Të dashur qytetarë dhe vizitorë, motra dhe vëllezër, kolegë, miq dhe dashamirës, ndjekës të mi dhe të ndjekur prej meje,
Më lejoni ta nis me një reminishencë nga letërsia, dhe pikërisht me romanin e Qamil Buxhelit, “Karriera e zotit Maksut”, ku vend qendror në fabul zë pikërisht përurimi i një nevojtoreje të re publike, dhuratë e Naltmadhnisë Zogu I për nënshtetasit e komunës.
Nuk ishte hera e parë dhe doemos as e fundit që ngjarje të tilla, domethënëse në vetvete, u tërheqin vëmendjen kronikanëve. Dua t’ju sjell në vëmendje edhe një roman frëng, “Skandalet e Closhmerlit” (titulli origjinal “Clochemerle”) nga Gabriel Chevalier, ku edhe aty rrëfehet festa e madhe që shoqëroi përurimin e një urinoreje – edhe ajo dhuratë për banorët e shumëvuajtur të qytezës.
Nevojtorja e romanit të Buxhelit ish e ndarë në dy seksione: “Milet” dhe “Autoritete”; nuk parashikohej gjë për gratë, sepse aso kohe gratë nuk para lëviznin shumë në rrugë, dhe aq më pak rrinin aty aq gjatë sa t’u duhej të përdornin shërbimet higjienike.
Përkundrazi, në romanin frëng bëhej fjalë për një urinore, ose një institucion thjesht burrnor, ku gruaja është deri edhe biologjikisht e përjashtuar. Ka pasur urinore deri vonë në Tiranë: edhe unë, që jam kaq i ri, i mbaj mend kërcinjtë nervozë, qime-rralluar të klientëve, që dukeshin përmes fund-mureve të hapura, siç i mbaj mend edhe shkundjet e vrullshme që u bënin supeve (dhe hallateve), para se të mbërtheheshin dhe të vazhdonin jetën mjerane përjashta.
Një popull që jeton mirë dhe e kalon kohën duke u zbavitur përjashta, do t’ia ketë herët a vonë nevojën këtij shërbimi; dhe një administratë publike e vëmendshme nuk pret që të organizohen për këtë protesta dhe bojkote, të ngrihen çadra, të shpallen greva urie dhe të ndoten hapësira të destinuara për përdorime të tjera, para se të hyjë në veprim.
Nevojtoret publike, të vendosura strategjikisht në zona me dendësi të lartë shëtitësish, jo vetëm që mbrojnë pastërtinë dhe dinjitetin e njerëzve, por edhe i mbajnë këta të shëndetshëm.
Qëmtuesit e kurioziteteve historike do ta mbajnë mend një nga legjendat që qarkullojnë, për vdekjen e astronomit danez Tycho Brahe: sipas atij varianti, dijetarit të madh i plasi fshikëza e urinës gjatë një banketi të bujshëm, meqë përtonte të ngrihej nga vendi dhe të shkonte të urinonte, se nuk donte ta linte qejfin përgjysmë. Po guxoj të shtoj se nevojtoret e atij banketi do të kenë lënë shumë për të dëshiruar, shumë për të dëshiruar!
Një nevojtore publike e hapur për të gjithë nevojtarët, pa dallim krahine, gjinie, seksi, statusi social, orientimi seksual dhe feje, do të garantonte që fatkeqësi të tilla krejt të shmangshme, si kjo e Brahe-s të mos i ndodhnin më kujt. Ne nuk do ta lëmë më Tycho Brahe-n të vdesë.
E megjithatë, kohët janë të tilla kur, pavarësisht nga arritjet e shkencës dhe të dijes së menaxhimit të qytetarëve, edhe kontributi më i çinteresuar i administratës publike për qytetin shihet me lupë zmadhuese, për të pikasur atje abuzimet ose defektet teknike dhe për t’i përdorur ato politikisht.
Le pastaj po t’i shkrepet ndonjë romancieri dhe të na zërë e të na qesëndisë të gjithëve…
Mbaj mend se nëna ime e mirë kujdesej, kur isha i vogël, që të vishja gjithnjë ndërresa të pastra para se të dilja: larg qoftë të ndodh ndonjë aksident, thoshte, dhe përfundon në spital. Infermierja që do të t’i presë pantallonat me gërshërë dhe do të t’i shohë e skandalizuar brekët e palara, doemos do të pyesë e skandalizuar: mirë ky aguridhe që kaq di kaq bën, po ajo nënë si e ka lënë djalin kështu?
Ja që edhe shërbime të tilla modeste, si nevojtoret publike, u ngjajnë të brendshmeve të qytetit: sa më të dëlira, aq më pak ankth provojmë përballë së papriturës, aq më krenarë ndihemi kur shoqërojmë atje turistin që mund ta ketë tepruar me birrën, ose kur shpëtojmë nga sikleti një prostatë të plakur, që nuk pret dot sa të arrijë në shtëpi.
Prandaj çdo nevojtore publike e ndërtuar rishtas përfaqëson jo vetëm shqetësimin e institucioneve për jashtëqitjen e qytetarëve, por edhe seriozitetin me të cilin u qaset administrata e tanishme këtyre nismave dhe gjakimeve.
Sot nuk jemi më në kohën e karrierës së zotit Maksut, kur një komune i mjaftonte të kujdesej veç për seksionin e autoriteteve, pa u bërë merak për pjesën tjetër të nevojtores, atje ku shkonte për t’u liruar populli i thjeshtë dhe të vobegtit.
Mjediset tona të reja sanitare janë rigorozisht inkluzive dhe mundohen, brenda mundësive të mediumit, që jo vetëm të ndihmojnë përdoruesin me çfarë ai ka nevojë të ngutshme, por edhe të edukojnë çdo qytetar me norma higjienike të standardeve europiane.
Nënat me fëmijë, invalidët e luftës dhe të punës, përfaqësuesit e pakicave urbane dhe veçanërisht qytetarët e të gjitha orientimeve seksuale, do të gjejnë në nevojtoret tona publike qetësi, komoditet dhe shërbim të klasit të parë; ose atë vend të rrallë ku njeriu mund t’ia lejojë vetes deri edhe të shihet në pasqyrë.
Ish-Kryetari i Bashkisë së Stockholmit, miku im Sten Nordin, u pat shprehur një herë: “Më thuaj në ç’nevojtore shkon, të të them se cili je.” Cili prej nesh nuk është ndodhur ngushtë kur e ka dëgjuar këtë thënie për herë të parë?
Ne ende nuk i kemi mundësitë financiare dhe kapitalin kulturor të Stockholm-it; por vullneti nuk na mungon, as imagjinata. Nëse dje do të prisnim nga “shteti” që të na i zgjidhte hallet edhe në lëmin aq delikat të jashtëqitjes urgjente, sot të njëtat synime kemi mundësi t’i arrijmë nëpërmjet partneritetit publik-privat, të cilin mund ta përfytyrojmë si dy pasqyra të vëna përballë njëra-tjetrës.
Administrata vë në dispozicion truallin, kanalizimet dhe vullnetin e mirë, sikurse siguron fuqinë punëtore dhe ekspertizën teknike e antropologjike; privati kujdeset për projektimin dhe implementimin e objektit; dhe taksapaguesi, në momentin që vë atje këmbë për të kryer nevojat, e ndien veten në kontroll dhe në komandë, sepse në çdo moment mund të verifikojë si janë shpenzuar kontributet e tij, nëpërmjet edhe app-it që kemi zhvilluar ad hoc, gjithashtu në partneritet me Microsoft, Apple, Samsung dhe Google dhe që mund të shkarkohet falas.
Nëse urinorja e Clochemerle-it u ngrit si monument i seksizmit vulgar, që sundonte jetën publike në provincën franceze; nëse haleja anadollake – më lejoni ta quaj kështu – e zotit Maksut përfaqësonte mbretërinë e Zogollit, me avujt dhe duhmat e saj; çdo nevojtore publike jona nis nga qytetari dhe përfundon te qytetari, duke respektuar doket dhe kulturën lokale, por edhe traditën e lashtë të mikpritjes të vendbanimeve tona e sidomos të banorëve përkatës.
Këtë nevojtore uniseks që po përurojmë sot, me projektin çmim-fitues të arkitektit të madh holandez Tod Klaas dhe të studios kontinentale ZEITNOT; dhe të ngritur me ndihmën bujare të Bankës për Progres të Kuvajtit, Rajonit të Basilicata-s në Itali, Shoqatës “Birra Peja”, Restorantit “Deliallisi”, Universitetit “Fazilet”, pop-star-it sloven Feno Barbytal dhe gjigantit gjerman të fibrës farmaceutike Zellul, duam që të gjithë ju, përdoruesit të saj, ta përjetoni tash e tutje si një instalacion bashkëkohor antiseptik që kombinon majolikën me ujin të bollshëm, të ftohtë dhe të ngrohtë; sapunin me bimë mjekësore të Çajupit me letrën pastruese 100% të ricikluar; muzikën shplodhëse të ambientit me bardhësinë e neonit ekologjik; si një kremtim të pafajshëm i freskisë dhe i dritës.
Dëshira jonë – e të gjithëve ne që e bëmë natën ditë dhe ditën natë për ta dorëzuar objektin në afat – është që qytetari, pasi të ketë kryer punë, të dalë që këtej duke u ndier njeri më i mirë se ç’hyri. Më i ngritur, më i kthjelluar, më altruist, më mendjehapur, me hapin më të lehtë dhe trupin më të hedhur. Një dëshirë ambicioze, vërtet, por jo më shumë ambicioze se dëshira që patëm për instalacionin higjienik, që e shohim sot të bërë realitet, ose institucion të jetës sonë të përditshme.
Dhe mos harroni që javën tjetër do të takohemi sërish, tek ekspozita e artit bashkëkohor urban, në mjediset tërësisht të rehabilituara dhe të rinovuara të galerisë open-air “Duchamp” mu poshtë Urës së Lanës, te Bulevardi i Madh; ku nuk do të mungojnë, as atje, serviset higjienike si pjesë e qytetit por edhe e ekspozitës vetë.
Ju falënderoj për vëmendjen,
Ky miku Nordin nuk eshte ne terezi. Si mundet te me thuash cili jam nisur nga nevojtorja ku shkoj? Si mundet te permbysesh rendin biologjik te perparesive, kur funksionet e nevojtores, prehistorikisht te nenrenditura ndaj funksioneve jashteqitese, t’i kthesh ne sociologji klasash? Kjo ja merr edhe popullit shqiptar per ekzistence dhe jetese luksi, pasi sic e dime, breza te tere te ne, thjesht e kalojne kohen kot. Pra nuk bejne asgje. Dhe nuk ka luks me te madh se thjesht ta shtysh. Dikur nje prototip nga ata ndenjesit e kualifikuar, nje kotndenjes qendrestar me tha:
Mos te te duket e lehte qe te dish ta shtysh! Kjo eshte dicka Post thashe me vete i kapur gafil nga fakti se edhe ne kete bote paska filozofi me vete.
Mirupafshim dhe mbetem me shprese se ky doracak nevojtoresh eshte prone per Milet-in.
Pa pllaka majolike e pa shumë dritë, por intim, unë preferoj bunkerin.