Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

PRAPË PËR KANUNIN, AKOMA PËR KANUNIN 

 

“Për kanunin është thënë se ai është “prehri i burrnisë”. Kjo shprehje duket sikur është paradoksale, pasi prehri është parë gjithmonë si simbolikë e lidhur ngushtë me amësinë. Në fakt, ky është dhe qëllimi i shprehjes, pasi kërkon të thotë se kanuni është fëmija apo burri, vepra e burrnisë.”

“Antropologji e Kanunit”, me autor Nebi Bardhoshin, kërkues shkencor pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, është një ftesë që i bëhet në veçanti lexuesit të këtushëm për të reflektuar mbi mbrujtjen në një mjedis kompleks dhe plot mure të thukët si shoqëria shqiptare apo fundja, shoqëria ballkanase. Me kthjelltësi dhe një sens të mirë kritik, autori na udhëheq në qendër të së drejtës zakonore ndër shqiptarë, duke mos rënë pre e kurrfarë romanticizmi për sa i përket jo vetëm përshkrimit dhe analizës që i bën kanunit por edhe mbajtjes së një qëndrimi ndaj qasjeve akademike të mëhershme mbi këtë grumbull rregullash, ligjesh e zakonesh ende të gjalla.

Pavarësisht se kanuni është emërtim mjaft gjithpërfshirës, ky punim ndalet posaçërisht në trajtimin e gjakut, martesës dhe pronës në atë që njihet si Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i Malësisë (bëhet fjalë për mbledhjen dhe kodifikimin e kanunit (1933) nga At Shtjefën Gjeçovi) me në fokus zonat veriore dhe veri-lindore. Kanuni i Labërisë apo versione të tjera ligjesh kanunore sillen në vëmendje me qëllim krahasimin ose theksimin e një çështjeje sa herë që e kërkon nevoja e argumentimit. Marrë parasysh faktin se mendësia kanunore në ligjërimin e përditshëm i atribuohet në mënyrë paragjykuese dhe të pasaktë vetëm zonave veriore ose veri-lindore të vendit tonë, të ngushtuarit e objektit të analizës këtu, jo vetëm që hap një dritare të re njohjeje por njëkohësisht provon të rrëzojë stereotipizime të dëmshme sa vetë tërësia e ideve dhe besimeve të përçudnuara mes nesh.

Bardhoshi rezulton të jetë një njohës mjaft i mirë jo vetëm i fushës së antropologjisë sociale dhe asaj të së drejtës, por edhe i kozmologjisë ligjore. Kapitujt e parë të librit të pasuruar me shpjegimin e një sërë koncepteve dhe termave me natyrë antropologjike dhe juridike pa të cilat përftimi do të ishte i paplotë, rreken t’i sheshojnë rrugën një leximi sa më të saktë e të drejtë të këtij studimi. Një kujdes i tillë e bën këtë punim shkencor të rrokshëm për shumëkënd e jo vetëm për ata që antropologjinë apo drejtësinë e kanë fushën e tyre të veprimtarisë. Zbërthimi i kanunit i ofrohet kështu shumëkujt që ka kureshtjen dhe vullnetin për të mësuar më tepër.

Ballafaqimi tête-à-tête i Bardhoshit me studiues të huaj dhe vendas, ithtarë të antropologjisë juridike botërore dhe të etnografisë juridike shqiptare, vjen me një këmbëngulje sistematike, qëllimi i të cilës nuk është vetëm dekonstruktimi i kanunit por dekonstruktimi i kanunit me qëllim të të dekonstruktuarit dhe të kuptuarit e situatës ligjore, politike dhe sociale sot. Kanuni shndërrohet kësisoj në një instrument për t’iu “përveshur” sistemit në mënyrë që të kuptohet disfunksionaliteti i këtij të fundit dhe prej aty të hapet një shteg për gjetjen e zgjidhjeve sa më të arsyeshme, të drejta dhe humane. Autorët e trajtuar si Durham, Bohannan, Gluckman, Nopche, Pospisil, Zojzi, Tirta, etj. nuk merren për të mirëqenë por analizohen imtësisht, kritikohen, vendosen përballë njëri-tjetrit dhe kundërshtohen. Këtu kemi të bëjmë me një qasje analitike kritike të ndarë me kujdes në disa rrafshe ku shqetësimi themeltar shtrohet mbi atë që autori e quan “liminalitet” – të jetuarit midis. Nëse do mund ta përshkruaja metaforikisht këtë gjendje, do t’i referohesha purgatorit te Dantes. Në periudha të ndryshme pas 90-ës në Shqipëri, është folur për rënien ose dështimin e herëpashershëm të shtetit, çka duket se i ka hapur rrugë alternativave të tjera rregullatore të jetesës në komunitet, megjithëse pa e “zhdukur” asnjëherë marrëdhënien e njeriut me shtetin si të tillë (institucionalisht, e zezë në të bardhë ligji dhe shteti kanë qenë e vazhdojnë të jenë prezentë). Kjo ka krijuar vazhdimisht interferencë në “drejtësinë tjetër”, pra, përplasjen e forcës së zakonit me forcën e ligjit – një situatë as e favorshme, as krejt jo e favorshme, një “purgator i zakonit dhe i ligjit”.

Shoqëria shqiptare postsocialiste gjendet e ngërthyer midis idesë së shtetit e një kuptimësie universale (të paktën në rrafshin teorik) të së drejtës dhe ekzekutimit të kësaj të drejte dhe formave alternative të të rregulluarit të jetës (në rrafshin praktik). Duke cituar autorin: “Kjo gjendje liminaliteti, ndërmjetësie, edhe këtu edhe atje, as këtu e as atje, është krijuar për shumë arsye dhe aktor kryesor ka pasur shtetin. Ndër to përmendim mungesën e legjitimitetit të së drejtës shtetërore. Thënë ndryshe, mungesën e kapacitetit shtetëror për ta kthyer gradualisht ligjin në zakon. Sakaq për krijimin e kushtit të të jetuarit në liminalitet, duhet ta kërkojmë dhe te rezistencat, dëshirat dhe nevojat e vetë Njeriut të Kanunit për me qenë ose jo, subjekt i së drejtës shtetërore. Jo rrallë ndodh që banorë të hapësirës kanunore, kalojnë si në ligjërim ashtu dhe në praktikë sa te tradita po aq te shtetërorja. Kjo situatë liminale e liminalizuese e bashkëshoqëruar dhe me kushtin e pluralitetit ligjor, krijon kushtin social të përdorimit por dhe të mundësisë së manipulimit të dy a më shumë sistemeve ligjore. […] Historia e transplantimeve të sistemeve ligjore në Shqipëri dëshmon se ardhja e së drejtës shtetërore ka ndodhur më shpejt sesa momenti i krijimit të besimeve që do ta legjitimonin atë. […] Po aq me rëndësi është kultura e mosbesimit e krijuar prej dështimeve të panumërta të politikave shtetërore në mbajtjen e premtimeve që buronin nga sistemi në tërësi apo nga vetë praktika shtetërore në jetën e përditshme.

Një detaj i rëndësishëm dhe që s’mund të lihet pa u përmendur, është perceptimi mbi Njeriun e Kanunit dhe vetë kanunin, jo vetëm në opinionin e gjerë publik por sidomos mes studiuesve apo figurave intelektuale që kanë shtruar rrugën për zbërthimin e këtij identiteti social (nëse do mund ta quaja kështu) e fenomeni apo minimalisht, kanë ndikuar për krijimin e një imagjinate të fortë mbi to. Autori na informon se si për kanunin, është këmbëngulur për një origjinë indoeuropiane të tij (fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX). Ai është parë si një sistem indoeuropian që gjallon ende (Georg von Hahn apo Edith Durham), gjë që është përdorur në jo pak raste nga pushteti shtetëror i mëvonshëm. Nën tutelën e ashpër të diktaturës, rezulton të jetë punuar në dy rrafshe me kanunin, ku në njërën anë luftohej për një “emancipim” të Njeriut të Kanunit nga “babai-shtet”, sipas perspektivës marksist-leniniste të këtij të fundit, sidomos për sa i përket një çështjeje delikate si prona dhe nga ana tjetër kanuni “ruhej” e përdorej për të shprehur një lloj krenarie dhe veçantie kombëtare, ku nëpërmjet një nacional-komunizmi, pushteti punonte për të përligjur vetveten. Pak më tej, sipas autorit: “Kanuni, duke pasur atributet e së drejtës, merrte edhe atributet e shenjuesit të legjitimitetit të prejardhjes etnike. Ai, edhe pse shikohej si një dukuri e prapambetjes, njëherazi shikohej si një shenjë e rezistencës kulturore europiane përkundrejt ndikimit kulturor të Perandorisë Osmane.” Nga ana tjetër, na paraqitet edhe përfytyrimi i kundërt për kanunin dhe Njeriun e Kanunit, tashmë jo si bartës të rrënjëve historike e vlerave të mveshura, por si fosile, si një qenie e pagdhendur, e egër, që s’di të dashurojë, të komunikojë e as të sillet; një qenie që ul kokën dhe bindet çka Bardhoshi këtu e sjell në mënyrë origjinale nëpërmjet shembullit të Gjorkut te “Prilli i thyer” i Kadaresë, të cilin e kritikon duke u shprehur se Gjorku nuk është Njeriu i Kanunit se në fund të fundit, ai dhe vetë sistemi i tij janë të pajisur me farat e ndryshimit të brendshëm, por struktura sociale, sistemi ekonomik i pronësisë të krijuara prej kanunit, ndryshojnë më ngadalë. Ky Njeri i Kanunit nuk është pra plotësisht i pagdhendur, i egër, sikurse nuk gëzon plotësisht ndonjë vlerë apo virtyt. Vijoj duke cituar autorin: “Njeriu i Kanunit përshkruhet mes ekstremeve: në njërën anë i ashpër e në anën tjetër i butë, me një zgjuarsi natyrore e me një injorancë mbi kulturën. Herë njeri me shumë besë, e herë fare i pabesë; herë si njeri që qesh si fëmijë, e herë si njeri që s’di gjë tjetër, veçse të marrë hakun; herë si njeri që s’ka ligje, e herë si njeri që jeton nën tiraninë e ligjeve kanunore. Në gjirin e nënës, si në prehrin e burrave, herë përshkruhet si pragmatist, e herë si njeri që jep jetën për idealet e tij.” Bardhoshi shpalos të gjitha këndet e gjykimeve dhe paragjykimeve ndaj kanunit e Njeriut të Kanunit dhe nuk e lejon lexuesin të bjerë në grackën as të njërës sferë të menduari, as të tjetrës. Përkundrazi, ai nxit të menduarit dhe të gjykuarit në mënyrë të pavarur, jo më pak kritike, pasi ka mundësuar të gjithë informacionin që nevojitet për këtë.

Nebi Bardhoshi me thikën e mprehtë të logjikës e gjakftohtësinë akademike, godet në zemër të Kanunit dhe me kujdes e qetësi trajton gjithë sa del prej aty, duke hapur rrugën dhe ftuar të tjerë dëshmitarë e kuriozë të përfshihen në këtë operacion antropologjik. Mbi të gjitha, këtu s’kemi të bëjmë thjesht me një tjetër punë akademike por me një proces metamorfoze krejt personale. Kanuni s’është vetëm një fenomen apo sfidë ndaj ligjit në Shqipëri. Ai është sidomos një çështje tejet personale, ku çelësi për ta përkthyer dhe kuptuar gjendet pikërisht te refuzimit për ta trajtuar atë personalisht e me emotivitet; gjendet te mbathja e filtrave të duhur akademikë, gjendet në këtë libër. “Antropologjinë e Kanunit” do t’ia këshilloja fillimisht grave dhe personave LGBT. Pastaj burrave. Dhe në fund, të gjithë burrave që i mohojnë grave dhe personave LGBT identitetin dhe ekzistencën sociale dhe jo rrallëherë edhe atë fizike. Atyre që janë të aftë të zbulojnë pafund mikrobotë brenda çatisë së madhe ku të gjithë përkojmë dhe atyre që s’shohin asnjë botë tjetër veç gardhit të shtëpisë së vet.

1 Koment

  1. Per kanunin eshte thene e sterthene aq shume saqe ka me shume kaos e mjegullnaje sesa rregull e qartesi. Me terhoqi vemendjen çeshtja e shtetit dhe ligjit, sepse mendoj edhe vete qe aty qendron problemi kryesor qe nuk arrijme ta leme dot pas, ne nje kontekst rezistence ndaj pushtimit te huaj te cilit i perket. Jo rastesisht eshte i Lekes me i famshmi apo ai i Skenderbeut, nese duam edhe i Laberise, i cili i takon kohes se pushtimit turk se Laberia nuk ka ekzistuar as si fjale para pushtimit turk.
    Pjesa zakonore normal qe eshte me e hershme, me elemente edhe indoeuropiane, po ketu s’ka ndonje gje me interes aktualiteti, te pakten per mua.

    Shteti ka monopolin e forces, ne thelb mjafton nje mbret, monark, sundimtar i cili ka nje ushtri dhe kemi shtetin, i cili ka monopolin e forces ne territor. Per te mbajtur ushtrine monarku do te mbledhe taksa e keshtu fillojne edhe institucionet e tjera te shtetit. Pra, mbreti/qeveria dhe ushtria, keto jane dy guret e themelit.
    Keto mungojne ne kanun, s’ka as mbret as ushtri. Por kur s’ka shtet s’ka as ligj sepse cdo ligj eshte ligj i shtetit. Pa shtet ka doke, zakone e me radhe por nuk ka ligj. Doket e zakonet i perkasin nje filozofie tjeter ne krahasim me ligjin, sepse ligjin e vendos mbreti dhe e zbaton ushtria, pasi interpretohet nga gjykatesit te cilet kane ne krye po vete mbretin (sot presidentin). Me vone kemi ndarjen e pushteteve legjislative dhe ekzekutive, po qe edhe aq te ndara nuk jane, madje zakonisht jane ne duart e kryeministrit, i cili edhe ne vendet e zhvilluara i kercenon deputetet e vet me mocion besimi, qe nese s’ia japin shkohet ne zgjedhje te parakohshme, pra deputetet rrezikojne te mos rizgjidhen. Por kjo eshte çeshtje tjeter, thjesht per te qartesuar rolin kyç te mbretit ne ekzistencen e ligjit.

    Te pranoje ligjin donte te thoshte te pranoje ligjin e Sulltanit, te pranoje gjykatesit e sulltanit dhe vetvetiu te pranoje ushtaret e sulltanit, sepse pa ushtaret ligji dhe gjykatesit jane fare te pavlefshem.

    Keshtu kanuni duke mos ia deleguar monopolin e forces shtetit turk e duke mos pasur mundesine e nje monarku apo feudali, si kane qene feudalet mesjetare ne Shqiperi, te cilet qeverisnin me dore te forte, sepse kishin ushtrite e tyre, detyrimisht vendosi si figure qendrore burrin e armatosur.
    Kjo figure qendrore zevendesonte edhe mbretin, edhe ushtrine, ishte vete zot e vete shkop, sepse kishte monopolin e forces dhe ne njefare menyre kontraktonte me te barabartet e vet per doket e zakonet.

    Thelbi i kanunit ishte si ky njeriu i armatosur te ishte sa me i pergjegjshem ne perdorimin e armes, dmth monopolit te forces. Ashtu sikunder ne cdo shtet, perfshi sot,interesi paresor eshte pergjegjesia e shtetit ne perdorimin e monopolit te forces dhe kjo eshte arsyeja pse nuk duam diktature, sepse ai shtet nuk eshte i pergjegjeshem, abuzon haptazi e qartazi me monopolin e forces per te goditur kedo qe s’i pelqen, edhe ne kanun problemi apo interesi paresor ishte si ky burri i armatosur te ishte sa me i pergjegjshem ne perdorimin e armes.

    Ne kete kuptim, duhet te ishte i virtytshem ne kuptimin e virtyteve ushtarake, trimeria,nderi,fjala (qofte e dhene qofte fjalepak), miqesia si kameratizem etj. Vetem duke e kornizuar burrin e armatosur brenda nje tipologjie te caktuar me vlera luftarake, ai mund te ishte i pergjegjeshem ne perdorimin e armes, si ne kohe paqeje, si ne kohe lufte.
    Arma te jep pushtetin suprem, sepse ajo nuk dallon ne je i pasur apo i varfer, i mire apo i keq, mbret apo skllav, ajo ben dallimin midis jetes dhe vdekjes. Pikerisht per kete arsye, pushteti mbi jeten e tjetrit, monopoli i forces i delegohet shtetit dhe njerezit kujdesen qe shteti te mos abuzoje.

    Prandaj as nuk duhet stigmatizuar , as nuk duhet adhuruar burri i armatosur apo Njeriu i Kanunit, i takon nje konteksti te caktuar dhe i duhej te sillej ne ate menyre.

    Konteksti ndryshoi qe ne 1912, nuk kishte me asnje kuptim, aq me pak ka tani pas 105 vjetesh, qe shteti te mos vendoste ligjin , i cili eshte perhere ligj i shtetit.
    Fatkeqsia ne kete mes eshte qe as Zogu, as Enveri, nuk arriten dot qe gjithe popullsia te njihte si pjese integrale e identitetit te tyre shtetesine, jo thjesht ne kuptimin e perkatesise shqiptare, por ne kuptimin e shtetit qe ka monopolin e forces, monopolin e ligjvenies dhe rrjedhimisht monopolin e ndeshkimit. Enveri shkoi me topa e mitroloze dhe e mbajti pushtetin duke treguar nje papergjegjeshmeri te madhe ne lidhje me monopolin shteteror te forces.
    Keto 25 vjet, shteti deshmoi se eshte aq i korruptuar saqe nuk shperndan drejtesi e rrjedhimisht edhe monopoli i forces, ligjvenies dhe ndeshkimit eshte shume i diskutueshem.
    Prandaj edhe kanuni eshte gjalle, ne ato forma qe eshte, te cilat jane mjaft te deformuara sepse jane aktive ne nje kontekst krejt tjeter, nga konteksti per te cilat ishte krijuar.

    Mbeturinat e kanunit do te zhduken gradualisht me forcimin e shtetit dhe me perhapjen e bindjes se ligji eshte monopol i shtetit, zbatimi i ligjit eshte monopol i shtetit, perdorimi i forces, pra dhe ndeshkimit, eshte monopol i shtetit. Nuk mund t’i bindesh ata qe ende e zbatojne, se jane te prapambetur, te trashe a ku di une, lloj-lloj fyerjesh, thjesht u duhet demonstruar nga ana e shtetit qe ligji ne kete vend zbatohet, se drejtesia vihet ne vend dhe natyrisht qe monopoli i forces i takon shtetit, i cili eshte shtet i drejte, qe nuk abuzon me ate force si beri Enver Hoxha per 40 vjet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin