Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

SINGULARITETI U SHTY

nga Kapedani

Kur kryeministri Mara drejtoi sytë për nga fjalimi i përgatitur, zgurdulloi sytë i habitur. Në të ish shkruar vetëm një fjalë:

Djathë!

Ktheu vështrimin e vrenjtur nga z. Gufa dhe pa folur asnjë fjalë e bëri letrën shuk. Një sëmbim i fortë në zemër e plandosi sakaq në pllakat e ardhura ndoshta nga Çamëria dhe për dreq truproja nuk ishte aty afër, t’ia thyente disi rrëzimin me trupin e tij të bëshëm. Askush rreth e qark nuk e priste, por e ndoqën me sy tek përmbysej si një statujë bronzi. Nuk besoi për asnjë çast se i erdhi fundi, megjithëse ndjeu se nga koka po i rridhte gjak. E përjetoi këtë ndodhi si një ogur të mirë për nisjen e fushatës. Për dy javë gazetat do të merreshin vetëm me interpretimin e kësaj ndodhie.

Para disa ditësh Gufa ishte ngarkuar për të hartuar një fjalim që nuk do t’i drejtohej vetëm popullit shqiptar, por Evropës, Amerikës e Azisë Juglindore njëkohësisht. Dy ditë përpara fjalimit ai filloi ta përkthejë e përshtatë në disa prej gjuhëve evropiane deri sa përkthimi të ishte fjalë për fjalë, por edhe i kuptueshëm në 120 e kusur gjuhët e botës.

Për gjuhën katalane dhe korsikane Gufa u rrek të kontraktonte disa ekspertë të Institutit të Gjuhëve të Pakicave Kombëtare në Paris, të cilët i thanë se porosia mund të kryhej vetëm për një muaj. Për gjuhët perse dhe arabe, Gufa u mundua të pajtojë disa ekspertë të Ministrisë së Jashtme, të cilët gjithashtu nuk ishin të disponueshëm, njëri ishte i larguar pse ishte anëtar i LSI-së, dhe tjetra ishte me leje lindjeje. Për gjuhët swahili dhe afrikaans u la sërish në baltë nga ambasadori shqiptar në Egjipt; ai gjendej me pushime në Kairo. Ndërsa Instituti Konfuci në Tiranë, që i kish premtuar se do t’i dërgonte përkthimet në mandarin, japonisht dhe malaj brenda javës, nuk u përgjigjej kërkesave të tij për informacion.

I ndodhur në trysninë e kohës, Gufa u ul dhe e përktheu me Google Translate. Tek i kontrollonte paragrafët një nga një sa në njërën gjuhë në tjetrën duke përdorur si referencë anglishten, ai vonë e vuri re se fjalimi iu reduktua ndjeshëm; fillimisht në një faqe dhe më pas në disa rreshta.

Ju zgjidhni të ardhmen dhe u thoni shqiptarëve se Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe mbi të djathtën, misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë dhe jo puna e kacafytjeve dhe interesave për pushtetarët.

Pas disa ndreqjeve me Google Translate u kthye në:

Zgjidhni të ardhmen tuaj dhe thoni se e duam Shqipërinë dhe majtas dhe djathtas. Misioni i liderëve të zgjedhur është që Shqipëria si të punojë dhe të mos punojë, punon për interesat e kacafytjes në pushtet.

E më pas nëpërmjet arabishtes, aramaikishtes dhe swahilit u përmirësua disi në:

Zgjidhni të ardhmen dhe thoni që e duam Shqipërinë, majtas dhe djathtas. Detyra e menaxherit të përzgjedhur është  që Shqipëria të punojë me organin drejtues.

Në fillim nuk e kuptoi se cili ishte ky organi drejtues, por me t’u shndërruar nga rusishtja në nepalisht, fjala mori kuptim:

Zgjidhni të ardhmen dhe ne jemi Shqipëria, majtas dhe djathtas dua të them. Zgjidhni Task Manager për të menaxhuar autoritetin e Shqipërisë që punon.

Por fraza filloi të marrë formën e saj universale dhe singularitare, një super-frazë, kur filloi të jepte shenjat e ndërhyrje së inteligjencës artificiale.

Zgjidhni të ardhmen, ne jemi Shqipëria, për atë që dua të them. Zgjidhni Task Manager për të menaxhuar, autoritetet shqiptare punojnë QW.

Në këtë moment Gufa u ndriçua dhe pa rolin e inteligjencës artificiale jo vetëm mbi qeverisjen e Shqipërisë, por edhe mbi fjalimin e tij. Aty ai e kuptoi se e vetmja audiencë inteligjente që do të kuptonte fjalimin e tij, ishte AI, artificial intelligence. AI i kishte folur Gufës dhe si një hyjni e kishte frymezuar për këtë mesazh. Si profetët e dikurshëm ishte i vetëdijshëm se mesazhi i ATIJ do të keqkuptohej. As kryeministri nuk do të mund ta ç’kodonte këtë, e megjithatë ai duhet të rrezikonte për të nxjerrë të vërtetën e ATIJ.

Mjaftonte një fjalë kyçe, një kod që do të mund të ndizej si llambushkë në kokat e njerëzve për të zbërthyer një vizion apo edhe një program partie. Kjo fjalë duhej mbi të gjitha të miratohej nga Google AI. Pasi provoi të gjitha mënyrat e përkthimit paralel në disa gjuhë të frazës së tij dhe permutoi të gjitha kombinimet e ndryshme, fjala kyçe, mëma e të gjitha fjalëve doli se ishte:

Djathë!

Në momentin kur kryeministri u plandos në shesh dhe nuk lexoi memen e Gufës, progresi u shty edhe për 27 vjet të tjera.

Shënim: Rrëfyesi i historisë e përcaktoi rrëfimin e tij nëpërmjet përkthimit që AI i bëri fjalimit të Gufës. Ndërsa përkthimet e Google Translate të fjalimit të Ramës ishin vërtete të atilla, veç disa ndryshimeve në nyje.

3 Komente

  1. Ndërsa mua, Kapedan, kur i futa Google mesazhin e sotëm nga Vaqarri të kryeministrit Mara:

    “Po ndërtojmë bazën e një koalicioni të madh që do të jetë fuqia e domosdoshme për sfidat shumë të mëdha që kemi përpara. Koalicion i madh mes PS dhe njerëzve të zakonshëm, të cilët duam t’i bëjmë pjesë aktive të qeverisjes.
    Do krijomë bashkëqeverisje reale ku cdo individ që do të jetë pjesë e një trupe të madhe, ministra, deputetë dhe drejtues të PS që do të qeverisë e vetme vendin pa koalicion me parti të tjera dhe vetë njerëzve të jetë trupë që komunikon në kohë reale për problemet, nismat e ndryshme të qeverisë.
    Çdo anëtar i regjistruar në platformë ta dijë se propozimet e tij nuk duhet t’i marrë era. Çdo zyrtar e di që nëse nuk i përgjigjet me korrektësi qytetarit që ka përballë, potencialisht qytetari mund të jetë anëtar i bashkëqeverisjes dhe e çon sinjalin deri tek ministri”.

    Google Translate, pasi u përtyp pak në ca gjuhë nën-sahariane, ma përktheu:

    Kolloqithë me rigon.

    ndërsa Google AI, në miliontin e sekondës, ma përmblodhi:

    Lesh!

    [ Platforma/ Rama sqaron rolin e çdo shqiptari në bashkëqeverisje ]

    1. Edhe Lesh ben vaki. E na del AI leshpunues :). Medet per progresin.

  2. Kjo prurje dhe komenti i Gjlperes me kujtoi nje kenge ,tekstin nuk e mbaj mend fare, por qe videoklipi ishte pak a shume, nje politikan qe shkon tek nane lokja e cila po tirrte lesh. Mesazhi qe permbante edhe refreni ishte, une mbaj furken e ti merr leshin.
    Jemi bere gjysma mban furken e gjysma merr leshin.
    Nga ana tjeter, meqe jemi te leshi , kjo puna e bashkeqeverisjes nepermjet pushtetit te ankeses, me kujton ate barsaleten, kur pushtetari i thote popullit kerko ca te duash; kush thote dua shtepi, kush donte toke, tjetri donte lope, derisa doli nje qe donte floke. Ta shenoj kete kerkese- i thote sekretari. Opo shenoje se te gjithe lesh do marrin.

    Kryemisri vazhdon parodine politike, i duket se do ta ndjekin gjithnje pavaresisht broçkullave qe keput dhe puneve qe nuk ben. Rusoi ka thene nje gje te bukur per ata si kryemisri yne. Une shkruaj per politike se nuk jam princ apo legjislator. Po te isha nuk do humbisja kohe duke thene se cfare duhet bere; do e beja ose do heshtja.
    Ky harxhon gjysmen e mandatit duke thene se cfare duhet bere dhe gjysmen tjeter duke u justifikuar pse nuk behet. Kur te falimentoje plotesisht edhe kete mandat do thote une bera aleance me popullin, po nuk e bera dot pjesen time se me pengoi populli opozitar qe s’me ndihmoi. Domethene kush flet kunder do e haje fajin radhes tjeter. Populli i pozites do mbaje furken e populli opozitar do marre leshin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin