Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

HARRESA E PATRAZUAR E SË SHKUARËS (I)

  1. Ku t’i kërkojmë përsetë?

Përse kaluam gjysmë-shekulli solid në një fëlliqësirë morale si ajo e komunizmit me shumicën e popullsisë si pjesë organike e tij? Përse kishim komunizmin më të sertë e gdhe të Lindjes?

Një kërkim ky që na ndjek prej shumë vjetësh, por të cilit i largohemi si shoqëri. Pyetje që (duhet t’-) ia bëjnë vetes, ata që keqas e hëngrën nga komunizmi pa qenë pjesë integrale e tij; ata që qenë themeltarë e aktivistë të tij për ca kohë apo ata fatlumë që mbetën të tillë deri në fund; por edhe bij e nipër krenarë ish-komunistësh, që, teksa mbrojnë tezën se të tyret ishin idealistë të vërtetë dhe përpiqeshin për mirë, rreken gjithsesi që njëkohësisht të distancohen nga ajo makineri e keqe me makinistë të mirë. Zhytemi në pyetje e shpesh humbasim udhën nëpër shtigjet e pasinqerta të justifikimit teksa reflektojmë ndaj vetes dhe grupit me të cilin identifikohemi.

Në fakt, ka dy tendenca themelore: e para, ajo e distancimit (mbi ndërgjegje false apo reale), e dyta, ajo e rikthimit me sy të përdëllyer ndaj ditëve të bukura komuniste “kur të gjithë ishim njëlloj dhe kur mbizotëronte dashuria universale”. Të parët, hipokritë dhe të sinqertë, çoç e pyesin veten më shumë për çfarë ndodhi; të dytëve u janë mykur idetë nga mospërdorimi dhe eskapizmi.

Por ne si shoqëri, cilitdo grup ndërgjegjësimi i takofshim, nuk kemi reflektuar mbi dekadat komuniste e i kemi lënë plagët të zenë kore mbi qelb, pa u shëruar kurrë. Rruga më e mirë për këtë dialog të brendshëm për të shkuarën janë ngacmimet e forta e të vazhdueshme që vijnë nga prodhime cilësore të artit e kulturës. Por deri më sot asgjë shënjuese nuk kemi prodhuar në këto fusha, që te krijojë nxitje masive e sistematike të reflektimit kritik ndaj vetes dhe historisë sonë. Një rritje e tillë historike, kognitive dhe morale, i bën mirë shoqërisë se e pastron nga pisllëku që ruan fshehur dhe e çliron drejt një perspektive lirie, u jep drejtim dhe thellësi brezave që rriten pa pasur idenë ç’ishte komunizmi, dhe sidomos është drejtësi sociale ndaj dhjetëra-mijëra shqiptarëve të vdekur e të gjallë të cilëve goja dhe jeta iu mbyll me forcë.

Ne nuk kemi ende një seri televizive si kanë prodhuar vitet e fundit gjermanët “Weissensee” për socializmine vet të Lindjes, një film realist me nivel artistik sipëror që në mënyrë gjeniale paraqet skemën korruptive të socializmit dhe shkatërrimin total moral të indit social, familiar e individual. Popujve u duhen prodhime të tilla artistike cilësore për periudhat kur fëlliqësia bëhet normë dhe forca e kundërshtisë ndaj saj i afrohet zeros. Nuk është e pamundur të lidhesh me “Weissensee” si shqiptare, por Shqipërisë i duhet Weissensee e vetja, me specifikat dhe karakterin lokal shqiptar, e përkthyeshme për çdo qenie shqiptare në gjuhën e së shkuarës dhe të së sotmes. Dhe ne s’u kemi dhënë ende njerëzve asgjë tërësore dhe lehtë të asimilueshme që të reflektojnë, siç do ishte p.sh. një multiserial televiziv, që t’i bëjë natyrshëm të hyjnë brenda socializmit tonë, brenda vetes, brenda asaj që kanë kryer gjyshërit dhe prindët – krime të vogla e të mëdha, përçartje imorale, spiunllëqe, konformizma, heroizma, rezistencë – brenda asaj të keqeje totalitare që të gjithë ende kemi nga pak në tru. Kështu do kuptonim që s’ka diktatura që jetojnë 50 vjet dhe që s’të lenë të marrësh frymë, pa kooperimin e gjithë popullsisë në masa të ndryshme, por sidomos pa kooperimin dhe ndërgjegjen false të elitave. Kështu do shohin të keqen e vjetër në sy dhe s’do lemë populizma të rinj ushqyer nga rrënjët gjysmë të vdekura të së shkuarës, të ringjallen në forma në dukje të reja, por në thelb po aq shkatërruese.

Është mirë që kohët dhe Rudina Xhunga krijojnë kushte që Nexhmie Hoxha të japë publikisht në 2016-ën, intervistën e saj të n-të, atë të lamtumirës për popullin shqiptar (sido që për respekt të viktimave të sitemit komunist, mund të ish kursyer melodia mallëngjyese meditative që shoqëronte gishtat e Nexhmijes në hyrje e në fund të intervistës). Pse jo? Në intervistë ngrihet në qiell kryevepra njerëzore e Enver Hoxhës, kolegjialiteti i vendimmarrjes socialiste dhe nënvizohet se socializmi ynë kaloi ndonjëherë edhe në ekstrem veç nga që ashtu donte populli, jo se donte Enveri (?! Se ai i ziu ishte i butë dhe tolerant; thjesht ndiqte këta të çmendurit pa fre nga baza, prej shpirtit thellësisht liberal e demokrat që kishte! -ED), shprehet besimi në rehabilitimin e tij dhe aludohet për një të ardhme enveriste të Shqipërisë. Por do ishte më mirë që njerëzve t’u jepeshin, krahas kësaj interviste sa delirante aq edhe normalizuese, edhe mjete njohëse që ta ndjekin realisht fillin e ideve të N. Hoxhës dhe ta shohin kritikshëm mesazhin e saj.

Në atë rast do buzëqeshnin hidhur siç bëra unë kur dëgjova se N. Hoxha rrëfente mundimet “për të larë baltën hedhur mbi Enverin” e qahej se e kishin futur padrejtësisht në burg “për inate politike”, se në burg nuk kishte pasur mjaftueshëm ujë, dhe se ajo solidarizohej me të burgosurit e tjerë apo i jepte ushqim prej të sajit një të dënuari me vdekje. Shumë prekëse! Ata të shumtët që e pësuan prej grupit dhe ideologjisë sate, që i shkuan në plumb pa e ditur as ata vetë e as ju përse, që i mbyllën burgjeve për dekada, që i internuan baltës dhe urisë, që i ndanë për së gjalli nga familjet e në fund i hodhën gjëkundi e i lanë pa varr (por ama që nuk u dhanë dënimin suprem që more ti duke hyrë në një apartament në Laprakën famëkeqe!, janë të vetmët tolerantë të vërtetë që edhe sot janë pa gojë prej vazhdimësisë së kulturës komuniste. Por e vërteta për viktimat e vërteta të socializmit, sido që ka ardhur shpesh në dy dekadat e fundit, ka qenë e copëtuar dhe jo-sistematike. Shqipëria nuk ka prodhuar dot një trup simbolik (dhe unë ngulmoj se filmi, më mirë se libri, mund ta luajë këtë rol për masën) që paraqet realisht rrënimin moral të marrëdhënieve njerëzore, eliminimin total të lirisë edhe atë të të menduarit nën peshën e frikës, dhe kthimin e shkatërrimit të dinjitetit të individit në qëllim kapital.

Nuk kam dyshim se N. Hoxha sinqerisht i beson ato që thotë. Për asnjë çast nuk mendoj se i thotë që t’u hedhë njerëzve trutë e gomarit. Ajo mbrohet nga një veshje ideologjike që ia neutralizon skizofrenikisht çdo lloj sensitiviteti të trurit normal ndaj realitetit dhe fakteve. Por ish-elitat mund të prijnë në dëshmimin vetë-kritikues të së keqes, që për N. Hoxhën ndoshta është më i vështirë përderisa ajo flinte me babain e së ligës. Socializmi ynë mes 1945-ës dhe 1991-shit duhet treguar, shkruar, dëgjuar, kuptuar e gjykuar me sinqeritet në emër të së ardhmes.

Besoj se e keqja jonë ardhur prej atyre dekadave ka qenë një efekt moral me pasoja të gjata: zvetënim i vlerave e mosbesim në to, mosbesim tek puna dhe lufta për të drejtën, shtirje e përhershme e pa cak, frikë për të vepruar, madje edhe për të menduar, deri në braktisje totale të sensit të së vërtetës për veten, kohën dhe vendin, pamundësi për të qenë kritikë e përbrendësim i normave konformiste dhe justifikuese të sistemit dhe vetes. Shkakun nuk duhet ta kërkojmë vetëm tek natyra e ideologjisë dhe tek varfëria tmerruese ku ishim kur iu futëm valles thuajse fatale të komunizmit. Ideologjitë janë puse ku çdo analizë e kritikë humbasin pa gjurmë, ndaj rikthehen lehtësisht.

Në këtë plan sistemi ynë komunist do jetë pafundësisht i kritikueshëm, ashtu si do ketë breza të rinj shqiptarësh që do i rikthehen marksizmit (siç i janë rikthyer, në fakt) me idenë se s’ka lidhje me fëlliqësinë tonë komuniste 1945-?.  Gjithashtu, fare pak të reja do na vijnë duke gërmuar e analizuar ekonominë tonë të para 1945-ës. Ka kohë që unë përgjigjen e kërkoj në lidhjen mes gjendjes ekonomike sociale tonës dhe llojit specifik të elitës që prodhuam pas Lufte. Mënyra lokale si u trajtua e u rrit elita totalitare e Luftës dhe pas-Luftës, është terren ende i pahulumtuar për shkencat tona politike e sociale, dhe premton të japë përgjigje për bazën subjektive të komunizmit tonë specifik.

Sistemi qe në thelb po ai për gjithë vendet komuniste e jo veç për ne. Por kam frikë se askund tjetër si këtu nuk u vranë idealet aq pamëshirshëm e pa mëdyshje sapo do zinin fill, e askund tjetër si këtu nuk mësoi përbindëshi që polli frika nga diktatura, të shtiret si ideali origjinal apo si kërkim relativ i idealit, brenda çdo individi dhe brenda elitës intelektuale në tërësi. Dhe kështu mrekullisht u vra çdo mundësi që të lihet gjallë idealizëm real, sepse në fakt ne kishim bindur veten se … ai ishte kudo e tek çdo pjesëtar i elitës që përpiqej të prodhonte e riprodhonte jetën e vet në falsitet.

[vijon]

3 Komente

  1. Shume qarte! Aq sa nuk ka nevoje per nje pjese te dyte! Mbi te gjitha brezit te ri duhet ti tregohet mungesa e lirise ne “sistemin socialist” qe lame, mungesa e mendimit autentik, mungesa e fjales se lire, e levizjes se lire, e besimit te lire, etj., gje qe eshte bere deri diku nga vitet 90 e tehu, por qe nuk ka si te zere vend plotesisht tek ky popull, sepse ky popull edhe sot nuk e di c’eshte liria te mendosh krejt i pavarur nga cilido subjekt tjeter, sepse ky popull po e shperdoron kete liri fjale duke perdorur me shume bulverizmin, mobingun, sharjet, ofendimet, ulerimat, sepse ky popull sot i ka shkelur dhe i shkel hapur ligjet e levizjes se lire, si brenda vendit te tij ashtu dhe jashte, sepse ky popull quan te drejte vetem besimin e tij, sepse ky popull nuk di te respektoje dhe toleroje njeriun, as te zbatoje ligjet! Qe (me nje vize ndarese) kjo pjese nuk perben me shume se 20-30 % te te gjithe popullsise, kjo mjafton qe punet e ketij populli te shkojne kaq “bukur” sic po shkojne edhe sot ne demokraci! Pra?.. Me duket se hedhja e fajeve te gjitha tek sistemi apo Enveri i te shkuares, me teper justifikon te metat e sotme, pra makuterine dhe babezine e njerezve sot!

  2. Mendoj se si popull i druhemi analizës, sepse komunizmi hyri te ne si krim i një pakice kriminale në bashkëpunim me shumicën. Pastaj mendësia turkoshake e gënjeshtarit, hileqarit dhe mendjevoglit delirant nuk do na lejë kurrë te vetëkritikohemi, le më pastaj të vetëgjykohemi. Këto do na shpien drejt përsëritjes së dramës.

  3. Sistemi ishte i njejte per te gjitha vendet e ish bllokut komunist , por beckgroundi historik, kulturor,ekonomik, social dhe peisazhi politik pra vitit 1944, ishte i ndryshen.
    Ne disa nga vendet ish komuniste ekzistonin tradita demokratike. Ne vendet e Europes Lindore, regjimi komunist, me perjashtim te Shqiperise dhe Jugosllavise, u vendos ne prani te Ushtrise se Kuqe ne vitet 45-48 .
    Te gjitha vendet e ish Bllokut komunist, me fillimin e destalinizimit, moren fryme me lirisht.Vetem Shqiperia u vetizolua totalisht.Dhe kuptohet se edhe pasojat e stalinizmit shqiptar ishin me te renda. Caushesku perfundoi si qen por ku Rumania e ku Shqiperia qe mbriti tek bari e parimet nuk i shkeli!
    Edhe vete elita eshte produkt i ketyre rrethanave specifike.
    Sa per filmat , do permendja dy: Vdekja e kalit dhe Parrullat. Me pas nje shkretetire.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin