Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Shkencë

AKADEMIKË NË ZHDUKJE

nga Arjan Shahini

E themeluar në 1972, Akademia e Shkencave për shumëkënd simbolizon zhvillimin e shkencës në Shqipëri. Sipas Wikipedias në shqip, Akademia është „institucioni më i rëndësishëm shkencor“ në Shqipëri. Vëmendja që i jepet zgjedhjes  së kryetarëve, ndërhyrjet politike për përzgjedhjen e anëtarëve, ambiciet e njërit apo tjetrit individ për t’u zgjedhur në këtë klub gati ekskluziv etj., tregojnë për rëndësinë e këtij institucioni. Gjatë vitit 2017 vetëm Gazeta Panorama ka botuar mbi 30 artikuj për çështje që prekin ndër të tjera edhe marrëdhënien e saj me politikën, konfliktet e brendshme ndërmjet anëtarëve e kryesisë apo propozime për riorganizimin e saj.

Diskutimet e akademikëve për një tjetër reformë në sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri që përfshin edhe Akademinë, janë kryer në media dhe jo në tavolinat e punës. Kam idenë se kjo ka ardhur për dy arsye: së pari, dihet që qeveria vepron me një lloj arrogancë kundrejt intelektualëve që nuk janë të rreshtuar në radhët e saj, apo janë të angazhuar politikisht në kahe të ndryshme; së dyti, vetë Akademikët besojnë se vlejnë më shumë se të përgatisin me shkrim një studim e propozime politike konkrete. Me ç‘duket kjo e detyroi kryeministrin të urdhërojë zv/ministrin e arsimit, z. Redi Shtino, të lëshojë një batare me kritika ndaj Akademisë. Sipas Shtinos (Panorama, 19 Shtator 2017): “Vlerësimet e vjela rezultuan të pathelluara apo bazuara mbi një analizë reale të shkaqeve që kishin çuar në gjendjen aktuale, të shoqëruara me mungesën e dhënies së një alternative të bazuar. Opinionet e anëtareve të A.Sh rezultuan të ndara, të fragmentuara dhe të paafta për zgjidhje efektive.”

Reforma, së paku në publik, është paraqitur me efektet e saj negative, që shkojnë deri në propozime për shkrirjen e Akademisë si një mbetje sovjetike apo reduktimin e saj në rol honorifik (Panorama, 30.10.2017). Ende nuk kemi dëgjuar nga qeveria për promovimin e profesoratit, pjesë e karrierës të të cilëve është edhe ambicia për anëtarësim në Akademinë e Shkencave. Kjo pasi qeveria ende nuk ka miratuar kuadrin ligjor për promovimin e pedagogëve. Nuk kemi dëgjuar as për buxhetin e apo modele zhvillimi të shkollave të doktoratës apo qendrave të ekselencës. Artikull i Shtinos qartëson se rolin e Akademisë për të këshilluar politikat e qeverisë do e marrë një qendër kërkimore me tre linja sipas disiplinave. Por fakt është që këtë  rol këshillimor Akademia nuk e ka kryer ndonjëherë që prej reformimit të saj në 2006.

Këtu duhet përmendur se ka një diskutim për reduktimin e rolit të institucioneve publike në mikro-politikat e shtetit, diskutime të shtrira edhe në sektorin e arsimit të lartë (p.sh. K. Mile, Mapo). Kjo është pasojë edhe e rrënimit të institucioneve të arsimit të lartë nga rektoratet dhe Ministria e Arsimit, por ndoshta edhe pasojë e qëllimeve të mbrapshta e korruptive. P.sh. Universiteti i Tiranës (UT), dhe institutet nga ku u krijua ai, kanë qenë shtet-formuese në rolin e tyre formues për përgatitjen e burokratëve dhe intelektualëve që i shërbyen sistemit socialist dhe organizuan më pas strukturat shtetërore gjatë periudhës së tranzicionit. Gjatë periudhës socialiste, UT ka gëzuar një lloj pavarësie administrative e menaxheriale nga Ministria e Arsimit; dhe pse jo formalisht, por nëpërmjet reputacionit që gëzonin studentët, një pjesë e profesoratit dhe lidhjet e tyre të drejtpërdrejta me nomenklaturën. Tani UT ka pësuar një shpërbërje të vazhdueshme: shkëputjen e Universitetit Politeknik, krijimin jashtë saj të shkollave të çuditshme të magjistraturës e avokaturës, administratës dhe deri tek copëzimi i Fakultetit të Mjekësisë për ta bërë atë universitet. Ndërsa luftërat e brendshme ndërmjet administratës dhe pedagogëve kanë shteruar fuqitë e administratës për të përballur agjendën politike të qeverisë Rama. Kjo u dëshmua nga diskutimet publike mbi vlerësimin që mori UT në procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë (Ascal, 2017). Edhe pse UT është në një gjendje të mjerë organizative për të siguruar standardet minimale të shërbimeve arsimore ndaj studentëve dhe publikut në gjerësi, ai nuk qëndron më poshtë se institucionet publike rajonale. Por mesazhi i qeverisë ishte i qartë, se UT duhet të shpërbëhet më tej (ndoshta duke parë nga pronat e tij).

E njëjta situatë vijoi edhe me Akademinë e Shkencave. Akademia është një institucion publik me traditën e ndërtuar mbi ato të instituteve të kërkimit të para viteve 1972. Por shkëputja e instituteve në 2006 ja reduktoi rolin në publik. Rol të cilin duhet ta kish ndarë me Komisionin e Shkencës dhe Teknologjisë që nuk funksionoi asnjëherë. Kjo për faktin edhe se qeveritarët kanë parapëlqyer të kenë më pranë intelektualët, të cilët mund t’i sajdisin, sesa institucionet e tyre. Në institucionet e intelektualëve ndoshta mbizotëron e njëjta mendësi turme, e politikanët preferojnë tjetër soj turmash. Ndërsa aleancat taktike dhe luftërat e brendshme të akademikëve për ambiciet e tyre joprofesionale u hapën vend personave që nuk kishin lidhje me shkencën dhe ulën për pasojë reputacionin e Akademisë duke i nderur teshat e tyre “të përgjakura” në mediat e bulevardit.

Por vlen të përmendet se nëse për krijimin shkencëtarët morën pjesë e për transformimin u këshilluan, për shkatërrimin u imponuan. P.sh. gjatë krijimit të Akademisë rektori A. Mero i UT përmendte faktin se ishte pyetur nga qeveria (shih AQSH,  Akademia e Shkencave, 1972/2, fleta 7 & 8). Ndërsa sot zv/ministri Shtino flet për plane të mëdha që nuk i di njeri, e as përmend ndonjë emër me të cilët është konsultuar me përulësi apo si i barabartë në tavolinë.

Pra edhe pse qeveria ka rolin e saj në bjerrjen e rolit dhe reputacionit të akademisë, janë vetë këta që kanë ndikuar më së shumti për keq. Buxheti i qeverisë për Akademinë faktikisht është shumë i ulët, duke mbuluar kryesisht (rreth 70%) vetëm rrogat (shih grafikun).

 

 

Ndërsa performanca kërkimore e akademikëve në tërësi është jashtëzakonisht e dobët. Sidomos në shkencat humane (që përbëjnë gati gjysmën e fushave të akademikëve). Google Scholar është një tregues relativisht i besueshëm për të matur impaktin e veprave shkencore të autorëve pasi merr parasysh të gjitha llojet e veprave (konferenca, artikuj etj.). Duke qenë se akademikët janë ndër të tjera anëtarë edhe për ndikimin e tyre në komunitetin shkencor, pritet që numri i citimeve apo veprave të regjistruar nga Google Scholar të jetë i madh. Por nuk është kështu, si numri i citimeve për vepër (ndikimi), edhe prodhimtaria e tyre, lënë për të dëshiruar. Adnan Kastrati zë mbi 50% të numrit total të citimeve dhe veprave në tërësi, pasuar ky nga kimisti Arben Merkoci, e me radhë A. Doja, N. Frashëri e A. Fuga etj. Ndërsa një prej akademikëve, inxhinier, nuk ka asnjë citim në Google Scholar, ose emri i tij është shkruar gabim. Treguesit G- dhe H-Index, që masin ndikimin e veprave nëpërmjet citimeve, është shumë i ulët, mesatarisht 18 e 10 për të 25 akademikët, e do të ishte më e ulët sikur të mos ishte A. Kastrati në listë.

 

Këto të dhëna janë të ngjashme me performancën e kërkimit shkencor në vend. P.sh. sipas një studimi të MAS rreth 65% e personelit akademik kanë shkruar më pak se 10 artikuj gjatë karrierës së tyre.

Nr. i artikujve per studiues ne IAL, sipas MAS 2017

Së fundmi, Shqipëria nuk humb me zhdukjen e Akademisë së Shkencave. Ajo humb me “zhdukjen” e studiuesve dhe të performancës së tyre.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading