Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

ITALIA QË ËNDËRRONTE TIRANËN

Moshatarëve të mi, atyre që e kaluan fëmijërinë dhe rininë në vitet 1970-1980, do t’u kujtohet mbase figura kurioze e marksist-leninistit Fosco Dinucci, ose më mirë akoma zëri i tij, që përshëndeste turmat me një italishte të kulluar, që nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, në mitingun e organizuar fill pas Kongresit VI të PPSH-së në nëntor të vitit 1971. Për të gjithë ne që ishim mësuar me italishten e Mike Buongiorno-s dhe të Raffaella Carrà-së dhe ndiqnim me pasion emisionet e RAI-t në radio dhe në televizion, ky italian që thurte lavde, në mes të kryeqytetit, vijës politike të PPSH-së dhe mësimeve të “compagno Enver-it” njëfarësoj do të zëvendësonte, edhe pse me maskë groteske karnevali, atë koncert me këngë italiane në sheshin Skënderbej që guxonim ta ëndërronim ndonjëherë, por që nuk e shijuam dot kurrë. Dinucci sillte me vete, të paktën, shpresën se jo gjithçka në lidhjet italo-shqiptare tashmë duhej të kalonte përmes valëve; dhe se mundësitë për kontakte njerëzore nuk ishin shterur.

Kjo është edhe tema e një libri të ri me titullin L’Italia che sognava Enver – Partigiani, comunisti, marxisti-leninisti: gli amici italiani dell’Albania Popolare (1943-1976), Editore Controluce (Nardò) (“Italia që ëndërronte Enver Hoxhën – Partizanë, komunistë, marksistë leninistë: miqtë italianë të Shqipërisë popullore (1943-1976)”), ka dalë tani në libraritë italiane dhe tek-tuk në ndonjë shqiptare. Autori, Nicola Pedrazzi, punon si hulumtues pranë Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa (OBCT) dhe bashkëpunon rregullisht me media si “Il Mulino”, “Kosovo 2.0”, “Riforma”, “Confronti” dhe me vetë OBCT-në. I pasur me material dokumentar dhe analiza të reja faktesh herë të njohura dhe herë më pak të njohura, ky studim i rëndësishëm i Pedrazzi-t mbështetet në tre vjet kërkimesh në arkivat e Tiranës, të fokusuara në një aspekt pak të studiuar të regjimit totalitar të Tiranës: jo në mbylljen, por në “hapjen” e këtij regjimi ndaj botës, dhe pikërisht ndaj grupeve të së majtës italiane marksiste-leniniste dhe maoiste, në vitet 1960-1970. Ishin pikërisht këto lidhje që vazhduan, sado paradoksale të tingëllojë kjo sot, traditën e marrëdhënieve të pandërprera, disa-shekullore, mes dy vendeve, këtë herë edhe në kuadrin e rrjetit botëror të solidaritetit me Kinën Popullore dhe rolin udhëheqës të Maos. Siç thotë Pedrazzi vetë, “në arkivat e Tiranës kuptova se kish një tjetër histori italo-shqiptare që meritonte të rrëfehej: një histori që u shpalos pas kolonializmit fashist dhe që i parapriu anijes Vlora, dhe që përkon në kohë me diktaturën e Enver Hoxhës.”

1 Koment

  1. Shumë interesante kjo….Dinucci me fjalimet e tij asokohe jepte idenë se revolucioni në Itali ishte te dera…vetëm sa të hiqnin qafe ata komunistët fallco të PCI që i kishte merak…më kujtohet edhe një parrullë apo tip ovacioni që e përdornin të tijtë në manifestime:

    Evviva il compagno Enver Hoxha;
    Evviva il compagno Mao Tse Tung;
    Terrore dei fascisti,
    Terrore dei padroni,
    Terrore di tutti,
    Falsi comunisti!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin