Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Fotografi / Totalitarizëm

OBJET TROUVÉ (II)

Gazeta “TemA”, ku e gjetëm këtë foto, e pat përfshirë në një seri me titullin “Dasmë në kohën e komunizmit…” të cilën ia atribuonte fotografit Barry Lewis. Në fakt disa nga ato foto janë “marrë” nga albumi Albanian Journeys i këtij autori, (që mund të shfletohet këtu), me nëntitullin “një udhëtim fotografik përmes Shqipërisë 1990-1991), i botuar në 2 maj to 2010-ës. Konteksti që jep “TemA” bie ndesh me kontekstin që ofron vetë albumi (a photographic journey through Albania, 1990-1991, during the fall of communism). Edhe pse ndonjë foto atje mund të jetë dasme, shumë të tjera nuk janë.

Fotoja jonë, në origjinal, shoqërohet me këtë diciturë: “A group of Albanian visitors dancing in the grounds of Mussolini’s old hunting lodge”; me fjalë të tjera, fotoja është nxjerrë në Hotelin e Gjuetisë në Ishullin e Lezhës, dhe të fotografuarit janë turistë çfarëdo. Kjo diciturë e kontekstualizon imazhin më mirë, edhe pse si çdo informacion tjetër, sjell edhe pyetje të mëtejshme me vete.

Në sprovën “Camera lucida” që ishte edhe libri i fundit që shkroi, Roland Barthes dalloi dy aspekte të çdo fotografie, të cilat i pagëzoi me nga një emër latin: studium-i, i cili të tërheq fillimisht vëmendjen dhe të mban afër dhe që është në fakt konteksti i imazhit; dhe punctum-i, ai detaj që e “gërvisht ose e shpon” shikuesin. Studium-i është funksionimi i fotos si dokument historik dhe kulturor, ose testament për gjestet, mjediset, figurat, stilet, modat dhe fytyrat e një kohe më të hershme; ndërsa punctum-i është “ai element që ngrihet nga skena, hidhet që andej si shigjetë dhe më shpon mua” (Barthes). Studiues të tjerë, si Clive Scott (Spoken Image, Photography and Language) e kanë lidhur studium-in me funksionimin semiologjik të fotos si ikonë, ndërsa punctum-in me funksionimin semiologjik të fotos si indeks.

Në foton e Barry Lewis-it që po komentojmë, studium-i ka të bëjë me këtë skenë festive të organizuar, me çifte të improvizuara, që vallzojnë nën muzikën live të një orkestrine, edhe pse përjashta, në qiell të hapur, vend i pazakonshëm për festa të tilla dhe lloje të tilla kërcimi; sikurse ka të bëjë – për ne që e shohim foton sot – me paraqitjen e personazheve, veshjet e tyre dhe mënyrat si i mbajnë flokët, e kështu me radhë. Natyrisht kjo varet, tek e fundit, nga “enciklopedia” e shikuesit vetë, ose nga çfarë di ai vetë për atë periudhë historike tek e cila e drejton fotoja; çfarë do të thotë se efekti i kësaj fotoje, për të gjithë ne që e kemi jetuar drejtpërdrejt atë kohë dhe kemi qenë edhe ne, njëfarësoj, bashkë me festarët pjesë e atij dekori aq karakteristik, është edhe i llojit mnemonik; sepse na ndihmon të kujtojmë diçka që e kemi përjetuar vetë, njëlloj si foto të tjerat të asaj kohe, ku qëllon që të kemi dalë ne. Por e njëjta foto për kategori të tjera shikuesish, si p.sh. publiku Perëndimor i albumit të Lewis-it, ose brezi i ri në Shqipëri që nuk ka asnjë kujtim nga fillimvitet 1990, do të ketë efekte të ndryshme; çfarë do të thotë se një nga rolet e studium-it është edhe ta diferencojë publikun e fotos, sipas njohurive, kujtimeve dhe formimit kulturor. Vetë Lewis-i do ta ketë nxjerrë këtë foto duke pasur në mend publikun Perëndimor, që do t’ia blejë dhe konsumojë veprën; jo publikun shqiptar dhe sidomos jo atë publik shqiptar që i ka ofruar atëherë lëndën e parë fotografike dhe që nuk është çudi që ta gjejë veten jo vetëm në përjetimin e imazheve, por edhe të paraqitur në imazhet vetë. Përndryshe, nëse fotoja është e inskenuar (enacted ose staged), edhe kjo procedurë do të jetë bërë me publikun Perëndimor në mendje; ose për të maksimizuar efektin dokumentar dhe artistik të fotos ndaj këtij publiku; çfarë do të thotë, tek e fundit, se për ne të Shqipërisë fotoja do të jetë një objet trouvé.

Para se të merremi me punctum-in, le të konsiderojmë për një çast nëse fotoja është spontane apo e inskenuar; me fjalë të tjera, ai i ka gjetur Lewis-i këta njerëz duke festuar e hedhur valle në lëndinat afër Hotelit të Gjuetisë në Lezhë, apo mos e ka ndërtuar skenën vetë si regjisor, duke i ftuar mysafirët e hotelit që të pozojnë për të, ose më mirë të përfshihen në një “lojë” performative që do ta ndihmonte atë, si fotograf pionier nga të parët që u kuturisën në Shqipërinë post-totalitare, që të paraqiste më mirë marrëdhënien e shqiptarëve me muzikën dhe vallëzimin. Meqë ky zakon për të kërcyer “dans” në natyrë nuk më rezulton të ketë qenë ndonjëherë i përhapur në Shqipëri dhe rituale të tilla festive kanë qenë konsumuar si rregull në mjedise të brendshme, unë dyshoj fort se fotoja është e inskenuar; përndryshe e kam të vështirë të përfytyroj një orkestrinë që luan në buzë të kënetës dhe çifte që dansojnë në diell.

Dhe nëse është kështu, kjo ma konfirmon edhe ndjesinë që kam, për ta identifikuar punctum-in e kësaj fotoje te syzet e errëta të mesoburrit me xhaketë, i cili e ndjek këtë skenë që nga mbrapa ose nga sfondi; sepse vështrimi i tij, që edhe më shfaqet mua shikuesit drejtpërdrejt edhe më fshihet pas xhamave të errët të këtyre syzeve, që “vërvitet si shigjetë” nga fotoja dhe më “gërvisht” mua shikuesit, ose dekoduesit të imazhit. Ky personazh përndryshe i panjohur, dhe që nuk merr pjesë në festë, luan rolin e spektatorit të heshtur edhe të skenës (studium-it, ose kontekstit ose përmbajtjes së fotos, të përshkruar edhe nga dicitura) edhe të inskenimit që ka bërë fotografi; ai konsumon jo vetëm atë çka më pas do të fiksohet në fotografi, por edhe vetë aktin e të fotografuarit; është dyfish spektator, dhe kjo “mise en abîme” e fut në krizë përjetimin prej nesh të fotos vetë.

Dhe ja pse: pamja që sheh ky personazh i panjohur është ana “e pasme” e fotos; ose ajo anë që përndryshe për shikuesin mbetet e padukshme, e paarritshme, e padepërtueshme, e përtejme; prandaj edhe funksioni i tij prej spektatori të ndodhur në antipodin e kamerës i ngjan atij të pasqyrave në shumë foto të shekullit XIX dhe më vonë, të cilat autorët e fotove mendonin se ia shtonin thellësinë pamjes, duke bërë të dukshme, për shikuesin, pjesë të imazhit që përndryshe do të mbeteshin – detyrimisht – jashtë (karakteristik ka qenë përdorimi i pasqyrave në fotot pornografike dhe erotike të traditës, pse ashtu nxirreshin në pah pjesë përndryshe të fshehura të mishit).

Duke e vazhduar këtë spekulim, unë do të sugjeroja që personazhi, meqë nuk merr pjesë drejtpërdrejt në “aksion” dhe as është i nevojshëm për “skenën”, mund të jetë gjendur aty rastësisht dhe të jetë ndalur për të bërë sehir; pra të mos ketë qenë pjesë aktive as e “skenës” as e “inskenimit” (nëse ka pasur të tillë); dhe prandaj edhe më ofrohet si kandidati më i përshtatshëm për punctum-in, ose armën e ftohtë me të cilën fotografia – po të ndjekim Barthes-in – e godet shikuesin për ta lënduar.

3 Komente

  1. Mua ky “punctum-i” me duket si i ndjeri Pjeter Arbnori.

  2. Authorities duhet te jete shume merzitshem keto dite dimri, perderisa shkruan faqe te tera per dicka pa pike vlere dhe interesi!

  3. Urime për shkrimin interesant dhe për kritikën e arrirë të fotografisë në fjalë. Unë besoj se ka një lloj syri të fshehtë tek pakkush për të dalluar në fotografi të tilla detaje shumë informative. Më qëllon herë pas herë të komunikoj me njerëz të lindur e të jetuar në Shqipëri, që këtë sy e kanë të verbër. Shkëmbejmë mendime për gjera të ndryshe të kësaj bote, merremi vesh herë mirë apo herë keq për gjëra të thjeshta e të zakonshme, por jo vetëm për këto; dhe kur qëllon që arrijmë në fundvitet 80 dhe fillimvitet 90, realizojmë, që çfarë ka ka parë njëri, tjetri as që është në gjendje ta realizojë, qoftë edhe duke abstraguar. Veten e llogaris në grupin e atyre, që e disponojnë atë sy të fshehtë për të lexuar një tërësi mesazhesh në një fotografi të asaj epoke, jo ngaqë jam më i ditur, por ngaqë në atë kohë kam pasur një nevojë impertinente për të perceptuar dhe interpretuar çdo gjë publike. Në vijim të këtij obsesioni, i cili në formën e tij ideale përshkruhet me aq gjenialitet tek “Lojtari i Shahut” i Stefan Cvajgut, unë, por edhe të tjerë të vëmendshëm, nuk na shpëtonte gjë, pa e parë dhe pa e klasifikuar menjëherë në tabelën e indikatorëve të lirisë se presupozuar në ardhje/pritje.
    Por ka edhe një grup tjetër të vockël fare brenda grupin e këtyre të paktëve me një sy të fshehtë, të cilët janë ata që ikën nga Shqipëria menjëherë në këtë periudhe pa e kthyer më kokën mbrapa. Në këtë nëngrup, ku përsëri gjej vetën, bëjnë pjesë shumë pak vetë, të cilët, të paktën në jetën time, mund t’i numëroj me gishtat e njërës dorë. Këta në momentin e fundit që ikën morën me vete të imazhet e fundit fotografike të këtij syri të fshehtë në atë kohë të shqyer nga kureshtja dhe i ruajtën këto të ngrira dhe pa humbje ne kujtesë deri sot. Një fotograf këtu mund të tregonte diçka për objektivë të shkurtër këndgjërë ndërkohë që një psikolog mund të fliste për një kujtesë fotografike të kushtëzuar nga një traum e përjetuar/e pritur. Të tjerë, që këtë sy mund edhe ta kenë pasur hapur si njësoj si unë, por që nuk ikën pa e kthyer kokën mbrapa fotografuan me të njëjtin sy imazhe të tjera, menjëherë të mëvonshme, që ua mbishkruan atyre te parave, duke turbulluar kështu në një farë mënyre kujtesën, për ta humbur dikur më vonë. Ndonjëherë, ndoshta edhe duke ju referuar kujtesës time prej mashkulli, më duket se do të isha në gjendje që në një fotografi grash të asaj kohe të përcaktoja me saktësi vitin vetëm nga ai gjysme centimetri me lart apo më poshtë i një fundi të një gruaje. Gjë sigurisht pa asnjë rëndësi praktike sot, por ja që ai sy qenka dhe ndejtka hapur deri sa dikujt i mbyllen sytë.
    Këtë lloj vëmendje për detaje konvencionale por me një rëndësi historike është pothuajse e pamundur ta tjetërsosh, ngaqë mënyra se si unë i qasem një fotografie të epokës është e kushtëzuar nga përvoja jetësore personale, pra përshkohet tej e tej nga një fill biografik. Dikush tjetër sot mund vetëm të realizojë intensitetin e perceptimit tim vetëm duke kërkuar e gjetur ai vetë në botën e tij gjëra të tilla të ngjashme, gjë të cilës nuk është se i jap ndonjë shpresë të madhe, ngaqë ne, ata me atë sy të veçantë të mbetur hapur, ishim njerëz të trembur për ekzistencën tonë, gjë që të tjerëve, pra ata që nuk janë si ne, por që njëkohësisht duke mos qenë si ne e kanë edhe të verbër këtë sy, për fatin e tyre ky lloj tmerri me sy hapur ju mbeti i kursyer.
    Tjetër gjë.
    Ka ndonjë njeri idenë, se kujt mund t’i blihet negativi kësaj fotografie se bashku me të drejtat e autorit?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin