Një nga institucionet themelore të jetës malësore që i tërhoqi vëmendjen Edith Durham-it, gjatë vizitës së saj në malësitë shqiptare në 1908, ishte fisi; i cili në thelb mund të përkufizohet si bashkësi njerëzish të cilët, në bazë gojëdhënash dhe besimesh të kaluara brez pas brezi, e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i vetëm, në vijë mashkullore.
Thotë Durham-i, në librin e vet të mirënjohur High Albania, se malësorët burra dhe gra, që rrjedhin nga një patriark i përbashkët, sado i largët të jetë ky në kohë, e shohin njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra, dhe martesa mes tyre ndalohet rreptësisht, meqë gjykohet si incestuoze. Deri edhe priftërinj të atyre trevave e konsideronin martesën mes kushërinjve të larguar prej 12 brezash si ide të papranueshme (horrible), edhe pse Kisha vetë do ta kishte lejuar.
Megjithatë, vëren Durham-i, ekzogamia ndër malësorë nuk është aq absolute sa ç’duket në vështrim të parë, për shkak të disa ndërlikimeve paradoksale të krahut femëror të familjes.
Kështu, udhëtarja britanike konstatoi, bie fjala, se burrat e Kastratit si rregull i merrnin gratë në Hot, ndërsa burrat e Hotit në Kastrat. “Ky shkëmbim i pandërprerë grash ka vazhduar për disa shekuj,” thotë Durham-i.
Nuk është e vështirë të përfytyrohet se, kjo lloj ekzogamie formale, nuk është veçse një ritual për të maskuar përzierjen sistematike të gjakut mes malësorëve; siç mund ta vërtetojë, me laps në dorë, çdo statisticien.
E përjashtuar prerë në vijën atërore, bashkëgjakësia kthehet fshehurazi, në vijën amnore.
Sado çuditërisht, afëria e gjakut në krahun amnor nuk perceptohej saktë nga vendësit.
Madje edhe qytetarë shkodranë të arsimuar e kishin të vështirë t’i pranonin marrëdhëniet farefisnore në atë krah. Durham-i citon një mik të saj t’i ketë thënë, për një grua për të cilën po bisedohej: “Ajo është si punë farefisi im… Nëna e saj dhe e imja ishin motra.”
“Po atëherë ju jeni shumë të afërt. Kushërinj të parë,” kish vërejtur Durham-i.
Shkodrani kish ndenjur në mendime për një copë herë. “Tamam. Si kushërinj të parë, patjetër, por nga krahu i nënës.”
Po ky person, kushërinjtë e tretë nga krahu i të jatit i konsideronte si vëllezër. Njëri prej këtyre “vëllezërve”, shton Durham-i, ishte kaq i largët, sa rezultoi e pamundur t’i ftillohej prejardhja.
Kisha Katolike e njihte afërinë e gjakut edhe nga krahu amnor, dhe e ndalonte martesën deri mes kushërinjve të gjashtë; por mes fiseve myslimane, i thonë informatorët Durham-it, vetëm gjaku në linjë mashkullore merret parasysh. Që këtej, anglezja arrin në përfundimin se ligji i vjetër fisnor njihte vetëm gjakun e burrit; madje jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe gjetiu, në malazezët.
Sa i duhet besuar Durham-it?
Eshte shume ironike kur lexojme ne librat e te huajve historine tone, zakonet tona. Vete ne shpesh ngurojme ta themi te verteten, ndonjehere nuk duam ta pranojme, ose … mbyllim syte para realitetit. Kam vene re se historianet tane jane shume te njeanshem ne shkrimet e tyte duke u ndikuar nga interesat e momentit dhe harojne qe nje liber historik ka vlere te pacmuar, qe e le si trashegim gjithe brezave me pas. Ndersa shkrimtaret jane vetem ogurzi ose thjesht banal (duhet te kete nje kritik arti qe te evidentoje romanet me vlera artistike etj qe mos te harxhojme kohen duke lexu “plera”). Persa i perket shkrimit te mesiperm, kam patur ne shoqerine time miq qe jane lindur dhe rritur ne veri te Shqiperise qe deshmojne se edhe sot ne keto treva mund te gjenden gjurme te nje mentaliteti te tille (citimet e Durham te paraqitura me siper). Gjithashtu edhe ne eposin e kreshnikeve, kreshniket (Muji dhe Halili) nuk martoheshin me grate e bjeshkeve shqipetare pasi ato shiheshin si motra. Me pelqejne romanet qe paraqesin edhe realitetin e kohes dhe do doja qe te lexoja sa me shume te tille me autor shqipetar. Do te permendja ketu Jakov Xoxen te Lumi i Vdekur qe pasqyron shume bukur realitetin myzeqar te viteve “30.