Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NJË LIBËR I RI PËR NJË HISTORI TË VJETËR

Shtëpia botuese Pegi në fillim të këtij viti nxori në treg romanin “Sharlota” (përkthyer nga Edmond Tupja) të autorit francez David Foenkinos, autor me të cilin publiku shqiptar është njohur më herët nëpërmjet bestseller-it të tij ndërkombëtar “Delikatesa” (sjellë në shqip nga e njëjta shtëpi botuese më 2013).

Ky roman rrëfen historinë e vërtetë të Sharlota Salomon-it, artistes së re gjermano-hebreje e cila në vitin 1943 në moshën 26 vjeҫare u mbyt ndërsa ishte shtatzënë në dhomat e gazit të Auschwitz-it. Autori ka patur për burim kryesor veprën e saj autobiografike “Jetë? apo Teatër?”. Foenkinos ka zgjedhur prozën në vargje për t’ia paraqitur këtë histori publikut, një zgjedhje që e bën romanin më të veҫantë se të tjerët e llojit të tij mbi këtë subjekt. Kjo është një rrëfenjë personale në qendër të së cilës vendoset njeriu brenda aparatit të dhunës së legjitimuar shtetërore, me dëshirën për liri dhe etjen për jetë.

Botimi i këtij libri përkoi gjithashtu me ditën ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit (27 janar). Pse duhet t’i interesojë kjo vepër lexuesit shqiptar? Por mbi të gjitha pse mbart ajo vlerë më tepër se të zakonshme pikërisht tani?

Marrë parasysh tronditjen që bota perëndimore ka pësuar për shkak të zhvillimeve politike të fundit të cilat kanë sjellë jo vetëm nxitjen e një retorike nacionaliste, ksenofobe, islamofobe, mizogjine dhe raciste por kanë rikthyer gjithashtu shpresat dhe mobilizimin e partive të ekstremit të djathtë, sikurse kanë motivuar veprime të dhunshme dhe ekstreme; në një kontekst socio-politik të tillë pra, ku e ardhmja prodhon pasiguri dhe ankth, ky roman dhe letërsia angazhuese që nxisin ndërgjegjjen njerëzore dhe të menduarit mbi të tilla ҫështje me karakter jetik, e bën romanin një domosdoshmëri. Ȅshtë e rëndësishme të kuptohet se si dhuna dhe degradimi i saj deri në gjenocid në Gjermaninë e regjimit nazist, nuk nisën me dhomën e gazit si ajo në të cilën u mbyt Sharlota: ato nisën nga fjalë të thjeshta, në dukje aspak të dëmshme, të artikuluara qartë dhe të shprehura plot pasion; fjalë që ndërtonin mure ndarëse në vend të urave të komunikimit; fjalë që i mëshonin dallimeve imagjinare mes njerëzve dhe jo të përbashkëtës mes tyre; fjalë që në vend të paqes filluan luftra dhe hapën varre masive. Historia rrezikon të përsëritet nëse njerëzit zgjedhin që ta harrojnë atë. Sharlota na ndihmon të sjellim në kujtesë jo vetëm tragjeditë dhe dramën e shekullit të XX në Europë, por sidomos vlerat dhe fisnikërinë njerëzore mbi të cilat shoqëri të zhvilluara dhe inteligjente duhet të forcojnë shtyllat e qytetetërimeve të tyre.

Sharlota nuk është vetëm një roman, ajo është një vepër edukative, një thirrje që na kërkon të hapim sytë atëherë kur mendojmë se po shohim më qartë.

1 Koment

  1. Dhomat e gazit jane nje aberracion i eliminimit masiv ose genocidit. Genocidi eshte akt imperialist qe gjenerohet ne nje kontekst nderkombetar brenda nje shteti me origjine ose qasje imperialiste.
    As dhomat e gazit e as genocidi nuk mund te kuptohen nepermjet letersise sepse jane akte politike te zgjidhjes finale te nje konflikti politik. Letersia kryen rol ideologjik kur angazhohet ne çeshtje te esences se politikes.

    Kur Roma republikane beri genocid ndaj Kartagjenes duke masakruar kedo, vendosi genocidin si zgjidhjen finale te problemit 120 vjeçar kartagjenas, ashtu sikunder ku Kina e mançuve beri genocid ndaj Zungareve e pa si zgjidhjen finale te nje lufte te gjate, ne mos gaboj 70 vjeçare.

    Historia eshte e mbushur me raste genocidesh nga antikiteti (madje edhe vete Zoti ne Sodome e Gomorre kreu genocid si zgjidhje finale te problemit, apo çifutet kur moren Token e tyre te premtuar kryen genocid ndaj popullates se Kaananit-mjaft te lexosh Biblen-) deri ne genocidin e Pol Potit ndaj popullates se vet, genocid i konceptuar brenda nje modeli imperialist si ishte modeli i perhapjes se komunizmit ne Bote.

    Neqoftese secili popull do te rrinte ne hapesiren e vet do te kultivohej vetiu paqja universale, neqoftese nuk do te kishte ide universaliste do te kishte paqe universale, sepse pa ide universaliste nuk ka qasje imperialiste.

    Por kjo eshte Utopi sepse imperializmi e grabitja e tjetrit eshte motori i historise. Nuk ka Utopi me te bukur sesa njerezimi te vendose nje dite qe secili popull te jetoje brenda hapesires se vet e te kete marreveshje te drejta e te ndershme tregtare, te mosnderhyrjes ne punet e tjetrit etj, S’do te kishte me asnje arsye lufta, do te kishte veç paqe e secili popull do bente cfare i donte kokrra e qejfit.

    Por Polisi shkon pashmangshem drejt Perandorise, vendin e Ur e Uruk e ze Perandoria e Sargonit, vendin e poliseve greke e ze Perandoria Athinase e Lidhjes se Delos apo Spartane e Lidhjes se Peloponezit, vendin e dhjetera qytet-shteteve ne Itali e ze Roma Imperiale, vendin e shtet-kombeve qe jane vijimi modern anti-imperialist i poliseve antike e ze Perandoria e BE-se.

    E kur vjen qasja imperialiste vjen edhe negocidi si akti ekstrem politik i zgjidhjes finale, vijne piramidat me koka shqiptaresh qe ndertoi sulltan Mehmeti ne kohen e Skenderbeut.

    Hebrejte, ndertuan shtetin e tyre Izraelin per t’i shpetuar kesaj ligjesie historike dhe mbeshtetja e ekzistences se Izraelit eshte e domosdoshme, qofte edhe sepse vete ata u shperngulen masivisht nga Izraeli si pasoje e nje thuajse genocidi romak ndaj tyre para 2000 vjetesh.

    Per t’i zbutur pasojat kesaj ligjesie historike, te imperializmit e ideologjive universaliste qe e udheheqin,bashke me genocidin si zgjidhje finale politike, Europa kuptoi vleren e paçmuar te balancimit te fuqive, sovranitetin e shtet-kombeve, parimin e mosnderhyrjes ne punet e brendshme e nje model nderkombetar fillimisht europian e prej 1945 mbareboteror.

    Armiku i pare i paqes eshte çdo ide universaliste qe nuk respekton te drejten natyrore te çdo populli per Vetevendosje. Pikerisht idete universaliste qe i kane dhene jete imperializmeve te shkuar perbejne pengese edhe sot per paqen ne Ballkan. Paqja universale kalon nga mohimi i imperializmit, i çdo modeli imperial.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin