotografi me Paolo Coelho-n.
Dhe e dashura jote, kur i keni vënë të dy kokat në të njëjtin jastëk, dhe po thithni me radhë nga e njëjta cigare, të thotë: rri ti!
Këtu ti ose fillon të vësh në dyshim shijet e tua dhe të shqetësohesh se mos ke mbetur prapa kohës, ose psherëtin dhe thua se, po të kishe guxuar të flisje atëherë kur ende mundeshe…
Ose mendon, me një përpjekje ekstreme për ta shpëtuar bon sensin, se ky libër kaq i keq i detyroi lexuesit – përfshi edhe lexuesit institucionalë – që të rivlerësojnë veprën e shkruar të mikut tënd, dhe ta kuptojnë se ai paskësh shkruar dikur kryevepra.
Edhe Hemingway-t, thua me vete, ia dhanë Nobelin për “Plaku dhe deti”, që është vepra e tij më kitsch.
Po të jesh shkrimtar, ky është edhe momenti kur i thua vetes: duhet të shkruaj edhe unë një vepër të keqe, kitsch, të tillë që të tërheqë lexuesin pa pretendime, të formuar estetikisht nga telenovelat turke dhe teksti i Himnit të Flamurit.
Dhe në pritje të frymëzimit për këtë libër perspektiv, që do ta çajë akullin, ulesh dhe e qëndis recensionin lavdërues për romanin aq të suksesshëm të mikut tënd, jo me motivacionin si kofini pas të vjeli, por me motivacionin më mirë vonë se kurrë.
Tek e fundit, ti je nga të paktët që ia ke lexuar vërtet kryeveprën.
http://www.albdreams.net/frymemarrje-e-re-ne-letersine-shqipe/
Ka edhe më keq, ka…:) Bibollasit, bie fjala, ndonëse nuk e kam lexuar, por me të tilla gjëra mburret një lexues i mirë, apo jo? Me librat që nuk paska lexuar.
Pershkrimi i romanit ishte paksa pllakativ, por vete pjeset e sjella nga romani ishin fantastike. Pas ketyre pjeseve te lexuara, mendoj ta gjej e ta lexoj kete roman.
Ka romane qe te dalin jo ashtu sic i prisje. Bie fjala romani i Hajnri Bölit, “Nderi i humbur i Katerina Blumit”, ndonese edhe si film eshte paksa monoton, (sidomos per kohen e sotme), vete ideja madheshtore qe transmenton te ben te presesh nje roman po aq madheshtor; mirpo -vite me pare kur e kam lexuar- nuk me la ate pershtypje qe prisja.