Në sprovën e mirënjohur që Heidegger shkroi mbi poezinë e Georg Trakl, e quajtur “Gjuha brenda poezisë: një bashkëbisedim me veprën poetike të Georg Trakl,” Heidegger thotë diçka tepër të çuditshme: poezitë e një poeti të madh shprehin vetëm një gjë. Madhështia e një poeti, sipas Heidegger, qëndron pikërisht tek përkushtimi që ky poet ka tek kjo shprehje e vetme. Dhe kjo shprehje e vetme poetike e një poeti të madh ngelet e pashprehur,- megjithëse të gjitha poezitë e tij duan ta shprehin atë. Në këtë kuptim, detyra e kritikës letrare është të kryejë një bashkëbisedim poetik me shprehjen e pashprehur të veprës.
Edhe nëse ky përgjithësim i Heidegger mbi natyrën e poezisë nuk është i njëmendtë për të gjithë poetët e mëdhenj, ai prapëseprapë ngelet një përcaktim tepër i vyer i natyrës së poezisë së Georg Trakl. Poezia e Trakl shndrin aq njëtrajtësisht sa që shpesh kur e lexon të duket sikur të gjitha poezitë e tij janë pjesëza të thërrmuara të një poeme të vetme.
Poezitë e Trakl përshkohen nga një njëtrajtshmëri në nivele të ndryshme. Një nga gjërat kryesore që i japin poezive të Trakl njëtrajtshmërinë e saj dalluese është rikthimi i vazhdueshëm i disa përshfaqjeve rrëqethëse. Riardhja e këtyre përshfaqjeve në trajta të ndryshme tregon se rrëfyesi në poezitë e Trakl është i pushtuar nga këto përshfaqje: sa herë që ai kundron poetikisht, disa makthe të turbullta rishfaqen.
Një nga këto përshfaqjeve drithëruese është fluturimi i errët i zogjve që zhduken diku.
“Ndjek unë fluturimet mahnitëse të zogjve, që varg
shkojnë, si karvanë pelegrinësh të devotshëm larg,
Zhduken hapësirave vjeshtore, t’kthjellta e t’paana.”
[Vargje nga poezia “Rrënim”[i]]
“Nëpër qiell lëvizje parandihet,
Shtegton një armatë zogjsh të egër
Përkrah ato vende të bukura, të tjera.”
[Vargje nga poezia “Melankoli e mbrëmjes”]
“Por gjithnjë e mallëngjen fluturimi i zi i zogjve
soditësin”.
[Vargje nga poezia “Qetësi dhe heshtje”]
“Legjenda të lashta
Dhe shpjegim i errët i fluturimit të zogjve.”
[Vargje nga poezia “Çunakut Elis”]
Këto janë vetëm disa shembuj ku rikthehet përshfaqja e ikjeve të zogjve. Kjo përshfaqje e zogjve në fluturim, përveç rëndësisë parësore që ka në sendërgjimin e një pamje poetike, ka edhe një kuptim më të thellë e më të fshehtë. Fluturimi i zogjve është një parathënie ose profeci. Parathënësit ose profetët në kohën e qytet-shteteve të Greqisë së lashtë i shpjegonin fluturimin e zogjve si shpallje të vullnetit hyjnor.[ii] Prandaj, dhe fluturimi i errët i zogjve në poezinë e Trakl është shpallja e një parathënie hyjnore, një parathënie të paqartë, të mjegulluar, një parathënie që askush nuk po e lexon, askush nuk e kupton. Një parathënie hyjnore që, mbase, shpall një vdekje. Se, sikurse thuhet edhe në një nga poezitë e mësipërme: shpjegimi i fluturimit të zogjve është i errët.
Një përshfaqje tjetër rrëqethëse që rikthehet vazhdimisht është rishfaqja e motrës së vdekur.
“Shfaqet motra në vjeshtë dhe kalbëzim të zi”
[Nga poezia “Qetësi dhe heshtje”]
“Gjithnjë tingëllon zëri hënor i motrës
Nëpër natën e përshpirtë.”
[Vargje nga poezia “Muzg i përshpirtë”]
“Ndërsa jep shpirt nën pemë që blerojnë
Dhe tek i shkon nga pas hijes së motrës.”
[Vargje nga poezia “Pasion”]
“Prej pasqyrës së kaltër doli trajta hollake e motrës dhe ai u rrëzua si i vdekur në errësirë.”
[Nga “Ëndërr dhe erramendje”]
“Luhatet, lëkundet, hija e motrës mes korijes që përheshtet,
Që t’ngjatjetë shpirtrat e heronjve, krerët që gjakojnë.”
[Vargje nga poezia “Grodek”]
Këto janë vetëm disa shembuj ku rishfaqet motra e vdekur. Ajo ka trajtën e një hije hyjnore që shfaqet në vdekje. E shikojmë të shfaqet në vjeshtë dhe kalbëzimin e natyrës, por dhe në vdekjen e njerëzve. Hija e motrës, në veprën e Trakl, merr kuptimin e një mundësie për ringjallje shpirtërore: zëri i saj hënor tingëllon në natën e përshpirtë. Ajo, siç e shikojmë dhe më sipër, ngjatjeton heronjtë e vdekur në luftë.
Ka dhe shumë përshfaqje të tjera që rishfaqen në poezitë e Trakl, ku nuk duhet lënë pa përmendur: nëna e mbarsur me një fëmijë, shfaqja e një engjëlli, njerëzit që rrëshqasin si hije, një vendndodhje e njëjtë e një fshati të braktisur, apo një varreze dhe një pylli, pranë këtij fshati. Nuk duhen lënë pa përmendur edhe rëndësia e ngjyrave në poezitë e Trakl, ku ai shpesh e lidh një gjendje me një ngjyrë të caktuar. Si për shembull:
“Zemra e harbuar u bë e bardhë në pyll” në poezinë “Zemra”;
apo:
“Sërish duke ndjekur vajtimin e kaltër të mbrëmjes” në poezinë “Në Hellbrunn”.
Heideggeri shkon aq larg në shqyrtimin e tij të ngjyrave tek poezitë e Trakl, sa që mendon se ngjyrat kanë një kuptim të ngurtë. Për shembull, Heidegger thotë se ngjyra e kaltër është shfaqja e hyjnores në vetvete.[iii] Pavarësisht, se ndaj të njëjtin mendim se ngjyrat kanë një rëndësi të madhe në poezinë e Trakl, kam besimin se është një teprim që t’i japësh atyre një kuptim të ngurtësuar pasi ngjyrat shpesh shprehin një gjendje kalimtare. Gjithsesi, të gjitha këto përshfaqje të përmendura më sipër kanë kuptimin e tyre të fshehtë dhe lypin një bashkëbisedim më të imët,- të cilin nuk do e ndjek në këtë sprovë.
Duhet theksuar se kjo njëtrajtshmëri që përshkon poezitë e Trakl nuk është një përsëritje e mërzitshme. Dhe mbase ky është pikërisht ndryshimi midis një poeti të madh e një poeti të dobët: një poet i madh rishfaq, rikthen, ndërlidh të shkuarën me të ardhmen. Një poet i madh, edhe në përsëritje thotë diçka të re. Ndërsa, një poet i dobët përsërit pafundësisht në poezitë e tij krahasime klishe dhe ritregon të njëjtën kuptim me fjalë paksa ndryshe. Mund të thuhet se në poezi gjejmë dy lloj përsëritjesh. Nga një anë kemi një përsëritje që e hasim shpesh në poezi të dobëta: një përsëritje e vdekur, një përsëritje që s’ka vend askund dhe nuk shpreh ndonjë asgjë. Nga ana tjetër kemi edhe një përsëritje që e gjejmë te vepra të mëdha poetike: një përsëritje jetëdhënëse, një përsëritje që zhvillon, një përsëritje që rrëfen diçka përtej përsëritjes së saj.
Veçoria më dalluese e poezive të Trakl është se ajo është thellësisht një poezi fenomenologjike. Me këtë dua të them, se poezia e Trakl synon, më shumë se gjithçka, të vështrojë – jo të shpjegojë, as të arsyetojë e aq më pak të prekë ndjenjat e lexuesit. Poezia e Trakl prek atë që fenomenologjia do të arrijë, por askurrë nuk ka për të mbërritur: ta lërë gjithësinë që të shfaqet ashtu siç ajo vjen vetë. Në fund të çdo poezie të Trakl ndiej jehonën e thënies së famshme të Husserl: le të kthehemi tek gjërat në vetvete.
Janë të rralla ato çaste kur njeriu arrin të vështrojë. Shumica mendojnë se vështrojnë, por në fakt ata vetëm përsërisin. Nuk ka gjë më të vështirë se sa të vështrosh: të kundrosh përtej pasqyrimit të vetvetes dhe përsëritjeve gjuhësore. Të kundrosh atë që shfaqet, kaq është mjaft,- më shumë se mjaft.
“O sa hijerëndë është fytyra e të vdekurve të shtrenjtë.
Por e këndell shpirtin soditja e drejtë.”
Pikërisht këtë vështirësi të vështrimit shohim në këto dy vargje të jashtëzakonshme. Si mund të vështrosh përtej të vdekurve? E hijerëndë është fytyra e të vdekurve. Si mund të kundrosh përtej vdekjes, pa vdekur vetë? Gjithë kjo mund të durohet vetëm nëpërmjet soditjes së drejtë. Nëpërmjet kundrimit të njëmendtë. Ç’përfshehtësi është të soditësh: të shfaq gjithësinë.
Shpesh, has tek një poet një varg ku, si për çudi, përqendrohet thelbi i gjithë poezive të tij të tjera dhe kthehet në vargun më përfaqësues të atij poeti. E përsërit atë varg dhe e ndien se gjithësia të jepet ty. Vetëm ty. Këtë ndjenjë kam kur lexoj poezitë e Frederik Rreshpes. Kyçi i poezive të tij qëndron tek ky varg: “O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri”. Në rastin e poezive të Trakl, vargu kyç është ky:
Por e këndell shpirtin soditja e drejtë…
Gjithmonë has një paqartësi të fshehtë në poezitë e Trakl. Kur e lexon, shpesh, të duket sikur diçka e errët po fshihet në ato vargje mbushur me mjegull dhe mugëtirë. Por, kjo paqartësi poetike dhe fshehtësi vëzhgimesh të njëpasnjëshme, që gjejmë tek poezitë e Trakl, vizaton në një mënyrë të përkryer mjedisin shpirtëror ku ecin poezitë e tij.
Shumë vargje të Trakl duken tepër të vështira për t’u kuptuar. Aq të vështira sa dikush mund të thotë: pse duhet të thuhen në mënyrë kaq të paqartë? A nuk mund të thuheshin të njëjtat gjëra me fjalë më të kuptueshme?
Në rastin e Trakl, më duket një gabim trashanik që të kërkosh nga poezitë e tij më tepër qartësi. Bukuria dhe thellësia e poezive të tij qëndron pikërisht tek kjo fshehje dhe paqartësi që mbizotëron tek to. Paqartësia e mjegullt në përshkrime, fshehtësia e përhershme e asaj që rrëfyesi i poezive kundron, nuk janë një hollësi e parëndësishme, por, përkundrazi, përbëjnë vetë frymën e poezive të Trakl. Fryma, në këtë rast, është thënia qenësore që fshihet e pathënë mes vargjeve të Trakl. Fryma janë rrënjët botëkuptimore që bashkojnë vargjet e Trakl në një vepër të vetme.
Besimi më thelbësor që shfaqet në frymën e poezive të Trakl është bashkimi i ndarjeve metafizike në pamjen e kundruar. Me ndarje metafizike, dua të them, se filozofia europiane dhe botëkuptimi i saj i përgjithshëm e ka pjesëzuar botën zakonisht në: botën e brendshme njerëzore, botën e jashtme fizike dhe botën e përtejme shpirtërore. Në frymën që shprehin poezitë e Trakl këto tre botë janë të ngjizura në një të vetme.
“Në varrezë bën shaka mëllenja me kushëririn e vdekur” shkruhet në poezinë “Cep në pyll,” ku gjejmë bashkimin e botës së brendshme njerëzore me botën e jashtme fizike. Ndërkohë, në poezinë “De profundis” shikojmë bashkimin e botës së përtejme shpirtërore me botën e jashtme fizike:
“Një hije jam unë larg prej fshatrash të zymtë.
Heshtjen e Zotit
Piva unë prej kroit të korijes.”
Dua të them se paqartësia që hasim në poezitë e Trakl vjen si pasojë e ndarjeve të qarta metafizike, – të cilat ne i kemi përsëritur aq shpesh në jetën tonë saqë ne me shumë vështirësi mund të kundrojmë pa to. Vështrimi i paqartë që takojmë në poezitë e Trakl është vështrimi i qartë poetik përtej ndarjeve metafizike. Dhe kjo është edhe vlera parësore e poezisë së madhe: ajo shkatërron ndërtesën e dijes, për të lejuar kundrimin e njëmendtë të fushëpamjes.
[i] Për këtë shkrim u përdor përkthimi i shkëlqyer, me një gjuhë shqipe tepër të pasur e të zhdërvjellët, që poeti Arb Elo i ka bërë së fundmi poezive të Georg Trakl. Të gjitha vargjet e Trakl që janë përmendur në këtë sprovë janë marrë nga shqipërimi i Arb Elos, botuar në 2016 nga shtëpia botuese Pika pa Sipërfaqe. Me këtë rast, dua të falenderoj edhe shtëpinë botuese Pika pa Sipërfaqe për punën e mrekullueshme që po bën për të sjell në gjuhën shqipe kryevepra të filozofisë dhe letërsisë botërore.
[ii] Një vërtetim të kësaj e gjejmë edhe në dramën Edipi Mbret, ku Edipi në një bashkëbisedim të nxehur me Parathënësin Tiresias i thotë:
“Ti këtë art – kjo u-duk qartë –
nuk e di, nuk ta mësuan
as zogjtë e qiellit as ndonjë hyj:
Në atë kohë ardha këtu
Unë Edipi që s’di asgjë
Dhe bushtrës gojën ja vulosa
këtë e bëra me mendjen time,
nuk ma mësuan zogjtë fluturues.”
Shqipërimi i Sotir Papahristos.
[iii] Martin Heidegger, On the Way to Language (New York: Harper & Row, 1982), 166.