Të flasësh dhe të thuash – dallimi mes këtyre dy foljeve shkon më thellë se “forma e tyre e brendshme”, meqë prek drejtpërdrejt marrëdhëniet që ne si aktorë vendosim me njëri-tjetrin në skenën e komunikimit. Nëse flas e vështron të folurit si veprimtari të subjektit, them i jep përparësi mesazhit që shkëmbehet, ose objektit; çfarë do të thotë se në ato rrethana ku rolet sociale përcaktojnë edhe përmbajtjen e komunikimit, flas do të jetë më e rëndësishme se them; ndërsa në ato rrethana të tjera, ku informacioni i shkëmbyer i përfton edhe rolet sociale përndryshe fluide, them do të jetë më e rëndësishme se flas. Një mënyrë tjetër për ta rrokur dallimin do të ishte ta përfytyronim flas si një folje që shënjon procesin ose produksionin e ligjërimit, ndërsa them si një folje që shënjon produktin e atij procesi. Sa më të shtangëta (rigjide) të jenë rolet sociale në komunitet, aq më e rëndësishme është marrja e fjalës, si akt; dhe aq më pak e rëndësishme përmbajtja e fjalës, sepse pak a shumë të gjithë do të thonë atë çfarë pritet prej tyre, sipas rolit që kanë – patriarku do të flasë si patriark, prifti si prift, tagrambledhësi si tagrambledhës, lypësi si lypës, nëna si nënë, motra si motër, gënjeshtari si gënjeshtar dhe i ligu si i lig. Shpesh flasim me njëri-tjetrin vetëm e vetëm për të mbajtur një lidhje – një funksion i ligjërimit ky që Malinovski dhe Jakobsoni e kanë quajtur “komunion fatik”; dhe këtu përmbajtja e ligjërimit është praktikisht e parëndësishme. Nga ana tjetër, shqipja përdor të njëjtën leksemë, fjalë, edhe për të folurit edhe për njësinë e vargut ligjërimor; me gjithë një farë ambiguiteti që krijohet në shumës (fjala vs. fjalët); mjafton të themi këtu se fjala mund të jetë emër veprimi, ose të shënjojë veprimin sipas foljes flas; por mund të jetë edhe emri i njësive ose i “tullave” të gjuhës, jo vetëm në metagjuhë, por edhe në ligjërimin e përditshëm (“nuk ia kuptoja mirë fjalët”). Për t’u shënjuar, gjithnjë në këtë kontekst, se foljes them nuk i përgjigjet, në shqipen e zakonshme, ndonjë emër veprimi specifik: të thënët është tejet diturore (le dire), ndërsa thënie shënjon thjesht rezultatin e një procesi të produksionit ligjërimor (le dit). Më në fund, që të thuash diçka duhet të flasësh, edhe pse mund të flasësh pa thënë asgjë; sikurse mund të flasësh përçart ose në gjumë – sepse të folurit është edhe akt fiziologjik, ku marrin pjesë organet e të folurit (goja, dhëmbët, qiellza, buzët, gjuha, gryka, gjuha e vogël, faringu, laringu, hunda, mushkëritë, diafragma); çfarë nuk ka fare lidhje me them, e cila i qaset dukurisë nga një anë tjetër, ajo e informacionit të përcjellë. Dhe për ta mbyllur këtë parantezë pak a shumë teorike, folja them ka prirje të shoqërohet gjithnjë nga ligjërata e zhdrejtë (“tha se ishte vonuar ngaqë e kish lënë autobusi”), ose nga përsëritja e një ligjërimi tashmë të përftuar. Përndryshe, flas është mjaft më e rrënjosur në kontekstin jo-gjuhësor se them; jo vetëm ngaqë dikush që flet e bën këtë si rregull me dëshirë, me vullnet, ose intencionalitet; por edhe ngaqë të folurit mbetet i lidhur me subjektin folës edhe në hapësirën jashtëgjuhësore; p.sh. nëpërmjet zërit, i cili është jo vetëm bartës i ligjërimit të folur, por edhe amplifikues i disa karakteristikave të këtij ligjërimi – pse nëpërmjet zërit mund të dallojmë emocionin, vendosmërinë ose, në një rrafsh tjetër, edhe identitetin e atij që flet, ose të subjektit të ligjërimit; dhe jo vetëm duke njohur dialektin ose akcentin; ose fundja edhe gjininë. Një shembull kurioz, për ta ilustruar këtë rol të zërit: Pasi terroristët e IRA-s vranë 11 vetë me një bombë në Enniskillen, qeveria britanike vendosi që të mos i transmetojë në radio ose në TV zërat e të gjithë atyre që bënin thirrje ose shfajësonin veprimet e dhunshme, duke i dubluar. Aktorit irlandezo-verior Conor Grimes iu kërkua, me këtë rast dhe për gjashtë vjet rresht, të ofronte zërin për udhëheqësin e Sinn Fein Gerry Adams; madje duke u përpjekur ta riprodhonte shqiptimin karakteristik të Belfastit perëndimor. Me sa duket, qeveria e Thatcher-it e konsideronte si tejet subversiv riprodhimin e zërit të eksponentëve të Sinn Fein-it. Madje edhe kur Gerry Adams lajmëroi para kamerave armëpushimin në 1994, publiku britanik e dëgjoi këtë nëpërmjet zërit të aktorit Grimes. Në fakt, zëri e humanizon ligjërimin e folur, duke i kujtuar publikut se ka gjithnjë një njeri të gjallë prapa fjalëve dhe gjithçkaje që thuhet dhe pastaj, nëpërmjet një metonimie, duke i dhënë folësit njëfarë agjencie dhe përgjegjësie për çfarë thuhet; ndoshta për këtë arsye organet e informacionit dhe të propagandës, në Shqipërinë totalitare, i jepnin shumë pak vend, në mos aspak, zërit të kundërshtarit – qoftë ky brenda Shqipërisë ose jashtë, sa kohë që nuk e kontrollonin dot. Një riprodhim publik, bie fjala, i deponimeve live të anëtarit të mbijetuar të grupit të Xhevdet Mustafës as që mund të përfytyrohej; në një kohë që në pjesët teatrale dhe në filmat artistikë me temë nga Lufta Na-Çl dhe më pas rolet e tradhtarëve, kolaboracionistëve, kuislingëve, priftërinjve katolikë dhe “diversantëve” shpesh vinin të bashkëlidhura me dialektin geg, preferueshmërisht veriperëndimor ose verilindor. Vetë spikerët e lajmeve dhe drejtuesit e emisioneve politike në Radio Tirana dhe më pas në RTSH kishin zërin e tyre karakteristik, që vinte si rezultat dhe efekt i shkollës shqiptare së të folurit skenik, por me siguri u detyrohej edhe porosive për mënyrën si duhej të tingëllonte ligjërimi zyrtar ose “zëri i shtetit”; çfarë do të dallohej menjëherë, që nga momenti kur dëgjoje – rastësisht ose me qëllim – një emision shqip të Zërit të Amerikës, radios Europa e Lirë, radio Moskës, radio Vatikanit, radio Sofjes ose radio Pekinit; përshtypja ime atëherë ishte se të gjitha këto radio flisnin më butë se Tirana, duke u përpjekur të argumentonin atje ku Tirana impononte.
[vijon]