[Kjo intervistë u botua së pari, me disa shkurtime dhe e përkthyer në italisht, në OBC Transeuropa. Këtu po botohet e plotë, e ndarë në dy pjesë. Pyetjet dhe koncepti janë të Erion Gjatollit.]
Ta nisim nga revista. Peizazhe të fjalës feston 10-vjetorin e themelimit. Si lindi dhe si ka ndryshuar kjo hapësirë ndër vite?
Dhjetë vjet janë nuk janë pak, sidomos për kalendarin e mediave shqip. Sot është praktikisht e pamundur të gjesh, në Internet, materiale të botuara në portalet dhe në gazetat shqip online të para 10 vjetëve, ose edhe të mëvonshme: arkivat i kanë asgjësuar. Po të kishin qenë në letër, do të kisha thënë “djegur.” Unë besoj se kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por është mbështetur nga të gjithë ata që nuk janë të interesuar t’i japin dhe t’ia ruajnë përmasën kohore (historike) kulturës dhe komunikimit, por duan t’i mbajnë këto, kulturën dhe komunikimin, të lidhura ngushtë me përditshmërinë. Ditë e re, fjalë të reja, të thonë. Paradoksalisht, kjo ndodh pikërisht brenda njëmjedisi diskursiv publik ku të shkulin dhëmbët për një fjalë që mund të kesh thënë para 20 vjetësh dhe që mund të ketë mbijetuar diku në ndonjë skutë; kinse ngaqë burri u lidhka për fjalësh dhe koherenca mekanike qenka provë e virtytit. Duket sikur djegia e arkivave ka ardhur si pasojë e dështimit për ta arritur dhe mbajtur këtë paragon të pamundshëm të virtytit viril. Nga kjo pikëpamje, 10 vjet të Peizazheve janë provë se ka edhe modele të vetëmbajtshme (sustainable), që nuk kanë nevojë për injeksione, as grante për t’u riprodhuar dita-ditës; pse qëndrojnë në këmbë falë vullnetit të mirë, përkushtimit publik të autorëve dhe të editorëve dhe faktit që, në masë të madhe, janë pjesë projektesh të tjera, me të cilat kanë një marrëdhënie polenizimi të kryqëzuar. Kur vendosëm ta krijojmë, e quajtëm “blog” – sepse blogu ishte aso kohe i vetmi format edhe mediatik, që kishim në dispozicion. Ishim një grup miqsh dhe kolegësh – Rando Devole, Elona Pira, Dash Kokonozi dhe unë, të mbijetuar nga një eksperiencë disa-vjeçare në një listë diskutimesh (Alb-Club), e cila tashmë ish në fund të ciklit të vet dhe po shembej nën peshën e trollëve dhe të sulmeve ad hominem. Peizazhet lindi kështu si një hapësirë ose “santuario” ku mendimit të lirë shqip do t’i ofrohej madje garantohej mbrojtja nga orvatjet për mbyllje goje, fajësime, poshtërime, damkosje,gjyqe popullore, marrje në pyetje, shurdhim nëpërmjet zhurmës, shurdhim nëpërmjet “shumica mendon kështu” dhe formave të tjera të sotme të censurës në botën publike shqiptare. Në kundërshtim me rrymën e atëhershme, ne vendosëm t’u japim përparësi shkrimeve dhe kontributeve origjinale, jo komenteve nga lexuesit dhe kalimtarët; me shpresë se kjo do t’ia kthente përgjegjshmërinë fjalës. Me kalimin e viteve, Peizazhet ndërroi pamjen dhe formatin dhe u shndërrua gradualisht në revistë, edhe me kontribute të shumë kolegëve të tjerë dhe me ndihmat bujare të lexuesve individualë, duke arritur të kristalizojë një profil të vetin – në temat e trajtuara, në tonalitetin e zgjedhur për t’i trajtuar dhe në stilin e qasjes ndaj problemeve; të cilin besoj se e ka ruajtur deri më sot dhe që shërben, mes të tjerash, edhe për të përzgjedhur paraprakisht të gjithë ata që duan të kontribuojnë me mendimet dhe krijimet e tyre. Sot për sot, kemi problem si të përballojmë modelin që ofrohet me forcë nga Facebook-u, Twitter-i dhe rrjete të tjera sociale: një model që e ka reduktuar ndërhyrjen publike në batuta dhe komente të shkurtra, sa kohë që deri edhe politikanët i sheh të komunikojnë rregullisht me “statuse”. Përkundrazi, Peizazhet mbetet një oazë, nëse mund të shprehem kështu, e mendimit të artikuluar dhe leximit impenjativ; prandaj mund të bashkëjetojë me modelin e rrjeteve sociale, por vështirë se mund ta konkurrojë. Si edhe më parë, do të na duhet ta përkufizojmë përpjekjen tonë dhe faqen vetë si produkte të një vullneti për t’u mbrojtur ndaj banalizimit dhe trivializimit të diskursit publik; gjithë duke pasur parasysh se pushtetit, edhe në kulturë, nuk i intereson të ketë të bëjë me subjekte që mendojnë, ose që janë të vendosur ta ushtrojnë lirinë e fjalës dhe të mendimit në mënyrën më ambicioze dhe më të artikuluar të mundshme.
Distanca nga Shqipëria të ndihmon të kesh njëfarë shkëputjeje në këndvështrimin tënd ose më shumë liri? Ardian Vehbiu do të ishte ndryshe sikur të jetonte në Tiranë? Apo do të shkruante më pak, nëse kjo është një mënyrë për të mbajtur një kontakt me Shqipërinë?
Gjithnjë më ndihmon, me kusht që të bëj kujdes, në çdo rast, për të dalluar midis temave ku jam i avantazhuar, dhe temave të tjera, për të cilat largësia nuk më lejon të shprehem. E megjithatë, shumë nga përsiatjet e mia, si autor në Peizazhet dhe gjetiu, mund ta kërkojnë vërtet distancën, por gjithë duke qenë të pavarura prej saj – meqë për ne te Peizazhet publicistika në kuptimin e ngushtë të fjalës nuk është veçse një nga shumë fushat ku kemi interes. Ndonjëherë reagojmë për temat e ditës, ndonjëherë nuk merremi me to; kjo varet nga çfarë dëshirojmë të bëjmë, nga mundësitë që kemi dhe nga përparësitë që i kemi vënë vetes në këtë apo në atë moment. Nuk jemi media informative por palestër e mendimit të lirë publik: dallimi duhet mbajtur gjithnjë parasysh. Përkundrazi, na intereson përpunimi i një mendimi bashkëkohor jo aq “shqiptar,” sa “shqip” (në kuptimin “në gjuhën shqipe”), i cili t’u vërë të gjithëve në dispozicion instrumentet gjuhësore të debatit, të kritikës dhe të arsyetimit. Të mos harrojmë se shqipen e diskursit publik nuk e kanë lënë t’i zhvillojë këto instrumente natyrshëm për gati gjysmë shekulli; dhe se praktikisht të gjithë ata që sot përpunojnë diskursin publik shqip në Shqipëri (përfshi këtu edhe mua) janë formuar gjuhësisht në shkollat totalitare, ku nxitej konformimi, sofistika, makiavelizmi logjik, doublethink dhe ku e vërteta ishte diçka e dhënë, që manifestohej në dokumentet dhe shqiptimet zyrtare, jo diçka që mund të arrihej nëpërmjet ballafaqimit të mendimeve dhe të qëndrimeve. Edhe pse mua nuk më pëlqejnë motivimet mirëfilli “negative”, më duhet ta sqaroj haptazi se një nga synimet e faqes sonë është të shkatërrojë, nëpërmjet dekonstruktimit, të gjithë mekanizmat e logjikës autoritare dhe autoritariste, që ende udhëheq diskursin publik në Shqipëri; pa lënë jashtë asnjë fushë, por duke u fokusuar në kulturë, sepse aty ndihemi edhe më të sigurt në ato që themi.
Nga revista e ke kritikuar rregullisht shtypin shqiptar, tërësisht në shërbim të politikës.
Mendoj se shtypi shqiptar ka marrë një rrugë pa krye: ka humbur besueshmërinë, ka humbur autoritetin, ka humbur raportin me të vërtetën, ka humbur deri edhe kontaktin me të vërtetën; ka humbur profesionalizmin, sikurse ka humbur aftësinë për t’u shprehur saktë dhe qartë, dhe më në fund ka humbur kulturën e përgjithshme elementare që duhet të ketë gazetari. Duke u katandisur kështu, mediat vetëm i janë përshtatur politikës dhe showbiz-it të sotëm (që ndonjëherë pretendon ta marrin për kulturë), duke treguar një obsesion për të bërë spektakël, pa çka se ky spektakël është totalisht në shije të keqe. Është një shtyp i infektuar keq nga ad hominem-ët, gënjeshtrat dhe provokimet, batutat e filmave, mos-respektimi i normave deri edhe elementare të etikës qytetare dhe të etikës profesionale dhe sentimentalizmi psikopatik, i cili dëshmon stadin foshnjor të qytetarisë sonë sot. Shtypi i shkruar ende jep shenja se po i reziston kësaj zbythjeje, por televizioni – veçanërisht me formatin e muhabeteve në studio – po shërben si udhërrëfyes drejt batakut; dhe në batak ligjin e bëjnë pastaj portalet, sajtet e lajmeve të rreme, sajtet e përdhosjes së figurave publike dhe lloje të tjera nevojtoresh të fjalës së lirë. Vërtet, në të gjitha këto nivele – nëse mund t’i quaj kështu – ligjin e bën politizimi; duke i shndërruar mediat në, siç e kam quajtur dikur, një “folklor të elitave”, ose epos të bëmave (gjesteve) të politikanëve të sotëm. Ndoshta kjo u shërben edhe vetë protagonistëve të jetës politike, për të harruar se sa dhe si kanë dështuar dhe dështojnë, çdo ditë, si politikanë; ose në misionin e tyre përballë qytetarëve. Është një lloj terapie – për shembull, kur ti del nga një takim ku sapo i ke dhënë privatit një pasuri publike, ose sapo ke tradhtuar aleatët e tu të deridjeshëm, dhe befas e sheh veten të rrethuar nga mikrofonët shumëngjyrësh. Prandaj do t’i quaja mediat e sotme mainstream si forma të një terapie mbajtëse për një politikë të sëmurë terminale.
Ka një lloj paragjykimi nëse shkruan kryesisht në rrjet dhe me pseudonim? A shihet si mungesë serioziteti apo autoriteti? Mos ka një lloj parapëlqimi për formën ndaj përmbajtjes? Apo pseudonimi është njëfarë mbrojtjeje, duke qenë se në internet qarkullojnë kryesisht dy lloje ndjenjash: adhurim ose urrejtje?
Ka pseudonim e pseudonim. Për disa, emri i sajuar është një mënyrë për të fshehur identitetin, ose për ta lëshuar fjalën nga zinxhiri: janë njerëz që shpresojnë se lexuesit e tyre do të gënjehen dhe do të kujtojnë se, sa kohë që një fjalë është shkruar në publik, do të ketë edhe subjektin që t’i dalë zot. Që shpresojnë pra se fjala, e shkëputur nga subjekti që e përfton, mund të ketë ende ndonjë farë lidhjeje me të vërtetën, etikën ose qytetarinë, falë iluzionit që mundëson inercia. Për disa të tjerë, emri i sajuar është një mënyrë për të hequr qafe peshën e së kaluarës; ose për të luftuar efektin e të qenit i njohur për publikun – meqë shumë lexues do t’i afrohen tekstit tënd me pritje dhe paragjykime të caktuara, në atë masë që të njohin nga shkrimet e tua të mëparshme. Për disa të tjerë, më në fund, emri i sajuar është një pen name a nom de plume: një artific a figurë retorike, e cila e ndihmon autorin për ta “personazhizuar” veten, ose për t’iu lutur lexuesit që ky të respektojë distancën – gjithnjë të nevojshme – midis një teksti dhe autorit “juridik” përkatës. Për mua si autor, një nga preokupimet madhore është si t’ia çoj fjalën time lexuesit, në luftë me automatizmin e kujt beson se “më njeh tashmë” dhe “e di se çfarë do të them”; sidomos në kontekste debatesh, ku publiku shpesh e sheh veten në rolin e gjykatësit moral, i cili verifikon koherencën e thënieve të tua në kohë; duke harruar të vërë vesh dhe të dëgjojë se çfarë mund të kesh të re për të thënë.
Në rrjet mund të gjesh materiale të realizuara me nxitim dhe pa cilësi, të menduara pra me kriterin e vetëm të klikimeve. Gjenden gjithashtu produkte serioze dhe cilësore, por që shpesh dalin me humbje. Është një problem ekonomik apo përgjegjshmërie? Nëse linjat editoriale do të ishin të shkëputura nga shikueshmëria dhe klikikmet do të ndryshonte edhe përmbajtja, do të hiqej dorë nga thjeshtëzimi, nevoja për të tërhequr vëmendjen etj?
Disave nga drejtuesit e sajteve ‘trash’ nuk u mungon profesionalizmi as intuita kulturore për të bërë gazetari dhe publicistikë serioze – por gjithnjë kam frikë se alibia e “klikeve” u shërben për të mbuluar një zgavër tjetër: atë të vlerave etike. Janë njerëz që nuk e shohin punën e tyre si mision, por thjesht si shkallë për t’u kacavarur në hierarkitë sociale dhe për t’u pasuruar. Dhe meqë në gazetari nuk pasurohesh dot kaq lehtë, sidomos në Internet ku materialet ofrohen “falas”, atëherë tundimi i të pamoralshmëve është shantazhi ose, siç i quajnë sot, “gjobat.” Janë pastaj ata të tjerët, njerëz që gjenden rastësisht në profesion, dhe që jo vetëm nuk dinë t’i formulojnë mendimet, por nuk kanë as ç’mendime të formulojnë. Prandaj unë mendoj se shoqëria jonë, në tërësinë e vet, nuk është ende në gjendje të përftojë media politike serioze. Ato pak përjashtime, që ende i gjen, të paktën shërbejnë për të mbajtur gjallë shpresën se një ditë rrethanat do të ndryshojnë dhe publiku do të kërkojë prej mediave diçka më tepër se plehu; por kjo ditë është larg dhe kultura e sotme e komunikimit publik në përgjithësi po e mban edhe më larg. Në kulturë, përkundrazi, shqetësim nuk është plehu, por relevanca; sepse ka produkte kulturore cilësore, madje edhe online, por ato nuk komunikojnë mes tyre dhe kanë fare pak lexues; sidomos sa herë që dalin në skenë ngaqë dikush ka përfituar një grant për t’i nxjerrë. Në çdo rast, dëmi më i madh që po i shkaktojnë komunikimit publik mediat trash është shkatërrimi i pritjeve te publiku, ose krijimi i qëllimshëm i analfabetizimit funksional. Meqë shpesh më duhet edhe mua të përballem me këtë publik, nuk mund të mos vë duart në kokë, sa herë që vërej se kam të bëj me lexues që nuk arrijnë të ndjekin tekstin dhe që kuptimin e nxjerrin duke ri-deshifruar klishetë. Sa për aspektin ekonomik, do të shtoja se vënia në dispozicion falas e materialeve informative, ose e çfarë në anglishte e quajnë “content”, mund të duket, në vështrim të parë, sikur i shërben lexuesit; por e vërteta është se një lexues që nuk paguan për çfarë lexon nuk mund ta mbajë burimin e informacionit të përgjegjshëm. Pagesa për një produkt është edhe themeli i etikës në marrëdhëniet mes ofruesit dhe përdoruesit; por në Internetin e sotëm falas duket sikur të gjithë jemi duke dëgjuar muhabete mes të tretëve ose duke i ndjekur zhvillimet diskursive si të ishin ndeshje futbolli.
Në këtë mekanizëm të cilësisë kundër shikueshmërisë ndërhyjnë detyrimisht edhe rrjetet sociale, që siç e dimë çojnë deri në ekstrem qëndrimet pro ose kundër. Në një hapësirë ku një like është në fund të fundit një qëndrim, nuk dallon edhe një parim klanor, një ndarje mes “nesh” dhe “atyre”? Të ndarë në grupe a nuk rrezikojmë të mos i flasim njëri-tjetrit, të mos komunikojmë, të mbetemi në flluskën tonë, të miratojmë me një like vetëm ata që e mendojnë si ne dhe të harrojmë të tjerët, ata që na duken ndryshe?
Këtë ndarje për të cilën flisni ju, në Shqipëri në mos e përftoi, të paktën e nxori në pah pluralizmi, i cili sakaq u interpretua dhe u vu në jetë si segmentim. Tribalizmi që trashëgojmë, si shqiptarë, gjeti truallin e përsosur për t’u rikthyer në fuqi edhe pse me lëkurë të ndërruar. Një nga fillesat kryesore të kësaj përçarjeje sociale, në mos e vetmja, është partitokracia, ose sundimi i pakontestuar i jetës politike nga partitë politike – të cilave segmentimi social u shërben edhe për të garantuar votën në zgjedhjet e ardhshme. Normalisht, debatet sociale dhe kulturore, që zaptojnë interesin publik, duhej të organizoheshin sipas disa temave madhore, të cilat për Shqipërinë duhej të ishin – sa për të sjellë ndonjë shembull –barazia sociale, punësimi, mjedisi, shëndetësia, arsimi; dhe në çdo rast, jo Basha, Rama, Meta, Sala, Jari. Mirëpo partitë politike i kundërvihen njëra-tjetrës jo në programet që kanë, por në dëshirën për të marrë pushtetin dhe për ta mbajtur; prandaj edhe varfërimi i debatit publik edhe i shërben drejtpërdrejt partitokracisë, edhe është produkt i kësaj patologjie. Natyrisht, partitokracia përfiton edhe nga dëshira e të gjithëve ne për t’u gjetur një konfirmim atyre që besojmë dhe për të refuzuar, ose edhe shpërfillur krejt, gjithçka tjetër që na i sfidon bindjet dhe pritjet. Dhe nëse është kështu, atëherë grupimet kryesore politike në Shqipëri jo vetëm mbajnë gjallë segmentimin social, por edhe ofrojnë modele alternative të realitetit.
[vijon]