Para pak javësh mediat lokale të Lombardisë njoftuan jo pa një note qortuese se aktori Giovani Mangano u gjet para një salle bosh kur doli në skenën e Teatrit të Popullit të Gallarate-s për të filluar një shfaqje të programuar prej kohësh.
Pak çaste më parë arkëtarja e teatrit i kishte thënë : maestro, nuk di se si ta them, por në sallë nuk ka asnjë shikues. Fotoja e sjellë këtu më sipër është pikërisht e kësaj nate aq të veçantë që Mangano me siguri nuk do të ta harrojë gjithë jetën e tij.
Subjekti më intereson shumë. Si një pjesë jete e ngjitur në skenë, edhe ky aksident flet jashtëzakonisht shumë për shkundullimat e ekzistencës së njeriut. Kush nuk është gjendur të paktën një herë të vetme në jetën e tij para një vetmie të tillë dhe nuk ka bërë pyetjen: po tani? Në rastin e Mangano-s ai në pak sekonda u kthye nga interpretues në personazh.
Gjithsesi, një ngjarje e tillë do të qe harruar me kohë po qe se megjithëse u njoftua për boshllëkun që e priste, Giovani Mangano nuk do të kishte thënë: megjithatë unë do të dal në skenë, shfaqja sot do të jepet. Dhe me seriozitetin dhe pasionin më të madh, si të ishte para ngjarjes më të rëndësishme të jetës së tij, ai interpretoi tekstin e parapërgatitur për plot një orë e gjysmë, pas lënë anash as edhe një fjalë.
Mangano është një aktor 65 vjeç me karrierë artistike të gjatë, edhe pse jo fort në zë në nivel kombëtar. Eshtë i njohur si interpretues i roleve të Pirandelos dhe Tolstoit, pra kemi një aktor me përvojë. Ngjarja pati jehonë dhe shumë vetë e cilësuan këtë si një rast romantik rezistence të artit ndaj një spektatori gjithnjë e më të çinteresuar ndaj tij (gjë për të cilën dyshoj), ndërsa vetë aktori nga ana tij thotë se pati një impuls të parezistueshëm për të bërë një gjë të tillë (daljen në skenë), si një akt dashurie ndaj teatrit, por edhe një gjest provokues e simbolik.
Duke u intersuar më tej të mësoj shkaqet e një katastrofe të tillë, që lë gjurmë në jetën e një aktori, mësoj se Mangano atë natë nuk dilte në skenë për të interpretuar ndonjë autor të madh e të njohur, ai interpretonte, një krijim të tijin të titulluar: Improvizime të një aktori që lexon. M’u duk se këtu duhej parë më thellë, se jo rrallë vërej se mjaft aktorë, të pakënaqur nga autorët bashkëkohës fillojnë e veshin vetë kostumin e shkrimtarit, si të qe një rol e jo një univers krijues. Pa dyshim aktorët njohin mjaft sekrete të skenës, por një gjë e tillë shpesh herë nuk mjafton. Megjithatë rasti i Manganos nuk duhej futur në një kategori të të tillë. Atë natë ai interpretonte për të shtatëdhjetën herë tekstin e shkruar prej tij. Pra në vetvete ai e kishte kaluar provën e gjykimit kritik të spektatorit, kishte se çfarë t’i thoshte atij, veç modulimeve të zërit dhe rekuizitës së gjestikulacionit.
Ndërsa shoh këtë foto këtu anash, megjithatë, më duket sikur ai me cinizëm e duf shqipton një esklamcion të vjetër sa bota, sheh në sy spektatorët e tij të munguar dhe u thotë: Nonën të gjithëve atje ku jeni ! (sepse s’jeni aty ku duhet të jeni).
Por edhe mund të mos jetë fjala për një shprehje të tillë, që do të zbuste sadopak tensionet e tij të brendshme. Mbase edhe ai është duke numëruar arsyet e asaj që ndodhi, se duhet pranuar që një ngjarje e tillë ka lënë shenjë në shpirtin tij. Këtë ma la të kuptoj përgjigja që i dha një kolegu, i cili ndërsa përpiqej ta ngushëllonte, i thoshte se edhe atij i kishte ndodhur të jepte një shfaqje me vetëm një shikues në sallë. Midis njëshit dhe asnjëshit, iu përgjigj Mangano, ka një ndryshim të madh.
Po, vërtet nuk kishte asnjë? Atëhere kush e bëri foton?
Mbi këtë enigmë të vogël është Mangano që hedh dritë në intervistat e mëvonshme. “Studentëve, tregon ai, shpesh u them se nuk ka fare rëndësi sa vetë janë në sallë, por atë ditë aty ishin vetëm tekniku i dritave, asistentja ime dhe arkëtarja, të cilës pak minuta më pas i ra telefoni dhe u largua”. Pra, foton ka mundësi ta ketë realizuar një nga dy të parët dhe askush tjetër i jashtëm.
Me modulet shpjeguese, që na i ofron të gatshme mënyra jonë e të menduarit, së pari më shkoi mendja te kriza ekonomike që po kalojnë shumë vende perëndimore. Nuk di gjë të madhe për krizat e kaluara, por duhet të ekzistojë edhe një hierarki krizash. Ajo që është e sigurt për krizën në fjalë (dhe që konfirmohet pothuaj kudo nëpër Evropë) është se ajo ka ndikuar si kurrë më parë për rritjen e frekuentimit të teatrove, kinemasë, muzeve, galerive të artit e shitjes së librave etj. Krizë e çuditshme, por kështu është! E megjithatë, asnjëherë nuk kam gjetur shpjegim bindës për një gjë të tillë, faktet mbeten në kërkim të një interpretimi të besueshëm.
Pra, kriza është dorëjashtë për trishtimin që mbushi atë natë Teatrin e Popullit të Gallarate-s.
Por ka edhe elementë të tjerë, të cilëve nuk mund t’u kalosh anash duke bërë sikur nuk i vë re. Në Google mësoj se Gallarate është një qytet i vogël i Lombardisë me jo më shumë se 50 mijë banorë (me një numër të madh emigrantësh, në krye të të cilëve janë shqiptarët), por në të funksionojnë edhe tre teatro të tjerë. Pra katër teatro të rëndësishëm e në aktivitet, për një qytet dhjetë herë më të vogël se Tirana (që zyrtarisht thuhet se ka më shumë se gjysmë milioni banorë, pa llogaritur aglomeracionin e tij, që e rrit numrin deri në një milion).
Megjithatë, në analizat e rastit dhe anketat e gazetave doli që kudo trupat punojnë duke shmangur përplasjet e premierave, për të mos dëmtuar punën e njëra-tjetrës, edhe pse është e pamundur që në rastin tonë të mos ketë patur edhe një problem komunikacioni, marketingu. Nuk është i detyruar vetëm spektatori të shkojë te teatri, por edhe teatri te spektatori. Ekzistencën e kësaj shfaqjeje e morëm vesh më pas e jo më përpara, thanë disa.
Por, pa u zgjatur, këtu jam i prirur të besoj se arsyet duhen kërkuar edhe në faktin se oferta artistike është mjaft më e madhe se sa mund te tresë qyteti. Ajo që tërheq vëmendjen, nuk janë më shumë incidente të kësaj natyre, por analizat dhe mobilizimi i strukturave politike e administrative për shmangjen e tyre (kujtoj se me sa urrejtje u ngritën të flasin shumë vetë, pak vjet më parë, kur në Tiranë u fol se po planifikohej hapja e një strukture të dytë teatrale eksperimentale) dhe jo gjetja e vjegave dhe kërkesat por shkurtime buxhetesh apo meskinitete e zgjidhje të kollajshme të kësaj natyre.
Analizat e strukturave të ndryshme pluguan thellë funksionimin kulturor e artistik të qytetit dhe dolën në përfundimin se duhet ruajtur me çdo kusht shtrirja e “pushtimit artistik e kulturor i territorit” (sa përshtypje më ka lënë kjo shprehje në fillim të viteve ’90 gjatë një specializimi për politikat kulturore) dhe mbajtja gjallë të shumësisë së ofertës së formave artistike që u propozohen qytetarëve.
Pra, vështirë që deri në një rast analog, një artist tjetër të ketë të njëjtin fat (jo fare të palakmuar, por edhe të pa kërkuar) si të Mangano-s. Kurrë nuk ishte shkruar për të, kur ai mbushte sallat plot, sa për atë rast kur nuk e begenisi kërkush.
Kam qene ca kohe ne Gallarate, qytet i vogel por qender e shume fshatrave/qytezave perreth te cilat s’kane asgje. Zona eshte e pasur, nga Milano ne Varese eshte ndoshta zona me e pasur ne Lombardi, prandaj nuk besoj se eshte çeshtje krize ekonomike,
Do anoja nga teoria e pensionit, dmth shumica derrmuese duhet te dale ne pension, nje pakice e vogel fare eshte e nevojshme te mos dale ne pension. Ne cdo lloj profesioni cke pasur per te dhene e ke dhene deri ne 65 vjeç. Lexoj qe e ka dhene spektaklin 70 here, ok po cfare pret ta japesh 700 here. Duhet nje gje e re, tjeter, te cilen ai s’e ben dot se eshte 65 vjeç. Besoj se s’ka shkuar kush sepse eshte bere boze. Nuk eshte as ndonje çudi qe aktori vete ta kete ditur e ta kete ngritur si farse per te bere lajm.
E kundërta e kësaj që ndodhi do të ishte një shfaqje ku salla të mbushej dingas, por trupa teatrale të mos paraqitej fare – e megjithatë publiku të duartrokiste “në fund”. Kjo mund të ishte, për shembull, si protestë ndaj shkurtimit të fondeve për teatrin, ose një formë eksperimentale e teatrit zero. Ose mund të ishte një orvatje për ta “shitur” shfaqjen si soditje të skenografisë vetëm – me kusht që të ngrihej perdja. Vallë nuk vënë stola, në muzetë, para veprave të klasikëve? Jam ulur edhe unë te një stol i tillë, para “Night Watch” të Rembrandt-it, në Rijksmuseum; jo se kisha nevojë, por për ta provuar si eksperiencë: film me një kuadër, ose teatër i ngrirë.
Gojet e keqia thone qe ne Moske ka rreth 1800 salla teatri qe mbushen pernate, madje edhe ne zonat me te varfera te qytetit.
Fajine per kete e ka prapambetja e tyre.
Se po te mos ishin te prapambetur do kishin lumturine te kalonin kohen e tyre ne menyre te kulturuar, duke lexuar, te themi, numrin e fundit te Teen Vogue… tha.
“Fajin per kete e ka prapambetja e tyre.” Ksamil, natyrisht ti ben ironi. Arsyen nuk e kuptoj, por di qe ke prekur terthorazi problemin e cilesise se ofertes. Teatri rus (moskovit) eshte nga kulmet e teatrit boteror, jo vetem sepse aty ka lindur nje nga 2 shkollat e tij me te rendesishme boterore (sistemi Stanislavski qe eshte edhe ne origjine et Actor s studio), por edhe pse klasiket e tij (Pushkin, Gogol) u shfaqen gati dy shekuj me vone se ata te Italise (Goldoni) ai fitoi nje popullaritet te paimagjinueshem, qe e ruajti edhe ne ditet e tij me te keqija.
Ajo qe me ka mbetur ne mendje nga historia e tij eshte se qellonte qe ndonje pjese tetari shihej nga Stalini qe urdheronte menjehere denimin e autorve dhe, duke iu referuar nje historie te Nabokovit rreth venies ne skene te Revizorit te Gogolit (1836), kujtoj se te gjithe u ngriten kunder pjeses dhe autorit te saj qe maskronte me sarkazmen e tij realitetin rus dhe do te jete cari Nikolai i Pare (i pranishem ne premiere) qe mbrojti autorin dhe pjesen duke thene se prej saj te gjithe marrim ate qe na takon.
Shikohet pra se aty teatri mori natyren e nje fenomeni te pazakonte social qe do t’ia kishte zili çdo vend tjeter.
Ne fakt ka te beje pikerisht me cilesine e ofertes, qe i pergjigjet/ pershtatet kerkesave/ nevojave te kultures. Keto kerkesa/ nevoja nuk jane numerikisht te matshme, por me cfare ushqehet kjo kulture, flet shume per “shendetin” e saj. We are what we eat… tha.
D.m.th. monologu eshte shfaqur 70 here! Atehere me duket se duhej nje shkrim tjeter, (nuk e kam fjalen per Kokonozin, por per ata ne Itali), te cilet duhet ta vleresonin kete rekord shfaqjesh, dhe jo te permendnin sallen bosh! Sepse, ne fund te fundit, eshte jashte llogjike qe publiku te shkoje e te shohe te njejten shfaqje 2-3-4 here!