Të thoshin: kujdes, një në çdo tre vetë është informator i Sigurimit. Çfarë mund të rifrazohej edhe kështu: një në çdo tre vetë do ta kalojë ligjëratën tënde nga të folur në të shkruar dhe nga të drejtë në të zhdrejtë. Raporti për çfarë ke thënë do të depozitohet në një zyrë ose arkiv diku, dosja jote në mos është hapur do të hapet. Tashmë shteti po të dëgjon. Dhe ti kaloje nëpër mend gjërat që kishe thënë një natë më parë, kushedi pasi kishe rrëkëllyer ndonjë dopio fërnet ose konjak ekstra (nga ai me vanilje) dhe të dukej gjëja më absurde që fjalët e tua, ai mish-mash absurd mendimesh të lëna përgjysmë, pasthirrmash, klishesh dhe superlativësh, të shndërroheshin në tekst të shkruar, të hekurosur mirë, me fjali të plota dhe shenja pikësimi. I rishkruaje edhe ti me mendje ato që kishe thënë dhe gjykoje se një njeri që ia lejon vetes të flasë kështu, nuk e meriton të mos raportohet menjëherë, edhe pse jo aq për subversion, sa për idiotizëm. Një në çdo tre vetë. Nga pikëpamja thjesht statistikore, kjo vështirë se mund të mbrohej – ose shteti do të shembej nën peshën e raporteve që i vinin nga informatorët në terren; pa llogaritur hafijet vullnetare, ata që të denonconin në lagje ose në organizatën e Rinisë ose te sekretari i Partisë, ata që shkruanin kundër teje letra anonime ose fletë-rrufe, ata që dënonin për arsye parimore, me njëri-tjetrin. Vetëm lexuesit e këtyre raporteve të përditshme duhej të ishin me mijëra, meqë informatorët – një në tre – me siguri përgjonin edhe njëri-tjetrin, ose u përkisnin armëve të ndryshme të Sigurimit, drejtorive të ndryshme në mos rivale, sektorëve të ndryshëm. Edhe vetë ideja për t’i zbardhur bisedat e dyshimta të shtetasve, për të pasur dëshmi të zukatjeve në çdo koshere bletësh (ose grerash), edhe vetë ideja ishte mitologjike në ambicien e vet; diçka si biblioteka e Babelit e Borges-it, vetëm se arkivi i tanishëm do të ruante fjalën e thënë jo të shkruarën; ose do të balsamoste zogjtë. Si edhe mite të tjera, që qarkullonin ato vite, për të përfunduar ato vetë pjesë e raporteve denoncuese (“ka thënë, në filan vend, në filan orë, me filan njerëz, se një në çdo tre vetë është i Sigurimit”); si edhe mite të tjera, ky i një-në-tre do të ketë qenë përhapur nga vetë Sigurimi, në kuadrin e një psy-op-i të menduar mirë, kushedi edhe të ardhur në Shqipëri si best practice nga ndonjë vend tjetër më i përparuar në lëmin e survejimit të shtetasve. Të mbaje dhjetëra mijëra informatorë dhe të arkivoje raportet e tyre ishte ndërmarrje titanike, që do ta rrënonte shtetin, duke ia mbushur arkivat me plehra; shumë më lirë do të kushtonte të përhapje idenë, gënjeshtrën, zhurmën, thashethemin, se shteti i mbante vërtet kaq shumë informatorë, ose më mirë, që shtetit i interesonte të dinte se çfarë mund të thoje pikërisht ti, një kokrrizë rëre në gojën e devesë që përtypte dhe ripërtypte informacionin e mbledhur poshtë. Big data ante litteram, nëse më falet kjo përzierje gjuhësh, të gjalla e të vdekura. Gjithsesi, nëse njerëzit do të bindeshin vërtet për këtë shpërndarje kaq kapilare të informatorëve, të veshëve që dëgjonin dhe të duarve që do të zbardhnin bisedat e tua dhe do të shkruanin raportet përkatëse, kjo do ta stabilizonte praninë e të tretit imagjinar në çdo situatë komunikimi, privat a gjysmë-privat; të syrit dhe të veshit të organeve. Që nga ai moment, nuk do të kish më rëndësi nëse kish apo jo informator të Sigurimit të pranishëm në situatat sociale, të tillë që të raportonte për ty; mjaftonte që ti ta besoje këtë dhe të silleshe sikur ky informator të ekzistonte vërtet; të kontrolloje fjalët që thoje, të zgjidhje me kujdes temën e bisedës dhe t’u shmangeshe “kurtheve” ose provokimeve, reale ose imagjinare. Vetë situatat sociale, gjysmë-private, mes shokësh ose të njohurish ose në mjedise relaksimi si në një datëlindje ose birrari, do të fillonin të plazmoheshin mbi këtë presupozim, teksa pak a shumë të gjithë do të përfytyronin, në mënyrë obsesive, informatorin imagjinar që ua vëzhgonte, regjistronte dhe gjykonte fjalët. Nëse organet e Sigurimit dëshironin që t’i vinin fre diskursit subversiv dhe të pengonin krijimin e komuniteteve, qoftë edhe fluide, mbi bazën e bashkëfajësisë (komplicitetit); ose të njerëzve që afroheshin me njëri-tjetrin dhe krijonin shoqëri të temperuara mirë, pasi kishin “mëkatuar” së bashku kundër shtetit, pushtetit dhe ideologjisë sunduese; nëse organet e Sigurimit e dëshironin dhe e synonin këtë, atëherë psy-op-i i një-në-tre vetë informator i Sigurimit do të mjaftonte; duke i kursyer kështu shtetit miliona. Kjo paranojë e mbjellë artificialisht dhe e përforcuar sa herë që shfaqej tundimi për të folur kundër, për t’u shfryrë, për t’u zbrazur, për ta ndarë frustrimin me një mik kish për efekt anësor dëmtimin e rëndë, në mos shkatërrimin e besimit tek tjetri; i cili besim vështirë se mund të bashkëjetonte gjatë me dyshimin se ky tjetër mund të të raportonte lirisht. Prandaj ti mbylleshe në vetvete, i shprehje mendimet e tua në ditarin sekret ose fundja guxoje të belbëzoje diçka vetëm kur kokë-për-kokë me mikun më të afërt, me shpresën se kjo, të paktën teorikisht, nuk do të mund të sillej si dëshmi në gjyqin imagjinar që do të organizohej kundër teje nesër. Në fakt, sjellja jote gjithnjë do të përcaktohej nga ky gjyq imagjinar, kur ti do të vihej para fakteve të pakundërshtueshme, gjërave që i kishe thënë; dhe atyre gjërave të tjera që i kishin thënë të tjerët në praninë tënde dhe ti nuk kishe reaguar, as për t’i kundërshtuar as për t’i denoncuar këta të tjerë tek organet; meqë vetëdija e amplifikuar e persekutimit që të bënte shteti, duke ta përgjuar deri edhe intimitetin, herët a vonë do të çonte në paranojën e megalomanisë dhe të bindjes – në fakt absurde – se shteti vërtet mund të kish ndonjë interes çfarëdo për banalitetin tënd të përditshëm.
Shënim: këto janë fragmente nga një ese e gjatë, ende duke u shkruar, kushtuar lirisë së fjalës në Shqipërinë totalitare.
Kemi nevojë për të tilla ese.
Ajo zbërthen faktin se PKSh / PPSh-ja e sundonte popullin me terror. Nga një anë duke arrestuar e dënuar pa shkak intelektualët dhe nacionalistët që i konsideronte kundërshtarë potencialë dhe nga ana tjetër duke ngjallur frikë në popull përmes thënieve të tilla si kjo “Në tre vetë, njëri është spiun”, fabrikim i “Pallatit të Gërmërit”.
Mirëpo të tilla thënie në atë kohë e ndrydhën shqiptarin, ia forcuan autocensurën. Kurse tani në paskomunizëm e kanë bërë mosbesues. Të gjithë nuk e shikojmë njëri tjetrin me mirëbesim, por gjithmonë me një ndjenjë të thellë dyshimi se mos ka qenë edhe ky e ai spiun. Kështu i rrimë larg njëri tjetrit, dhe pas 26 vjet tranzicion vijojmë të jetojmë të shkërmoqur e nuk mund të bashkëjetojmë në paqe, por grindemi, shajmë e shpifim për njëri tjetrin.
Këtë frymë armiqësie dhe mosbesimi e forcuan dhe partitë e reja politike, të cilat e sulmonin anëtarin dhe simpatizantin e një partie tjetër si armik të Shqipërisë e të përparimit dhe jo si opozitar politik.
Diktaturat komuniste, sa me komuniste( per rrjedhoje me te suksesshme) ta mbanin veten, aq me shume kishin problemin e legjitimitetit. Kjo sillte rrjedhojen logjike qe gjerat me banale beheshin gjera serioze.
Ne rast se perfaqeson vullnetin e popullit dhe ke asgjesuar klasat reaksionare, atehere me matematike, duhet te kesh diku afer 100% te mbeshtetjes popullore, prandaj dilnin ato titujt, 99.9% e votuesve moren pjese ne zgjedhje, dhe Partia fitoi 99.9% te votave.
Atehere, Enveri e bente gjumin rehat, si perfaqesues i gjithe popullit, nderkaq nje dru i shtrember te prish stiven, keshtu qe duhet hequr.
Sistemi nuk ishte paranojak, thjesht ishte ndertuar mbi bazen e nje konceptimi absolutist ne lidhje me legjitimitetin e nevojshem. Disa pjesetare te popullit qe nuk ia pranojne legjitimitetin, perben nje fenomen qe ngre pikepyetje ekzistenciale per sistemin, dmth duhet te dilnin gabim ose ata pak veta ose gjithe sistemi.
Keshtu per rrjedhoje nuk mund te ekzistonte koncepti i paperfillshmerise, gjithçka behej serioze. Kuptohet qe askund nuk mund te kete rigorozitet logjik 100%, keshtu qe gjerave te ndryshme u kalohej persiper, por ne parim gjithçka ishte serioze.
Teorikisht diktatura ishte e proletariatit, por populli ishte kryesisht fshatar, çka ia shtonte problematiken e legjitimitetit, dmth dikush mund te dilte e te thoshte pse te mos kemi diktaturen e fshataresise, Aq me shume qartesohet paradoksi po te kemi parasysh vleren e pashaportizimit.
Diktatura komuniste kishte baze te ngushte legjitimiteti klasor dhe pretendonte te kishte thuajse 100% te legjitimitetit popullor.
Teoria elitiste e politikes, ka ne themel nje ndarje ku elita perfaqeson nje minorance te vogel, por qe arrin amalgamohet ne ate pike sa te krijoje nje klase ose nje shtrese dhe te veproje si e tille.
Nderkaq mohon ekzistencen e klasave ose shtresave te tjera nga pikepamja cilesore ose racionale, dmth asnjera prej atyre qe mbahen per klasa ose shtresa te tjera, nuk zoteron nje amalgamim, nje nderthurje, ndergjegje te atille, saqe te flasesh per klase ose shtrese. Per rrjedhoje kemi thjesht popull, i cili vuan nga atomizmi ose kaosi, sa me i larte te jete atomizimi i popullit, aq me e lehte eshte per eliten te sundoje.
Enveri e konceptoi dhe realizoi regjimin komunist, pikerisht ne kete menyre, atomizimi deri ne familje, dyshim tek burri apo gruaja, ne menyre qe jo grup por as dy veta te mos arrinin dot te beheshin bashke.
Ne momentin qe atomizon shoqerine deri ne elementin e saj themeltar, familja e grupi me i ngushte miqesor, madje duke goditur edhe keto dy elementet shoqeriformues, atehere pushtetin e ke te garantuar 100%. Eshte rregull universal qe ne rast se shteti shpall gjendjen e jashtezakonshme, nuk mund te udhetosh me shume se 2 veta, nderkaq edhe sot ne sistem demokratik, nuk mund te kryesh asnje grumbullim publik me karakteristika politike ku ka me shume se 12 veta pa marre me pare leje, se quhet grumbullim i paligjshem.
Paniku i elitave ndaj grumbullimeve popullore eshte fenomen universal biles edhe aty ku ka demokraci, pra mjafton 50%+1, nderkaq diktatura komuniste , e cila pretendonte 100%, duhet te merrte seriozisht edhe aty ku dyshi behej tre, dmth shteti komunist ishte perhere ne gjendje te jashtezakonshme.
Aty ku ka gjendje te jashtezakonshme te perhershme, e drejta e fjales nuk ka si te kete vend.