A ju ka lindur ndonjëherë dyshimi se ju është bërë gjaku pis, prandaj duhet të gjeni mënyrën për ta pastruar?
Jo për gjë, por mjafton një vizitë në supermarketin e këshillave mjekësore alternative shqip, për t’u bindur se asortimenti i këshilluar është nga më të pasurit.
Sipas Kosovapress, fruti më i mirë për të pastruar gjakun është mandarina (nxjerr substancat toksike nga trupi si ndotësit e ujit, kripërat shtesë).
Përkundrazi, gazeta Blic tërheq vëmendjen te “bima Tilia” (duhet të jetë bliri), e cila “ul shtypjen e gjakut, është e shëndetshme në uljen e dhimbjeve gjatë urinimit, nxit largimin e djersës dhe pastron gjakun dhe veshkat.”
Gazeta Express na siguron se “fruti i stinës që pastron gjakun” është shega.
KlanKosova.TV këshillon, për të njëjtin qëllim, përdorimin e hudhrës, mollës, panxharit, majdanozit dhe karrotave.
Për Telegrafi.com, sekreti qëndron tek arra e verdhë, e cila “pastron gjakun, zbut reumatizmin”.
Kosova.sot.info rekomandon, përkundrazi, arrën e zezë lindore (Juglans tigra), meqë kjo “forcon trurin, pastron gjakun dhe përmirëson shikimin.”
Femra.net ka zgjedhur, nga ana e vet, gështenjën, meqë kjo “pastron gjakun dhe e mbron zemrën.”
Ferma ime vë në pah vetitë e sherbelës, e cila “pastron gjakun dhe ndihmon sistemin nervor, ngroh lukthin, largon dhe pakëson gazrat”.
Albeu.com voton për hithrën, “mbretëreshën e bimëve popullore që pastron gjakun.”
Lajmet.shqip këtë rol ia njohin limonit, i cili “pastron gjakun dhe relakson trupin.”
Gazetapress.net mendon se kjo meritë i duhet njohur bimës “echinacea”.
Dritarja.net lëvdon virtytet e rrepanit të kuq.
Për sekretebukurie.com, nuk duhet shpërfillur borziloku, “antibiotiku natyral që pastron gjakun dhe shkatërron kolesterolin.”
Shqipet.eu ndërkohë njofton se gjakun e pastron luleshtrydhja.
Shqipëria.com këshillon çajin e luleradhiqes.
Mjekësiabimorearabe.com promovon acacia sinuata, e cila “pastron gjakun nga viruset dhe heq yndyrën e tepërt të tij”.
Agroweb përmend 7 dhuntitë e vajit të majdanozit, mes të cilave edhe aftësinë “për të larguar toksinat dhe pastruar gjakun.”
Mullixhiu.com ndërkohë lëvdon shpargun, i cili jo vetëm përdoret “për dekorimin e gjellëve”, por edhe “dihet se pastron gjakun dhe ndihmon në shërimin e puçrrave.”
Për indeksionline.com, kush ka nevojë të pastrojë gjakun duhet të përdorë shafranin.
Davetiislam.com reklamon kapsulat nga fara e zezë, për të njëjtin qëllim.
Shqipmedia.com virtytin e të pastruarit të gjakut ia njeh kurkuminës.
Mjeku.net ia jep votën portokallit.
BalkanWeb shfrytëzon urtësinë indiane, për të na treguar se speci i kuq djegës “stimulon shpirtin dhe pastron gjakun.”
FarmaciaBabamusta.com sugjeron çajin e trëndafilit të egër.
BioEarth.al zgjedh të nxjerrë në pah algën spirulina.
Për Opinion.al pastrimi i gjakut i duhet besuar lëngut të qepës së kuqe, një ilaç prej të cilit qenka përgatitur nga “disa mjekë nga hapësira të ndryshme globale.”
Njëkomb.com flet për kulumbrinë shqiptare, e cila – siç e tregon edhe emri, “ndihmon në pastrimin e gjakut.” Veçanërisht “gjakut shqiptar”.
Herbalkos.com reklamon, për të pastruar gjakun, shurupin e manit të zi.
KuzhinaReceta.com këshillon dëllinjën e kuqe.
Bukuri.com na kujton se gjakun e pastron edhe angjinarja.
Po çfarë është pikërisht “pastrimi i gjakut”? Në materialet e mësipërme përmenden shpesh toksinat, helmet, bakteret, viruset, kolesteroli, yndyrnat e tepërta dhe shumë produkte të tjera të dëmshme. Duket sikur kjo procedurë lidhet me purifikimin në përgjithësi, ose me çfarë sot e quajnë detoksikim ose thjesht detoks – një proces që kombinon marrjen e laksativëve, diuretikëve, lëndëve që rritin djersitjen etj.; dhe që nxitin largimin e lëngjeve nga trupi.
Nëse ka nevojë gjaku “për t’u pastruar” nëpërmjet produkteve të tilla, kjo është çështje tjetër.
Albanian.cri.cn shpjegon se për të pastruar gjakun ndihmon edhe lakra; njëlloj edhe gjuhashqipe.com.
Gamistore.com nxjerr në vitrinë vajin e karafilit, i cili “forcon sistemin imunitar nëpërmjet aftësisë së tij për të luftuar viruset dhe pastruar gjakun.”
Gazetatribuna.com na kujton se nuk duhet të nënvlerësojmë brokolin.
Lajmetshqip.com sqaron se papaja “stimulon largimin dhe asgjësimin e mbeturinave dhe të substancave duke pastruar gjakun.”
Fermaime.com vëren se edhe kajsia është e rëndësishme për pastrimin e gjakut.
Well.al tërheq vëmendjen te një “bimë çudibërëse për pastrimin e gjakut”: Rrodhja e madhe (Arctium Lappa). Kjo faqe na kujton edhe se “pa gjak të pastër është e pamundur të kemi shëndet të mirë”.
Mjekësiabimorearabe.com i prezanton lexuesit argelin.
Diet-al.nmed.in.ua rekomandon këto produkte për të trajtuar helmimin e gjakut dhe për ta pastruar këtë: panxharin e kuq, rrushin e zi, qershitë, mjedrën, manaferrat, boronicat e kuqe, lakrën e kuqe, piperin e zi, qepën e kuqe.
Sekretetenatyres.com mendon se sekreti për pastrimin e gjakut duket kërkuar tek uthulla e mollës.
Kallabak.com beson te luleshurdha, pse në gjethet e kësaj bime gjendet kripa natyrore (28%) “ e cila neutralizon thartësirat dhe bën pastrimin e gjakut, prandaj edhe në shumë vende përdoret si sallatë.”
Gati të gjitha këto tekste janë përkthyer, herë mirë herë keq, nga burime të ndryshme dhe qëllon edhe që kanë natyrë promocionale për shitjen e produkteve përkatëse. Tek e fundit, terapinë e pastrimit, purifikimit dhe detoksikimit e gjen në tradita të ndryshme mjekësore – arabe, indiane, kineze; por edhe perëndimore.
Vetë shprehja “pastron gjakun” ngjall interesin e kujtdo që kujdeset për shëndetin e vet, për shkak të konotacionit që sjell me vete koncepti i pastrimit; sa kohë që shpesh sëmundjen e lidhim, intuitivisht, me papastërtitë që futim në trup nëpërmjet ushqimit ose ajrit ose që i përfton vetë trupi, p.sh. gjatë metabolizmit.
Si virtyt i një bime, një fruti a një çaji a shurupi bimor, pastrimi i gjakut tërheq vëmendjen ngaqë gjaku, në mendësinë popullore, lidhet drejtpërdrejt me shëndetin; madje aq sa të marrë një përmasë mistike, duke u kthyer në një kryemetaforë të jetës ripërtëritëse.
Premtimi për “pastrim të gjakut” duket se vepron veçanërisht me ata prej nesh që e teprojnë me konsum produktesh të konsideruara si të dëmshme ose toksike për organizmin (mish i yndyrshëm, alkool, junk food) dhe që përjetojnë një ndjenjë faji drejtpërdrejt të lidhur me stilin e tyre të pashëndetshëm të jetesës.
Vetë gjuha me të cilën prezantohen këto produkte, për shkak të përkthimit ose edhe ngaqë ashtu e dëshirojnë autorët, është e pasur me terma mjekësorë dhe farmakologjikë të mirëfilltë: diuretik, tonik, laksativ, antioksidant, kolesterol, flavonoide, imuniteti, sistemi imunitar, enzima, toksina, rutinë, kuercetinë, inflamacion, trakti respirator, alkaloide, acid fumarik, baktericide, edema, etj.
Ky lloj leksiku ose përcakton se tekstet në fjalë u drejtohen lexuesve që i kanë tashmë disa njohuri mjekësore konvencionale; ose tradhton një dëshirë të teksteve vetë, për t’u dukur si “shkencorë”, duke u paketuar gjuhësisht në mënyrë pseudo-kompetente.
E megjithatë, kjo nuk e largon kontradiktën midis sfondit teorik të mjekësisë dhe biokimisë perëndimore bashkëkohore nga njëra anë; dhe teorive jokonvencionale mbi të cilat mbështetet përdorimi terapeutik i një numri të madh të këtyre barërave dhe ushqimeve, sidomos kur rekomandohet nga tradita mjekësore dhe farmakologjike jo-perëndimore.
Nuk ka shumë kuptim të thuash, brenda të njëjtit paragraf, se i njëjti çaj bimor ka veti antioksidante/anti-inflamatore dhe “ngroh lukthin”; sa kohë që këto veti u përkasin dy botëkuptimeve të ndryshme për biokiminë dhe fiziologjinë e trupit të njeriut.
E megjithatë, një pjesë e madhe e frutave, perimeve dhe barnave të rekomanduar për “pastrim gjaku” janë pjesë e dietës sonë dhe duhen rekomanduar për vlerat e tyre ushqimore të konfirmuara. Nuk ka nevojë të dish që kajsitë, angjinaret, kulumbritë, shpargu ose brokoli “pastrojnë gjakun”, për t’i konsumuar me dëshirë dhe rregullisht.
Mjekësia bashkëkohore nuk i njeh ndonjë vlerë procesit të “detoksikimit” nëpërmjet ushqimit dhe barnave; sipas Shoqatës Dietetike Britanike (BDA), “krejt ideja e detoksikimit është marrëzi. Trupi është një sistem i mirë-zhvilluar që ka mekanizmat e veta të brendshme për të detoksikuar dhe larguar mbetjet dhe toksinat.”
Mbetet për t’u shpresuar që konsumi i produkteve “të pastrimit të gjakut” të rekomanduara nga mediat shqip, edhe pse jashtë çdo kontrolli dhe filtrimi prej ekspertëve, të paktën nuk do të dëmtojë njeri; dhe se efekti placebo do të bëjë punën e vet. Tek e fundit, sa kohë që nuk e kuptojmë dot drejtpërdrejt se gjaku “na është bërë pis”, si do ta marrim vesh e të sigurohemi kur të na pastrohet?
Deri para një viti nuk i lexoja kurrë këta artikuj.Tani i lexoj.Informacioni naiv që jepet,gjuha primitive dhe qesharake,si dhe pretendimi për besueshmëri më bëjnë të përjetoj ndjesinë komplekse të një “mazokizmi intelektual”.
Këto ditë,hasa në një shkrim,që fliste për vetitë gjithçkabërëse të bikarbonatit te natriumit(soda e bukës),ose PECIVA,në tekst(?!).Me sodën e bukës dhe pak ujë krijojme një pastë te cilën e aplikojmë në fytyrë.Pas dy-tre përdorimeve,qimet e padëshiruara do të fillojnë të rrallohen dhe pas nje jave do të zhduken fare.Interesante,sepse pak ditë me parë kisha lexuar përsëri diçka për sodën e bukës,e cila,e apikuar në formë paste në lekurën e kokës,ishte një kurë shumë e mirë për forcimin e rrënjës së flokut.
Shqiperia po i pershtatet Perendimit ne kete pike, mosha mesatare eshte rritur ndjeshem si pasoje e emigracionit dhe lindshmerise ne renie, semundjet e mireqenies si diabeti dhe kardiovaskularet po shtohen shume, keshtu qe edhe vemendja ndaj shendetit e lidhja me ushqimin eshte rritur.
Informacioni eshte i veshtire per t’u filtruar jo vetem ne Shqiperi, po kudo sepse ka spekullime te pashembullta per arsye biznesi.
Njoh njerez qe pothuajse nuk hane me mish te kuq se kane lexuar, qe u shkakton vetem deme, perfshire kancer. Mjafton te behet nje kerkim ne google,italisht e/o anglisht e dalin plot artikuj me tematike te tille.
Vete kam arritur ne perfundimin e rendomte, qe nqs ka ndonje kujdes qe ia vlen eshte kujdesi maksimal ndaj semundjeve te paraardhesve, njerezve te fisit e familjareve, pra semundjeve gjenetike, pastaj per semundjet e tjera mjaftojne normat e pergjithshme.
Nga ana tjeter, ka nje paradoks ne lidhje me ushqimin. Na mban gjalle mjekesia, dmth na con ne mesatare 80 vjet, vdekja nga uria apo kequshqyerja afatgjate nuk ekziston me (te pakten ne Europe), pra gjithe arsyetimi modern/aktual ne lidhje me ushqimin, ka te beje me cilesine me te mire te jetes, nqs njeriu ushqehet me kujdes, dmth do semuret me pak, do perdore me pak ilace, apo do semuret me vone e do perdore serisht me pak vite ilace.
Por nqs kjo cilesi me e mire e jetes nga nje ushqim i shendetshem (se sasine e jetes na e jep mjekesia, duke filluar me vaksinat, pa cilat gjysma e te gjalleve sot s’do ishin fare) do perkthehej ne mos ha kete e mos ha ate, mos pi kete e ate, a nuk eshte kjo vete nje renie e cilesise se jetes.
Kete paradoks e kane shfrytezuar njerez qe kane dashur te abuzojne me ushqime te caktuara dhe normalisht e kane pesuar.
Qe nga kohet me te lashta, virtyti ushqimor ka qene moderimi, dmth ha nga te gjitha pa e tepruar.
Sot, dalin lloj-lloj ekspertesh qe duket sikur kane shpikur eliksirin e perjetesise, kur flasin per vlerat e ushqimeve te caktuara, po trupi eshte makine e jashtezakonshme, mjafton te jesh i moderuar, te ”degjosh” tretjen e te kesh kujdes ndaj semundjeve gjenetike, kujdes me banal se kaq nuk behet. Nqs trupi eshte Fiat do zgjase sa nje Fiat, nqs eshte Benz sa nje Benz.
Kuptimplote! Pervec kesaj shkrimi eshte i vlefshem edhe sepse permban adresat e site-ve (sajteve) te ndryshme ne internet.
I nderuar r.th., po të të duhet ndonjë adresë Interneti ndonjëherë, mos hezito të më shkruash!