Çmime III
nga Oltion Kadaifçiu
Tre divorcet e zotit Viktor N. Nga Rudolf Marku. Fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2015.
Në të rrëfyerit të veprës, jo më kot nisemi nga përmbajtja. Dikur kjo vinte në fund, për arsye ideologjike, por më vonë teknikat treguan që më mirë të vendosej në fillim. Përmbajtja. Pjesa e parë – Një kasolle indianësh në Parkun Richmond në faqen tre fillon. E dyta në faqen njëzet e nëntë e ka titullin ‘Vizitë kortezie tek të vdekurit’ dhe e treta e ka titullin vorteks’ e nis më të 87-ën e kushedi ku mbaron (në faqen 141 faktikisht.)
Pastaj një hyrje poetike që nis si ”zoti Viktor N. Ka paraqitur pretendimin se është shqiptar… Dhe përfundon me “formalisht i lëshohet pasaporta e Mbretërisë së Bashkuar me emrin Viktor N. Duke nënkuptuar më këtë, se ai është një Qytetar i Panjohur.”
Një numër dokumenti i arkivës ndjek nga pas.
Që në fillim jemi veshi për shënimet e një vëzhguesi që nuk është tamam personazhi, por i di gjërat nga brenda. Ky i vëzhgon rrethanat dhe mban shënimet e ndërgjegjes së personazhit. Një përrua i ndërgjegjes së angazhuar në tematika të jetës së një qytetari britanik, tërësisht i zhgënjyer nga vendi i tij i origjinës, që është edhe i yni. Njeriu i parë që na vjen nga ajo turmë e madhe njerëzish, pas tij natyrisht ishte ajo.
Ajo ishte një “vajzë e dhjamur” që ishte një besimtare e varësisë së përgjithshme nga elektronika dhe humbi ndaj vendosmërisë së tij për të qenë mospërfillës. Por kjo “vajzë e dhjamur” nuk ishte Eva jonë. Atëherë këtë detyrë e merr përsipër Ana. Ana është disi e paqartë. Ndoshta ajo merr përsipër divorcin e parë të romanit? Edhe Ana nuk duket të jetë Eva sepse ajo derdhet lehtësisht në harrim nga gruaja e ligjshme e protagonistit, Moxhi, me të cilën rrisin edhe dy djemtë e familjes. Moxhi padyshim që është divorci i parë i zotit Viktor.
Moxhi hyn në skenë me fjalët “Maskara! Gjarpër! I pabesë!” Dhe gjithçka që Moxhi tregoi prapë ishte një shtesë për dashurinë për Evën e vërtetë. Tetë vjet ndenji si i huaj në shtëpinë e vet personazhi ynë, për të shtrydhur ato 26 faqe me shije të fortë nga gjithë libri që e pason. Me një dashuri dominante për një Evë. Një fat i keq që u ndihmua jashtëzakonisht nga një situatë agresive për vajzën që babën e kishte në burg dhe për shumë të tjerë në Shqipërinë që e kujtojmë dhe vitet e para që e pasuan.
Prania e Moxhit është e largët, asaj do t’i duhet shpejt t’ia lërë vendin Evës. Por fillimisht Moxhi tërbohet komplet nga rasti i parë, e pastaj nga bollëku seksual jetësor që gëzonte ky avokat relativisht i suksesshëm për origjinën e vet të përvuajtur nga qyteti N i Shqipërisë.
Kjo pjesë e parë e romanit mbaron me përshkrimin e vendimit për t’u nisur drejt Tiranës, një kujtimi kur Viktor N ishte goditur me levë në kokë ndërsa përkrah së shoqes ecte nëpër qytet, na paraprin, si edhe Eva, rinia, pasojat.
Pikërisht për atdheun mendoj unë se është fjala për divorcin e dytë të zotit Viktor N. E jo për Anën. Pjesa për atdheun nis në faqen që mban titullin ‘Vizitë kortezie tek të vdekurit.’ Një titull i thjeshtë e mistik. Fatmirësisht ndodhte edhe një vizitë në trojet e varrezave të qytetit N, ku për fat të keq preheshin edhe të ndjerët prindër të ish-qytetarit të panjohur Viktor N. Dhe në fakt kjo është fjalia e fundit nga pjesë e parë:
Dhe papritur ndien një mall shkatërrues për të vdekurit.
(Fjalia më herët ishte për prindërit që kishin më shumë se 15 vjet vdekur.)
Teknika e zgjedhur nga zoti Marku lejon të vijnë në vëmendje reflektime të mëdha e të vogla. Një mori ngjarjesh. Por në fakt nuk janë aq shumë. Pikë e kalimit të kufirit! Taksixhiu, taksixhiu. Të njohur. Kujtime të mirësjella të shtratit në kohët e Moxhit të parë. Problematika të menaxhimit urban dhe social. Energjia e ndrydhur prej frikës në dikurshmërinë e vonë shpërthen në tipare të theksuara, për shkak të frustrimit të madh që transmetohet në marrëdhënie me njerëz të afërt e të largët.
Dhe pastaj komunikimet janë me Arbenin, ish mikun e ngushtë, milionerin e ndërtimit të edukuar në regjizurë, dhe të birin e tij, Lindin, që zotëron një shtëpi botuese për llogari të të atit. Dhe zonjën Xhuljeta politikanen e paskrupullt nazelien e botës politiko-rrugaçërore të Shqipërisë së fundtranzicionit dhe burrin e saj mongoloid me kokë të rrumbullakët nga qyteti që pranohet se njihet për humor. Një vështrim në botën e librit. Të rinjtë. Joshja e tyre. Lirësia e tyre. Thashetheme dhe dhomat kryeministrore të fjetjes dhe natyrisht kujtimeve dhe një vizitë në varreza.
Në të tretin divorc (në rast se ky i ndarjes nga atdheu është interpretuar siç duhet) ndodh një e papritur, që i përket në fakt pjesës së dytë, ku i ati i Evës tashmë jashtë burgu i jep adresën e saj dhe pastaj të dy bëhen bashkë në Londër, Paris, nëpër Francë, Itali. Një botë plot seks, pikturë, e kujtime për një botë shumë të mëhershme zhytur në 25 vjet, por edhe gjëra të tjera. Një tekë e pakuptimtë i ndau dy dashnorët. Eva dhe Viktori, ndërsa përjetojnë plot eksperienca dëfryese, ndërsa një e kaluar parakalon, hetojnë e vlerësojnë njëri tjetrin për ardhmërinë e mundshme bashkë.
Por vetë titulli i pjesës shfaqet edhe në këtë copëz që unë shquaj si themel i muhabetit.
Ata nisin e shkrihen sërish bashkë, por jo. Tek pozita mashkullore, në marrëdhënien seksuale një mundësi për të ndëshkuar, madje jo vetëm vetë femrën, por edhe anëtarë të rrethit familjar të vajzës që në rastin konkret janë shkrimtarët e realizmit socialist të Tribunave dhe të Antologjive të shkollave, është e vetëkuptueshme. Në fakt një praktikë e tillë që denoncohet te protagonisti është plotësisht e pranishme në shoqëri, (por edhe si një farë fjalamanërie prej çudisë së seksit, padyshim. Edhe ta dish që mami ka bërë seks në ndonjë praktikë jashtëmartesore është armë.
Raste flagrante praktikash seksuale si ajo me mongoloidin e Xhuljetës, një përdhunimi, edhe më larg plot seks e angazhim profesional si striptisten janë shumë. Ja psh se si kulmon prezantimi ynë e i protagonistit me atë që ish në të vërtetë Eva dhe prezantohet kuptimi i ‘vorteksit’.
“Zëri i saj shndërrohet papritur në zërin e një gruaje të vendosur që të mos qajë! Është zëri i një gruaje fatkeqe që ka aq dinjitet , sa të mos e pranojë fatkeqësinë e vet… Viktori kap fjalë të shkëputura. Objekte që notojnë në sipërfaqen e ujit pas mbytjes së varkës! Objekte të paverifikueshme, që kanë humbur trajtë, të cilat vorbulla e ujit i sjell në mënyrën më kaotike, në një lëvizje rrethore. Është i njëjti rreth kaotik për të cilin Viktori ka menduar kur ishte në Tiranë. Po ai kaos i pakuptimtë i fatit njerëzor. Po ai grotesk! Po ajo marramendje deri në pakuptimësinë e jetës. Ajo vërtitje absurde, ai vorteks thithës, kishte filluar që në qytetin e vogël provincial. Eva që ishte treguar me gisht që fëmijë, ajo e përjashtuara nga të tjerët, ajo që kishte qenë e detyruar që të mbante shenjën e leprozes së ekspozuar para të gjithëve. Në çdo çast! Eva së cilës ja kishin shkatërruar besimin tek vetja! Ligësia njerëzore kishte triumfuar… Eva nuk ishte askush tjetër veçse një hije e asaj që kishte qenë, një skelet me të cilin kriminologët krijojnë me skica të kujdesshme identitetin unik të viktimës së zhdukur.”
Këtu zoti Viktor nuk mund të durojë më tepër dhe tërhiqet nga lidhja. Bashkimi i fatit tënd me të tillë fat është kosto e lartë. Kjo ishte pjesa e tretë, me titullin “Vorteks”. Ndarja nga dashuria. Në fakt megjithëse i pamëdyshtë, qëndrimi i zotit N. mbetet i pashpallur. Vetëm rikthimi në kasollen simbolike të pjesës së parë është i sigurtë.
Megjithëse citimi i mësipërm është një pjesë e spikatur e tekstit dhe domosdo tenton të jetë sa më i pamëdyshtë, prapë mund të vejmë re se zoti Marku do të na informojë e ftojë në qëndrim e angazhim qytetar. Është për t’u çuditur se si një poet arrin të përqendrohet kaq shumë në një raportim. Duke pasur parasysh gjithmonë se rrëfimtari ishte diku brenda personazhit por edhe pak jashtë tij.
Në kopertinën e mbrapme të librit është zgjedhur një copë tekst për të intriguar lexuesi/en. “Ndjen sa shumë i ka munguar Eva në jetën e vet! Ndjen se papritur, për një trill të fatit, ai do ta takojë Evën përsëri. Evën që jeton në pjesën tjetër të botës. San Francisko është qyteti ku njerëzit bien të flenë në kohën kur banorët e Londrës sapo zgjohen. Të dy, ai dhe Eva, jetonin prej kohësh në dy realitete të ndryshme kohore. Por të bashkuar nga një kohë që qenë një herë e një kohë, e tani nuk ishte më. Një kohë e shkuar që përpiqej të krijojë një të tanishme … E dërgon e-mailin dhe ndjehet i lehtësuar. Këtë radhë nuk provon atë pasigurinë që pat ndjerë kur kishte dërguar mesazhin e parë. Fantazma e së shkuarës po bëhej përherë e më tepër e vërtetë, reale, prekëse…”
Në këto citime disi të bollshme besoj më lejohet një shtjellim për ledhat e fjalës ose trandjen e mendimit që tentohet, strukturën e fjalisë që shfrytëzohet për përjetim artistik të zhanrit të përfolur për përkatësinë e vet në artistikëri dhe padyshim tematikat tona të preferuara të largësisë së zakonshme apo inovatore nga personazhi dhe ça të dali përpara si thashethem që mund të na ndikojë orientimin në realitetin tonë bashkëkohor nëpër Tiranë.
Zymtësia sikur buron edhe në fjali. E shkurtër e shpejtë. Një trok. Një shkrimtar që nuk trembet të tregojë se aty është pikërisht ai që i shtjellon të tëra.
Por në fakt, a është ai aty? Ja, në këtë botë tonën duket sikur mund të gjurmohet një personazh. Zonjën Xhuljeta, gati e njoh. Njoh Tiranën. Rrugët, sheshet. Njoh njerëzit.
Nëpër atë bllok fjalish, ai i di të çarat dhe kalon, jam dakord. Por a është ai që shpërndan reflektimet etike e estetike të përjetimeve personale nga vendi, apo kush është dominues aty, tani?
Mundet të jetë kështu. Në mos qofshin të tijat, zoti Marku patjetër që i njeh nga afër situatat me leva në kokë e përndjekje politike në kohë të diktaturës e në kohë të tranzicionit . Edhe ne i njohim gjithë të tjerat. Referenca e tij ndaj vrasjes së bankierit Santo në bllok e lokalizon vizitën e tij diku pas 2014-ës. Kryeqyteti është aty. I zbulueshëm. Emri i një lokali që me ujerat e veta të përdorura ka një ndikim të pahijshëm mbi lumin Erzen (bashkë me shokët e vet) përmendet në dritë.
Ajo që më pëlqen është një ngjyrë vazhdimësie emocionale që dominon veprën dhe arrin të shkëputet prej saj. Personalisht nuk kam opinion mbi këto sipërfaqe letrare që shoqërohen me copëtim në formatin informativ. Përjetimet afatgjata janë të lodhshme. Teksti sikur u shërben këtyre përjetimeve. Gjithë mendja dhe vëmendja njerëzore po riprogramohen për shoqërinë e përjetimit afatshkurtër, kurse ky mbështet njërën prej këmbëve të romanit mu mbi atdheun e vdekur që shtrihet ontologjikisht nëpër gjithandejin e faqeve dhe njerëzve.
Fjalia e shkurtër dhe mungesa rimave fjalëndjellëse brenda fjalisë gjithsesi nuk janë edhe kaq jetike. Romani përparon shpejt. Me këtë mënyrë të thjeshtë të krijimit të fjalisë sigurohet edhe afrimitet. Modestia që përcillet prej këtij afrimiteti është e bollshme. Ajo bën punë edhe për marrëdhëniet e shumta edhe për njëfarë legjitimiteti të shtuar në verdikte etike. Por ka njëfarë risku, ky afrimitet. Çfarë të afron me lexuesin, të largon me personazhet. Dhe këtu më duhet ta tregoj se bashkimi im në simpatira është më pak i sinqertë.
Dialogu është disi i thjeshtë. Edhe përshkrimeve, megjithëse të shkathëta e të larmishme, u vihen detyra disi të thjeshta.
Por, padyshim tematikat janë të rëndësishme. Një sërë mentalitetesh ballafaqohen me mbajtësin nga një këndvështrim i jashtëm. Një dëshmi për ndodhira të mundshme të realitetit tonë? Përndjekja politike, mizerja e qyteteve që sulmohen e dhunohen dhe pabesisht nëpër natë e bëhen fli e rrugaçërisë dhe krahut të vet politik gjithmonë maxhoritar. Brishtësia e njeriut. Mërgimi dhe copat që ai i lë të teprojnë nga njeriu. E kaluara e partneres një shkëmb që edhe Sizifi nuk e kishte marrë për ta ngjitur dy herë atje lart. Rëndësia e jashtëzakonshme e jetës në të bame të njeriut. Se si trauma që një shoqëri lejon për njeriun e vet materializohet tek një njeri e te një tjetër.
(Ribotimet padyshim që kanë nevojë për një rikorrektim prej një ë-je të vetës së parë që si mizë vjen vërdallë prapa foljeve. Asgjë e shumtë, por nuk di pse janë disi shumë të shqueshme: ndoshta fjala paska pas më shumë rëndësi? Një komplot global me korrektore kryeneçe dhe disi dezhavyyse në gramatikë apo thjeshtë një gegë i ndrydhun për marak?)