Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

CIRKU AMBULANT I KULTURËS

Mes dhuratave kulturore më prekëse të medias shqip për lexuesin, në fund të vitit 2016, ishte zbulimi i rrallë se Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës qenkësh “hapur” me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Lasgush Poradecit dhe Musine Kokalarit, në fillim të vitit 1940.

Ky farë lajmi tronditës, për një fakt deri atëherë krejtësisht të panjohur, paskësh dalë në dritë nga letërkëmbimi mes Lasgushit dhe Musinesë, pas gjase i bërë publik tani së fundi, si pjesë e ditarit intim të Lasgush Poradecit.

Në këto letra, Lasgushi nuk lë vend për ekuivoke:

Sot vendosa t’a regjistroj Shqipen në Fakultetin e Letrave (Universiteti i Romës),” shkruan ai. “Bleva pullat përkatëse, nesër duhet të shkoj në Durrës të marr Diplomën e saj dhe çertifikatat.

Dhe më tej:

Më ora 10… u nisa për në Durrës që të marr Çertifikatat e lindjes dhe atë të sjelljes si dhe Diplomën e Shqipes, të nevojshme për nënshkrimin në Universitet.

Lasgushi pranon edhe se në këtë ndërmarrje është ndihmuar nga Ernest Koliqi, i cili “e kish vënë Shqipen për transferim, prej Shënavlashi në Durrës, në ballin e Listës.”

Komentojnë autorët e lajmit:

Megjithë vështirësitë që ndeshën në rrugën e tyre për të mundësuar këtë, Poradeci dhe Kokalari nuk pushuan përpjekjet, derisa ia dolën ta çelin katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Romës. [theksimi im, A.V.]

Këtë e konfirmon edhe Lasgushi:

Shqipja më telefonoj të vete të shtunën, se kanë vendosur darkën e dasmës.

Kanë qenë kohë të tjera, kur gjuha shqipe të merrte drejtpërdrejt në telefon, po të merrte vesh se e kishe seriozisht me të.

Siç e sqaroi në një shënim të shkurtër në Facebook Ardian Kyçyku, në këto letërkëmbime mes Lasgushit dhe Musine Kokalarit nuk flitej për të hapur katedrën e gjuhës shqipe në Romë, por për të regjistruar Nafijen, të shoqen e Lasgushit të cilën ky e kish zakon ta thërriste “Shqipe”, në Fakultetin e Filozofisë dhe të Pedagogjisë të Universitetit të Romës.

Gjëra si këto edhe sikur t’i sajosh, të thonë e ke tepruar.

“Me sa duket disa po bëjnë çmos që Lasgush Poradeci të ngrihet nga varri, të rrëmbejë bastunin dhe t’ua mbushë kokat me gunga, ose gungat me koka,” shkroi Kyçyku, me atë rast.

Keqkuptimi, i cili përndryshe do të kish mjaftuar për ca të qeshura pas dreke, dëshmon edhe për një sëmundje të ligshtë, që ka kapur median shqip, krahas të tjerave patologji që nuk kalon ditë pa i vënë kush në dukje.

Sëmundja për t’i dhuruar lexuesit zbulime pas zbulimesh, që u detyrohen publikimeve dhe analizave zakonisht amatore të dokumenteve të ndryshme të arkivave.

Këtu nuk është fjala thjesht se u ngatërrua e shoqja e Lasgushit, Nafija (Shqipja), me gjuhën shqipe – aq më tepër që, metaforikisht, na lejohet ta marrim gjuhën shqipe të viteve 1930 si shoqe jete të Lasgushit.

Por për njerëz që punojnë në mediat dhe përnjëmend besojnë se Katedra e Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Romës, mund të hapet kështu, me një vendim që merr Lasgush Poradeci një ditë prej ditësh.

(“Shokon Lasgush Poradeci…” etj.)

Formuluesit e këtij lajmi as që e kanë parë se në letërkëmbim flitet për diplomën dhe çertifikatat e Shqipes, “të nevojshme për nënshkrimin në Universitet” dhe që Lasgushit i kanë thënë se “duhen marrë në Poradec.”

Formuluesit e këtij lajmi as që e kanë lexuar letërkëmbimin, për të cilin pretendojnë se u jep shkas për një scoop.

Inkompetenca, injoranca dhe amatorizmi ndërlikohen edhe më tej, po të marrim mundimin dhe të deduktojmë, nga mënyra si u paraqit lajmi, se kultura shqipe nuk e paskësh ditur, deri më sot, se si e qysh u themelua një institucion i klasit dhe rangut të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Romë; dhe se kjo paskësh dalë në dritë rastësisht, nga disa letra personale të Lasgush Poradecit.

Dhe ky farë supozimi më duket, të paktën mua, po aq alarmant sa edhe paaftësia për të kuptuar se një person që i telefonon Lasgush Poradecit nuk ka si të jetë edhe “gjuha shqipe”.

Ky supozim, kjo pritje, kjo shpresë e normalizuar se zbulime të tilla historike mund të bëhen thjesht duke rrëmuar me duar jo-profesionale në arkivat, i ka rrënjët te një besim i çuditshëm – dhe budalla – se historia e kulturës shqip mund të rishkruhet dita-ditës, nga një gazetë tek tjetra, nga një faqe ueb tek tjetra; scoop pas scoop-i dhe rregullisht “për herë të parë.”

Ky farë marketingu i pështirë prej cirku ambulant e ka gjetur rrugën në ballë të mediave, së bashku me kushtëzimin, e lexuesit, se çdo e vërtetë është tanimë gati për t’u zëvendësuar nga e kundërta e saj.

Specialistët e dorëshkrimeve, arkivistët, historianët, tekstologët, filologët dhe biografët punojnë me vite, për të nxjerrë në dritë ndonjë informacion a provë sado pak me interes publik, nga dokumentet me natyrë private dhe vetjake; jo se në dokumente të tilla nuk ka të dhëna të tilla, por se zakonisht për çështjet me interes publik informacioni tashmë njihet, është kataloguar, përpunuar dhe verifikuar.

Autorët e lajmeve të tilla nuk ka nevojë doemos të dinë se kush pikërisht e themeloi Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Universitetin e Romës; por prej tyre pritet që të dinë se akti i themelimit të kësaj katedre ka qenë publik dhe i mirënjohur; dhe se fakti që këta nuk e kanë ditur, nuk provon veçse padijen e tyre dhe jo ndonjë boshllëk të historisë së kulturës, që u bie këtyre barra morale dhe akademike për ta mbushur.

Me fjalë të tjera, lajme si ky për Shqipen/Nafijen e Lasgushit, që më në fund u sistemua si studente në Romë, por që shndërrohen – nën penën magjike të medias shqip – në etapa të historisë së albanologjisë në Itali, dëshmojnë se shumë prodhues të lajmeve shqip po e gjykojnë vlerën dhe botueshmërinë e lajmeve në bazë të padijes së tyre.

Lajmi ende mund të lexohet te faqja 27.al dhe te gazeta Express; për shkak se lajme të tilla kopjohen rëndom nga një faqe te tjetra, e kam të pamundur të gjej burimin dhe as dua të tregoj me gisht fajtorët. Sa më takon mua, këtë lajm do të kish qenë gati ta nxirrte çdo faqe e medias shqip.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin