Nëse Shqipëria do të ishte njeri, ajo do të ishte një vajzë adoleshente që vuan nga kompleksi i Elektrës (gjithmonë nëse historinë e saj e marrim në konsideratë nga viti 1945 e tutje).
E marrosur pas figurës atërore të Enver Hoxhës, e vogla Shqipëri u mbrujt nën imazhin e një burri narçiz, të dhunshëm e inferior i cili sa ishte gjallë i imponohej dhe nuk e linte të bënte çap. Ai ishte një baba posesiv dhe i egër; ndërhynte kudo në jetën e saj, deri tek gjatësia e fundeve apo lloji i sytjenave që ajo mbathte; tek modeli i flokëve, tek drejtimi i saj akademik dhe profesional; tek sasia e ushqimit që ai e konsideronte të arsyeshme për një vajzë të madhësisë së saj (edhe pse për Shqipërinë dieta ishte anoreksike, sidomos kur për dreq ajo s’kishte as mundësinë dhe as dëshirën për t’u bërë model(e)!); tek paratë që i jepte për të shpenzuar në fund të muajit (dhe vitit); tek shoqet që ai i zgjidhte për t’u shoqëruar – vajza më të mëdha dhe më të fuqishme se ajo, vajza që vinin nga familje historike dhe qenë të zhvilluara; vajza jashtë-shtetase, jo fyçka – vajza që e bënin Shqipërinë të ndihej një hiç ama; derisa i shtyrë prej xhelozisë dhe çmendurisë, një ҫasti [ai] vendosi ta izolonte krejtësisht nga bota, në mënyrë që asaj vetja t’i dukej gjigande dhe të mos hutohej nga askush pos tij. Uh, ai e bënte të ndihej si një e burgosur dhe ajo ishte në fakt e burgosur, e burgosura e tij. Kur xhindosej ai ia skuqte prapanicën pa mëshirë, aq fortë sa asaj nuk i dilnin as lotë.
Shqipëria ëndërronte shpesh ta vriste atin por i mungonte guximi. Ai vdiq natyrshëm por ndikimi i tij ishte kaq i thellë sa ajo u ndje fajtore (edhe) për këtë vdekje e për javë të tëra e qau papushim, herë me dhimbje dhe sinqeritet, herë e sforcuar dhe plot hipokrizi. Ama e qau seriozisht! Dhe nuk e harroi.
Pas kësaj vdekje të palajmëruar, Shqipëria filloi të ndjente shenjat e para të lirisë. Ati s’ishte më! Ajo, më në fund, kuptoi se mund të lëvizte. I duhej të merrte frenat e jetës së saj në dorë. Pak e nga pak frustrimi i të gjitha atyre viteve iu shndërrua në rebelim. Me vendosmëri dhe kryeneҫësi ajo u mundua të shkatërronte çdo gjurmë të atit. Ndërkohë që i vinte flamën shtëpisë, ra brenda me një doktor që në atë kohë i sillej rrotull e s’i shqitej, një burrë që atit afërmendsh s’do t’i pëlqente aspak (por që sipas gjasave do të mund ta respektonte). Në fillim doktori i ri dukej i magjishëm – pothuajse burri i ëndrrave të saj. Oh, ajo ishte e verbuar pas tij! Por shpejt e pësoi nga kjo verbëri kur zbuloi tradhëtitë e tij të ndyra dhe monstruozitetin që ai fshihte. Ç’zhgënjim! Ai ishte pothuajse njëlloj si ati, madje më keq: ati s’do ta tradhëtonte kurrë! E dëshpëruar Shqipëria i hyri rrugës së dreqit: provoi çdo drogë që ekzistonte, u shkërdhye me këdo që i dilte përpara, prostituoi, s’la kënd pa vënë dorë mbi të dhe në historitë pasardhëse të dashurisë vetëm sa i ndryshoi formën atit. E sfilitur, kishte raste kur ajo provonte të gjente dikë si ai (sado i keq, të paktën ati ishte kujdesur për të). Njëherë për shembull, u përfshi emocionalisht me një ekonomist të majmë, ekonomist me parime të kuqe ama por edhe ai ia bëri shpejt gjëmën.
E humbur dhe gati pa shpresë Shqipëria u kthye tek dashuria e saj e parë: ndoshta doktori gëzonte ende njëfarë nostalgjie për të, ndonjë grimcë ndjenje të hajrit. Ndenji gjatë me doktorin kësaj rradhe por marrëdhënia andej nga fundi sikur po e sëkëlldiste: ai ngjante me atin më shumë se ç’duhej. Ajo filloi të mos i ndante dot më ata të dy. I duhej një kthjellim. Një ndryshim. Një rilindje. Nje rilindje e vërtetë. Shqipëria e dinte se kë duhej të zgjidhte: gjatoshin karizmatik e me shpirt artisti. Një djalosh pothuajse të rritur. Dikë që t’i kthente vitalitetin e humbur. Dhe kështu bëri. Ajo zgjodhi piktorin.
Viti i parë ishte kaq pasionant! Por shpejt edhe piktori doli të mos ishte më pak narçiz se të tjerët. Ai e lustronte me fjalë, kaq shumë fjalë por në fund, mendonte vetëm për bythën e vet. Shqipëria ndihet e lodhur, e rraskapitur. Ndjen se i duhet të bëj një zgjedhje serioze, tashmë jo si çupëlinë por si grua. Dhe mbi të gjitha s’është më aq e re. Boll me aventura! Ajo kërkon një burrë…në fakt, kësaj here ajo do të preferonte më tepër një grua (jo vetëm që ka filluar të tërhiqet bindshëm pas grave por burrat ia kanë sjellë në majë të hundës!); një grua që ta dojë, ta respektojë dhe t’ia nisë rrugëtimit prej vërteti, drejt një të ardhmeje më premtuese. Po kë leshin të zgjedhë?! Kërkohet një grua për Shqipërinë!
Nuk e dija qe Shqiperia qenka antaresuar ne LGBT.
Sa të rrosh do të mësosh!
Ketu s’na the ndonje gje te re. E kemi pasur ne librat e Kendimit te shkolles fillore.
Një vajzë në kërkim të imazhit të të atit të saj? Pse jo, gjithçka tregon se nuk është aq irealist sa duket.
I vetmi problem është se kompleksi i Elektrës, apo Edipi në femërore, zhvillohet e merr fund (sipas të zotit të teorisë) në një fazë paradoleshente të fëmijës.
Atëherë del pyetja se çfarë patologjie fshihet poshtë rripit të mesit të Shqipërisë që tashmë që ka hyrë në fazën e saj të menopauzës dhe ende është në kërkim të imazhit të të atit protektor?
It’s a man’s world! You can’t blame the nature. You can blame the people, indeed. All we need is love. No women power, no black power, no army or state, nation or borders can control love!
Motra, kjo idea e shtetit si grua dhe atij kroat si burre ka vdekur qe ne shekullin xix. Enveri nuk i kontrollonte sutjenat nenes figurative Shqiperia, po na kontrollonte realisht breket dhe sutjenat te gjitheve ne nje per nje, burra dhe gra , pleq e femije qe e kemi jetuar ate kohe. Per me poshte pastaj nuk u lodha me te lexoj se duket qarte qe ate kesulen e ke rrasur kaq shume ne koke sa te ka zene syte e po ja mbyt nga te mundesh.
E bukur, e vertete, e zgjedhur! U kenaqa duke e lexuar! Parabola, metafora, figuraliteti nuk mund te shpreheshin me bukur!