Kur më qëllon të shkoj gjëkundi ku qielli është ende i tejdukshëm, ose i pandotur nga pluhuri dhe tymrat dhe bloza, dhe as nga ndriçimi artificial, i verdhemë, që ngrihet prej qyteteve të mëdha, ngre kokën e shoh natën lart dhe përpiqem të përfytyroj si do të jenë ndier e ç’do të kenë menduar të vjetrit, që kanë pasur gjithnjë mbi kokë këtë fishekzjarr të ngrirë, por madhështor, krejt më madhështor se ky i lodhuri i tanishëm.
Shumë prej nesh nuk e vrasin shumë mendjen për yjet, teksa vazhdojnë të ushqejnë madje të kultivojnë rutinën; qielli tashmë nuk bën pjesë në këto rregullsi dhe rituale moderne, madje as ata që lexojnë me kërshëri horoskopin çdo mëngjes nuk e vendosin gjithnjë lidhjen midis shenjave të Zodiakut dhe yllësive të ekliptikës. Ka një marrëdhënie, ndoshta vështirë të dallueshme, por gjithnjë me rëndësi, midis asaj që na thotë sot shkenca, dhe pikërisht se Toka nuk është veçse një kokrrizë rëre në plazhin e madh të Universit; dhe mjegullimit të qiellit tonë të natës nga teknologjia.
Prandaj edhe, kur e shoh qiellin e natës në një vend që ende ma lejon soditjen (latinishtja considerare është një formim me parashtesën con– nga tema sidus, yll) dhe të përpiqem të njoh ndonjë prej yllësive të shumta, duke i krahasuar me hartën gjithnjë e më të dëmtuar që mbaj në kujtesë; kur e shoh pra kubenë e këtij tempulli që ua mbaj sekret të tjerëve, më shkon mendja te një artifakt më parë i fantashkencës dhe më pas edhe i futurologjisë, i njohur si “sfera e Dyson-it.”
Pa u futur në përshkrime shkencërisht rigoroze, po them vetëm se sfera e Dyson-it është një strukturë e stërmadhe të cilën e ndërton një qytetërim i avancuar rreth yllit të vet, për t’ia kapur dhe shfrytëzuar me eficiencë maksimale të gjithë energjinë që prodhon; nëse Dielli do të ishte bërthama, sfera e Dyson-it do t’i mbështillej përreth si lëkura një portokalli ose zhgualli një arre.
Me sa duket, thonë fizikanët dhe futurologët, një qytetërim që arrin të mbijetojë dhe të zgjerohet brenda sistemit të vet solar, do të ketë nevojë për gjithnjë e më shumë energji; dhe burimi më i mirë i kësaj energjie, ose ylli në qendër të këtij sistemi, nuk duhet lejuar që ta rrezatojë pjesën më të madhe të saj jashtë sistemit; që këtej edhe ideja për ta kapur yllin brenda kësaj strukture artificiale; p.sh. Diellin tonë, brenda një sfere të themi me diametër të afërt me orbitën e Marsit; duke shfrytëzuar material nga Marsi vetë për ta ndërtuar strukturën.
Fantashkencë edhe për shumë kohë, në mos përgjithnjë. Por kjo nuk ka penguar fizikanët dhe futurologët që t’i rekomandojnë programit SETI që të kërkojë, në hapësirë, për sfera të tilla të mundshme, duke supozuar se sferat Dyson vërtet do ta bënin të padukshëm nga jashtë yllin përkatës, por ama sferat vetë do të shndërroheshin në burime të fuqishme rrezesh infra të kuqe. SETI është në fakt duke kërkuar objekte të tilla hipotetike.
Si do t’i dukej qielli banorëve të një planeti, orbita e të cilit gjendet brenda sferës Dyson? Kësaj nuk di si t’i përgjigjem; por di pamja që do të jetë ndryshe nga e tanishmja; dhe se yllësitë, yjet, galaktikat, mjegullnajat dhe gjithçka tjetër që shohim sot nuk do të duken më; për t’u zëvendësuar me objekte artificiale – megastacione dhe habitate hapësinore, të gjitha duke qarkulluar në hapësirën e brendshme.
E megjithatë, sfera Dyson – sado hipotetike dhe futuristike – i ngjan më shumë se ç’lejohet konceptit të hershëm të Grekëve të Lashtë për qiellin si një lloj tasi të ngurtë dhe të përmbysur, një lloj kubeje a çatie mbi kryet tona; a një farë planetariumi natyror, ku Dielli, Hëna, yjet dhe planetet lëvizin, rrotullohen dhe lakohen sipas një logjike të rregullt, por të mistershme.
Edhe sot e kësaj dite dëgjon mistikët dhe ndonjëherë poetët të flasin për muzikë të sferave – një koncept i pitagoreanëve.
Më lart e quajta qiellin “tempull” – fjalë që vjen, në analizë të fundit, nga latinishtja templum, copë toke e konsakruar për kultin e perëndive; por latinishtja ka ndërtuar, mbi këtë temë, foljen contemplare, “të shohësh me vëmendje, të caktosh një hapësirë për ta vrojtuar”, çfarë lidhet edhe ajo me soditjen e qiellit; dhe jo më kot përkthehet shpesh, në shqipe, me të njëjtën fjalë si edhe considerare.
Të lashtët nuk e vinin në dyshim që lëvizjet e Diellit, të Hënës, të planeteve dhe të yjeve në kubenë qiellore kishin jo vetëm kuptim për t’u interpretuar; por edhe ndikim të drejtpërdrejtë në punët tona këtu poshtë. Ky besim u kristalizua më pas në astrologjinë, ose atë formë të dijes që studion lëvizjet e trupave qiellorë, për të gjetur dhe përshkruar në hollësi ndikimin e tyre në punët e njerëzve dhe të botës, me synimin edhe për të parashikuar të ardhmen.
Astrologët e shohin qiellin si faqen e një dorëshkrimi që shkruhet e rishkruhet rishtas; dhe punën e tyre, madje misionin e tyre, si lexim të kujdesshëm të këtij dorëshkrimi.
Kjo bindje, se qielli lart përcakton punët tona poshtë ka mbetur gjallë deri më sot, edhe pse e përçmuar nga shkenca; me gjithë distancën që i ndan astrologët “seriozë” nga rubrikat e horoskopeve në mediat.
Por njëlloj mahnitëse është edhe hipoteza e kundërt: që punët tona poshtë mund të përcaktojnë fatet e vetë universit lart; çfarë tingëllon si e kundërta e revolucionit kopernikan në botëkuptimin të paktën Perëndimor.
Në romanin “Quarantine” nga Greg Egan, një agjenci misterioze, pas gjase jashtëtokësorët, ndërtojnë një sferë rreth krejt sistemit diellor, që ka Diellin në qendër dhe që e veçon qytetërimin njerëzor nga Universi. Arsyet për këtë vepër inxhinierike kaq kolosale janë po aq kolosale – nëse nuk pengohet në kohë, njeriu do ta shkatërrojë krejt universin thjesht duke e soditur: considerare.
Kjo pasojë fatale, në roman, i detyrohet të ashtuquajturit efekt të “kolapsit të funksionit të valës” të shkaktuar nga vrojtimi; çfarë lidhet edhe me rolin e vrojtuesit në eksperiment dhe, përgjithësisht, në mënyrën si funksionojnë ligjet e fizikës në nivelin kuantik (një tjetër ilustrim i këtij efekti do të ishte edhe Macja e Schrödinger-it). Tek eseja Quantum Mechanics and Quarantine, autori ka shpjeguar aspektet teorike të këtij spekulimi fantashkencor.
Në romanin e Egan-it, njeriu i shkatërron qytetërimet e tjera thjesht duke i shikuar me sy, meqë ua detyron atyre grimcat subatomike të stabilizohen në një nivel të vetëm. Nuk pretendoj që të jem në gjendje ta sqaroj deri në fund këtë koncept fantashkencor dhe aq më pak me argumentet e fizikës kuantike; por funksioni ngjethës i vështrimit ma çon sakaq mendjen te Meduza, një nga Gorgonat e mitologjisë greke që i kthente në gur të gjithë, thjesht duke i vështruar (në fakt, dhe teknikisht, të gjithë ata që ia shihnin fytyrën; kahu i shikimit luante, pas gjase, një rol).
Por kur vjen puna për njeriun dhe qiellin, efekti ngurtësues vepron në të dy drejtimet: italishtja e sotme ka madje një folje, assiderare, që vjen edhe ajo, në analizë të fundit, nga sidus (trup qiellor, yllësi, kupa e qiellit; shumësi sidera) dhe që sot ka marrë kuptimin “ngrij nga të ftohtit” – sipas një metonimie që i referohet të qëndruarit jashtë natën, në dimër. Vetëm se në romanin e Egan-it janë njerëzit që po “e ngrijnë” universin, duke ia zeruar probabilitetet thjesht nëpërmjet vështrimit.
Imazhi i qiellit, megjithatë, është një nga ato udhëkryqe ku fantashkenca dhe futurologjia marrin drejtime të ndryshme; sepse nuk është aq e vështirë të përfytyrojmë një të ardhme jo shumë të largët kur, për shkak të ndotjes masive të ajrit, miliarda banorë të rruzullit tokësor nuk do të jenë në gjendje t’i shohin yjet natën, ose të mos u japin më kurrfarë rëndësie; dhe nëse ndodh ashtu, jashtëtokësorët nuk do të kenë arsye për ta ndërtuar sferën mbrojtëse përreth sistemit diellor; meqë njeriu vetë do ta rrethojë qytetërimin e vet me tym, pluhur dhe ndotje të tjera – një sferë Dyson-i aksidentale, që mbase do t’i shërbejë edhe mbarë Universit, por gjithnjë me përjashtim të neve vetë.
Fantazia jo gjithnje ka te beje me realitetin dhe mund te kthehet ne realitet, si ne rastin e ketij romanit te mesiperm (te Greg Egan)! Trupat qiellore bashkveprojne me njeri-tjetrin, keshtu edhe dielli yne me nje trup tjeter te caktuar (deri me sot akoma e papercaktuar qarte me cilin, i quajtur apeks, ne mos gaboj), ndaj kjo mbeshtjellje alla dyson, apo alla Egan, nuk ka si te beje shfrytezimin dhe shpetimin e nje civilizimi te caktuar, por ka te beje me shkaterrimin e te gjithe stij sistemi diellor, ku ben pjese edhe ky civilizim.
Malthusi na rri gjithnje mbi koke per te na kujtuar se alarmizmat shkencore e fantashkencore duhen marre jo shume seriozisht. Them se duhet te marrim seriozisht Malthusin e te ruhemi nga ndonje lufte e trete boterore, nqs mundemi. Nga ana tjeter forca e rendeses na mban te mberthyer ne toke, ashtu sikunder mban jashtetokesoret ne planetet e tyre. Mund te themi qe forca e rendeses na con tek Malthusi.
Forca e rendeses eshte fuqia krijuese e vepruese e Universit, e cila mandej prodhon ligjin e Malthusit per qeniet e gjalla po ne Univers, jo thjesht ne toke.
Njeriu mund te shkeputet nga ky fat vetem nqs del nga fizika e shkon pertej saj, dmth ne metafizike, sepse fizika tashme gjendet ne limitin e saj, tek forca e rendeses qe eshte krijuesja e saj. Nqs fizika do shkonte pertej gravitetit nuk do te ishte me fizike, po dicka tjeter.
Ceshtja eshte se mendimi metafizik duke u perpjekur te zbuloje realen, entin, perfundoi ne logjike e shkence. Paradoksalisht shkenca i vuri ne pah njeriut limite te pakapercyeshme, ne vend qe t’i tregonte se eshte palimit. Kete zhgenjim njeriu e kapercen me ane te fantashkences duke u zhytur serisht ne dicka qe eshte pertej fizikes, por qe ka dukjen e fizikes/shkences.
Por ketu njeri nuk eshte me tek mendimi spekulativ metafizik, i cili ka rigorozitet logjik, por tek mendimi fantastik qe eshte domen i perralles.
Mund te thuhet se jetojme ne zanafillen e nje epoke te re apo te Njeriut te Dyte. Ndersa i pari fantazoi pertej fizikes duke shkuar tek jeta e pertejme e Zoti, pastaj pas mijera e mijera vjetesh kaloi nga mendimi fantastik/perralla (miti) ne mendimin metafizik/filozofik (logos) e me ne fund ne shkencen e sotme, ky i Dyti apo i sotmi, fantazon duke fluturuar nga nje cep i universit tek tjetri per te shkuar ne nje te neserme (pas qindra apo mijera vjetesh) tek nje mendim metafizik rigoroz (ndoshta do kalohet nga enti tek qenia), i cili pas nje zhvillimi do i jape jete nje shkence te re ku fizikja si konceptohet sot do jete kapercyer, kushedi ndoshta nga njerez qe jane thjesht energji primordiale me ndergjegje.
Natyrisht, shkencetaret e shkences se fizikes jane pionieret e ketij mendimi fantastik, ashtu sikunder besoj se me te diturit ne pune fizike do kene shkuar tek Jeta e Pertejme 30 mije vjet me pare, nuk besoj se asokohe nje njeri mesatar qe merrej me gjueti e peshkim per te siguruar buken kishte nge te mendonte ne menyre sistematike e argumentuese per te bindur te tjeret se ka dicka Pertej apo se shiu binte ngaqe e leshonte Zoti (ne fund te fundit shiu bie prej gravitetit, aq gabim s’e kishte, tek graviteti kemi ngecur edhe sot).
E megjithate Natyra/Universi vazhdoin jeten e saj/tij te pafundme e pa kufij (ne kuptimin e transformimeve te parreshtura e te pafundme, si nje sistem i hapur, -besoj), panvarsisht njohjes se ngadalte e me pengesa te njeriut karshi kesaj Natyre/ Universi. Nga sa lexova nga ky koment i gjate mesiper, mendoj se hylli ka lexuar libra te sotem, apo mbaruar shkollen e larte gjate kohes se tranzicionit (te perjetshem), ku mesohet se shkenca i vuri limite te pakapercyeshme njeriut! Ne fakt shkenca nuk i ka vene njeriut limite njohje, por i ka vene kendveshtrimi metafizik i shkencetarve te sotem, (shek. 20 + 21)! Ndaj dhe shkenca e tyre eshte bere science fiction (fantazi shkencore)!
Ne te vertete ne nuk dime me saktesi as nese universi ka jete te pafundme as nese eshte pa kufij, me pak fjale shkencerisht jemi ende tek germa A e alfabetit. Ka qe thone do mbaroje pas kaq kohesh ka qe thone nuk mbaron, ka qe thone po zgjerohet , ka qe thone po tkurret, ka qe thone se s’leviz vendit, me pak fjale nqs dime nje gje me saktesi eshte qe Universi ekziston (pa u futur thelle te koncepti i ekzistences se pastaj s’dalim dot as qe aty).
Persa i perket limiteve, njeriu parashkencor e konceptonte Token e njerezimin si qendra e universit, mirepo dolem ashtu si duket te jemi. Ndersa yjesia zgjerohej ne zvogeloheshim, njeriu pastaj u perpoq te qendronte dinjitoz ne hapesiren e pamate te universit e filloi fantashkenca me njerezimin qe kolonizonte gjithe galaktiken si minimum.
Kolonizimi i Universit eshte i vetmi koncept qe i rikthente dinjitetin e humbur qenies njerezore e cila kishte 30 mije vjet qe ishte mesuar te ishte qendra e Botes. Tani kishte me pak vlere se miliongona dhe jashtemase me pak sesa bakteri i famshem E. Coli.
Prandaj, besoj se njeriu nuk e sheh me qiellin e yjet, jane deshmi bezdisese e realitetit/rangut njerezor ne Univers. Jemi ”te hedhur” ne bote, pa sens ekzistence, si e kane thene.
Hapesira nuk ngushellon me, por trishton, njerezit gjithnje e me teper mblidhen neper qytete te medha si bletet ne koshere, qyteterohen dmth disiplinohen deri ne palce, ashtu si bletet.
Nejse, ideja eshte qe shkenca hapi me shume horizonte se c’mund te tresim dhe dha me pak pergjigje sesa c’shtroi pyetje.